
Dr. Kriledjan Çipa/
Në vigjilje të festave të Nëntorit, kur të gjithë festojmë kurorëzimin e një ëndre mbarëkombëtare për pasjen e një shteti të pavarur Shqiptar, duhet të kthejmë kokën pas, dhe të kujtojmë me respekt e nderim të thellë sakrificat dhe flijimin e qindar jetëve patriotësh, nga gjaku i të cilëve u ushqye dhe lindi kjo krijesë e brishtë dhe e paplotë që kemi prej pak më shumë se 100 vjetësh. Në Panteonin e patriotëve të shumtë që ranë dëshmor të kauzës sublime, duhet të kujtojmë me respekt, por njëkohësisht duke reflektuar, jetën dhe veprimtarinë e patriotëve nga bregdeti i Himarës. Nga kjo hapsirë gjeografike e Shqipërisë, një rol të rëndësishëm në përpjekjet për lirinë dhe krijimin e një shteti të pavarur kanë luajtur shumë personalitete nga fshati Vuno, ndër të cilët edhe pinjollët e familjes Kasneci.
Në qendër të ansamblit arkitektonik të këtij fshati ruhet ende kompleksi i banesave të familjes Kasneci, familje e cila mbante titullin domethënës të Kapedanëve, titull që mbanin dikur krerët e krahinës së Himarës. Në këtë kompleks në vitin 1848 ka bujtur shkrimtari dhe piktori i famshëm anglez Edward Lear, i cili në përshkrimin e detajuar që i ka kushtuar banesës, thotë se i ngjan pallateve të qyteteve italiane. Indirekt, nëpërmjet bisedës me Anastas Kasnecin, i cili ishte shoqëruesi i tij në këtë rëfim, ai sjell copëza nga historia e kësaj familje, duke na e prezantuar si një ndër familjet më të mëdha dhe të rëndësishme, jo vetëm të Vunoit, por në përgjithësi të bregdetit të Himarës. Ky profil i lartë i kësaj familje dëshmohet mjaft mirë edhe nga burimet arkivore, të cilat janë kryesisht raporte të shkruajtura nga kancelaritë e ndryshme, që bëjnë fjalë për Himarën dhe përpjekjet e saj për ti rezistuar pushtimit osman.
Në këto përpjekje, aktiviteti i pinjollëve të familjes Kasneci është shumë i rëndësishëm. Nga kjo dinasti e ka prejardhjen edhe Odise Kasneci, i cili, i rritur me frymën patritoike të familjes së tij, u shndërrua në një nga njerëzit më aktiv gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai rezultoi të ishte një patriot i spikatur, i cili morri pjesë në ngjarje të rëndësishme për kohën, ku veçohet lufta për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Krahas kësaj, ai mbështeti fuqishëm dhe u përfshi në aktivitetin për përhapejn e mësimit në gjuhën shqipe. Në mungesë të burimeve dokumentare të kohës, aktivitetin e tij patriotik e njohim në mënyrë të pjesëshme, por mund ta rindërtojmë nëpërmjet traditës orale, kryesisht këngëve të zonës.
Ajo që dimë me siguri, është përfshirja e tij në të quajturën Lufta e Lëkurësit, kur në vitin 1878 një ushtri andartësh grek zbarkoi nga ishujt përballë Sarandës dhe përkohësisht okupoi Lëkurësin dhe disa fshatra përreth. Tentativa e tyre e parë ishte të zbarkonin në Himarë, duke qenë se një pjesë e tyre kishin origjnë nga kjo trevë. Popullsia e kësaj zone e refuzoi këtë përpjekje, madje ishte kjo popullsi që mbajti edhe peshën kryesore në luftën kundër këtyre bandave, siç dhe e konfirmojnë historjanë dhe personalitete politike greke të kohës. Në dëbimin e këtyre bandave nga Shqipëria e Jugut, nën drejtimin e Zenel Gjolekës luftuan shumë patriot të njohur të kohës, ndër të cilët Kapedan Odise Kasneci dha një kontribut të madh. Ai ishte gjithashtu anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përfaqësoi zonën e Himarës në Kuvendin e Gjirokastrës në 23 korrik të vitit 1880, madje ai u zgjodh anëtar i kryesisë së degës së Gjirokastrës.
Në fillim të viteve 1900, Odise Kasneci u bë një ndër anëtarët e lëvizjes së fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë” së bashku me Themistokli Gërmenjin, Ҫerçiz Topullin, Mihal Gramenon e shumë të tjerë. Në këtë kontekst, Odise Kasneci dhe patriot të tjerë nga Vunoi, mundësuan edhe krijimin e kushteve për të përhapur shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Siç dëshmon në kujtimet e tij Mihal Grameno, në 19-29 maj të vitit 1907 në fshatin Vuno, ai së bashku me antarë të tjerë të çetës së Çerçiz Topullit, propaganduan gjuhën shqipe nëpërmjet teksteve mësimore, duke përdorur si vendëstrehim kishën e Shën Sotirës. Duke nisur që nga shek. XIX, por kryesisht në fillimet e shek. XX, në krahinën e Himarës ishin formësuar dy qëndrime kryesore në lidhje me identiteti dhe të ardhmen e kësaj zone.
Nga njëra anë ishin patriotët shqiptarë, ku bënin pjesë shumica e popullsisë, ndërsa pjesa tjetër ishte popullsia progreke që mbështeste platformën separatiste të “Megali Idesë”, të cilët ishin dhe vijojnë të jenë minorancë. Këto dy qëndrime, do të shënjojnë edhe histoinë e trazuar të kohëve moderne të Himarës. Siç rëfen Petro Marko në kujtimet e tij, pas viteve 1920, këto dy parti do të quhen “Pendëkuqtë” ku bënin pjesë patriotët shqiptar, si dhe ajo e “Pendëbardhëve” ku bënin pjesë përkrahësit e “Megali Idesë”. Në këtë luftë të brendshme vëllavrasëse, Odise Kasneci duke qenë patrioti më aktiv dhe një nga krerët kryesor të Lëvizje Kombëtare Shqiptare të Himarës, për fat të keq u bë dëshmori i parë i këtyre përplasjeve. Në pabesi, në një pritë të organizuar në qafën e Vishës (rrugëkalim natyror midis Himarës dhe Vunoit), pasi ai kthehej nga Himara drejt Vunoit së bashku me bashkëpuntorin e tij të ngushtë Sulo Bolenën, në 20 korrik të vitit 1908, u vranë nga antishqiptarët Jani Milo Spiromilo nga Himara dhe Llukë Zhupa nga Dhërmiu. Kjo vrasje nuk u harrua kollaj nga patriotët shqiptar të Vunoit, “Pendëkuqtë” pritën gjatë për të marrë hakun e Odise Kasnecit.
Pas plotë 36 vitesh, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nipi i Odisesë, Lefter Kasneci me detyre drejtues në Ҫetën e Bregut, së bashku me Zaho Kokën dhe Paskal Andonin shkuan në ishullin e quajtur “Mali i Vetëm”, ndryshe Othonos. Rrethuan fshatin dhe arestuan Jani Milon. Me varkë e sollën të lidhur në brigjet e Shqipërisë. Në 18 gusht të vitit 1944 në fshatin Pilur të Himarës, Shtabi i Brigatës së Gjashtë me vendim të Gjyqit Partizan e dënuan Jani Milon me vdekje për veprimtari antikombëtare dhe e ekzekutuan me pushkatim. Edhe sot e kësaj dite, varri i tij i rrënuar gjendet pranë kambanores së kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë. Në kryqin e tij, në gjuhën greke shkruhet: Milo Spiromilo u vra nga Partizanët si armik i popullit në datë 18.08.1944. Kjo ngjarje është ilustruar mjaft mirë tek filmi “Mision përtej detit”, me regji të Lisenko Malaj dhe skenar të Anastas Kondos. Drejtësia për dëshmorët e kombit vonon, por nuk harron.
Foto: memorie.al