Trajneri I kombëtares shqiptare Giovanni De Biasi ka vlerësuar mjaft lojën e kuqezinjve në fitoren e sotme ndaj Francës.“Zhvilluam një ndeshje të mirë, ndaj një kundërshtari që luajti në ritme të ulëta. Besoj që lojtarët dhanë gjithçka prisja në fushë. Jam i lumtur për lojtarët e rinj dhe rikthimin e Bashës. Sonte shpresoj që Danimarka të barazojë me Serbinë, pasi do të ndihmonte Shqipërinë. Kjo ndeshje nuk vlen për kualifikueset, shpresoj që të vazhdojmë kështu në ndeshjet e mbetura për të siguruar pjesëmarrjen” deklaroi De Biasi.
Pas ndeshjes ka komentuar edhe kapiteni kuqezi Lorik Cana duke folur me superlativa për lojën dhe rezultatin edhe pse ishte ndeshje miqësore.
“Do ishte fantastike po të kishte dhe vlerën e tre pikëve ndeshja me Francën. Kemi dëshirë që rruga që kemi nisur të përfundojë në Francë. Duhet përqendrim dhe qetësi për të marrë maksimumin në cdo ndeshje. Një fitore ndaj Francës nuk është e rastësishme, frytet e një pune që kemi nisur disa vite më parë për këtë vend dhe këtë popull. Po bëjmë popullin që të krenohet me këtë ekip. Forca jonë është grupi dhe dëshira. Nuk do ta ndërroja Shqipërinë as me Francën, gjithmonë kam ëndërruar fanellën kuqezi. Kur luan për Shqipërinë cdo ndeshje është zyrtare. Shpresoj që të fitojë edhe Danimarka ndaj Serbisë sonte” deklaroi ai.
I gëzuar për golin ka qenë edhe autori i fitores ndaj Francës, Ergys Kaçe. “Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë i lumtur jam për fitoren, pasi është dy muaj para ndeshjes me Danimarkë. Ishte një fitore e madhe, pasi është e para në histori ndaj Francës, ekipi ishte në gjendje shumë të mirë, prandaj e fituam ndeshjen”tha ai.
Ndërsa portieri i kuqezinjve Etrit Berisha “Nuk kemi kualitetet që ka Franca, por grupi ishte vendimtar duke bërë diferencën në fushë. Shpresoj që të vazhdojmë me paraqitjen e mirë që po bëjmë. Ajeti me Alinjin bënë një paraqitje të mirë duke krijuar siguri para zonës”.
Ndërsa Ermir Lenjani tha pas ndeshjes se, “Jam i lumtur për fitoren, nuk e prisja ndërrimin e trajnerit, pasi prisja që të luaja më shumë minuta në fushë. Megjithatë ajo që ka më shumë rëndësi është fitorja”.
Rama: Respekt kuqezinjve miqësore miqësore po Franca është Franca dhe fitorja është fitore
Fitoren e kuqezinjve e ka komentuar edhe kryeministri Rama duke i përgëzuar përmes një statusi në Facebook. Edhe pse ishte një fitore në një ndeshje miqësore, Rama shkruan se fitorja është fitore.
“Respekt kuqezinjve miqësore miqësore po Franca është Franca dhe fitorja është fitore:-) #ForcaShqipëria me e mira është ende përpara!” shkruan kreu i qeverisë shqiptare.(kortezi:Gjergji Mima)