NGA PËLLUMB GORICA*/
Jeta e njeriut është një labirinth të fshehtash e të panjohurash, fantazish e meditimesh, ndjenjash dhe ndërlikimesh, në të cilat njeriu mundohet vazhdimisht të depërtojë në to, por të vërtetën e madhe e kupton vetëm në fund, kur i soset gjithçka dhe ai e mbyll me një skepticizëm të pashpjegueshëm: “Ikën vitet sikur s’qenë”. Duke pranuar se njeriu në vetvete është një labirinth dhe se jeta që jetojmë është gjithmonë një “Tunel”, që here – herë nuk ka dritë në fundin e tij, shkrimtari nga Kumanova, Burhanedin Xhemaili në librin me tregime “Në fund të tunelit”, nuk e pranon psikologjinë e atyre që i vret mendimi se “kjo jetë është e kotë”.
Libri është një përplasje e fortë dhe e përhershme midis jetës dhe ireales, fantazisë dhe imagjinares, paragjykimeve dhe logjikës së shëndoshë njerëzore. Aty ku imagjinata kërkon të marrë pushtet e të sundojë fort logjikën e zhvillimit të gjërave, autori shpejt fut në punë inteligjencën, punën dhe përvojën njerëzore, hallet dhe brengat e përditshme që njerëzit i kapërcejnë me kulturën, mendimet, përvojën dhe vullnetin e tyre. Çdo tregim e mban në këmbë e papritura. Autori e nis thjesht tregimin, herë si përrallë për të vënë fëmijën në gjumë dhe herë si një bisedë që ka mbetur përgjysmë dikur, herë si ofshamë shpirti dhe herë si sprovë logjike, dhe vetëm kur shikon shpërthimin që kërkon të tresë qëllimin kryesor të fabulës së zgjedhur, me një ndriçim që të ngacmon arsyen, e zbret zgjidhjen e krijimit të tij në hullitë natyrore të së kuptueshmes dhe njerëzores jetë.
Autori për çdo fenomen e zhvillim ka mendësinë e tij, por ai kurrë nuk i robëron mendimet e ndjenjat e veta, nuk i ndrydh në kafazin e dëshirave të të tjerëve apo t’ia nënshtrojë presionit të pushtetit të më të mëdhenjve. Ai shkruan në një nga tregimet e tij, thjesht pa bërë deklamime mburravecësh se “… nuk e kisha ndërmend ti robëroj parimet e mia, edhe pse koha e mbrapshtë kërkonte heshtjen totale”. Edhe kur ndonjë mundohet të përfitojë nga injoranca e njerëzve të thjeshtë e hallexhinj, duke i trembur me një “Buf me katër sy” apo me “Magjistaren e trentë”, ata më shumë vulosin dështimin dhe turpin e tyre, se sa përfitojnë ndonjë vlerë morale e materiale e nuk lënë emër të mirë pas.
Në tregimin “Bufi me katër sy“ autori me mjeshtëri përcjell një mesazh të madh se njerëz të mirë e të pafajshëm, miqësia dhe bukuria njerëzore, “bien viktimë e bestytnive dhe injorancës,” të cilat po nuk u luftuan, bëhen rrezik për tërë zhvillimin. Siç bën përqasjen e veseve të mira njerëzore me hove shpërthyese të jetës së përditshme, dhe këtë me një arsyeshmëri edhe një paralelizëm të goditur e domethënës, midis mashtrimit e presionit të injorancës dhe bestytnive të vjetra nga njera anë, me dhunën e reprezaljet të regjimit serb nga ana tjetër, i cili nuk është gjë tjetër veçse pjellë e kësaj psikologjie dhe këtij nacionalizmi mesjetar, i cili fatkeqësisht është ende aktual.
Në tregimet e bukura të Burhanedin Xhemailit, që herë- herë marrin karakterin e një rrëfimi të mirëfilltë, e herë karakter minidramash hamletiane, mendja e mprehtë e lexuesit të vëmendshëm gjen gjithçka, edhe Kalin e Trojës, edhe Santiagon e librit “Plaku dhe deti”, gjen edhe Bajronin romantik me lamtumirën e tij të pashuar, por edhe rilindasit e kombit që kontribuan për iluminimin e atdheut të tyre. Në gojë të miqëve dhe shokëve ka vënë shprehje të tilla si :”Bota është ndërtuar rreth interesit dhe njerëzit jetojnë për interes.” ; “E çmendi dhe varrosi vetmia” ; “Mjeshtëria nuk ka kufinj siç nuk ka kufinj e mira dhe e keqja’’ ; “Njeriu pa memorie të zhvilluar është gjysëm i vdekur e gjysëm i gjallë”; autori jo vetëm vë në qarkullim mesazhe, por edhe bëhet sigurisht një përçues i filozofisë dhe mençurisë popullore, e cila përcillet tek lexuesi me një gjuhë shpirti, natyrshëm si mësim me vlerë për gjithë brezat që vijnë pas nesh.
Nëpër tregimet bindesh se autori jeton e shkruan jo vetëm për veten e të afërmit e tij, por edhe për të tjerët, për ata që e duan zhvillimin, të mirën, të drejtën, të bukurën, vlerën e shpresën, për njerëz që i japin jetë jetës, dhe jo për ata që jeta i merr zvarrë. Kur përfundon së lexuari këtë libër me vlerë sikur bindesh deri në fund se autori ka një qëllim, një mision, një lajtmotiv të shpallur, që bashkë me të ndershmit dhe të vullnetshmit e kësaj bote, bashkë me synimet e shpresave të mëdha: “T’i heqim prangat e përditshmërisë për të ndërtuar ura të qëndrueshme, që njerëzit të lëvizin sikur rrjedha e lumit të shpresave“; sepse autori bindjen e patundur që ka për vete, kërkon tua ngulisë edhe të tjerëve; ‘‘se bota nuk është ziliqare për njerëzit e devotshëm që rrezatojnë urtësi e devotshmëri”; por i pranon ato kundrejt një haraçi që në gjuhën e letrave dhe të historisë quhet vetmohim.
* (Libri me tregime “Në fund të tunelit”, i shkrimtarit Burhanedin Xhemaili)