
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Sa herë që shkoj me pushime, më kujtohet një vërejtje e ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, i cili, ndoshta edhe me një dozë të lehtë ironie, më tha se kosovarët nuk duhet ta kalojnë kohën vetëm në plazhe dhe restorante, por të vizitojnë edhe muzetë, monumentet dhe vendet me vlera historike e kulturore.
Në të vërtetë, kjo nuk ishte një ide e panjohur për mua. Përvoja e studimeve në Vjenë dhe Berlin më ka mësuar se, në traditën evropiane të udhëtimit, pushimi nuk nënkupton vetëm çlodhje fizike, por edhe një proces njohjeje dhe formimi kulturor. Vizitat në muze, biblioteka, qendra historike apo shtëpi memoriale krijojnë një lidhje më të thellë me historinë dhe kujtesën e vendeve që vizitojmë.
Për këtë arsye, sa herë që udhëtoj, përveç një libri të përzgjedhur që e marr gjithmonë me vete, përpiqem ta shfrytëzoj udhëtimin edhe si një mundësi për të njohur trashëgiminë historike e kulturore të vendit ku ndodhem.
Kështu ndodhi edhe gjatë një ndalese në Selanik. Përveç vizitës në shtëpinë ku jetoi dhe veproi Hasan Prishtina, një prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare, me vete mora edhe librin “Selaniku, qyteti i fantazmave” të historianit britanik Mark Mazower.
Ky është një nga studimet më të rëndësishme kushtuar historisë shumëkulturore të Selanikut. Mazower e përshkruan qytetin si një hapësirë ku për shekuj bashkëjetuan të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, duke ndriçuar ndryshimet politike, shoqërore dhe kulturore që e formësuan atë.
Me interes të veçantë janë edhe faqet kushtuar shqiptarëve. Autori tregon se gjatë shekujve XVIII dhe XIX mijëra shqiptarë jetonin e punonin në Selanik si zejtarë, gurgdhendës, armëpunues, rojtarë, tregtarë e barinj sezonalë. Ai trajton gjithashtu mënyrën se si administrata osmane i perceptonte shqiptarët, por edhe rolin që shumë prej tyre luajtën në jetën politike, ushtarake dhe ekonomike të rajonit. Pikërisht këto pasazhe dëshmojnë se prania shqiptare në Selanik nuk ishte rastësore, por pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit.
Selaniku zë një vend të veçantë edhe në historinë tonë kombëtare. Pikërisht këtu Hasan Prishtina u arsimua, u formësua intelektualisht dhe zhvilloi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij politike e kombëtare. Po në këtë qytet, më 13 gusht 1933, ai u vra. Prandaj, Selaniku nuk është vetëm një destinacion turistik, por edhe një hapësirë kujtese për shqiptarët.
Në fund të fundit, udhëtimet marrin kuptim më të thellë kur, përveç peizazheve dhe pushimit, na japin mundësinë të zbulojmë historinë, të rilexojmë kujtesën e vendeve që vizitojmë dhe të kuptojmë më mirë edhe historinë tonë. Sepse vlera më e qëndrueshme e një udhëtimi nuk matet vetëm me kilometrat e përshkuar, por me dijen, përvojën dhe reflektimet që sjellim me vete.