Ekipet kombëtare, plot 24 që janë kualifikuar për në fazën finale të kampionatit europian “Francë 2016”, mes të cilave për herë të parë edhe Shqipëria e Giovanni De Biasit, të shtunën më në fund do të mësojnë kundërshtarët e tyre në këtë Europian.
Shorti i Parisit do të shënojë dhe fillimin e kompeticionit, që zhvillohet mes 24 skuadrash, e para kjo që nga krijimi i kësaj ngjarjeje sportive. Për shkak të koefiçentit të ulët, kuqezinjtë tanë do të jenë në vazon e katërt, së bashku me Turqinë, Republikën e Irlandës, Islandën, Uellsin dhe Irlandën e Veriut. Gjatë momentit të hedhjes së shortit, në Pallatin e Kongreseve në Paris, Shqipëria do të përfaqësohet nga presidenti Armando Duka, trajneri De Biasi dhe menaxheri i kombëtares, Alban Bushi. Në vazon e parë, Francës – që është edhe vendi organizator, – i bashkohen Spanja, Gjermania, Anglia, Belgjika dhe Portugalia. Në vazon e dytë janë të tjerë emra të mëdhenj të futbollit europian, si Italia, Zvicra, Rusia, Austria, Kroacia dhe Ukraina.
Edhe vazoja e tretë nuk mbetet prapa, përsa i përket peshës që kanë këto kombëtare në Europë. Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në “Francë 2016” mund të jetë edhe Suedia, apo Republika Çeke, Polonia, Rumania, Sllovakia e Hungaria. Në shortin e së shtunës, duke filluar nga ora 17:30, 24 përfaqësueset pjesëmarrëse do të ndahen në 6 grupe, me nga 4 skuadra. Sipas rregullit të ri të UEFA-s për këtë kompeticion, dy të parat e çdo grupi kualifikohen drejtpërdrejt në fazën tjetër, ndërkohë që një mundësi të mirë për të vazhduar më tej në “Francë 2016” do ta kenë edhe 4 skuadrat më të mira ndër të tretat e të gjitha grupeve. Një skemë kjo, që mban të hapur deri në ndeshjen e fundit në grup shpresat e skuadrave të vogla, përfshi edhe kuqezinjtë tanë, për të qëndruar sa më gjatë në Europianin e parë ku marrim pjesë. {SH.K}.