Irena Kuka Dragoti/
Njeriu është qënie komplekse me virtyte e të meta po aq sa me përceptime e vlerësime të ndryshme ndaj njohjeve që ofron jeta. Të lexosh njerëzit nuk është aftësi e lindur, por një aftësi që fitohet e përmirësohet. Të lexosh njerëzit nuk ka lidhje me çfarë janë ata, por me çfarë jemi ne e cilat janë pritshmëritë tona. Të lexosh njerëzit është një ndërlidhje veprimesh në një hark kohor që e nuk e përzgjedh veç ti, duke qenë objektiv e mendjehapur, duke i kushtuar rëndësi pamjes, veshjes, heshtjes, qëndrimit, lëvizjeve, pa shmangur bisedat e thjeshta në dukje, por edhe personi që pretendon të njohësh. Nëse doni të njihni një njeri thotë Dostojevski në romanin e tij “Djali” shiheni gjatë duke qeshur. E qeshura është testi më i mirë i një shpirti sepse nuk manipulohet. Kjo ndihmon të afrosh të mirën tek vetja e të largosh të keqen deri diku. Realisht ekzistojnë dy lloj interpretimesh njerëzore pas prezantimit e udhëtimit me një individ.
Së pari, rëndom thuhet:
Arrita ta njoh që në fytyrë apo sa hapi gojen….
Së dyti e cila zgjat në një hark më të gjatë kohor themi:
Nuk e paskam njohur sa e si duhet, u zhgenjeva.
Në rastin e parë prezantojmë vehten si një njohës smart në kohë e aftësi.
Në rastin e dytë prezantohemi si njohës të mirë por shumë të sinqertë pothuaj naiv, në besimin që japim. Ky zgjat më shumë ,shpesh dhe me vite, ku zhgënjimi është jo pak herë një justifikim i paaftësisë sonë.
Në rastin e parë njohja që të ofrohet nga pamja apo me një bisede të vetme nuk është njohje por paragjykim sepse ti kurrë nuk ia di rrethanat e kushtet individit me të cilin prezantohesh apo zhvillon nje bisedë të vetme. Njohja në këtë rast nuk është proçes real e i plotë që varet vetëm nga ti. Personi që ke përballë mund të jetë një njeri i drejtpërdrejtë po aq sa mund të jetë një njeri shumë herë më inteligjent e racional se ti, apo një individ me dy a më shumë personalitete apo një individ i sëmurë mendërisht e për më tepër ai mund të jetë aq i lodhur nga jeta sa nuk ka dëshirë të të japë ty sikur një mundësi njohjeje. Atëherë në keto rrethana vetbindjen tënde se je i aftë të njohësh dikë që në fytyrë apo sa hap gojen klasifikoje tek aftësitë e tua për përmirësim sepse çdo konkluzion i gabuar të degdis në një vlerësim fake ndaj këtij individi. Fill pas ketij vlerësimi të gabuar fillon një trajtim e qëndrim i gabuar qoftë pozitiv a negativ i cili është i pamerituar. Thuhet se sytë janë pasqyrë e njeriut. Por sa paradokse në jetë e kanë zhvlerësuar këtë thënie. Spontaniteti dhe lirshmëria në njohje ofrojnë rrëfim më real njerëzor se mijëra pyetje të formuluara mirë a teknika njohjeje ndaj duhet ti besojmë më shumë lirisë së komunikimit dhe kohës.
Në rastin e dytë, ndoshta që në fillim nuk ke bërë përpjekje të njohësh kënd, por ke marrë të mirëqënë një dëgjues të zellshëm, duke prezantuar plotësisht veten duke konsideruar njeriun përballë si të njohur ose e kundërta ke tentuar të njohësh si në rastin e parë por në një kohë më të gjatë e sërish nuk ke marrë realen prej tij. Ndodh të mos i jepet kohë bashkëbiseduesit për asgjë veç e vendos në piedestal si dëgjuesi dhe aprovuesi më i mirë. Dhe kur nuk është i tillë të kthehet në sfidë imponimi i vetes si vlerë para individit që sapo njeh. Futesh në garë me veten për një kohë të gjatë, shpenzon energji sepse është instikt njerëzor deri diku iluzionimi i të saponjohurve për virtyte që i ke apo edhe kur nuk i ke. Në rastin kur dëgjuesi është i mirë, me pak fjalë e pyetje, me enigma e tërheqje, ti përparon e zhytesh në një botë marramendëse miqësie që mund të të hajë dhe vite kohë pa e njohur dot në të vërtetë. Në çastin që i ke dhënë të gjitha e pret të marrësh mbrapsh njëjtë, atëherë ndodh të ndeshësh përballë një mur ose të kesh përballë sozinë tënde që nuk ka ç’të ofrojë më. Në rastin e dytë ti nuk e ke problemin me njohjen e të tjerëve por me atë të vetes sepse bindjet tua të lënë në baltë në çastin që ti kupton se efekti postprezantim u bë zhgënjyes. Zhgënjimi yt ka të bëjë me mërinë tënde të brendshme se si personi përballë nuk arriti të të njohë sa vlen. Dyzimi mes asaj që je dhe asaj që transmenton për efekt njohjeje është angazhim i panevojshëm kur ti nuk e di çfarë bashkëbiseduesi meriton. Përballë teje mund të jetë dikush që mbulon padijen me arrogancë, prepotencë apo me heshtje e nuk do ta kuptojë kurrë sa vlen ose mund të jetë e kundërta, një njeri tejet i përsosur që nuk të lejoi ta njihje por thjesht të ndjeu larg vetes e të dha duart ndoshta deri në lëndim. E në të dy opsionet fjala zhgënjim është etiketa jote në procesin e njohjes.
Në çastin që ti njeh veten, njohja e të tjerëve nuk është më një preokupim e ankth por natyrshmëri.
Njohja e vetes ky proces i vështrë kërkon më shumë se kohë e aftësi për ta bërë, kërkon ndërgjegje dhe forcë për ta parë në sy atë po aq sa guxim për të pranuar që jemi të ndryshëm…