PRISHTINË, 1 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Senatorja amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst, sot në Prishtinë, ka vlerësuar lartë progresin e arritur dhe përkushtimin e Kosovës për avancimin e proceseve. Në takime të veçanta me kryeminsitrin Isa Mustafa e kryeparlamentarin Kadri Veseli, ajo theksoi përkrahjen e mëtejme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Senatorja Ernst, po ashtu, shprehu përkushtimin e shtetit të Iowa-s për bashkëpunim me Kosovën duke theksuar interesim për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit si në ekonomi, bujqësi, në fushën e teknologjisë informative dhe përkrahjes për të rinjtë kosovarë në përgatitjen për tregun e punës. Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me SHBA-të.
Kryeparlamentari Veseli shprehu konsideratën më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja, duke e vlerësuar si të jashtëzakonshme, sidomos partneritetin civil-ushtarak me shtetin e Iowa-s./b.j/