Shkrimtares shqiptare, Diana Çulit, i është akorduar titulli “Urdhri i Meritës së Republikës së Italisë” nga Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano. Ky titull i jepet për veprimtari të shquar ndaj shtetit italian në fushën e letërsisë, arteve, ekonomisë si dhe për kryerjen e detyrave publike apo të veprimtarive shoqërore dhe humanitare, do të dorëzohet nga ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani sot, në orën 10.30, pranë Qendrës së Kurseve në Durrës. “Gazetare, shkrimtare dhe përkthyese, Diana Çuli ka ditur të rrëfejë me përpikëri dhe ndjeshmëri historitë dhe ndryshimet e vendit. Falë dashurisë dhe njohjes së thellë të gjuhës dhe kulturës italiane, Diana Çuli ka vendosur ngjarjet e disa prej romaneve të saj mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe ka botuar në gjuhën italiane romanet Scrivere sull’acqua dhe Angeli armati”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Italiane.