• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.

April 7, 2020 by dgreca

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij /

Nga Eugjen MERLIKA/ Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

                        Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

                        Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi traktativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos : 

                        “Viti 1938

                        30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

                        10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

                        Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

                        19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

                        Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

                        Ishte parahyrja e luftës së dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

                        Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj. 

                        Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

                        “…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..

                        Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

                        Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:  

                        “…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]   

                        Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

                        Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

                        Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

                                                                                                            (VIJON)


[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 prilli, Eugen Merlika, Nacionalizmi shqiptar, Pushtimi fascista

7 PRILLI, ABAZ KUPI DHE PENGU I TE BIRIT, FATBARDH KUPIT

April 7, 2018 by dgreca

26 Bardh KupiIMG_92851 Varri-kjo-Abaz-Kupi-002-600x450Roje nderi per abas Kupin61 okAbaz-Kupi-concentrate-1Duke ndare tortene ditelindjes se Lekes

Nga Dalip Greca/

bardhi dalipiNë 7 prillin e rezistencës antifashiste të shqiptarëve me prijësin e tyre Abaz Kupi, tek nderohet Heroi Mujo Ulqinaku në Durrës,(dhe mire bëhet) nuk mund të mos nderojmë komandantin e rezistencës, komandantin e Mujo Ulqinakut. Do të ishte në nderin tonë, pikërisht që sot, me 7 prill, dhe si sot, në çdo 7 prill, në Ditën e Rezistencës antifashiste, ne shqiptarët ne NY, NJ, CT, të shkonim tek varri i Heroit të rezistencës në Queens –NY, dhe të vendosnim kurora me lule!

Heronjtë nuk nderohen vetëm në ditën e Lindjes apo kujtohen në ditëvdekje, por edhe në ngjarje që mbajnë vulën e tyre. Nga arkivi i Diellit, po rikujtoi Heroin, përmes një bisede, që pata bërë me të birin, Bardhi Kupin( Pushoftë në Paqë), pasi kështu i kam nderuar të dy…, babë e bir.

Bardh kupi me zonjen Liri dhe nipin Abaz KupiLirie Kupi1 Te varri dritanP1040302Esati Bardh Kupi.IMGNY Bardh Kupi me JoeDioGuardi-LekeTasi

****

Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Aktin e të atit e përjetonte me krenari. Por sa herë troket 7 prilli,brenda vetes ndjente dhimbjen që i shkaktonte pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligshtohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgje(dy herë i burgosur) e internimet në kampet e internimit.

– Gjithçka e kemi bërë me vetëdije se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”-thoshte ai sa here takoheshim në përkujtimet pë babën e tij dhe shtonte:

-Do të doja t’i thosha edhe një gjë tjetër: Baba, e mbajta besën që ju dhashë kur u ndamë….

Po cila ishte besa, që i dha babës…?

***

….Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova së pari në Tiranë, në zyrën e Sherif Kaloshit në Ministrinë e Arsimit.

Por e takova shpesh here këtu në SHBA. Së bashku me miqtë e tij, Lek Mirakj, Esat Çoku, dr. Prenja Imeraj, tek takoheshim pasditeve në Arthur Avenue. E kishte bërë rregull Bardhi, pas hanim diçka në Gurrën Shqiptare, na çonte tek Briska dhe aty na blinte nga një Lloto. Një here p peti:- Ti Dalip, po të fitosh një Lloto të madhe, çfarë dote blesh?

Unë po mendohesha…Më gjeti pa përgatitur.

-S’e di,- thashë, nuk e kam menduar…Po e di që nuk më bie…Nuk kam fat…

-Po unë, a e di ti se çfarë do të blej?-dhe po më shihte në sy…

– Jo,- I thashë.

– Do të sponsorizoj një gazetë për t, që ta kesh tënden…

Natyrisht më erdhi mire…E kujtonim shpesh këtë moment…Por, Lloto nuka na qëlloi…

E tregova këtë episode për të treguar shpirtin e tij bujar…

***

E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza”, që ndodhet në Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.

Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.

– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….

Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska(ndjese paste), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.

Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Joooo” të prerë. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:

-Të lutem, mos e bëj këtë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti këmishzinjtë fashistë, me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin….

I bindem vendimit te tij.

I- Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve

Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.

Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën.

II- Abaz Kupi, shtyllë e luftës

Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin pushtusit.Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë, jo vetëm të Kujtesës. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek ”Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij ”No colour or Crest”.

Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: ”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty shumë të vrarë, por që propaganda I fshehu… Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”.

Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.

III-  BETEJA NE SUÇ TE MATIT

Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.

Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.

Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.

Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.

IV- Besa dhe pengu i të birit

Po cila ishte Besa që Bardhi i kishte dhënë të atit?

Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Kujdesu për ato!

Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë…

Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat; . Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:

– “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.

Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit.

Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.

Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:

”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”….

Poshtë firma.

Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët.

Kjo e ka ligështuar Bardhin dhe ende vazhdon të pyes ata që kanë qenë afër tij nëse ka kush dijeni për atë copëz letër, që e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.

V- Kur e provokonin për të atin

Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam frikë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.

Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?

Ai u përgjigjej: Po vranë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!

Duket si kokëkrisje…Ishte reagimi i një 17 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.

Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Lufta I përzjeu njerëzit. …Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, komandanti Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe… debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik tani!

– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte ekstremist dhe gjaksor, e kujton atë incident të vështirë…

VI- Arrestohet si armik i popullit

Fatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë me vështrim të kthjellët.Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz Kupit. Fillimisht në Kalanë e Ali Pashës në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.

Po si erdhi arrestimi i parë?

Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.

Ai që i dha pushkën thirri fort:- S’ka mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!

Kjo dikënd xhelozoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.

Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës.Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.

Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”

Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.

Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.

Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.

Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë.

Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. Atëherë i kishin bërë ekspertizën e një hartimi që kishte shkruar Bardhi në shkollën e natës. Në atë hartim shkruante për vjeshtën, stina ku binin gjethet. Dhe natyrisht që akuzohej se aludonte për rrëzimin e pushtetit.

U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.

VII- Me kujtimet për të atin-Takimi me Patër Anton Arapin

Edhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i BAZIT… luajmë një lojë shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.

Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një babë trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!”

Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?

Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët, që thjeshtë dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”

Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim ia kishte shfaqë edhe Lef Nosit, Patër Harapi. Bardhi sërish u ndje mirë sepse tashti këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.

Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.

– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.

– Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.(Dielli-arkiv)

***

I ndjeri Bardh Kupi ndërroi  jetë me 23 Shkurt 2016 në North Shore Hospital – Long Island, NY dhe u përcoll me nderime nga komuniteti shqiptar me 27 Shkurt në varrezën, ku pushon edhe Ati , Heroi i 7 prillit, në Kew Gardens Road Kew Gardens Queens, New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: 7 prilli, abaz kupi, dalip greca, pengu i Bardhit

Detarët durrsakë respektonjë Heroin e 7 Prillit

April 7, 2017 by dgreca

Detarët durrsakë respektonjë Heroin e 7 Prillit, Mujo Ulqinaku dhe diskutojnë për problemet e tyre/1 Lule

Nga Shefqet Kërcelli/1 durresParaditen e 7 prillit qindra dhjetra detarë durrsakë ju bashkuan ceremonisë përkujtimore në respekt të rezistencës antifashiste të 7 prillit 1939, ku spikati akti heroik i Kapterit të Marinës Mbretërore Mujo Ulqinaku. Mbas fjalës së rastit mbajtur nga zyrtari i bashkisë Adrian Gurra, zyrtarë të institucioneve vendore e qëndrore dhe përfaqësues të shoqatave atdhetare e të shoqatës së detarëve “Adrijon” vendosën kurora me lule në monumentin e Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku. Mbas kësaj ceremonie detarët durrsakë u mblodhën përsëri tek pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu” për të diskutuar shqetësimet dhe të drejtat e pazgjidhura nga qeveritë e ndryshme në Shqipëri. Mbas prezantimit të problemeve kryesore nga Kryetari i shoqatës, Kapiten Aleksandër Gjermeni, {PS.e kini ne ëord, vendoseni këtu}, detarët durrsakë Bahri Gurri, Enver Kokomani, Galip Dedeja, Nexh Allushi, Xhemal Molla, etj. ngritën disa probleme kyce të jetës së marinarëve si, cështje të statusit të tyre të anatemuar nga cdo qeveri, ndërkohë që kontributi i tyre përfshin 50% të ekonomisë shqiptare, marrja parasysh e viteve të punës  e vështirësive në det, mungesa e një zyre pune që do shërbejë jo vetëm për takime pune, por dhe si muze e bibliotekë për detarët, vlerësimi i shoqatës së detarëve, që nuk mund të krahësohet për nga numuri i anëtarëve dhe rëndësia me asnjë shoqatë tjetër. Këtyre diskutimeve  të rëndësishme jo vetëm për detarët si simbol i qytetit të Durrësit, por dhe rolit specifik në cështjet social-ekonomike të qindra familjeve i vuri kapak detari i vjetër Nexh Allushi, me një thënie proverbiale, mbas vitit 1990, të gjithë zanacinjtë morën nga një gjë, deri tek berberi që mori një dhomë e karike, ndërsa për ne marinarët nuk ngeli asnjë copë llamarinë anije. pra ngelëm me gisht në gojë, tha zoti Allushi, fjalë që u përshëndet nga të pranishmit. Në vijim të takimit detarët theksuan nevojën e hartimit të statusit të tyre, ashtu si si kolegët e vendeve të tjera, gjithashtu gjetjen e një ambienti të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Filed Under: Kronike Tagged With: 7 prilli, Mujo Ulqinaku, Shefqet Kercelli

7 PRILLI- Përvjetori i qëndëresës nga Abaz Kupi dhe pengu i të birit, Fatbardhit

April 7, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca/
Qendresa shqiptare kunder pushtimit fashist te Shqiperise, nuk mund te kuptohet pa qendrestaret dhe heronjte, pa kapterin hero Mujo Ulqinaku dhe komandantin e tij, heroin e 7 prillit, Abaz Kupi.I biri i heroit te 7 prillit, Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Keto dite Bardhi eshte ne Ohajo. Aktin e te atit e perjeton me krenari. Ne kete 7 prill,brenda vetes ndjene dhimbjen që i shkakton pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligshtohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgje e kampet e internimit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”
***
Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova pak kohë më parë. E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza” , që ndodhet në Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.
Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.
– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….
Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska(ndjese paste), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.
Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Jo” të prerë. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:
-Të lutem, mos e bëj këtë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti këmishzinjtë fashistë, me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin….I bindem vendimit te tij.

Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve

Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.
Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën.

Abaz Kupi, shtyllë e luftës

Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut.
Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek ”Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij ”No colour or Crest”.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: ”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty qindra të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”.
Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.
Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.
Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.
Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.
Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.
Besa dhe pengu i të birit
Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë… Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat; . Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:
– “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.
Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit.
Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.
Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:
”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”….
Poshtë firma.
Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët.
Kjo e ka ligështuar Bardhin dhe ende vazhdon të pyes ata që kanë qenë afër tij nëse ka kush dijeni për atë copëz letër, që e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.

Kur e provokonin për të atin
Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.
Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam firkë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.
Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?
Ai u përgjigjej: Po vranë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!
Ishte reagimi i një 17 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.
Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik tani!
– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte ekstremist dhe gjaksor, e kujton atë incident të vështirë.

Arrestohet si armik i popullit

Fatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë me vështrim të kthjellët.
Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz kupit. Fillimisht në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.
Po si erdhi arrestimi i parë?
Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.
Ai që i dha pushkën thirri fort:- S’ka mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!
Kjo dikënd xhelozoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.
Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës.Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.
Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”
Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.
Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.
Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.
Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë.
Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. Atëherë i kishin bërë ekspertizën e një hartimi që kishte shkruar Bardhi në shkollën e natës. Në atë hartim shkruante për vjeshtën, stina ku binin gjethet. Dhe natyrisht që akuzohej se aludonte për rrëzimin e pushtetit.
U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.

Me kujtimet për të atin

Edhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i Abazit luajmë një shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.
Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një baba trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!”
Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?
Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët që thjeshtë dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”
Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim ia kishte shfaqë edhe Lef Nosit, Patër Harapi. Bardhi sërish u ndje mirë sepse tashti këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.
Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.
– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.
– Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.(Ne foto:Bardh Kupi tek varri i te atit ne Kew Garden Queens, NY)

Filed Under: ESSE Tagged With: 7 prilli, abaz kupi, dalip greca, i biri Fatbardh, qendresa antifashiste

7 Prilli 1939: Mosnjohje dhe mosmirënjohje!

April 7, 2013 by dgreca

NGA PROF. SAMI REPISHTI*/

Shtatëdhjetë e katër vjet ma parë, më 7 prill 1939, forcat e armatosuna të Italisë fashiste sulmuen Shqipërinë pa shpallje lufte formale. Ky agresion i çveshun nga çdo justifikim, u paraqit si dëshira e popullit shqiptar të çlirohej nga regjimi i monarkisë dhe veçanërisht nga personi i Mbretit Zog I. Nji gënjeshtër të këtillë, që paraqitej para botës së qytetnueme nga kalemxhinjtë dhe kasnecët e fashizmit italian, nuk e besojshin as italianët.

Mbrapa gënjeshtrës qëndrojshin divizionet italiane në punën e tyne të ndytë të okupacionit në Shqipëri me synime agresive të matejshme në Ballkan, Ajo që më shtyri sot të shkruej ashtë nji ndjenjë pakënaqësie e madhe për mosnjohjen e ngjarjeve të 7 prillit 1939, dhe akoma ma shumë, për mosmirënjohjen e sakrificave të dëshmorëve që paguen me jetë kundërshtimin e agresionit fashist.

* * *

Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (v. III, 2007): “Gjatë luftimeve u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Më i njohuri u bë Mujo Ulqinaku” (f.367). Sipas kapitenit anglez Smith, i pranishëm në ngjarjet, “…mbrojtësit u mundën vetëm nga numri i madh i sulmuesve, dhe mbasi (shqiptarët) shtrinë përtokë shumë prej tyne “(po aty). Burime të ndryshme konfirmojnë se zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës. “Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “(po aty). Kjo “Histori…” tregon se “…italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur. Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368) Në kujtimet e tij, dëshmitari okular, kolonel Sami Koka, shkruen: “…Në tentativat e para të italianëve për të shkelur në bregun tonë, pati të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të plagosurit e tyre dhe të vrarët për në kryqëzor; po atë gjë bëmë edhe ne më tanët, por me mjetet primitive dhe me zemër të madhe…”(S. Koka. Kujtime) “Në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…” (ASHeSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…

Gjatë luftimeve pati disa të vrarë e të plagosur edhe nga shqiptarët. Njëri pej tyre ishte luftëtari Hamid Vashko (f.368). “Luftime u bënë edhe në Sarandë…. Italianët që shkelën tokën e Shqipërisë lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Edhe nga shqiptarët u vranë mjaft”. (f.370) Profesor Brndt Fischer (Indiana U., SHBA), në librin Albania at War-1939-1945 (1999) shkruen: “…Më 7 prill 1939, rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuen Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Sarandën… Me pak përjashtime, ushtria shqiptare (e stërvitun nga italianët, SR) nuk luftoi… Vetëm Gjindarmëria (e stërvitun nga anglezët, SR) duket se dëshironte me rezistue…. Mbrojtësit, gjindarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50 fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuen nji numër të konsiderueshëm viktimësh, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit zgjatën dy-tre orë.

Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuen vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Në Vlorë nuk ka pasë nji rezistencë të randësishme… Në Shëngjin …nuk ka pasë ma shumë se 6 a 7 të vramë nga secila anë”.(F.22) Fischer përfundon: “…. Ka mundësi që afër 200 italianë mbetën të vramë në Durrës dhe se numri i përgjithshëm i viktimave italiane arrin shifrën 700. Viktimët shqiptarë mund të kenë qenë edhe ma të mëdha” (po aty). Ky konstatim i Fischer-it gjindet në Arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH). Simbas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklarue: “Sikur shqiptarët të kishin pasë nji brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hjedhë në Adriatik”. (Fischer, 23. Nga dokumentet italiane të kapun nga gjermanët.) U deshën rreth 40 ditë që ushtria italiane të shtrihej në të gjithë Shqipërinë”, shkruen V. Duka “Historia e Shqipërisë 1912-2000” (Tiranë, 2000, f.210), por autorja nuk flet fare për viktimët. Anton Logoreci The Albanians-Europe’s Forgotten Survivors.(London, UK. 1977) kufizohet me këtë frazë: “Më 7 prill 1939, mbas nji përleshje të shkurtë, por të ashpër, forcat italiane okupuen shumicën e vendit mbrenda pak ditësh” (f.64).

Nji botim autoritativ amerikan, Federal Research Division, Library of Congress, “Albania: A Country Study” (1992), përshkruen ngjarjen: “Më 7 prill 1939, trupat e Musolinit invaduen Shqipërinë. Me gjithë rezistencën kokëforte por të shkurtë, veçanërisht në Durrës, italianët i mundën shpejt shqiptarët”. Autorët shtojnë: “Mbreti i Italisë, V. Emanueli III, e kritikoi invazionin e Shqipërisë si “…nji rrezik i panevojshëm”. (f.32-33) “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” (Ed. H. Myzyri et al. Tiranë, 2001) jep këtë përshkrim: “Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmuen Shqipërinë dhe zbarkuen në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, njësitë e ushtrisë shqiptare të drejtueme nga Abaz Kupi, u bënë qëndresë pushtuesve. Në këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292)… “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë…” (p.293). Konfuzioni në paraqitjen e ngjarjeve të njenit nga momentet ma fatale të historisë sonë kombëtare nga historianët shqiptarë tregon në esencë mosnjohjen e këtyne ngjarjeve dhe mungesën serizoze të kërkimeve në arkivat e shteteve të vendeve kryesore. Ky manifestim negativ nuk justifikohet! Ai mund të spjegohet me faktin se: a) Me okupimin fashist të vendit, autoritetet italiane dhe shërbëtorët e tyne shqiptarë kanë ba pothuejse të pamundun nji studim të ngjarjeve, dhe sidomos glorifikimin e viktimave të kësaj tragjedie kombëtare; dhe b) me ardhjen e pushtetit komunist u ba nji rregull i detyrueshëm mos me paraqitë të kaluemen në dritën e së vërtetës.

Qëllimi i regjimit të kuq ishte të mbulohej me nji rrjetë harrese e kaluemja e jonë, kështu që “aventura komuniste” në Shqipëri të shkëlqente sa ma shumë. Historia e Shqipërisë fillonte me 29 nandor 1944. Vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku u ruejt. Abaz Kupi u naltesue në fillim dhe u demaskue ma vonë si agjent i fuqive të hueja. Dëshmorët e tjerë i mbuloi harresa, që vazhdon edhe sot. Njizetë e dy vite të “tranzicionit” nuk kanë pasë sukses me shembë këtë mur harrese të plotë. Me përsëritë gjykimin e profesor Fischer: “Shqipëria dhe populli i saj kanë kalue shekullin (njizetë) relativisht në errësinë, agresioni i 7 prillit 1939 ka qëne nji rast i shkëlqyeshëm për shqiptarët me i tregue botës karakterin liridashës dhe shpirtin e sakrificës në ditët e vështira. Ky rast i rrallë, fatkeqsisht, u humb për fajin e klasës politike shqiptare të kohës”. Ai e spjegon këtë fenomen si “…papjekunia e nji entiteti politik (Parathanje). Gjykimi i profesorit Fischer ashtë kapidar! Më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët kishin humbë rastin e shkëlqyeshëm me i tregue botës se cilët janë në të vërtetë shqiptarët. Mungesa e nji koncepti të nacionalizmit në shkallë “kombëtare” te shumica e paformueme politikisht dhe e paekspozueme e ideve perëndimore të “shtetit” dhe “demokracisë” si vlera të nalta permanente, dhe fanatizmi i ruejtes së identitetit të fshatit, qytetit ose krahinës dolën në shesh me të gjithë ashpërsinë e tyne gjatë invazionit fashist të Shqipërisë më 1939-n.

Fatkeqsisht, regjimi komunist e thelloi akoma ma shumë ndasinë krahinore dhe nji plagë e këtill na mundon edhe sot! Edhe ma keq! Kjo “klasë politike shqiptare e kohës” u komprometue plotësisht me nënshtrimin e saj pa rezerva padronit të ri. Më 14 prill iu dhurue kunora e Skënderbeut Mbretit të Italisë. Ma shumë se gjysma e deputetëve ishin nga ish-garnitura monarkiste dhe personalitete të Monarkisë. Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve. Ministria e Jashtëme dhe ajo e Luftës u shkrinë me atë të Italisë. Mesazhi i Ministrisë së Jashtëme për legatat ishte: “Porositeni të mos bani asnji veprim diplomatik… Mbani gjithëherë kontakte të ngushta me përfaqësitë italiane… Kini besim të plotë në qeverinë fashiste etj.”. (I.Konomi. Faik Konica.-2012, f.204) Ndërsa Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe federata “Vatra” organizojshin demonstrata e protesta kundër invazionit italian dhe i drejtoheshin Presidentit Roosevelt “…për të shpëtuar Shqipërinë heroike, nji vend paqësor dhe i pambrojtur”, (K.211) kolaboracionistët e Tiranës udhëzonin F. Konicën që të bante çdo përpjekje me pengue këto manifestime patriotike.

Më 3 qershor u mbyll Ministria e Jashtëme dhe ajo e Mbrojtjes dhe kaluen në duert e italianëve. Përfaqësimi diplomatik u muer nga italianët. Diplomatët mbetën pa mbështetje, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, që nuk njohën pushtimin fashist, dhe përfaqësuesët shqiptarë, Asaf Xhaxhuli në Ankara dhe Abdyl Sula në Kajro, mbajtën legatat të hapuna gjatë gjithë viteve të luftës. Shqipëria po varrosej pa ceremoni! Akuzat e historianëve shqiptarë së “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë” janë vetëm pjesërisht të vërteta dhe pjesërisht mbeturina të historiografisë komuniste. Në SHBA kemi protestat e ministrit F. Konica pranë DASH dhe mirëkuptimin e autoriteteve amerikane. “Kam ardhur të protestoj pushtimin e vendit tim nga Italia”, i tha ai sekretarit të Shtetit, C. Hull, i cili mori kontakt të menjiherëshëm me Presidentin F. D. Roosevelt. Në orën 5:30 mb.dr. të datës 7 prill 1939, Presidenti dhe C. Hull diskutuen në telefon pushtimin e Shqipërisë dhe “…vendosën të mos njohin pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç nuk kishin njohur aneksimin e Etiopisë më 1936-n, dhe se Konica do të njihej si përfaqësues i vendit të tij” (K.192).

Më 8 prill 1939, Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Pavarësia e vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale e çdo vendi të vogël në botë ka nji efekt mbi sigurinë dhe begatinë tonë kombëtare” (K.193). Po atë ditë, ish-ministri amerikan në Tiranë, Charkes Hart, deklaronte: “…rezistenca shqiptare ndaj forcave të mekanizueme të Italisë do të ishte e kotë, por kundërshtimi ndaj pushtuesit nuk do të vonojë; do të jetë sporadik, por i vendosun “. (K.193) Ndërkaq, shtypi serioz amerikan u jepte hapësinë deklaratave të ministrit Konica. Në mesditën e datës 8 prill, sekretari i Shtetit C. Hull lexoi këtë deklaratë: “Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë ashtë pa dyshim nji kërcënim tjetër ndaj paqes në botë. Do të ishte dritëshkurtësi të mos mbahej shënim ky zhvillim i matevijon nga faqja 1 Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. jshëm”. (K.194) Senatori William King e quejti pushtimin “…nji sulm burracak dhe i egër ndaj nji vendi të vogël….Qeveria italiane u suall më keq se një gjarpër me zile”.(K. 199) Më 14 prill 1939, Presidenti Roosevelt i bani thirrje qeverive të Gjermanisë dhe Italisë që të japin sigurinë se nuk do të sulmojnë 14 vende të Europës; vendi i parë ishte Shqipëria. Pse ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj pushtimit italian? Interesa madhore amerikane ishte të evitohej ballafaqimi me Musolinin dhe të mos shkaktohej nji afrim i tij me Hitlerin në nji front të përbashkët kundër Perëndimit.

Ka arsye me besue se largimi i Mbretit Zog I pa rezistencë, shuemja e shpejtë e rezistencës dhe nënshtrimi i menjiherëshëm i garniturës monarkiste që përfaqësonte “Shtetin shqiptar” ndaj okupatorit, duhet të kenë influence mendimin e diplomateve amerikanë. Britania e Madhe e Franca drejtoheshin nga kapitulluesit Chamberlain dhe Daladier respektivisht, të cilët kishin firmue Marrëveshjen e turpshme të Munich-ut (1938) tue sakrifikue Çekosllovakinë dhe nuk kishin asnji interes me shqetësue balancën e forcave të krijueme në Europë. Jugosllavia e pro-italianit Stojadinoviç ishte e kënaqun që trupat italiane nuk u vendosën pranë kufinit me Jugosllavinë. Greqia e diktatorit pro-fashist gjeneral Metaxas deklaroi se pushtimi i Shqipërisë nuk cenonte marrëdhanjet e mira në mes të Greqisë dhe Italisë fashiste. Para nji situate të këtillë vetëm rezistenca e fortë dhe e qëndrueshme shqiptare mund të kishte influencue opinionet qeveritare dhe do të kishte fitue simpatine e opinionit publik ndërkombëtar, tue e vendosë Shqipërinë pa rezerva në kampin aleat antifashist. Por invazioni ushtarak fashist i Shqipërisë shpalosi dobësitë e thella në strukturën e ushtrisë italiane. Italia nuk ishte e përgatitun për luftë. Pak dite ma vonë, Britania e Madhe nënshkroi Traktatin miqësor me Turqinë, nji shtet që nuk pranoi pushtimin italian të vendit tonë.

Ky akt me randësi tregon se u krijue nji atmosferë e frikës, e cila imponoi formimin e koalicioneve në mes të fuqive antifashiste, që do të përfundojshin në frontin e përbashkët të koalicionit të madh antifashist, e që gradualisht do të shkatërronte agresorët fashistë italianë, gjermanë dhe japonezë. Profesor Fischer shkruen: “Tani mund të thuhet se sakrifikimi i Shqipërisë nuk shkoi kot”(F.32). Nga ky mobilizim i forcave të Perëndimit (e njohun ma vonë si “Bota e Lirë”) lindi shpresa e rilindjes në popujt e shtypun, që përfundoi në organizimin e rezistencës kundër okupatorit edhe në Shqipëri. * * * Krahas mosnjohjes së ngjarjeve të 7 prillit 1939, sot revoltohemi edhe për mosmirënjohjen zyrtare që “shteti” dhe “shoqënia” shqiptare u detyrohen viktimave të 7 prillit. Lind pyetja: Si ashtë e mundun që në të gjitha përleshjet me agresionin në shumë pika të atdheut tonë të ketë humbë jetën vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku? Si ashte e mundun që mbas pesë orë luftimesh në Durrës, zbarkimet në Vlorë, Shëngjin e Sarandë, janë krye vetëm me nji viktimë shqiptare? Simbas nji dëshmie të besueshme, në muejin shtator 1943, menjiherë mbas kapitullimit të Italisë, autoritetet shqiptare kanë konfirmue vdekjen e 12 dëshmorëve të 7 prillit dhe kanë garantue pensionin e plotë për familjarët e tyne. Dokumentacioni për këtë akt dinjitoz duhet të gjindet në Arkivën e Shtetit të muejit shtator 1943.

Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. Kjo mosmirënjohje që jetojmë na sot ashtë nji turp i madh për të gjithë shqiptarët, nji trup që duhet shlye sa ma parë dhe sa ma plotësisht. (Theksimet e mia. SR)

* City University of New York

PS:Falenderojme Prof. Sami Repishtin qe e dergoi shkrimin per publikim ne gazeten Dielli

 

Filed Under: Histori Tagged With: 7 prilli, dhe mosmirenjohje, Njohje, Sami repishti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT