
Prof. Stefan Çapaliku/
(në 100-vjetorin e lindjes së Lukë Kaçajt)
“Thyhem, por nuk përkulem”, kjo frazë e famshme latine prej vitesh e vitesh ka ardhur në mendjen time e shoqëruar prej imazheve të disa intelektualëve shqiptarë, një pjesë të të cilëve kam pasë rastin t’i njoh personalisht. Njëri prej tyre, të cilit i shkonte bash për shtat, ishte edhe Lukë Kaçaj.
Lukën e njoha në një rrethanë krejtësisht atipike për një artist të madh si ai. Nuk pata kurrë fatin ta shihja në skenë dhe, gjithashtu, as në fuajenë e ndonjë teatri muzikor, ku spektatorët presin t’u japin dorën idhujve të vet artistë. Jo. Me Lukë Kaçajn u njoha në tren, në vitin 1986. A ju kujtohet? Shqipëria dikur kishte trena dhe ndër trena janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për jetët e njerëzve të asaj kohe. Qe krijuar njëfarësoj “kultura e trenit”, gjë që brezi i sotëm nuk e njeh fare. Nuk e di pse dikush vendosi t’i shkatërrojë trenat dhe hekurudhat shqiptare, duke e lënë vendin tonë, kam frikë, si të vetmin në botë pa trena.
Për ne, studentët e asaj kohe, që e bënim rrugën Tiranë–Shkodër–Tiranë të paktën dy herë në muaj, zgjedhja e vendit se ku do rrije për të shtyrë katër orë me muhabet nuk qe as e lehtë, as për t’u shpërfillur. Kështu që shkonim herët në stacion dhe përshkonim gjithë trenin në këmbë, duke pikasur tipin se kujt do t’i rrije përballë. Atbotë treni nisej mbasdite vonë dhe mbërrinte në Shkodër pak para mesnate. Unë po bëja shëtitjen time nëpër tren për të zgjedhur bashkudhëtaren/bashkudhëtarin. Pak ose shumë pak qenë ata meshkuj që mund të konkurronin vajzat, të cilat rrinin më së shumti si pjesë e rretheve të vjetra shoqërore.
Mirëpo, një nga ata udhëtarë që m’u duk sikur më ftoi me sy që t’i ulesha përballë, qe një burrë shtatmadh, sy bojëqiell, flokë gështenjë të krehur në mënyrë ovale, veshë me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kravatë të hollë gri. Ishte koha e një varfërie absolute, kur sundonin trikot e leshit, pardesytë e dala boje, pantallonat me stof kombinati dhe këpucët me nallca.
– Ti e ke pa filmin Skenderbeu, po? – foli i panjohuri me zanin si të dilte nga një gyp stufe.
E kush nuk e kishte pa filmin “Skenderbeu”?! I madh e i vogël e dinin përmendësh.
– Atëherë duhet ta mbash mend edhe atë plakun e thatë me një djalosh të ri në krah, që këndon duke u afrue ashtu ngadalë mes lulekumbullash, duke tërheqë kambët zvarrë? – e nisi mandej me këndue ashtu ulët: “O ju male…“. – Njaj pra jam unë…
Nuk dita atëherë si me e pa atë burrë, i cili aso kohe nuk ishte hiç ma i vjetër seç jam unë sot. Lukë Kaçaj mandej, mbasi mori vesh, ashtu shumë shkurt e shpejt, se isha një student letërsie nga Shkodra, ia nisi bisedës duke më tregue të gjithë jetën e vet.
Lukë Kaçaj fliste dhe unë shikoja sesi një malësor, që kish fillue studimet si seminarist ndër fretnit e Shkodrës, ku kish marrë mësime muzike nga Patër Martin Gjoka dhe Patër Filip Mazrreku, ishte shndërrue, pa e ndryshue thelbin malësor, në një gjentëlmen, që, kur qe paraqitë atje në Moskë për t’u pranuar në fakultetin e muzikës, kishte qenë në gjendje të këndonte në pesë gjuhë: shqip, latinisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht.
Ai malësor, në çdo hap të jetës së vet, nuk kish ba asgja tjetër veçse kishte vërtetue moton e moçme latine se: “Thyhem, por nuk përkulem!”.
Foto: AI