Zekerija Idrizi: nga dorëshkrimi “Portrete shkrimtarësh”/
Në kushtet e sotme të komunikimit global dhe internetit nuk është lehtë të gjesh biografi studiuesish të shquar në fushë të shkencave, por për një studiues si Prof. Dr. Begzad Dhe Myrvete Baliu, nuk është vështirë të gjesh të dhëna të shumta për jetën dhe sidomos veprën e tij. Faqja e tij e fejsbukut, faqe të tëra kulturore e shkencore vendore dhe ndërkombëtare, janë të mbushura, për të mos thënë përditësuara, me studime, vlerësime, artikuj për kulturën, krijime letrare, kritike e intelektuale. Kjo është arsyeja pse edhe këtë biografi nuk e kishim vështirë ta shkruajmë dhe përgatisim për botimin tonë të veprës me biografi të krijuesve dhe studiuesve të kohës, me titull “Portrete shkrimtarësh”. Prof. Begzad Baliu është profesor universitar, albanolog, publicist, shkrimtar dhe botues. Prej biografisë së tij jetësore dhe bibliografisë së tij shkencore e profesionale, mund të shihet se ai ka ligjëruar në disa universitete, ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Ai është autor i shumë veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare. Në punën e tij prej organizatori, ligjëruesi e studiuesi, ai ka organizuar dhe koordinuar shumë konferencave ndërkombëtare në institucionet universitare dhe shkencore të Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, Varshavës, Turunit, Gjirokastrës, Budapestit etj.
Krijimtarinë e tij letrare e ka filluar në fushë të poezisë dhe dramës, në fushë të publicistikës me ese dhe artikuj të karakterit historik, ndërsa në fushë të shkencës me studime të natyrës gjuhësore dhe historiko-letrare. Tekstet e tij të para letrare i ka botuar te e përditshmja “Rilindja” dhe e përjavshmja “Zëri”. Por më tej i është përkushtuar kërkimit shkencor dhe punës në profilizimin e tij në fushë të gjuhësisë, – studimet në fushë të magjistraturës (Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës) e doktoratës (Instituti Albanologjik i Prishtinës), përkatësisht në studimet e onomastikës, punës në Sektorin e Onomastikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Kjo bëri që interesimet për gjuhësinë në përgjithësi dhe onomastikën në veçanti t’i specializojë drejt dijes klasike dhe të krahasuar edhe me gjuhët tjera fqinje, sllavishten, greqishten e latinishten; ndërsa me letërsinë të merret gjerësisht nga krijimi i saj në poezi, prozë dhe dramë deri te kritika dhe historia e letërsisë, të cilat bashkohen me fushën e madhe kombëtare – albanologjinë.
Studimet e gjertanishme për veprën e tij nga shumë studiues janë ndarë në disa fusha gjuhësore dhe letrare. Sikur mund të shihet vendin e parë e zënë veprat me studime nga albanologjia, ndërsa në mesin e tyre janë veprat:
– “Gustav Majer dhe albanologjia” 2000;
– “Semantika e fjalësit (Vepra albanologjike e Zenun Gjocajt)”, 2009;
– “Kërkime albanologjike”, 2010;
– “Referenca albanologjike”, 2010;
– “Hulumtime albanologjike”, 2015;
– “Testamenti shkencor i Profesor Jup Kastratit”, 2016;
– “Sprovë për një histori të albanologjisë”, 2016;
– “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti” (bashk.), 2017; “
– “Studime për historinë e albanologjisë” (Sprovë për një histori të albanologjisë), Shkup, 2018;
– “Albanologji: Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, 2020;
– “Në kërkim të historisë së gjuhës”, Prishtinë, 2022;
– “Kërkime filologjike në veprën e Profesor Bahtijar Kryeziut” etj.
Janë me shumë interes veprat e tij në fushë të onomastikës për të cilën ka treguar interesim që nga vitet studentore, kur jo vetëm mblidhte vullnetarisht mirotoponimet e vendlindjes dhe fshatrave përreth, por që në këtë kohë u bë bashkëpunëtorë i Seksionit të onomastikës në Institutin Albanologjik. Në vitet ‘90, kur pushteti okupator serb mbylli të gjitha institucionet akademike dhe shkollore, Begzad Baliu, së bashkë me një grup të rinjsh, në Kishin Katolike të Prishtinës themeluan Shoqatën kulturore “Pjetër Bogdani”, ndërsa brenda saj edhe disa seksione letrare e të mësimit të gjuhëve të huaja, si dhe revistën letrare për të rinjtë “Shpresa”. Brenda kësaj shoqate Prof. Baliu krijoi Seksionin e onomastikës “Eqrem Çabej”. Prej këtyre viteve organizoi shumë aktivitete në fushë të onomastikës, ndërsa kulmin e këtij angazhimi paraqet angazhimi në Komisionin e Standardizimit të Emërvendeve të Kosovës, menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe tashmë angazhimi në Komisionin për Standardizimit të Emrave të Rrugëve në Maqedoni. Rezultat i këtyre angazhimeve dhe kërkimeve shkencore janë veprat e tij:
– “Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës” (bashk.), 2005;
– “Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve”, 2009;
– “Onomastikë dhe identitet”, 2012;
– “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan”, 2014; – ““Onomastika e Gallapit, I”, 2016;
– “Onomastika dhe dokumenti”, 2016;
– “Politikat e standardizimit të toponimisë në Ballkan, Prishtinë, 2024 (shqip-anglisht) etj.
Prej vitesh Profesor Begzad Baliu ka shprehur interesimet e tij në fushë të leksikografisë, e kjo do të thotë përgatitjen e Korpusit të Madh të Leksikut të Shqipes. Rezultat i këtij interesimi dhe hulumtimi janë kërkimet e leksikut historik, etnografik dhe letrare. Viteve të fundit ai po punon në një Fjalor historik të shqipes, nga Formula e Pagëzimit (1462) deri te Fjalori i gjuhës shqipe (1954) dhe një Fjalor të përrallës shqipe (në shtyp). Rezultat i kësaj pune janë vëllimet:
– “Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit”, 2021 (bashk.);
– “Semantika e varietetit” (Leksiku i veprës letrare të Beqir Musliut), 2021 (bashk.);
– “Leksiku i veprës letrare të Martin Camajt”, 2022 (bashk.);
– “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës”, Tiranë, 2006;
– “Dy dorëshkrime leksikografike të pastorit kroat Emanuel Krajinoviq”, 2022;
– “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2024;
– “Leksiku, denduria dhe konkordancat e romanit të Adem Demaçit i Gjarpijt e gjakut, I-III, Prishtinë, 2024.
Pasionant kërkimesh ndër arkiva dhe sikur e thotë ai vetë, i nxitur nga Profesori e miku i tij i madh Profesor Jup Kastrati, që nga fillimet e tij shkencore në Institutin Albanologjik, është angazhuar në mbledhjen dhe sistemimin e një bibliografie albanologjike, rezultat i të cilës janë vëllimet bibliografike e dokumentare:
– “Mbi autorësinë e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, 2005;
– “Çabej 1” (Bibliografi e studimeve për veprën e profesor Eqrem Çabejt në Kosovë), 2006;
– “Bibliografia përmbajtjesore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, 2008 dhe madje monografia e parë shkencore e kësaj natyre në fushë të albanologjisë, – “Vepra bibliografike e profesor Jup Kastratit”, 2005.
Studimet e letërsisë dhe të krijimtarisë letrare janë interesimet e tij të para. Si pak autorë të letrave shqipe, Begzad Baliu dy veprat e para i bëri publike në fushë të dramës. Në vitin 1994 shkroi dramën “Flamuri vjen nga Kosova”, të cilën e shfaqi një trup studentësh e nxënësit në Prishtinë. Në të njëjtën kohë kishte shkruar edhe dramën “Kafeneja ballkanike”, të cilën e botoi në vitin 1996, e cila u përkthye edhe në kroatisht, italisht dhe holandisht dhe pati dy herë paraqitje të saj në skenat e Kosovës, ndërsa një herë të Holandës. Po këtë vit ai botoi edhe një vëllim me poezi të cilat i kishte shkruar kryesisht si nxënës në Gjimnazin e Gjilanit, me titull “Grua e dashuruar”. Më tej, pas çlirimit të Kosovës autori botoi edhe veprat me ese, krijime letrare dhe studime, sikur janë vëllimet:
– “Pesha e komunikimit” (bashk.), 2010;
– “Dhembje e bukur’(bashk.), 2012;
– “Kujtesa letrare”, 2013;
– “Struktura e vlerave përfaqësuese”, 2014;
– “Vjeshta e lutjeve, Tiranë, 2016 etj.
Periudhës së parë të botimit të teksteve të tij letrare, historike e publicistike, i takon një seri e artikujve të tij me biografi dëshmorësh, me titull: “Gjaku i lirisë” (1981-1995) I-IV, 1996/2000; një vëllim i përzgjedhur i teksteve për Kosovën, me titull: Jup Kastrati për Kosovën (bashk.), 2004; një vëllim me polemika letrare dhe kulturore për Profesor Qosjen me titull: “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, 2010; një vëllim me artikuj historiko-publicistik me titull: “Mbileximi i kujtesës historike”, 2016; dhe një monografi për dëshmorin Agim Ramadani, me titull: “Dëshmori i qiellit me pëllumba”, 2016, një version i të cilit ishte botuar pjesërisht në revistën e Shoqatës për të Rënët e Kombit Shqiptar, “Për mëmëdhenë”, në Tiranë, 1992.
Duke qenë Profesor ordinar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, dhe sigurisht duke parë nevojat e domosdoshme për të dhënë kontributin e tij në fushë të mësimdhënies, Begzad Baliu ju bashkua grupit të autorëve të shtëpisë botuese “Albas”, në Tiranë, për të përgatitur tekstet për mësimdhënien edhe mësimnxënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Rezultat i këtij angazhimi janë tekste shkollore: Gjuha shqipe, 10, për Gjimnazin e filologjisë (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 10, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e filologjisë(bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 12, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2022; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e shkencave shoqërore (bashka.), 2022.
Duke e përmbyllur këtë tekst biografik për Profesor Begzad Balin, i cili është rezultat i bisedave të mija me autorin dhe gjetjeve në internet, dua të theksoj edhe një fakt me interes për ata që duan të njohin të plotë portretin e tij dhe përmbajtjen letrare e shkencore të tij, se për këtë autor janë botuar jo vetëm disa dhjetëra e dhjetëra artikuj kritik e shkencor po edhe disa vepra të veçanta të autorëve: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), “Era”, 2021; Dr. Faton Krasniqi, “Albanologu dhe albanologjia” (Kërkime në veprën albanologjike të Prof. dr. Begzad Baliu), 2021, Bilall Maliqi, Kërkime në veprën e Profesor Begzad Baliut, 2023.
Le të thuhet këtu se në punën e tij prej më shumë se tri dekadash i është besuar përgatitja e shumë veprave të autorëve dhe trashëgimisë albanologjike: Profesor Jup Kastratit, Profesor Eqrem Çabejt, Profesor Shefki Sjediut, Zenun Gjocajt, Ruzhdi Ushakut dhe shumë konferencave shkencore, por me interes është puna që po bën ai për përgatitjen e monografive kushtuar Profesor Idriz Ajetin, Jup Kastratin, Shefki Sejdiun, Ruzhdi Ushakun etj.
Uroj nga zemra që profesor Begzat Balliu të ketë shëndet, mirëqenie dhe suksese rë radhës në fushën e studimeve dhe botimeve albanologjike!
Me respekt dhe konsideratë të veçantë për këtë figurë poliedrike:
Zekirija Idrizi Shkup
shkrimtar