*Anëtarësimi në FIFA e përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës/
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) pranoi Kosovën në Kongresin sot në Meksikë, ku u votua pak më parë, në këtë 13 maj 2016.
Është kjo edhe një ditë historike për futbollin e Kosovës, pas 3 majit 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash në Federatën Evropiane të Futbollit, UEFA, gjatë Kongresit të 40-të në Budapest, Hungari.
Federata e Futbollit të Kosovës u pranua në FIFA me 141 vota për. Në Kosovë nisi festa për anëtarësimin në FIFA.
Në kryeqytet, Prishtinë, ka edhe fishekzjarre.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan në ‘facebook’:
Europa është shumë e vogël për talentët tanë të mëdhenj.
Anëtarësimi sot në FIFA, përfundimisht krijon një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25 vjeçar, ne iu kemi dhënë shumë talentë kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në kombëtaren e Kosovës.
Jam mirënjohës për të gjithë që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA.
Ishte një rrugëtim i gjatë i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. E filluam me pingpong dhe e përfunduam sot në FIFA.
Të bashkuar duhet të luftojmë për betejën e radhës, për fitoren e radhës, për ditën historike të radhës për Kosovës. Gëzuar!
Kryeministri Isa Mustafa shprehet:
Kosova sapo u bë anëtare e familjes botërore të futbollit, FIFA. Sukseset për vendin tonë nuk kanë të ndalur. Së shpejti do t’ju sjellim lajme të tjera të mira.
2016-ta pa dyshim është viti ynë.
Kosova është gati!
Urime!
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan në ‘facebook’:
Kosova sapo arriti një fitore të re të madhe në fushën e sportit, duke u anëtarësuar në FIFA. Ky ishte një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e mëtutjeshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shumë shpejtë, mbarë bota, do ta shijoj futbollin e talentëve të panumërta të rinisë sonë.
****
Anëtarësimi në FIFA e përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës
Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uroi Federatën e Futbollit të Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, si dhe i përgëzoi futbollistët e vendit tonë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Ministri Shala u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në FIFA është ngjarje madhore dhe kurorëzon aspiratat dhe sakrificën e brezave të shumtë.
Me këtë rast, ministri Shala u shprehu mirënjohje drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës për punën e palodhshme që kanë bërë vite të tëra që futbolli i Kosovës të shënojë këtë sukses historik, me ndërkombëtarizimin tashmë të plotë të tij.
Shala më tej në urimin e tij u shpreh se pas pranimit të Kosovës në UEFA, anëtarësimi i sotshëm në FIFA, është dëshmi se shteti i Kosovës po forcohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar.
Ai më tej theksoi se pranimi i Kosovës në FIFA është një mundësi e madhe për futbollin e Kosovës, dhe një nxitje e fuqishme për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti, meqë vendi ynë ka shumë lojtarë cilësorë, të cilët mund ta prezantojnë Kosovën dhe vlerat e saj në arenën ndërkombëtare.
Sipas ministrit Shala, anëtarësimi në FIFA e përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit dhe krijon mundësi që këtu e tutje të përqendrohemi në punën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të kulturës.