Kosovë-Mesha solemne në festimet e Krishtlindjes në vitin e shenjëtërimit të Nënë Terezës/
-Në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë theksohet se 2016-ta u solli gëzime të gjithëve derisa përkujtohet se u shenjtërua Nënë Tereza, jeta dhe veprat e së cilës janë udhërrëfyese, ndërsa u lumturuan edhe 38 martirë shqiptarë të Kishës Katolike/
PRISHTINË, 25 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Në festimet e Krishtlindjes në Kosovë, meshën solemne në mesnatë e ka udhëhequr Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji në Katedralën Nëna Terezë, ku më parë u mbajt koncerti i fëmijëve të Famullisë së kryeqytetit.
“Për shumë mot Krishtlindja, festofshim gjithmonë bashkë e ecshim të bashkuar si dëshmitarë të gëzimit ungjillor dhe dashurisë vepruese për njeriun që i shërbejmë e me të cilin jetojmë”, ka uruar në porosinë për Krishtlindjen 2016 Ipeshkvi i Kosovës, Gjergji, i cili sot në ora 11:00 do të kremtojë edhe meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në qytetin e Prizrenit.
Sot, në të njëjtën orë, mbahet mesha edhe në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, e po në kryeqytetin e Kosovës në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë nga ora 17:00 mbahet mesha në gjuhën angleze e nga ora 18:00 edhe një meshë tjetër, ndërsa edhe mesha të tjera janë mbajtur dhe mbahen në kishat katolike në Kosovë.
Në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë theksohet se 2016-ta u solli gëzime të gjithëve derisa përkujtohet se u shenjtërua Nënë Tereza, jeta dhe veprat e së cilës janë udhërrëfyese, ndërsa u lumturuan edhe 38 martirë shqiptarë të Kishës Katolike.
“Kjo festë e shenjtë përcjell te besimtarët anekënd mesazhet e dashurisë, paqes, mirësisë, optimizmit dhe të harmonisë ndërmjet njerëzve, virtyte që e karakterizojnë plotësisht popullin e Kosovës”, theksohet në mesazhet për Krishtlindjen.
Në Kosovë, tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.