-Presidentja e Republikës së Kosovës vizitoi sot katër komuna, dy prej të cilave të banuara me shumicë nga komuniteti serb/
PRISHTINË, 25 Janar 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot katër komuna, dy prej të cilave të banuara me shumicë nga komuniteti serb, Kllokotin e Ranillugun.
Ajo vazhdoi kështu vizitat që po zhvillon gjatë janarit nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike e me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.
Presidentja Jahjaga fillimisht vizitoi komunën e Kllokotit, ku u prit nga kryetari Sreçko Spasiç, pastaj komunën e Gjilanit, ku bisedoi me kryetarin Lutfi Haziri, komunën e Kamenicës, ku u prit nga kryetari Begzad Sinani, si dhe komunën e Ranillugut, ku u prit nga kryetari Gadimit Mikiç.
Kryetarët e komunave e njoftuan Presidenten Jahjaga me zhvillimet në fushën e ekonomisë në komunat e tyre, me theks të veçantë me përpjekjet që bëjnë pushtetet komunale në përkrahje të bizneseve.
Ata, gjithashtu, shtruan një varg problemesh që dalin në këtë drejtim, qoftë për shkak të problemeve që ndërlidhen me nivelin qendror të pushtetit, qoftë për shkak të problemeve të tjera.
Në takime morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Ata paraqitën problemet kryesore me të cilat përballen bizneset, qoftë ato vendore, qoftë biznese të huaja që kanë interes për investim në Kosovë, si dhe paraqitën opsionet për mënyrat se si pushteti lokal, por edhe ai qendror, mund t’i ndihmojnë bizneset dhe me këtë të sigurojnë rritje të shkallës së zhvillimit ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Presidentja Atifete Jahjaga përfundon mandatin në 6 prill 2016, ndërsa sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet nga Kuvendi i Kosovës, me votim të fshehtë.