Kosova plotëson kritere për sport ndërkombëtar/
-U nënshkrua kontrata për renovimin e tërësishëm të Stadiumit të Prishtinës/
PRISHTINË, 9 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/ Në hapësirat e Stadiumit të Prishtinës, është nënshkruar sot kontrata për renovimin e tërësishëm të këtij stadiumi në vlerë prej rreth 3 milionë e 800 mijë euro.Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës morën pjesë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, Federata e Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FC Prishtina dhe të kompanisë kontraktuese,“Altrade” dhe “Izolimi”. Punët për renovimin e këtij stadiumi do ta zgjasin 14 muaj dhe pas renovimit ky stadium t’i plotësoj të gjitha kriteret për ndeshjet ndërkombëtare, u tha me rastin e nënshkrimit.
Financimi i këtij projekti do të bëhet konform memorandumit të nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, ku 75% të financimit do ta mbulojë MKRS-ja dhe 25 % Koma e Prishtinës. Gjithashtu edhe mbikëqyrja e punimeve brenda kësaj kontrate do të bëhet nga MKRS-ja, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Me këtë rast, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala u shpreh së ky është investimi më i madh i ministrisë, investim i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend.
Ai më tej shtoi se ky është shembulli i mirë i punës së përbashkët dhe i investimit të rreth 3 milionë e 800 mijë euro, me çka ky stadium do t’i plotësojë të gjitha kriteret për gara ndërkombëtare dhe do të jetë në shërbim të futbollit të Kosovës.
Punimet për renovimin e këtij stadiumi do të fillojnë brenda 10 ditësh./b.j/