Esse nga Aristotel Mici/ Boston/
Në kujtim të 17 Janarit/
Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arms[1]/
Pas botimit të veprës biografike të Skënderbeut të shkruar nga Marin Barleti dhe të botuar në Itali më 1508, emri i kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit/Skënderbeut do të bëhej gjithnjë e më i njohur në Europë . Për gjatë shekullit të XVI, nga një dekadë në tjetrën, vepra e Marin Barletit do të përkthehej në disa gjuhë të Europës, duke nisur me përkthimin në gjermanisht nga Johan Pinicianus 1533 dhe pastaj në italishts nga Pjetro Roka (P.Rocca) më 1554, në Portugalisht nga Francisco d’ Andreade më 1567, nga Ciprian Bazylic në polonisht, 1569; pastaj, kjo vepër do të përkthehej në frëngjisht nga J. de Lavardin në 1576 me titull “Histoire de Georges Castriot Surnome Scanderbeg, Roy d’ Albanie. Më 1582 Juan Ochoa de la Salode do ta përkthente në spanjisht.
Nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, më 1596, vepra e Barletit për Skënderbeun do të përkthehej edhe në Anglisht , sipas vesionit frëngjisht të Lavardinit, nga Zachary Jones Gentlemen (Xhentlemen), me titull ”Historie of George Castriot surnamed Skanderbeg, king of Albanie”. Është për t’u shenuar me këtë rast se edhe autori i variantit anglisht të “Historisë së Skënderbeut”, Zahari Jones Xhentelmen, ndjek modelin e Lavardinit për prezantimin e veprës. Ashtu si Lavardini e hapte biografinë e Skënderbeut me nje sonet të poetit të famshëm të Pleiadës, Ronsardi[2]-t, me të cilin sonnet idealizonte Skënderbeun, duke e krahasuar me Akilin e Iliadës së Homerit, po ashtu dhe Z.J.Xhentlemen , do ta çelte librin për Skënderbeun me një sonnet të një poeti të njohur anglez, Edmund Spenser. Ky poet, duke lexuar jetën dhe trimëritë e Skënderbeut në librin e përkthyer në anglisht, shkroi një sonnet tjetër për heroin shqiptar , të cilin sonnet Zachary J. Xhentelmeni e vendosi si hyrje të librit të vet biografik të Skënderbeut. Me admirim ai do të shkruante për heroin tonë:
………………………………………
………………………………………….
Lo one, whom later age has brought to light,
Match able to the greatest of the great:
Great both in name, and great in power and might,
And meriting a mere triumphant feat..
The scourge of Turks, and plague of infidels,
Thy acts, o Scanderbeg, this volume tells.
Një përkthim i mundshëm i këtyre vargjeve të sonetit të Spenserit do të ishte:
“Njeri, që bota të njohu më vonë se në rini,
I barabartë me më të mëdhenjt’ e trimave antikë:
Me famë si në emër, në forcë e fuqi.
Triumfant nëpër beteja si kreshnik
Goditje dërmuese të pabesëve turq u dhe,
Luftrat e tua ky libër rrëfen, o i madhi Skënderbe.”
Fjala “volum” në këtë varg të sonetit të Spenserit shpreh librin e Zahari J. Gentelmen-it për Skënderbeun.
Në të vërtetë për gjatë shekullit të XVII figura e Skënderbeut qe bërë familjare në vendet europiane. Edhe në zonat anglofone emri i tij qe kthyer në mith . Që prej kësaj kohe kish dalë shprehja popullore angleze : Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm”.
Po krahas veprës së Z.J. Gentelmen, njerëzit intelektual në Perandorinë Angleze, si edhe në ish Kolonitë Britanike të Amerikës, informacionin e mundshëm rreth Skënderbeut e merrnin edhe nga burime historike siç gjendeshin në librin e Richard Knolles[3] e titulluar “The General Histories of the Turks”- (Historia e Përgjithshme e Turqëve) 1603.
Për gjatë shekullit të XVII për botën anglofone një tjetër autor angles, Sir William Temple (1628- 1699) do ta përshkruante figurën e Skënderbeut me shumë adhurim në veprën e tij “Essay of the heroic Virtue”. Ky autor do ta vendoste figurën e Skenderbeut në kapitullin e titulluar “Shtatë prinjësa të pakurorëzuar të historisë”.
Sipas shenimeve bibliografike të Beniamin Ashcom marrim vesh se gjatë shekullit të XVIII heroi ynë kombëtar, Skenderbeu, do të shfaqej denjësisht edhe në skenat e theatrit londines. Më 15 Mars të vitit 1733, do të vihej në skenë drama “Skënderbue” e William Harvard , që u prezantua në theatrin “Goodman’s Field; në 13 janar të vitit 1735, një tjetër autor, George Lillo, vuri në skenën e “Drury Lane” dramën e tij për Skenderbeun me titull “The Christian Hero”. Kurse Thomas Whincop, më 1747, shkroi një dramë, që e botoi në Londër.
Të dhëna të tjera me interes historik për Skënderbeun jepen gjithashtu në veprën e rëndësishme të dijetarit të shquar Edwd Gibbon[4] (1737- 1794) “Decline and Fall of the Roman Empire”, (Tatëpjeta dhe Rënia e Perandorisë Romake). Ndërmjet shumë e shumë ngjarjeve historike në këtë vepër voluminoze autori përshkruan edhe episode rreth shkëputjes së Skënderbeut prej radhëve të ushtrisë Ottomane dhe kthimit të tij të guximshëm e fitimtar në Krujë.
Kurse ne shekullin e XIX talente më të famshëm nga ana artistike do të frymëzohen dhe do të përshkruajne në gjuhën anglofone madhështine e figurës historike të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që mund të jepen në një shkrim tjetër në vazhdim.
Petro Luarasi says
Me keqardhje bëj me dije se ky material është një kopje e zbehtë, në tematikë, lëndë e shtjellim, e studimit të Skënder Luarasit “Skënderbeu në letërsinë angleze” i botuar me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128)
Kushdo mund ta lexojë në internet http://www.dardania.biz/vb/upload/showthread.php?t=32729&page=2
Po përmend vetëm një fragment
Poeti i madh i Rilindjes angleze, Edmund Spencer(*), për të cilin folëm më sipër, shkruan një sonet mbi Skënderbenë, me të cilin përcolli botimin e veprës së Lavardenit në gjuhën angleze.
Pse mburret kot e Lashta kaqë fort
Me monumentet e moçëm burrash trima,
Heronj që përmes veprave pa mort
Mahnitën botën, dhe në prallë e rima
Çdo foshnjë i nxën? Njerzim’ i admiron
Statujat e tyre, kolose të larta
E beret triumfore q’i përshkon
E bukura me madhështit’ e narta.
Ja Një, që koha von’e nxor në dritë,
Ndër të mëdhenjtë krah më të madhit shkon:
I madh në zë, pushtet e në vetitë,
Triumfe të vërtetë meriton.
Kamzhik për turqit, për armiqtë rrufe-
Ky libër flet për Ty, o Skënderbe!
Në se mundet, redaksia e Diellit le ta botojë këtë studim të vyer të Skënder Luarasit.