Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/
Në datën 28 shtator 2023 ndërroi jetë atë Artur Liolini, Kryekancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Atë Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij.
Artur Evans Liolini lindi më 19 qershor 1943 në Nju Jork, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Në vitin 1967 mbaroi studimet për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin “Princeton”. Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë. Gjatë shërbimit të tij, atë Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.
Atë Arturi ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist. Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e ndjera familjes. Perëndia e prehtë shpirtin e tij në tendat e të drejtëve!