
Prof. Afrim Krasniqi/
E dini se në Shqipëri me 17 dhjetor 1990 doli dekreti që lejoi pluralizmin pa abroguar nenin 3 ku PPSH shpallej forcë e vetme e shtetit dhe e shoqërisë? E dini që dekreti i Presidiumit nuk u ratifikua asnjëherë në Kuvend/parlament? E dini që deri në prill 1991 Shqipëria kishte ndryshuar sistemin politik, por ende quhej Republikë Popullore Socialiste dhe se edhe në memorandumin me rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA Shqipëria prezantohej me RPSSH? E dini se me dekret në janar 1991 mbrohej figura e Enver Hoxhës? Burg për ata që e kritikonin ose e sulmonin në statuja/buste. E dini që Shqipëria funksionoi më shumë se një vit pa simbole shtetërore? E dini që Këshilli Presidencial (1991) u miratua pa bazë referuese kushtetuese dhe nuk pati akt shpërbërës apo pushimi për funksionimin e tij? E dini që Byroja Politike vijoi të marrë vendime mbi shtetin, policinë, hetuesinë, prokurorinë, gjykatat deri në maj 1991, pra edhe 4-5 muaj në pluralizëm?
Shqipëria ishte unike edhe në nisje të tranzicionit: ndryshe nga vendet e tjera ish komuniste në Lindje, ku heqja e monopolit kushtetues të partisë komuniste i parapriu zgjedhjeve të lira në Shqipëri ndodhi e kundërta: zgjedhjet e para shumëpartiake u zhvilluan ndërkohë që neni 3 i Kushtetutës së vitit 1976 për PPSH si forcë e vetme mbetej në fuqi. Kushtetuta e vitit 1976 pati një rol historik paradoksal: e hartuar për të garantuar monopolin politik të PPSH-së, ajo shërbeu si mbështetje e referencë formale për aktin që lejoi krijimin e partive të tjera dhe fundin e PPSH-së. Kështu Shqipëria hyri në pluralizëm përpara se të ndahej plotësisht nga rendi kushtetues dhe praktikat e shtetit njëpartiak.
“Pluralizëm pa kushtetutë pluraliste: legjitimimi politik i ndryshimit në Shqipëri dhe Evropën Lindore, 1989–1992” ishte referimi im që e trajtoi këtë çështje në konferencën shkencore mbi Kushtetutën e vitit 1976 dhe efektet e saj në shoqërinë shqiptare, 50 vjet pas miratimit të saj dhe 35 vjet pas abrogimit të saj. Konferenca u organizua nga Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.