
AKADEMIK GJOVALIN SHKURTAJ/
(STUDIME TË ZGJEDHURA PËR GJUHËN E LETËRSISË ARTISTIKE DHE KUNDRIME ETNOLINGUISTIKE )
Pse duhet të shkruajmë më shumë për ligjërimin e letërisë artistike të sotme
(Kundrime për ligjërimin artistik të disa shkrimtarëve të sotëm dhe disa ide për domosdoshmërinë e vlerësimit të prurjeve e prirjeve leksikore e stilistike të ligjërimti artstik të shkrimtarëve bashkëkohës.)
Prelud: Një porosi e Dritëro Agollit për gjuhën e letërsisë artistike
Këtu e 51 vjet më parë, në artikullin”Ka ardhur koha të flasim për gjuhën” Dritëro Agollitheksonte: “Më ka marrë malli të shoh në faqet e shtypit letrar dhe të shtypit profesional të gjuhësisë, artikuj studimorë për evoluimin e gjuhës artistike në prozën tonë të viteve të fundit, në romanin, novelën, tregimin”(“Drita”, 26 mars 1972) dhe përmendte aty, me të drejtë, disa anë të rëndësishme të ligjërimit artistik që meritojnë të trajtohen më gjerë dhe më shpesh në faqet e shtypit letrar e shkencor. Me pak fjalë,koncepti i autorit për ligjërimin artistik mund të përmblidhej në kërkesat e mëposhtme: domosdoshmëria e ngushtimit të hendekut midis gjuhës apo ligjërimit artistik dhe gjuhës e të folurit të gjallë që ndeshim në jetën e përditshme; detyra që shkrimtarët, tok me përmbajtjen e re, të krijojnë edhe një ligjërim artistik të përshtatshëm e me kërkesa gjithmonë e më të larta për bukuri, pasuri e larmi shprehëse.
Vetë Dritëroi, si krijues me përvojë e dije të gjera edhe filologjike, argumentonte se njësimi i gjuhës letrare dhe zbatimi i mirë i normave të saj, jo vetëm nuk e përjashton, por edhe e parakupton dhe e pranon nevojën e paraqitjes së ngjyresave (koloritit) me anën e gjuhës si dhe njëpërzgjedhje sa më të kujdesshme e funksionale të mjeteve gjuhësore që ndërthuren në ligjërimin artistik. Ja si thotë ai: “Çështja është që studiuesit, gjuhëtarët, kritikët ta kthejnë fytyrën nga gjuha artistike, e cila është mjeti numër një në duart e shkrimtarit, është thika e kirurgut dhe sëpata e druvarit”. Parimin e tij themelor që shkrimtari të mos e thajë gjuhën, por ta mbajë atë “me lëng si një pjeshkë”, D. Agolli e mbështet në bindjen e patundur se “lëngu vjen nga gjuha e popullit” dhe gëzohet që “sa vjen dhe më afër gjuhës së popullit po shkon gjuha e shkruar letrare” (Shih: “Gjuha jonë”, 1, 1986, f. 10).
Pa gjuhë të bukur, pa leksik e frazeologji të pasur nuk ka letërsi të mirë. Dhe, kjo, natyrisht është detyra më e parë e letërisisë si arti i fjalës së thënë ashtu si duhet. Siç shkruante shumë shekuj më parë Dante Aligieri:
“Të kisha varg të ashpër e të çjerrë,
siç i ka hije gropës së dëshprimit,
ku kanë themel shkambijt e këtij ferr,
unë do të mblidhja ajkën e mendimit,
porse të tillë mbasi s’e kam unë zanë,
jo krejt pa frikë jam tue ia hy tregimit,
se s’asht një punë që i dilet lehtë m’atë anë
t’përshkruhet si asht fundi i dynjasë,
s’mjafton një gjuhë që thrret veç “babë e nanë”;
vashat të më ndihmojnë si në atë rasë
kur mbylli Anfjoni Teben mbarë në shkrep,
që fjala ime ngjarjes t’i përgjasë.”
(Kanga XXXII, f. 163)
Në tërë krijmtarinë e tij letrare, si në poezi ashtu edhe në prozë apo në dramë, po edhe në shkrimet publicistike të kohës mjaft të gjatë, që ai ka punuar si gazetar, mund të shihen qartë përkujdesja dhe puna e palodhur e D. Agollit për gjuhën. Ai është nga ata që, teorikisht dhe praktikisht, mëton për një gjuhë letrare të njësuar, por kërkon që ajo të jetë kurdoherë e njomë, e freskët, e re apo e përtëritur në mënyrë origjinale, e pasur e me të gjitha ngjyresat e vlefshme popullore, e pastër por, sigurisht, jo e “lëpirë”. Në vjershat e tij, ku flet për vargjet e shohim se si ai, duke i përjetuar vazhdimisht ato kërkime të mundimshme, thotë se “ato mbajnë, herë erë ugari, herë erë luleshqerrë, herë erë mendër, herë erë trëndelinë, herë kërkon që ato të pinë sisën e vjeshtës.” Dhe, mënyra të thëni të tilla, në gjuhë janë të panumërta, sepse gjuha është vërtetë si një minierë e pashtershme. Ja si e shpreh këtë vlerësim vetë poeti: “Me gjuhën shkrimtari i vërtetë bën mrekullira. Ajo është minierë e pafundme, minierë që nuk shteron kurrë, edhe sikur të mblidhen bashkë e të kërkojnë gjithë brezat njëherësh”. (“Gjuha jonë”, 1, 1986, f. 6).
E kam cituar shpesh këtë thënie magistrale të Poetit dhe nuk mund të mos e përsërisja edhe në këtë shkrim, qoftë edhe të thukët e ravijëzues, për kahet, prurjet dhe prirjet ligjërimore të shkrimtarisë bashkëkohore shqiptare. Gjatë këtyre pesë dhejtëvjeçarëve të mbramë, qysh nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e këndej, ka pasur artikuj, kumtesa e disa studime të tjera për gjuhën e autorëve të letërisë së sotme, më shumë për I. Kadarenë, po edhe për disa autorë a vepra të caktuara, por jo në atë masë e me ato synime largvajtëse që kërkonte Agolli.Kurrë nuk është vonë për t’i zbatuar porositë e vyera të njerëzve të mëdhenj, aq më tepër kur ata mbeten “patriarkë” të letrave shqipe, si Dritëro Agolli.
Thellimi në njohjen e vlerave gjuhësore e stilistike të ligjërimit artistik të autorëve tanë më të mirë dhe ndërmarrja e studimeve sa më të plota përmbi to përbën një fushë kërkimesh po aq të vlefshme e me rëndësi sa edhe ajo e studimeve kushtuar normës e kodifikimit gjuhësor, terminologjisë e proceseve të ndryshimit e zhvillimit të dialekteve etj. Gjithmonë kam menduar dhe e kam shprehur edhe në artikujt e librat e mi, se nuk duhet të mënojmë t’i përvishemin një studimi të hapët të prurjeve dhe prirjeve, që shfaqen në krijimtarinë e sotme letarre, sidomos në fjalorin e në mishërimin stilistik të ligjërimet të vetë autorit dhe të personazheve. Kjo fushë e re e filologjisë dhe e stilistikës gjuhësore të shqipes nuk duhet lënë më tej vetëm në dëshirën e disa studiuesve, por duhet të jetë objekt madhor i projekteve studimore, duke synuar të hartohen edhe monografi të gjera e fjalorë të autorëve më të shquar. Kjo do të ishte një nismë shumë e dobishme dhe e kohës. Lum kush do t’ u përvishet studimeve të kësaj fushe me zellin e përkushtimin e nevojshëm.Mjaft më me “rishikime” e “lotë krokodili” për ndonjë zgjidhje të alfabetit e të drejtshkrimit të njësuar të shqipes. Prurjet dhe prirjet e zhvillimit të sotëm të shqipes së shkruar e të folur shfaqen më gjerë e më kapshëm se kudo tjetër në ligjërimin e poezisë e të prozës artikstike, në dialogun e veprave dramatike, si dhe në gjinie e lloje të tjera, si filmi artistik e dokumentar, emisionet për fëmijë e të rinj etj. të cilat duhen parë me shumë kujdes e duke bërë edhe vlerësimet e duhura për të mirat apo edhe të metat e tyre. Pa dyshim,edhe gjuha e këngëve, sidomos e këngëve të reja. Njerëzit dëgjojnë shumë këngë, sepse ato janë pjesë e gëzimit dhe e jetës së njeriut, prandaj edhe aty, gjuha duhet të jetë sa më poetike, sa më e bukur, sepse fiksohet në muzikë dhe mbetet. Siç tha një ditë poeti i shquar italian Mogol, një nga tekstshkruesit kryesorë të këngëve të muzikës së lehtë italiane, “poezia bën mirë.” Bën mirë edhe kënga që ka fjalë të bukura, bën mirë letërsia e shkruar bukur, bën shumë mirë krejt shkrimtaria që synon të sjellë hijeshinë dhe shprehësinë sa më të lartë ligjërimore.Natyrisht edhe prurje të nevojshme fjalësore e frezeologjike.
Hulli që duhen shtuar, shumuar e thelluar
1. Sipas traditës, që nis qysh nga “Të primit përpara lexuesit” te libri i P.Bogdanit, në hyrje të këtij libri po japim (me pak fjalë paraprirëse) çfarë përmban, kujt i drejtohet dhe përse shërben kjo përmbledhje studimesh.
Janë shtuar shkollat e larta, janë shumuar degët e studimeve universitare dhe të sistemit pasuniversitar për gradat “master” dhe “doktor i shkencave” në universitete publike dhe private. Kjo kërkon edhe pajisjen e tyre me literaturë studimore sa më të gjerë e të plotë, duhet njohje e asaj që ka qenë ideuar, shestuar e, deri diku, mbërritur nga studimet pararendëse, në mënyrë që, duke u nisur së andejmi, të lakmohen e të synohen drejtime e kahe të reja.
Një prej drejtimeve me vlerë në studimet e sotme të shkollave të larta të profilit mirëfilli filolgjik, sikundër janë degët e gjuhës e të letërsisë, të gazetarisë e të mësuesisë, po edhe për shkollat e mesme, ka qenë dhe mbetet gjuha e shkruar a ligjërimi i letërsisë artistike.
Gjatë shumë viteve, qysh nga viti 1967, kur kam nisur karrierën time si studiues e punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, krahas studimeve në lëmin kryesor të specialitetit tim si dialektolog, u kam dhënë kohë, përkushtim e mundim disa drejtimeve, atëherë krejt të reja ndër ne, si kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran, studimeve rreth prurjeve leksikore dhe vlerave gjuhësore të disa prej shkrimtarëve të shquar të traditës dhe të sotmes, duke dhënë kështu, me sa kemi mundur, jo vetëm ndihmesën tonë modeste, por edhe, besojmë, duke u prirë mbarë e ndjellë në ato fusha hulumtues të rinj nga radhët e mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë në Shqipëri e në trevat shqiptare.Mjafton të thuhet se një prej studimeve të mia të hershme për gjuhën e Naim Frashërit, botuar në “Studime filologjike”, 1971, nr.3, që sot mezi gjendet, ka shërbyer si gjedhe e model pune edhe për studiues e kumtues të shumtë që kanë marrë pjesë në tubimet “Ditët e Naimit”, të organizuara në hapësirat shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Kam shkruar edhe shumë artikuj të tjerë, disa edhe të shprishur në faqet e shtypit letrar të dikurshëm, kryesisht te”Drita” e te “Nëntori”, të cilat tashmë pothuajse nuk gjenden e nuk mund të jenë në dorën e studiuesve të rinj, pa vështirësi. Disa syresh i patëm botuar vite më parë në librat: “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran”, SHBLU, Tiranë,1988, “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur”, SHBLU, Tiranë,1998; dhe”Kultura e gjuhës”, SHBLU,Tiranë, 2006; “Kundrime gjuhësore”, PEGI,Tiranë, 2006. Mbi atë bazë, po edhe duke shtuar një numër hulumtimesh, studimesh e shqyrtimesh të reja, po u japim të interesuarve një libër tjetër me studime e ndihmesa të zgjedhura, tashmë edhe më të gjerë, me prurje edhe për disa figura të tjera, deri vonë pak ose aspak të studiuara nga pikëpamja e vlerave ligjërimore, si: vlerësime e shyrtime për gjuhën e Ernest Koliqit, për fjalëkrijimin dhe hijeshinë ligjërimore të L.Poradecit, shqyrtime për ligjërimin dhe prurjet e vyera në prozën e Anton Pashkut, Bilal Xhaferrit dhe të disa prej poetëve të dalluar shqiptarë. Shqyrtimeve të kahershme për gjuhën e I.Kadaresë u shtuam edhe sa kishim shprehur këto vitet e fundit në librin “Kadareja dhe fjala shqipe”, me shpresë se, kështu, sidoqoftë, bashkë me trajtime e studime të tjera prej kolegëve, filologë e studiuesve të përkushtuar si “kadareianë”, sjellin një bazë të mirë vlerësuese, që natyrisht do shpënë edhe më tej.
2.Qysh në vitet shtatëdhjetë, kur shkoja në Kosovë për kërkime dialektologjike, gjithmonë, kthehesha i ngarkuar jo vetëm me botime gjuhësore, që na i dhuronin kolegët e Institutit Albanologjik e të Universitetit të Prishtinës, po edhe vëllime poetike që m’i dhuronin poetë të njohur si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Ibrahim Kadriu, Agim Vinca, Eqrem Basha, Agim Deva, Xhevat Syla e shumë të tjerë.
Kjo ka qenë dhe vijon të jetë për mua një mundësi e mirë për të ndjekur edhe kahet e zhvillimeve të sotme të ligjërimeve e të gjuhës poetike, natyrisht edhe në kuadrin e marrëdhënieve të sotme të dialekteve të folura me gjuhën e shkruar zyrtare (apo të shqipes standarde), po edhe më ka shtyrë që, në rrjedhë të moteve, herë në artikuj përgjithësues, herë në shkrime të veçanta për dukuri të ligjërimeve vjershërinë shqiptare, kam shkruar shpesh, ndonëse jo aq sa do të kisha dashur, për autorë të traditës, si për gjuhën e Naim Frashërit, të Ndre Mjedës e Gjergj Fishtës, të Ernest Koliqit, Lazgush Poradecit, Mitrush Kutelit, si dhe të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Anton Pashkut, Rexhep Qoses, Agim Vincës etj. dhe , në atë hulli, edhe të një vargu poetësh të tjerë, më të rinj në moshë, duke u dhënë përparësi sidomos disa prej krijuesve të arealeve gjeografike më anësore, sikundër janë poetët e Alpeve, Hamit Aliaj, Anton Papleka, Skënder, Mujë e Flamur Buçpapaj, si dhe të anëve të Mbishkodrës, duke synuar të hidhet dritë edhe për prurje e vlera të reja ligjërimore prej krijuesve të tillë si Sokol Zeka, Nikolla Spathari, Dodë Kaçaj, Dakë Keqaj etj. Me sa kam mundur, nëshkrimet e mia, kam kundruar edhe prurjet e poetëve të diasporës së sotme shqiptare në Evropë, prej nga kam pëlqyer e përmendur sidomos krijuesin shumë origjinal Nokë Gjelosh Sinishtaj, që përfaqëson poetin e mallit të pashuar për vendlindjen e tij, Kshevën e Grudës; sikundër kam shkruar edhe për poetin Gjekë Marinaj, birin e Brutit të Malësisë së Madhe, një penë nga më të zhdërvjellëtat e me perspektivë në krijuesit e brezit të mesëm. Kam shkruar edhe për shumë të tjerë, për Viron Konën, Visar Zhitin, për për Shpresa Kapisyzin dhe, kohët e fundit, edhe për poetët kosovarë Flamur Shala e Kadrush Radogoshit dhe për shkrimtarin e ri e të talentuar Andreas Dushi, duke e “kapërcyer” rendin e piketuar më herët, madje, edhe jo pa një skuqje në fytyrë, sepse ende nuk kam mbërritur t’i redaktoj e t’i botoj disa prej shkrimeve kushtuar ligjërimit poetik të disa prej miqve të mi poetë, si Irfan Bregu, Sulejman Mato, Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Skënder Rusi, Izet Çulli, Bardhosh Gaçe etj., që gjithmonë m’i dhurojnë vëllimet me vjersha që botojnë dhe, pa dyshim, kjo gjë më bën të ndihem jo mirë, sepse ”noblesse oblige”-si thonë francezët.
Këta pesëdhjetëvjetët e fundit apo, thënë më saktë, qysh në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shek.XX, në kuadër të studimeve filologjike, janë shtuar dukshëm artikujt, ndihmesat dhe, madje, monografitë e gjera kushtuar ligjërimit të letërsisë artistike. E përshëndetshme, e mirëseardhur dhe dobiprurëse është dukuria se, mbas artikujve kryesisht përgjithësues e ravijëzues për tipare të gjuhës së letërsisë artistike, në kuadrin e trajtimeve kryesisht historiko-letrare ose edhe kritike, që kishim trashëguar nga studimet e mëparshme, tashmë po kalohet në trajtesa e studime më të nyjëtuara dhe në monografi të plota kushtuar gjuhës së autorëve të veçantë ose, kur lënda është tepër e gjerë, edhe në trajtime rreth prodhimtarisë së një gjinie a pjese të caktuar të krijimtarisë së një autori. Kështu, në qoftë se deri në vitet e para të mijëvjeçarit të ri kishim vetëm disa artikuj e kumtesa për gjuhën e disa autorëve, si të Sami Frashërit (nga Sh.Demiraj), të Naim Frashërit (nga Gj.Shkurtaj), të Dritëro Agollit (nga Gj.Shkurtaj), monografinë e Fatmir Agalliut “Gjuha e Fan Nolit në veprat origjinale të tij” (Tiranë, 1999); pastaj studimin e Artan Haxhit “Proza e Fishtës në pamje gjuhësore”(Shkodër 2003). I asaj kohe është edhe libri “Kadareja dhe fjala shqipe” nga Tefik Çaushi e Gj.Shkurtaj, kushtuar vlerave ligjërimore dhe pasurisë leksikore të veprave të Ismail Kadaresë. (Albas, 2004). Aty, në pjesën hyrëse me titullin “Gjuha shqipe në vizionin artistik të Kadaresë” (f.7-73) kam shestuar udhën në të cilën është mirë të ecet për ta kundruar e vlerësuar ligjërimin artistik të shkrimtarëve të sotëm.Natyrisht, gjithmonë edhe më një përzgjedhje apo, sikundër shprehej E.Çabej në këso rastesh, “con granis aris”(duke shoshur e përzgjedhur).
Në librat “Ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën shqipe”(1996) dhe “Pesha e fjalës shqipe” (2009) për herë të parë kam trajtuar gjerë edhe disa prurje e prirje të ligjërimit artistik të disa prej autorëve, si: për gjuhën e romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”të Rexhep Qoses; për ligjërimin e vjershave të Ndoc Gjetjes; të Visar Zhitit dhe për vlera gjuhësore të prozës së Bilal Xhaferrit. Nga letërisa e shkrimtarëve nga Kosova, enkas kam shkruar për vlera dhe prurje gjuhësore në ligjërimin e Anton Pashkut, i cili, qysh në fillesat e shkrimtarisë së tij, u shfaq si një zë i ri, si krijues i veçantë, me mëtime dhe teknika shkrimore që dalloheshin nga të tjerët. Romani i tij “Oh”, të cilin autori e kreu së shkruari në janar të vitit 1971, pikërisht se qe një roman “ndryshe”, ka qenë nga ata libra që do të bënte ferk e do të lakmohej nga lexuesit dhe studiuesit shqiptarë, paçka se deri vonë shumëkush dinte pak ose aspak për autorin.Kam shkruar aty,po edhe në artikuj të botuar në shtyp për prurjet leksikore dhe ligjërimin e Nokë Sinishtajt dhe për hijeshinë e pasurinë ligjërimore në veprat e Nikolla Spatharit, apo për prurjet e freskëta të poetitSokol Zeka, mbështetur kryesisht te libri i tij “Poeti e rren emocionin”. Kam shkruar përgjuhën dhe ligjërimin artistik të librave të Viron Konës, po edhe të disa prej më të rejave e të rinjve, si për ligjërimin e romanit “Tokëmjalta” të Enit Karafili (Steiner), si dhe të dy poeteshave pak të vëna re, por që kanë ligjërim e prurje të bukura ligjërimore e artistike, Shpresa Kapisyzi e Mimoza Agolli, vëllimet e të cilave i mbaj në një vend të dukshëm në raftin tim dhe u kthehem shpesh kur lodhem nga proza studimore.
Problemi i gjuhës së letërsisë artistke nuk është thjesht punë që mbaron me zgjedhjen e trajtave të drejta fonetike ose gramatikore, të drejtshkrimit dhe pikësimit. Studimi i gjuhës së letërsisë artistike ka të bëjë me konceptimin e saj si mjet shprehjeje dhe formësimi të veprave letrare artistike të gjinive dhe llojeve të ndryshme nga autorë që u përkasin epokave dhe stileve të ndryshme. Në këtë kuadër, kur kundrojmë e analizojmë gjuhën e letërsisë artistke, më së pari janë për t’u vështruar një numër çështjesh të rëndësishme, si: mjetet e gjuhës dhe letërsia, gjuha dhe figurat artistike, stilet e gjuhës së shkruar dhe letërsia artistike. Njohja dhe pasqyrimi me realizëm e me gjallëri i larmisë së gërshetimit dhe bashkëmarrëdhënieve të elementeve të tilla në veprën letrare artistike lidhet jo vetëm me çështje të formës, por edhe me vërtetësinë artistike të veprës, me njohjen dhe me pasqyrimin e jetës së njerëzve. Ka vlera dhe individualitete krijuese që meritojnë të njihen më shumë .
Nga viti në vit, me sa kam mundur, krahas punëve të mia të detyrueshme e të planifikueshme si punonjës shkencor në sektorin e dialektologjisë, sa herë kam gjetur ngenë, qoftë edhe “duke ia ngrënë hakun” kohës së lirë e pushimit, kam lakmuar të ndërmarr shkrime për ligjërimin artistik, më shumë për kulturën e gjuhës në skenë dhe në ekran, po edhe artikuj te “Drita”,”Nëntori”, ”Lettres Albanais” etj., kurse viteve të fundit më shumë te “Nacional” apo në përmbledhje studimesh të universiteteve të ndryshme dhe të Akademisë sonë të Shkencave.Kohëve të fundit, duke përfituar nga dashamirësia dhe profesionalizmi i redaktorit të ri e të talentuar, Andeas Dushi, kam pëlqyer që shkrimet për ligjërimin e autorëve t’i botoj te “ExLibris”. Mbas një rikundrimi e ripërpajnimi përfundimtar, shpresoj t’i botoj në një vëllim më vete. Por, si thotë një fjalë e urtë e Malësisë së Madhe: “ma mirë nji ve sot, se nji pulë mot”, disa prej shkrimeve po i shtoj në botimin e dytë të librit “Pesha e fjalës shqipe”. Po shtoj disa artikuj e kundrime tëviteve të fundit për autorë të tjerë e pikërisht: për vlerat e prurjet gjuhësore të Xhevahir Spahiut, Gjekë Marinjat, Andreas Dushit, Shpresa Kapisyzit. Po ashtu, në pjesën e dytë po shtojmë edhe disa kundrime për gjuhën e skenës e të ekranit, si dhe për disa probleme të rëndësishme të ligjërimit të mediave të shkruara e të folura.Natyrisht, me rastin e ribotimit, në disa pjesë të librit kemi bërë edhe ndonjë “krasitje” e disa plotësime, por pa e tjetërsuar mëtimin e shtjellimeve dhe duke e ruajtur boshtin tematik e mënyrën e trajtimit të botimit të parë.
Në mbyllje të librit, duke qenë se ka pasur e ka kërkesa të shumta edhe nga mësues të shkollave të mesme për shqyrtime teorike e gjedhe (modele) trajtimi për disa pika themelore të ligjërimit a gjuhës së letërsisë artistike, zgjodhëm për të përfshirë edhe sythin me shqyrtime kushtuar mjeteve gjuhësore që përdoren nga autorët për ngjyresë vendore, për karakterizimin, tipizimin dhe individualizimin gjuhësor të personazheve dhe mjediseve përkatëse.
Falënderoj Akademinë e Shkencave, që e pranoi ta botojë këtë libër në kolanën e botimeve të saj. Falënderoj dy recensuesit zyrtarë: të nderuarin Profesor Emeritus, Tefë Topallin, dhe zonjën Prof.dr.Adelinma Çerpia, të cilëve u shpreh miradijen time.