Reportazh nga Shefqet Kërcelli/
Qindra qytetarë të Pittsburgh-ut ju drejtuan më datën 29 maj 2017, muzeumit “Soldiers&Sailors”, në qëndrë të qytetit, i ndërtuar një shekull më parë. Veteranë, familjarë të të rënëve, ushtarakë aktivë e në pension, personalitete të shtetit të Pensilvanisë, të bashkisë së Pittsburgh-ut dhe medias, u bënë pjesë e kësaj feste madhështore. Muzeumi një nga më të mëdhenjtë në SHBA, është mjaft i pasur me materiale e dokumenta historike të ralla,ku flitet jo vetëm për kontributin ushtarak të banorëve të Pensilvanisë në periudha të ndryshme historike, por na jep detaje për vetë historinë e popullit amerikan. Fillimisht në kujtim të të rënëve u zhvillua një ceremoni fetare, drejtuar nga përfaqsuesi i kishës anglikane, pastaj, pjesmarrësit nderuan martirët e Luftës kundër terrorizmit në Irak dhe Afganistan, të cilët u pasqyruan të gjithë nëpërmjet një dokumentari tepër cilësor. ishte një moment prekës për të gjithë. Në fund të këtij prezantimi, Presidenti i Shoqatës së Ushtarëkëve në Rezervë të Pensilvanisë, zoti John F.Mccabe, foli mbi kontributin dhe vlerat e të rënëve për liri e kundër terrorizmit, si dhe rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla përkujtimore. Në vijim, pjesmarrësit ju drejtuan eksponateve të shumta të Muzeumit, duke filluar nga Lufta Civile, Lufta e I-rë dhe e II-të Botërore, Lufta në Kore, Vietnam ku cdo Forcë, Këmbësoria, Forca Ajrore dhe Detare, ka pavionin e vet. Muzeumi mbyllet me eksponatin e Luftës në Irak dhe Afganistan. Theksoj se, ka disa vite që jam përpjekur të prezantoj dhe kontributin e ushtarakëve shqiptarë në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, të cilët kanë luftuar krah për krah me ushtarakët amerikanë si pjesë e koalicionit antiterror. Madje dhe një nga heronjtë e kësaj lufte, kapiten Feti Vogli, u vra gjatë një operacioni të përbashkët me trupat amerikane. Gjithashtu kam bërë pjesë të muzeut disa botime ku pasqyrohet bashkëpunimi ushtarak, Shqipëri-SHBA, për këto 26 vite. Këtë punë e kam bërë vullnetarisht, pa ndihmën e askujt, thjesht për të prezantuar vlerat e ushtarakëve shqiptarë dhe për shpirtin e të rënëve në luftë. Muzeumi “soldiers&sailors”, pasurohet cdo ditë, në sajë të donacioneve të banorëve, por dhe fondeve të muzeumit. Funksionimin e mekanizmit finaciar të këtij muzeumi ma sqaroi hollësisht, një nga drejtuesit e këtij muzeumi, tashmë miku im, Michael Claus. Niveli i lartë i pasqyrimit të historisë dhe ngjarjeve, mënyra e ekspozimit, restaurimi, pasurimi i vazhdueshëm me relike dhe dokumentacion, konceptimi, performanca, arkitektura e ndërtesës, korridoreve dhe sallave, menaxhimi efektiv, e bejnë këtë muzeum të vizitueshëm në cdo kohë. është një muzeum që mban veten dhe personelin. ndërsa tek ne në sajë të politikave mediokre të menaxhimit dhe njerzve të paaftë në këtë fushë, mjaft muzeume të këtij lloji, e rëndojnë buxhetin e shtetit. Por, për pjesmarrësit e kësaj dite të shënuar, nuk mjaftonin vetëm njohja me muzeumin, pasi sic më sqaron zoti Michael, një nga protogonistët e kësaj dite, ka plot aktivitete të tjera. kështu në hyrje të muzeumit banda “The brass roots”, dha një koncert me temë patriotike, ndërsa në cdo ambient të jashtëm, pjesmarrësit me familjet e tyre, shijojnë ushqime të përgatitura me kujdes. Pjesë e Muzeumit, u bë dhe zyra e rekrutimit ushtarak të Pensilvanisë, zyrtarët e së cilës prezantuan oportunitetet që të jep shërbimi në ushtrinë amerikane. Ju rikujtojmë lexuesve të “Diell-it” se në faqet e kësaj gazete, gjeni praktikën e plotë në shqip, si mund të rekrutohesh në ushtrinë amerikane. një përkthim tepër korrekt mbi bazën e dokumentacionit të afruar nga këto zyra. Në sheshin hyrës të muzeumit, gazetarë të televizionit kryesor të Pittsburgh-ut, KDKA, zhvillonin intervista me veteranë të luftës dhe ushtarakë të forcave të ndryshme. Ndërkohë në lulishten jashtë muzeumit, dhjetra fëmijë shijojnë natyrën dhe lozin në kënde lojrash të përgatitura enkas për këtë ditë. Në pjesën anësore të muzeumit sapo janë kthyer nga Ëashingtoni, Rolling Stons-at e Pittsburgh-ut, dhe ngjitur me ta dikush po përgatit bukën tradicionale amerikane që nga Lufta civile. Spektakli vazhdon, larg cdo fryme monotone e zyrtarizmi. Fëmijët e mbyllin siparin e kësaj feste mbresëlënëse me këngë e lojëra të shumëllojshme, ku nuk mungojnë elementët sportivë-ushtarakë. Pjesë e kësaj ditë feste ishte dhe dreka e dhënë nga bashkia e kompani të ndryshme për veteranët dhe familjarët e të rënëve. Para se të largohesha, lexova kalendarit e aktiviteteve të muzeumit, ku përkutjimi i të rënëve, njohja me historinë dhe muzeumin, ishte shtrirë që nga 5 prilli deri në shtator 2017. Në këto aktivitetetë njohëse, argëtuese, ku kishte dhe mbrëmje familjare, binte në sy pjesmarrja e nxënësve dhe studentëve, që shfrytëzonin ditët e pushimeve për të marë pjesë në këto aktivitete.
Një festë e lirë, ashtu sic dinë ti bëjnë amerikanët, ku krahas eksperiencës së muzeut, pas orëve me aktivitete dëfrimi familjare, përfshihej njohja me figura të ndritura të kombit amerikan, si psh. Abraham Linkolni, dërgimi i një kartoline për një ushtar që është në mision jashtë vendit, në shenjë respekti për detyrën që kryen, koktejl me veteranët, e plot variacione të ndryshme me karakter bashkëpunues civilo-ushtarak.
Kështu, dita e 29 majit, dita e Memorial Day, ishte vërtet një ditë feste këtu në Pittsburgh, me plot emocione, por dhe me respekt të thellë, për të gjithë ata që sakrifikuan e dhanë jetën për liri e paqe në botë.