TIRANË,20 Shtator/ Kryeministri Edi Rama, duke vlerësuar harmoninë e besimit fetar si një pasuri të çmuar, u shpreh sot, se “Shqipëria është shembull i shkëlqyer i tolerancës fetare për mbarë botën” .
I pranishëm të shtunën në mbrëmje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku u çel ekspozita që mban logon “Besimi” , në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, Kryeministri Rama tha se “ardhja në Shqipëri e një lideri shpirtëror është një mrekulli e rrallë për vendin tonë” .
Gjatë fjalës së tij në këtë event kushtuar besimit, kryeministri Rama theksoi se shqiptarët, myslimanë e të krishterë, besojnë tek e ardhmja evropiane dhe duhen respektuar për paqen që kanë dhënë në rajon.
“Mes shqiptarëve nuk ka sherr e as ndasi fetare. Shqiptarët janë myslimanë dhe të krishterë. Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend evropian me myslimanë e të krishterë” u shpreh Rama.
Duke u ndalur te ajo çka e bëri Papën të vizitojë Shqipërinë, Kryeministri Rama u shpreh se, është harmonia fetare, ajo që duhet ta ruajmë si dritën e syve, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme për thellësinë e besimit në vendin tonë.
“Koha e bashkëjetesës së paqes në Shqipëri ishte shtysa drejt kësaj ekspozite. Ka këndvështrime të ndryshme për thellësinë e besimit fetar ndër shqiptarët dhe për shkallën e tolerancës fetare. Nuk duhet të na pengojnë ta çmojmë dhe ta ruajmë si dritën e syve bashkëjetesën harmonike mes feve dhe komuniteteve fetare, marrëdhëniet sociale mes myslimanësh që thonë “betohem pasha 4 ungjij” dhe të krishterët që thonë “vallahi”, u shpreh Rama.