-Kosova, Memorial të përhershëm per viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA/
-Homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Kryeministri Haradinaj: Vendosja e Memorialit, ndjenjë e përkrahjes së parezervë për familjet e viktimave të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë dhe do të jenë gjithnjë /
-Ambasadori Amerikan Delawie: Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, Uashington dhe në Pensilvani, terrorizuan gjithë botën dhe populli i Kosovës gjithë kohën ka qenë me ne/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 11 Shtator 2018/ Në shenjë nderimi për jetët e humbura të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria e Kosovës sot mori vendim për vendosjen e Memorialit të përhershëm në oborrin e qeverisë, për të cilin kryeministri Ramush Haradinaj tha se është e ndjenja e përkrahjes, e lutjeve për familjet e viktimave të 11 shtatorit, por edhe e përkrahjes së parezervë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për Amerikën në luftën kundër terrorizmit.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të nisur me nderime me një minutë heshtje, kryeministri Haradinaj tha se, pikërisht në ditën e sotme në vitin 2001 kanë ndodhur sulmet terroriste në New York, Pensilvani dhe Uashington, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në këtë rast janë vrarë shumë njerëz të pafajshëm.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë prirë botës në shpëtimin e jetëve tona në kohëra të vështira të luftës së Kosovës dhe i kanë mbrojtur popujt e botës dhe këtë e ndjejmë më së shumti dhe më së miri ne, dhe është e kuptueshme ndjenja e përkrahjes, e lutjeve tona për familjet e viktimave të 11 Shtatorit, por edhe e përkrahjes së parezervë të popullit të Kosovës, të institucioneve, për Amerikën në luftën kundër terrorizmit”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sot janë bërë homazhe e nderim në përkujtim të viktimave nga kabineti qeveritar, kryetari i Kuvendit dhe zyrtarë të tjerë institucionalë të Kosovës, duke shprehur falënderim edhe për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie dhe kolegët tjerë të Ambasadës Amerikane. Kryeministri Haradinaj tha se Zyra e Kryeministrit në kuadër të përgatitjeve për sot, ka vendosur për ndërtimin e një memoriali të përhershëm kushtuar viktimave të 11 shtatorit, siç tha ai, një memorial i vogël por që do të shprehte respekt dhe në traditën e nderimit do të ishte i përvitshëm nderimi, sipas protokollit shtetëror, i këtyre viktimave të pafajshme, të sulmeve terroriste. “Nga ajo që u pa sot, nga mënyra e nderimit u vërtetua se një memorial simbolik, por i respektueshëm do t’i bënte nder Kosovës, institucioneve të Kosovës, qeverisë së vendit dhe të gjithë liridashësve, dhe do ta shprehte qartë përcaktimin tonë për koalicionin tonë kundër terrorizmit”, tha kryeministri Haradinaj. Po ashtu, sot në kuadër të këtyre aktiviteteve bëhen homazhe dhe ndezën qirinj në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.Në mëngjesin e ditës së sotme në Prishtinë u bënë homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë dhe do të jenë gjithnjë. Lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Falënderoj ambasadorin Delawie për nderin që na bëri sot që të jetë bashkë me ne”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe. Në ceremoninë e homazheve, të organizuar nga kryeministri, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorë tjerë të akredituar në Kosovë, ministra të kabinetit qeveritar dhe punonjës së Zyrës së Kryeministrit, të cilët nderuan viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se 11 shtatori ka qenë sulm mbi vlerat civilizuese, ka qenë provë për gjithë botën demokratike, për t’iu përgjigjur një fryme, e cila ka qenë çnjerëzore.
“Sot, kaq vjet pas asaj dite të rëndë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar ka triumfuar. Çdo ditë e më tepër po mbizotëron arsyeja dhe në të njëjtën kohë vlerat demokratike, vlerat tona civilizuese perëndimore nuk ka askush që mund t’i cenojë”, tha kryetari Veseli, duke shtuar se Kosova do të jetë së bashku me Amerikën, sepse Amerika është shpëtimtare e Kosovës dhe do të jemi bashkërisht përjetë.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se Shtetet e Bashkuara përkujtojnë sulmet e 11 shtatorit dhe me këtë rast falënderojmë Qeverinë dhe popullin e Kosovës për partneritetin dhe mbështetjen në këtë situatë. “Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, Uashington dhe në Pensilvani, terrorizuan gjithë botën dhe populli i Kosovës gjithë kohën ka qenë me ne”, tha ambasadori Delaëie.
Sot në mbrëmje, ora 20:00, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj merr pjesë në homazhe dhe ndezjen e qirinjve në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist në SHBA, të 11 shtatorit 2001.