
Prof.dr.Muhamet Racaj/
Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një nga rajonet më të ndjeshme të sigurisë në Evropë, sidomos në një periudhë kur arkitektura globale e sigurisë po përballet me tensione të reja gjeopolitike. Vizita e kongresistëve amerikanë në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe në rajon në përgjithësi nuk duhet parë vetëm si një aktivitet rutinor diplomatik, por si një sinjal i fuqishëm strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se rajoni vazhdon të jetë pjesë e interesit të tyre të sigurisë dhe politikës së jashtme.
Në kohën kur lufta në Ukrainë ka riformësuar qasjen globale ndaj sigurisë euroatlantike, SHBA-ja po riafirmon rolin e saj në Ballkan për të parandaluar çdo tentativë destabilizimi që mund të shfrytëzohet nga Rusia dhe aleatët e saj në rajon. Pikërisht për këtë arsye, vizita e kongresistëve amerikanë ka peshë të veçantë politike dhe strategjike. Ajo përçon mesazhin se Uashingtoni nuk do të lejojë krijimin e vakumit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor.
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Rusia ka intensifikuar përpjekjet për të ruajtur ndikimin e saj në Ballkan përmes mekanizmave politikë, propagandistikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Në këtë kuadër, Serbia vazhdon të mbetet partneri më i afërt strategjik i Moskës në rajon. Politika e Beogradit karakterizohet nga një dualizëm i vazhdueshëm: deklarativisht promovon integrimin evropian, ndërsa në praktikë forcon bashkëpunimin politik, ushtarak dhe energjetik me Rusinë dhe Kinën.
Ky pozicionim i Serbisë nuk paraqet vetëm çështje të orientimit diplomatik, por bart rrezik real për stabilitetin rajonal. Tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës, retorika nacionaliste, mbështetja për struktura paralele dhe përdorimi i çështjeve etnike si instrument presioni politik, janë elemente që krijojnë klimë të pasigurisë dhe destabilitetit. Në të njëjtën kohë, situata në Bosnje e Hercegovinë, sidomos tendencat separatiste të strukturave politike pro-ruse, paraqesin një tjetër vatër potenciale të krizës në Ballkan.
Në aspektin strategjik, Rusia ka interes që Ballkani të mbetet zonë e tensioneve të kontrolluara dhe krizave të ngrira, me qëllim që të shpërqendrojë vëmendjen dhe kapacitetet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian nga fronti lindor. Përmes luftës hibride, dezinformimit, propagandës mediatike dhe ndikimit në strukturat politike e të sigurisë, Moska synon të pengojë konsolidimin euroatlantik të rajonit.
Pikërisht në këtë kontekst duhet kuptuar edhe mesazhi amerikan. Vizitat e nivelit të lartë në Kosovë dhe në shtetet tjera të rajonit janë mbështetje e drejtpërdrejtë për institucionet demokratike dhe për shtetet që kanë orientim të qartë pro-perëndimor. Kosova, në këtë aspekt, mbetet partner strategjik i SHBA-së dhe një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, prania amerikane përçon edhe një mesazh të qartë ndaj aktorëve destabilizues se SHBA-ja nuk do të tolerojë tentativa për ndryshim kufijsh, destabilizim institucional apo instrumentalizim të komuniteteve etnike për interesa gjeopolitike. Ky riafirmim i rolit amerikan është garanci se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e arkitekturës strategjike të sigurisë euroatlantike.
Në kushtet aktuale, shtetet e rajonit duhet të intensifikojnë bashkëpunimin me NATO-n dhe partnerët strategjikë perëndimorë, të forcojnë kapacitetet kundër kërcënimeve hibride, të investojnë në sigurinë kibernetike dhe të rrisin rezistencën institucionale ndaj ndikimeve të jashtme malinje. Vetëm përmes koordinimit strategjik me SHBA-në dhe aleatët euroatlantikë mund të ruhet stabiliteti afatgjatë dhe të parandalohet shëndërrimi i Ballkanit në arenë të rivaliteteve gjeopolitike.