Lek Mirakaj/
Harmonia fetare është një subjekt dhe një realitet me të cilin me të drejtë ne shqiptarët mburremi. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi për të dëshmuar apo për t’u angazhuar në një diskutim që ne e kemi realitet, të cilin e jetojmë çdo ditë. Mbasi lexova librin e fundit të shkrimtarit Muharrem Xhydollari “Pogradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare”, e ndjeva si nevojë personale të them dy fjalë për autorin dhe librin e tij. Muharremin e kam njohur që në rininë e tij në sektorin e Gradishtës, që ishte njëri ndër kampet më të këqija të internimit. Fati e deshi që të bashkëjetojmë disa vite edhe në ferrin e burgut në Spaç. Me qenë se qëllimi i këtij shkrimi nuk është vënia në pah e vlerave dhe qëndresës në dhunën e Spaçit, po mjaftohem vetëm duke vënë në dukje se Muharremi dinte të qëndronte, diti të përballojë dhunën fizike dhe psikike. Muharremin gjatë viteve të dënimit gjithmonë e shihje me libra dhe të angazhuar në diskutime që dilnin jashtë kornizës që na ishte diktuar nga regjimi komunist. Ai gjithmonë do lexonte apo do shkruante diçka që u bënë burimi i shkrimeve të tija të mëvonshme, që duhet thënë nuk janë të pakta. Po le ti themi dy fjalë për librin e fundit dhe temën që trajton autori. Le të themi që në fillim se Muharremi është një pogradecar i dashuruar me vendlindjen e tij, me historinë e familjes dhe historinë e bashkëjetesës fetare që ka karektarizuar “Pogradecin” e tij. Po citoj akademik Kopi Kyçyku: “Mendoj se disa nga vlerat e librit janë krenaria e thellë dhe e pa bujë për këtë bashkëjetesë të mirëfilltë”. Sipas Dhimitër Gegepriftit, trajtimi i kësaj teme dhe mënyra se si Muharremi e ka shtjelluar, e radhit studiuesin Xhydollari në radhën e personaliteteve me vlera të vërteta qytetare. Libri shoqërohet veç historive që dëshmojnë bashkëjetesën fetare në Pogradec dhe rrethinat edhe me fotografi që i shërbejnë të njëjtit qëllim. Autori, të vërtetat e tij nuk i mbështet thjeshtë në dokumente, po në atë që mund të konsiderohet e vërteta e trashëguar nga tregimet dhe historitë e treguara në sofrat Pogradecare. Megjithse një libër jo voluminoz, autori na njeh me një galeri të gjerë personazhesh që me thjeshtësinë e tyre na përcjellin dhe na e bëjnë historinë të këndshme e me vlera edukative, që duhet ti shërbejnë veçanërisht brezit të ri. Histori të shumta që dëshmojnë harmoninë fetare dhe evidentojnë faktin se pavarësisht respektit për besimin e secilit, pa mohuar faktin e besimit të cilit i përkasim, jemi koshient se në asnjë çast nuk harrojmë se jemi të një gjaku para se të jemi të krishterë apo muslimanë, jemi të gjithë shqiptarë. Autori nëpërmjet punës së tij për të vënë në dukje harmoninë fetare, është kujdesur që nëpërmjet historive të trashëguara, të vejë në pah edhe rezistencën ndaj sundimtarëve të huaj. Një galeri personazhesh si Ismail Derdusha apo Tun Kokoneshi, Marija Paco, Muharrem Hodonishti, Pandi Pasko, Pape Kozmain e plot të tjerë, jo vetëm na njohin me episode dhe ndodhi të vjetra e të reja, por e bëjnë leximin e librit të këndshëm. Mund të zgjatemi në përshkrimin e ngjarjeve që autori me mjeshtëri dhe dashuri i ka përshkruar, por po ia lëmë lexuesit kënaqësinë që të jep leximi i librit të fundit që na dhuron një “poradecar” prej të vërteti. Natyrisht shpresojmë se ky nuk do të jetë libri i fundit i Muharremit, lexuesi shqiptar pret nga ky shkrimtar dhe studiues vepra të reja që do pasurojnë fondin e letërsisë shqipe.