
Së fundmi, Kryeministri i vjetër Rama po proklamon metoda dhe filozofi të reja në komunikimin me shqiptarët, dhe jo vetëm me mbështetësit e tij.
Meqë tashmë i është drejtuar edhe shqiptarëve në përgjithësi, veçanërisht në një kohë kur shqiptarët kanë dalë në protestë, mendoj se edhe ne, që nuk kemi mundësi fizike të marrim pjesë në protestën kombëtare, kemi të drejtë të prononcohemi për nismat e Kryeministrit.
Unë dëshiroj të ndalem pak te sistemi i ri “Pasqyra Albania”, i propozuar së fundmi nga z. Rama, i cili, thënë më thjesht, është ajo që deri tani është quajtur transparencë qeverisëse, por që, në realitet, kurrë nuk është zbatuar siç duhet.
Së pari, duhet thënë qartë se në një sistem demokratik, qeveria dhe të gjitha strukturat e pushtetit kanë si detyrim themelor transparencën, pasi ato janë menaxhere të taksave dhe pasurisë së shqiptarëve, dhe jo pronare të parave, pronave apo jetës së tyre.
Si fillim, Kryeministri, përpara se të na premtonte “Pasqyrën” pas kaq shumë vitesh në pushtet, duhej të sqaronte se përse ka munguar transparenca deri tani dhe nëse ka dikush përgjegjësi për këtë mungesë transparence.
Megjithatë, po mundohem ta konsideroj seriozisht “Pasqyrën” e Kryeministrit, me gjithë dashamirësinë dhe dëshirën time që ajo të jetë ashtu siç premtohet. Por duket si një mision i pamundur, pasi, fatkeqësisht, “Pasqyra” e Kryeministrit më ngjan me nismat e Ramiz Alisë për “tufëzat” dhe “arëzat”, si tentativa të fundit për të shpëtuar një sistem që rezultoi jo produktiv dhe që e çoi Shqipërinë në prag të urisë kolektive.
Pika e parë e demagogjisë së Kryeministrit është fakti se pushteti ilegjitim, nuk mundet — madje nuk duket se ka vullnet — të bëjë transparencë të vërtetë, pasi transparenca duhet të fillojë nga çështja e ilegjitimitetit te pushtetit.
Për shembull: si shpjegohet që PS-ja ka marrë rreth 30 mijë vota më pak se në vitin 2021, por ka futur në Parlament 9–12 deputetë më shumë?
Në këtë kuadër, Kryeministri nuk thotë asnjë fjalë për varrosjen e asaj pak demokracie që kishte mbetur brenda partive politike, në bashkëpunim të plotë dhe brenda një nate, në vitin 2008, me “sivëllain” e tij gjenetik dhe ideologjik, duke prodhuar realitetin politik që kemi sot.
Të dy arkitektët dhe realizuesit e marrëveshjes së vitit 2008 nuk thonë asnjë fjalë për marrjen e pavarësisë së Shqipërisë, një shtet me më shumë se një shekull pavarësi, dhe vendosjen e një prej degëve më të rëndësishme të sistemit demokratik — sistemit të drejtësisë — nën ONM-në (Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit), edhe sot, pasi kanë kaluar dhjetë vjet heshtin si fija e barit siç tote nje miku im se kush eshte “OMNja”!
Realiteti politik aktual është, sipas këtij këndvështrimi, edhe produkt i marrëveshjes së 26 korrikut 2024, të miratuar me 106 vota, e cila, sipas kritikëve të saj, ka prodhuar deformim të madh të vullnetit politik të shqiptarëve në 36 vitet e fundit të demokracisë shqiptare.
As për këtë nuk thuhet asnjë fjalë.
Kushtetuta aktuale, e cenuar, e dhunuar dhe e deformuar, është miratuar me referendum popullor ne 1998ten .
Sipas parimeve klasike të së drejtës, ndryshimet kushtetuese qe pasojne duhet të respektojnë procedurat dhe parimet kushtetuese të përcaktuara me referendum popullor te approvimit te Kushtetutes .
Por Kushtetuta Shqiptare që ishte miratuar me referendum, e shqyen me marveshje erredire duke prodhuar shtetin e pushtetin me te korruptuar te Europes si pasoje mos zbatimit te kushtetutes as në germën dhe as në frymën e saj.
Kjo klasë politike mercenare, sipas meje, ka shkuar aq larg sa jo vetëm ka cenuar liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë te 1998tes por kanē ndërmarrë edhe vendime që prekin territorin dhe sovranitetin e vendit.
Është fakt dhënie territori për iranianët, italianët dhe, së fundmi, për krijimin e një shteti religjioze brenda territorit shqiptar, duke cenuar Kushtetuten, edhe bashkëjetesën fetare shekullore të shqiptarëve.
Ku është “Pasqyra” për këto çështje?
Në cilin nen të Kushtetutës Kryeministri ka të drejtë të shese pjesë të territorit të Shqipërisë dhe askush të mos japë llogari madje e artikulon shitjen e Shqiperise pa pasur frike as nga ligji e as nga kushtetuta?
Të vazhdojmë më tej me antipodin e “Pasqyrës” së Kryeministrit: arrogancën e Kryeministrit aktual dhe të paraardhësve të tij dhe koston që kjo arrogancë u ka shkaktuar xhepave të varfër të shqiptarëve përmes vendimeve të gjykatave dhe arbitrazheve ndërkombëtare, si pasojë e vendimeve arbitrare të qeverive shqiptare me te huajt dhe me vete shqiptarēt !
Sa ka paguar Shqipëria?
Sa vendime e çeshtje janë humbur?
Kush mban përgjegjësi dhe kush jane pergjegjesit ?
Dhe pse shqiptarët nuk e dinë ende qartë faturën e plotë?
Në vend të përgjigjeve, kryeministrat shqiptarë heshtin ose japin shpjegime kontradiktore, ndërsa “Pasqyra” mungon pikërisht aty ku transparenca është më e domosdoshme.
Sa shqiptarë kanë humbur jetën në konflikte pronësie, ndërkohë që qeveritarët pas vitit 1990 kanë dështuar të zgjidhin në mënyrë përfundimtare çështjen e pronave duke dhunuar vete Kushtetuten dhe futur shqiptarët në një zinxhir konfliktesh dhe gjakmarrjesh që vetëm Zoti e di se ku e ka fundin?
A ekziston një transparencë, një “Pasqyrë” apo një sqarim shterues për pasuritë kombëtare të shqiptarëve, me të cilat Zoti është treguar bujar?
Po për thesarin e shtetit shqiptar?
Ku kanë përfunduar pasuritë kombëtare?
Sa jane taksat e mbledhura e investimet strategjike dhe sa kane perfunduar ne xhepat e grabitesve qeveritare nder vite?
Grabitja, keqmenaxhimi dhe keq qeverisja, kanë qenë ndër faktorët kryesore që kanë ndikuar në shpopullimin dhe shkombëtarizimin e Shqipërisë.
Pra, t’u premtosh shqiptarëve, pas 36 vitesh, një “Pasqyrë” apo transparencë qeverisëse është më shumë se një tallje me nivelin minimal të shqiptarit të zakonshëm, e jo më me shqiptarët që kanë bërë progres në të gjitha vendet e botës, ndërsa u është mohuar mundësia për të jetuar me dinjitet në atdheun e tyre qe Zoti e ka bere te begate.
Shqipëria është një vend që Zoti e ka bekuar me pasuri dhe potenciale të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht është keqmenaxhuar për dekada nga forca politike dhe interesa të huaja e vendase që, në thelb, shumë pak kanë ndryshuar.
Megjithatë, gjëja më e mirë në të gjithë këtë rrëfim është fakti se, më në fund, shqiptarët janë zgjuar dhe ndërgjegjësuar.
Ata nuk pranojnë më të vidhen dhe të grabiten, e aq më pak të mashtrohen dhe të tallen pa fund.
Kjo po hap një perspektivë të re për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kam bindjen se shqiptaret i kane potencialet intelektuale e patriotike qe ta rreshtojne Atdheun e tyre perkrah kombeve te zhvilluara e perparuara.
Historia na mëson se, kur popujt zgjohen, diktatorët, pushtuesit dhe mercenarët e tyre, prekin fundin.
Amin.
Ajet Delaj
New York