Lideri i grupit islamik somalez Al- Shabab është vrarë gjatë një sulmi ajror amerikan në fillim të javës.
Lajmin e konfirmoi Pentagoni.
Sipas BBC, SHBA e kreu sulmin ajror mbrëmjen e së hënës. Shënjestra ishte një autokolonë, ku po udhëtonte Ahmet Abdi Godane.
Një zëdhënës i Pentagonit tha: “Të heqësh Godanen nga fusha e betejës është një humbje e madhe operacionale dhe simbolike për Al- Shabab”.
Ai ishte një nga njerëzit më të kërkuar të Departamentit të Shtetit.
SHBA kishte vënë një çmim prej 7 milionë dollarë për kokën e tij.
Zëdhënësi i Pentagonit the se sulmi i 1 shtatorit i solli vdekjen atij.
SHBA ka mbështetur Unionin Afrikan në aksionet ushtarake për të nxjerrë këtë grup islamik nga kryeqyteti Mogadishu.
Grupi Al- Shabab, i lidhur me Al Kaedën, kërkonte të rrëzonte qeverinë somaleze, të mbështetur nga OKB, dhe ka sulmuar disa herë forcat qeveritare.
Godane u bë lider i këtij grupimi islamik në vitin 2008, pasi SHBA vrau paraardhësin e tij, Aden Hashi Ayro.
Ishte dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë për një sulm në vitin 2009.
Ai studioi në Pakistan dhe Sudan, ku edhe u radikalizua.
Thuhet se ka luftuar në Afganistan.
Sipas BBC, ai kishte reputacion si orator dhe poet.