-Kuvendi i Kosovës, rezolutë që lehtëson procedurat e kontrollit të mërgimtarëve në vendkalimet kufitare të vendit/
-Zgjedhen tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari /
PRISHTINË, 6 Korrik 2018/ Kuvendi i Kosovës miratoi sot një rezolutë që lehtëson procedurat e kontrollit të mërgimtarëve në vendkalimet kufitare të vendit.
Me rezolutën e harmonizuar mes grupeve parlamentare kërkohet që heqja e procedurave të rregullta të aplikohet nga 15 korriku deri më 15 shtator 2018 dhe gjatë kësaj kohe të dyfishohen kapacitetet e punës në të gjitha pikat kufitare.
Gjatë punimeve sot, Kuvendi i Kosovës zgjodhi me votim të fshehtë tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Remzie Istrefin-Pecin, Safet Hoxhën dhe Nexhmi Rexhepin, të cilët ia propozoi presidentit për emërim.
“Kjo merr rëndësi të veçantë, nga fakti se, nga sot, Gjykata Kushtetues e Kosovës është një institucion tërësisht i kosovarizuar, meqë më nuk do të ketë anëtarë ndërkombëtarë në përbërjen e saj”, është shprehur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Kuvendi i Kosovës në fillimin e punimeve sot shtyu votimin e një rezolute, në pritje të harmonizimit mes grupeve parlamentare, pas interpelancës së zhvilluar dje të kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës nga opozita, VV-së e LDK-së, në lidhje me vendimin e qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel&Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Më pas, që në fillim seanca shkoi në pushim 15 minutësh, zgjati më shumë, pasi në një votim pjesëmarrja ishte më pak se gjysma dhe nuk mund të kalonte mocioni nga maxhoranca që si pikë e parë sot të renditet ajo që ishte e 14-ta – Propozimi i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Mocioni kaloi pas pushumit në një votim të përsëritur.
Kuvendi i Kosovëa miratoi një rezolutën për kontrollin e mërgimtarëve në kufi, që lehtëson procedurat, e harmonizuar në mes të grupeve parlamentare.
Me këtë rezolutë kërkohet heqja e procedurave të rregullta të aplikohet nga 15 korriku 2018 deri më 15 shtator dhe gjatë kësaj kohe të dyfishohen kapacitetet e punës në të gjitha pikat kufitare.
Kuvendi i Kosovës u rimblodh sot në seancën plenare të nisur dje me 20 pika në axhendë, mes të cilave shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (COSME) 2014-2020”.
“Me këtë ligj hapet rruga që Kosova dhe bizneset në Kosovë të përfitojnë nga ky program zhvillimor i Bashkimit Evropian”, ka theksuar qeveria në mbledhjen e miratimit në 29 maj 2018.
Në axhendë janë edhe 8 projektligje: Për efiçiencë të energjisë; për mbrojtjen e të dhënave personale; për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme; për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete; për shërbime postare; për masat mbrojtëse në importe; për trajtimin e ndërtimeve pa leje; për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Seanca e Kuvendit vijon me shqyrtimin e raportve për vitin 2017 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale.
Një pikë tjetër e axhendës, është shqyrtimi i kërkesave të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e buxhetit, si dhe për zgjatjen e mandatit (afatit) të këtij Komisioni.
Zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, janë poashtu në axhendën e seancës së sotme të Kuvendit, që përfundon me propozimin e grupit parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.