
Nga Alketa Burimi (Kapaj)*/
Letra e një bije për vendin që jeton në shpirt
E shtrenjta ime Shqipëri,
E shtrenjta ime Shqipëri,
Unë, bija jote, të shkruaj nga larg — nga ajo largësi që ndan trupat, por nuk arrin të ndajë shpirtin. Të mbaj me vete çdo ditë: në shtëpinë tonë ku flitet shqip, në takimet ku emri im shqiptohet me tingullin e vendit tim, në çastin kur, përpara të huajve, them me krenari se jam nga Shqipëria dhe në Shkollën Shqipe, ku fëmijët mësojnë ta duan gjuhën e nënës. Më kujtohet një mbrëmje në një qytet të huaj, kur dëgjova shqip pas shumë muajsh larg prehrit tënd. Gëzimi erdhi i papritur. Ishte një çift i moshuar, me vite larg teje.
Malli i tyre nuk kishte nevojë për shpjegim. “Eh, moj bijë,” më tha burri, “i kam larë këto rrugë me lot.”
Në zërin e tij jetonte një jetë e tërë — historia e një njeriu që i kishte shërbyer atdheut me dinjitet dhe që, edhe larg, e mbante Shqipërinë si plagë dhe si dashuri.
Je në gjuhë, në frymë, në një mall që nuk kërkon arsye.
Ka vende që shihen në hartë — ti rreh në shpirt. Nuk je vetëm tokë. Je histori. Je pjesë e qenies sime — e asaj pjese që nuk shkëputet kurrë. Historia jote nuk dëshmon vetëm se ke ekzistuar; ajo dëshmon se ke mbijetuar. Kur të copëtuan fatin, kur hartat u vizatuan pa ty, kur u përpoqën të të zvogëlonin në një pikë të vogël në hartë, ti mbete xhevahir që nuk e humbi shkëlqimin. Shqipëria nuk matet me territor, por me forcën e shpirtit që nuk u mposht. Por çdo vend që mbahet në zemër kërkon edhe përgjegjësi.
Toka shqiptare nuk është një mall. Ajo mban gjurmët e hapave të brezave, djersën e punës, lutjet, plagët dhe ëndrrat e njerëzve që e kanë dashur. Për mbrojtjen e saj janë flijuar jetë, janë derdhur gjak e lot dhe janë bërë sakrifica që historia nuk duhet t’i harrojë. Lumenjtë, detet, pyjet, malet dhe fushat nuk janë vetëm pasuri natyrore; ato janë dëshmitarë të heshtur të kësaj historie dhe trashëgimia që kemi për detyrë ta ruajmë. Çdo gur që ngrihet mbi këtë tokë duhet të mbajë brenda jo vetëm premtimin e së nesërmes, por edhe nderimin për ata që e mbrojtën me jetën e tyre.
E di, të dhemb, Shqipëri, kur besimi lodhet, kur aftësia lihet në hije dhe shërbimi zëvendësohet nga përfitimi. Të dhemb kur meritën e zë servilizmi, kur dija hesht dhe mediokriteti flet me zë të lartë.
Sepse një vend nuk mbahet gjatë nga pushteti, por nga morali që e udhëheq. Historia nuk kujton karriget e pushtetit; kujton njerëzit që u dhanë atyre dinjitet.
Të abuzosh me vendin tënd është si të tradhtosh dashurinë e një nëne — atë ndjenjë të parë, të heshtur e të shtrenjtë, që nuk kërkon shpërblim, por vetëm nderim. Një komb ecën më i sigurt kur dëgjon zërin e dijes, të kulturës dhe të ndërgjegjes. Dija orienton kur dëgjohet. E vërteta jep shpresë kur thuhet. Ti meriton njerëz që punojnë me ndershmëri dhe veprojnë me dinjitet; profesionistë me përkushtim dhe mendje të lira që ndriçojnë rrugën përpara.
Ka edhe një dhimbje tjetër: largimin. Kur bijtë dhe bijat ikin në heshtje, pa e ditur nëse kthimi do të mbetet ëndërr apo plagë. E kam parë në aeroporte, në përqafime më të gjata se fjalët, në valixhe të mbushura me kujtime, në sy që kthehen pas, ndërsa këmbët ecin përpara. Diaspora nuk është vetëm largësi. Është një popull në lëvizje. Mall që nuk shuhet. Rrënjë që kërkojnë tokën edhe në dhe të huaj. Më kujtohet një orë mësimi në Shkollën Shqipe në Naples, Florida. Një vogëlushe lexoi për herë të parë një poezi në shqip. Te një fjalë u ndal.
E provoi sërish. Pastaj buzëqeshi. Në atë buzëqeshje pashë se, kur gjuha përcillet me dashuri, përkushtim dhe zemër, edhe largësia afrohet. Atë çast ndjeva shikimin tënd nga larg. Në zërat e tyre, Shqipëria nuk është kujtim i largët; është fillim. Nëpër botë, shqiptarët janë mendje që ndërtojnë jetë të reja, por me zemrën aty ku i thërret gjaku. Atdheu nuk mbahet gjallë vetëm nga ata që jetojnë mbi tokën e tij, por edhe nga ata që, kudo në botë, e ruajnë me gjuhën, dashurinë dhe ndërgjegjen e tyre. Një komb nuk varfërohet kur i shteron pasuria, por kur i boshatisen rrugët nga njerëzit e vet. Rrënjët nuk i thërret vetëm malli. I thërret besimi, drejtësia dhe meritokracia. Aty ku ka drejtësi, rrënjët e gjejnë rrugën për në shtëpi.
Shqipëria jeton mes mallit dhe shpresës. I duhet një filozofi e re shprese — jo e zhurmshme, jo e premtuar, por e jetuar çdo ditë; një shpresë që lind nga transformimi moral i shoqërisë.
E shkuara ruan gjurmët. Nuk luftohet; kuptohet, ndriçohet dhe tejkalohet. Vetëm kështu bëhet urë drejt së ardhmes dhe shpresa merr rrënjë në të vërtetën.
Një popull forcohet kur zgjedh ndërgjegjen mbi interesin, shërbimin mbi përfitimin dhe dritën mbi errësirën. Fryma e re që i duhet Shqipërisë nuk lind në zyrat e pushtetit. Ajo lind sa herë një qytetar zgjedh ndershmërinë, sa herë një mësues mbjell dije, sa herë një i ri vendos të ndërtojë e jo të shkatërrojë. Aty fillon ringritja e një kombi.
Një komb me ndërgjegje të gjallë nuk pret shpëtimtarë; ai ringrihet. Gjithmonë. Dhe si bijë e këtij vendi, e di se Shqipëria nuk është ajo që kemi humbur. Ajo është ajo që, edhe e plagosur, vazhdon të zgjedhë jetën. Është ajo që ende refuzon të humbasë.
*Alketa Burimi Kapaj është autore dhe poete shqiptare që jeton në Naples, Florida. Krijimtaria e saj letrare botohet rregullisht në gazeta dhe revista shqiptare. Përmes shkrimeve të saj, si edhe angazhimit në Shkollën Shqipe në Naples, ajo kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë.