-Presidenti Thaçi priti në takim lamtumire komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta/
-Ndërrimi i Komandës së KFOR-it do bëhet në 1 shtator/
PRISHTINË, 24 Gusht 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim lamtumire komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin Guglielmo Luigi Miglietta.Presidenti Thaçi falënderoi atë për punën dhe kontributin e tij që ka dhënë gjatë këtyre viteve në ruajtjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.Ju falënderoj për punën që keni bërë si komandant i KFOR-it në Kosovë. Falë edhe përkushtimit tuaj, KFOR-i mbetet ndër institucionet më të besuara dhe respektuara në Kosovë”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se prezenca e NATO-s në Kosovë është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Nga ana tjetër, komandanti i KFOR-it, Gjeneral-Major Guglielmo Luigi Miglietta ka falënderuar presidentin Thaçi për bashkëpunimin e mirë që ka pas me të gjitha institucionet në Kosovë, bën të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare.Ndërkohë, sot u bë e ditur se ndërrimi i ardhshëm të Komandës së KFOR-it do bëhet në 1 shtator 2016. Përfaqësuesit e medieve janë ftuar që të marrin pjesë në konferencën për shtyp të Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta, Komandantit të Forcës së Kosovës (COM KFOR), në 29 gusht 2016. Komandanti i KFOR-it do të ndajë informacione me gazetarët mbi aktivitetet e “KFOR XX” të ndërmarra gjatë mandatit të tij, theksohet në ftesën e dërguar.