Sylë Ukshini/
Eliott Behar, nga Toronto e Kanadasë, më 2008 u zgjodh prokuror për krime lufte në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë. Libri i tij “Tregoi botës” (TELL IT TO WORLD) hulumton dhe ofron dëshmi të dorës së parë për krimet serbe në Kosovë, për fytyrën e drejtësisë ndërkombëtare në kapjen e kryerësve të krimeve të luftës dhe fushatën sekrete për t’i fshehur vrasjet në masë në Kosovë.
Në vazhdim po sjellim vetëm disa pasazhe, të cilat falsin shumë, nga libri i Eliott Behar:
“Shteti ku janë kryer krimet, Serbia, ka refuzuar t’i sjellë kryerësit para drejtësisë dhe në të shumtën e rasteve ka refuzuar të pranojë se ajo që kishte ndodhur kishte qenë e padrejtë.
Nuk është koincidencë që vlerësimi i gjerë shoqëror për çnjerëzoren tronditëse të Holokaustit nuk depërtoi në ndërgjegjen kolektive deri në vitet ’60, kur njerëzit filluan të flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ndjekja në rastin e Adol Eichmannit, që kaploi vëmendjen e botës kur u zhvillua në Izrael, më 1961, u ndërtua kryesisht nga rrëfimet prekëse personale të dëshmitarëve okularë. Gjykimi i Eichmannit, që kishte qenë përgjegjës nëpër kampe të përqendrimit, u hap me një fjalim dramatik të prokurorit Gideon Hausner: “Teksa qëndroj përballë jush, Gjykatës të Izraelit, për ta udhëhequr akuzën kundër Adolf Eichmannit, nuk jam vetëm. Me mua në këtë vend edhe në këtë çast janë 6 milion akuzues.
Gjykimi i krimeve të luftës të ndodhur në Kosovë e tregoi një rrëfim të vërtetë ku shqiptarët ishin kryesisht viktimat, kurse serbët kryesisht kryerësit. Është rrëfim të cilin ka shumë që ende nuk duan ta dëgjojnë. Por në shumë forma, Serbia ka nisur ta pranojë realitetin e së kaluarës më të re; më shumë se cilido shtet tjetër i ish-Jugosllavisë ka nisur ballafaqimin dhe pranimin e krimeve që ishin kryer në emër të sajin.
Në fund, u zbuluan tetë varre në Batajnicë: pesë varreza masive, dy lokacione më të vogla dhe një që ishte bosh (…) Këto varreza përmbanin dhe plumba e gëzhoja, patentë shoferë e pasaporta, gjësende personale që nga lapsat e deri te bileta e autobusit si dhe rroba të bëra shoshë nga plumbat.
Disa nga gropat mbanin goma të djegura si nën ashtu edhe mbi trupat. Shumë nga trupat ishin djegur nga zjarri. Ose nuk mund të njiheshin, ose ishin shkatërruar me dhe.
Batajnica ishte lokacioni ku u gjet varreza më e madhe masive, por nuk ishte e vetmja. Disa lokacione të tjera ku ishin fshehur trupat u identifikuan nëpër Serbi e Kosovë.
Në qendrën e policisë speciale në Petro Selo, Serbi Lindore, u gjendën dy varreza masive nën një shtresë bari të porsa rritur.(…) trupat u zhvarrosën nga forcat serbe dhe u transportuan me qindra kilometra larg për t’i fshehur.
Fati i shumë trupave të zhdukur në Kosovë mbetet mister edhe sot.
Krimet e kryera, duke përfshirë edhe dëbimin në masë, vrasjet, ndjekjet dhe shkatërrimin e pronës fetare, nuk ishin rezultat “i incidenteve të izoluara të kryera nga individë të rastësishëm”, siç pretendonte mbrojtja e të akuzuarve serb. E as nuk ishin këto veprime të policisë e ushtrisë serbe të kthyera kundër forcave terroriste, siç pretendonin autoritetet e Beogradit. Dhoma (Tribunali i Hagës) gjeti se ato ishin drejtuar kundër civilëve shqiptarë. Shablloni i zbatuar nëpër disa lokalitete u përcaktua: armata do të grasatonte; banorët do të iknin; policia do të hynte me këmbësori, shpesh duke i djegur shtëpitë dhe duke i ekzekutuar burrat dhe djemtë më të rritur; dhe më pas do t’i dëbonin të gjithë në masë, duke i drejtuar nga kufiri në këmbë, vetura apo trena. Dhoma gjeti se forcat serbe ua kishin marrë dokumentet e identifikimit dhe targat e regjistrimit para se të kalonin kufirin, me qëllimin për t’ua bërë sa më të pamundur kthimin”.