Shkruan: Av. Dr. Gaspër Drini/
Asnjëherë më shumë se në këto dy vjet, veçanërisht këtë vitin e fundit, Shqipëria nuk ka qenë më e ekspozuar ndaj trafikut të drogës, shoqëruar kjo me presione, dhunë, vrasje dhe hakmarrje të trafikantëve dhe grupeve kriminale rreth tyre.
Vendi ynë është kthyer në një Kolumbi të dytë, ku as zëri i medias, as zëri i shoqërisë civile, as lufta e organizatave ndërkombëtare të antikrimit, as përkushtimi i një pjese të oficerëve të policisë shqiptare që punojnë me përkushtim deri në akte sublime, nuk po e pengojnë dot këtë oktopod gjigand të krimit të organizuar.
Shqipëria është ngjyrosur në hartën e Evropës me ngjyrën e kanabisit, pasi nga jugu në veri, nga fushat deri tek kodrat dhe stanet majëmaleve, bima e drogës po lulëzon duke e kthyer vendin tonë një qendër të prodhimit dhe furnizimit të gjithë kontinentit e më gjërë me drogë.
Ky nuk është një realitet i denoncuar vetëm nga opozita dhe mediat shqiptare e të huaja, por dhe një problem i ngritur me forcë nga organizatat evropiane e botërore të policimit dhe antikrimit. Përveç shijes së hidhur që të lë një tokë e begatë, e kthyer në shtrat prodhimi të vdekjes, ky biznes kriminal po nxit në mënyrë galopante presionet, shantazhet, vrasjet dhe mbajtjen peng të shoqërisë nga bastionet dhe protagonistët e canabisit.
Ngjyra e kanabisit përkthehet si ngjyra e helmit vdekjeprurës, e botës së vrasjeve dhe krimeve të nëndheshme, i pazareve të përgjakura që nuk kanë të sosur e që fatura rëndon mbi qytetarin e këtij vendi, që tash njëzet e pesë vjet po rropatet për të jetuar me dinjitet dhe i çliruar nga paeranojat e krimit.
Denoncimi para disa ditëve i gazetarit të Neës 24, analistit të njohur investigues të antikrimit Dritan Hoxha për vrasjen e njërit nga informatorët e tij nga grupet banditeske të kultivimit të drogës, është një zë që tregon shkallën e gjërë të implikimit të trafikantëve në zejet kriminale të keqbërjes.
Kultivuesit dhe trafikantët iu paguajnë drejtuesve të policisë 40 euro për çdo rrënjë të mbjellë me canabis, deklaron Artan Hoxha, duke përcjellë me foto dhe video fushat e pafund të drogës, të rujatura me dhunë e brutalitet nga roje të aramtosura me armë të sofistikuara, pjesë e këtij rrjeti gjigand kriminal.
Alarmant është denoncimi që vjen nga selia e opozitës, por me burime në organizatat botërore të antikrimit si Interpoli etj i faktit të implikimit të mjaft shefave të komisariateve në vend, oficerëve të lartë të policisë në linjat e këtij trafiku të përgjakur. Kjo ka bërë që punonjës policie të përkushtuar dhe idealistë, që po ndeshen dhëmb më dhëmb me protagonistët e krimit të organizuar, ku futet dhe trafiku i drogës, të mbeten zbuluar e për më tepë të rrezikuar në misonin e tyre.
Lënda narkotike e gjetur në fshatin Simon në Kaçinar të Mirditës, me datë 20.10.2015, në pronesi të Petrit Bardhit (Petro Doda)-një tjetër funksionar lokal me dy emra, kryetar komune i Kaçinarit dhe vëllait të tij Fran (Florian) Bardhi do të niste një proces gjyqësor të pafat në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë. I akuzuari, përveç të tjerave, dyshohet të ketë një pasuri marramendëse me shume biznese dhe prona nga Saranda deri ne Kaçinar, pasuri të cilën ai nuk denjoi asnjehërë të deklaroj, siç e kërkon ligji për çdo funksionar publik.
Figura kryesore e kompletimit të dosjes kriminale të këtij trafikanti ishte punonjësi i policisë Aranit Dedaj, Kjo Gjykatë ka dhënë vendimin për arrest me burg, por i akuzuari dhe i dënuari nuk u paraqit asnjëherë për të kryer vuajtjen e dënimit, por i lirë bënte e bën presione poshtë e lartë, ndaj grupit të oficerëve të policisë Mirditë, që mundësuan faktimin e implikimit të tij në trafikun e drogës. Gishti tregues i funksionarit të lartë lokal me dy emra është drejtuar ndaj efektivit Aranit Dedaj, shoqërues i qenit të drogës, që ka qenë mjaft aktiv në grumbullimin e provave kundër këtij narkotrafikanti me kollare.
Ky person me precedentë penalë (i dënuar për falsifikim, armëmbajtje pa leje dhe ndihmesë për kalimin e paligjshëm të kufirit), i cili vihet në krye të komunës, në një pozicion kyç për mbarëvajtjen e te gjitha punëve dhe jetës së bashkfshatarëve të tij të komunës Kaçinar, në bashkëpunim me të shumëkrëkuarin nga Interpoli dhe organizatat botërore të antidrogës, P. Dushi, mbajnë peng Mirditën, kodrat dhe malet e së cilës i kanë kthyer në vende të rritjes dhe trafikimit të kanabisit. Presioni i tyre ndaj ndaj oficerit të policisë Aranit Dedaj ka qenë i hapur, i drejtpërdrejtë, në ambientet e komisariatit dhe të gjykatës. Me datë 18 shkurt 2016, bashkëshorten e tij e kanë ndjekur me makinë për ta shtypur dhe, pasi policia mundësoi ndalimin e personave keqbërës, rezultoi se njëri nga tre përndjekësit ishte kushëriri i Petrit Bardhit, për më tepër ai nuk ngurroi t’i drejtohet Aranit Dedajt me këto fjalë : ” Te fala ke nga Petrit Bardhi”.
Me dt 18.02.2016 P.B. lirohet nga Gjykata duke i ndryshuar masën e “sigurisë arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, pra praktikisht i lirë për t’u kujdesur për çdo biznes të tij, sidomos atë të drogës, i lirë për t’u arratisur nga drejtësia jashtë vendit, dhe ç’është më e rëndësishmja, i lirë për t’iu kundërvënë çdokujt që ka tentuar ta ndaloj, siç është rasti i oficerit të policisë Dedaj. Edhe pse kishte prova të pakontestueshme jo vetëm për masën e sigurisë « arrest me burg » por dhe për dënimin e tij të paktën me 12 vite burg, kjo gjykatë I krijon të gjitha mundësitë që të dalë i pa lagur nga gjithë kjo histori.
Mosdhënia e drejtësisë ndaj këtyre personave të kapur në flagrancë në kultivimin e trafikimin e drogës, të akuzuar dhe për shumë vepra të tjera penale, shoqëruar me presione të hapura dhe kërcënime të frikshme, e kanë detyruar oficerin e përkushtuar të policisë Aranit Dedaj të largohet nga policia, për të ruajtur vetveten dhe familjen.
Në arat me canbis punojnë qindra e mijëra punëtorë, mjaft prej tyre të marrë me dhunë nga grupet kriminale; arat ruhen ditë e natë me persona të armatosur, pjesë e rrjeteve të drogës. Shpesh punëtorët keqtrajtohen, dhunohen, detyrohen të punojnë pa asnjë shpërblim, vriten dhe masakrohen. Shqipëria la prapa Lazaratin e frikshëm, Lazaratin e furnizimit me drogë të gjithë Europës dhe u kthye vetë e gjitha në një Lazarat, duke bërë që toka e shenjtë e gjyshstërgjyshërve tanë historikë të kthehet në një tokë canabisi, diabolik-canabisi.
Ka ardhur koha që ky dimension i frikshëm, ky makth që e ka emrin canbis e që po kthehet një oktopod gjigan krimi e ndëshkimi, duke e çuar Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet e të marrë fund, duke bërë që të bllokohet, ashtu siç u veprua në Lazarat, kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.