Muzeu Historik Kombëtar/
Lindi në Shkodër, ku ndoqi shkollën françeskane dhe më pas seminarin e Troshanit. Më 1908 kreu studimet e larta për filozofi dhe teologji në Insbruk (Austri) dhe u shugurua meshtar. Pas kthimit në atdhe punoi si mësues e më pas drejtor i Kolegjit Françeskan (1920). Mori pjesë në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës. Në vitet 1918-1929 drejtoi revistën “Zani i Shna Ndout”, ndërsa më 1921-1924 “Hyllin e Dritës”. Vinçenc Prennushi ka qenë një ndër dinjitarët kryesorë katolikë në Shqipëri: më 1936 u emërua ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, më 1940 arkipeshkëv i Durrësit e i Tiranës; pas vitit 1944 qëndroi në fshatin Delbnisht të Laçit; gjatë vitit 1946 kryesoi Kishën Katolike Shqiptare. Vinçenc Prennushi ka qenë një nga anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve (1945). Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet punë të detyrueshme. Vdiq në burgun e Durrësit. Vepra më e rëndësishme e Vinçenc Prennushit është përmbledhja të përshpirtshme “Gjeth e lule” (1924, 1931), që u bë shumë popullore.