
Nonda Bulka njihet si një nga penat më të spikatura të letërsisë shqipe të viteve ‘30, i cili përdorte pseudonimin letrar Chri-Chri për të nënshkruar shkrime të ndryshme, skica dhe sprova letrare.
Ai lindi në Leusë të Përmetit më 18 maj 1906. Shkollën e mesme e kreu në Liceun francez të Korçës, ku u dallua për prirjet letrare, ndërsa studimet e larta i vijoi në Paris, në Fakultetin e Jurisprudencës, me bursë shtetërore.
Pas kthimit në Shqipëri punoi si mësues në Korçë, Elbasan e Tiranë, duke u angazhuar paralelisht në letërsi dhe gazetari. Shkrimet e tij satirike, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj realitetit politik e shoqëror të kohës. Ai ishte ndër themeluesit e revistës satirike “Hosteni” në vitin 1945, ku mbajti rubrika të shumta dhe përdori pseudonime të ndryshme, duke e bërë humorin dhe ironinë një mjet të fuqishëm për demaskimin e padrejtësive dhe për pasqyrimin e jetës së vegjëlisë shqiptare.
Bulka është autor i veprës së njohur “Kur qan e qesh bilbili” botuar në vitin 1934, një përmbledhje skicash e tregimesh që solli një frymë të re në prozën shqiptare.
Pas Luftës së Dytë Botërore botoi vëllime të tjera si “Në dritën e yllit” më 1952, “Bij të shkrepit” më 1963, “Fabula” më 1965 dhe “Legenda e një fisi” më 1966, duke e pasuruar letërsinë shqipe me krijime të mbushura me humor, ironi dhe mesazhe shoqërore.
Përveç krijimtarisë origjinale, ai dha kontribut të çmuar si përkthyes nga frëngjishtja dhe rusishtja, ndërsa një përmbledhje me tregime të tij u përkthye në anglisht me titullin “Sketches and Short Stories” më 1984.
Nonda Bulka u nda nga jeta në Tiranë më 14 nëntor 1972. Ai mbetet një nga figurat më të shquara të letrave shqipe, publicistikës dhe përkthimit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare. Së bashku me Migjenin dhe Petro Markon, Nonda Bulka i dha tonin letërsisë së angazhuar të viteve ’30, duke e bërë satirën një mjet të fuqishëm për ndërgjegjësimin shoqëror.