Nga Arben Llalla/
Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?
Marshi i rrugës për të bërë sensibilizimin e Çështjes Çame nisi i mundimshëm, me sakrifica në fillim të viteve 1990. Kjo rrugë filloi me krijimin e Shoqërisë politike-atdhetare “Çamëria”, e cila u themelua nga dëshira e madhe e shqiptarëve me rrënjë nga Çamëria me qëllimin e mirë për realizimin e ëndrrës për mrekullinë e rikthimit përgjithnjë në tokat dhe shtëpitë e tyre. Ka rreth 75 vite që shqiptarët me origjinë nga Çamëria synojnë rikthimin e premtuar dikur nga organizatat ndërkombëtare, Shqipëria dhe Greqia. Pra, shqiptarët nga Çamëria, kur u përzunë me dhunë nga EDES e udhëhequr nga Napoleon Zerva u quajtën refugjatë, të cilët do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre. Gjaku, vuajtjet, përpjekjet e parreshtura të çamëve për rikthim është rasti më unikal i një populli të Ballkanit, ndoshta edhe më gjerë. Rikthimi i premtuar çamëve ju duket sa afër dhe larg. Ata e ndjejnë erën e tokës së tyre, zgjaten për ta prekur, por nuk e prekin dot. Tentojnë ta shkelin, të vizitojë shtëpitë, varret, por nuk i lejojnë, sot, në kohërat moderne, në vitet ku i gjithë njerëzimi thërret e punon për një botë pa kufij, për botën e lirë.
Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?
Shoqata “Çamëria”, e cila ishte i vetmi zë serioz i Çështjes Çame në vitet 1990, njohu dy suksese të mëdha, atë që Kuvendi i Shqipërisë më 1994 shpalli 27 Qershorin si ditën e genocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe më 8 Prill 2004 votimi i Rezolutës së Çështjes Çame, e cila ishte Rezolutë pozitive, por e cunguar në kuptimin e plotë të saj. Më tej, u themelua Instituti i Studimeve të Çamërisë, cili arriti të organizonte dy simpoziume ndërkombëtare rreth Çështjes Çame. Por, që e heshti misionin, për të cilën u themelua pas vitit 2010.
Kështu, lindi nevoja që të krijohej një grupacion politik, parti e cila si pikë kryesore do kishte zgjidhjen paqësore të çështjes në fjalë, pra sensibilizimi i Çështjes Çame. Në vitin 2011 u bë bashkimi i dy grupacioneve politike në partinë PDIU, duke shtuar fjalën kuptimplotë “uniteti”. Kjo forcë politike sapo filloi punën u përballë me tekat kundër, të cilat nuk mund ta mundnin unin, të kalonin vetveten dhe krijuan një çarje të pasuksesshme. PDIU në drejtimin e Shpëtim Idrizit arriti të rritej me shpejtësi, emgjithëse si parti asnjëherë nuk ishte në qeveri me poste ministrash. Shpëtim Idirizi arriti që Çështjen Çame ta fusë në diskutimet e Komisionit Europian duke biseduar personalisht me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare. Nga këto biseda u bë e mundur që Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn të deklaroi si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë edhe Çështjen Çame. Më tej, ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein që bëri me dije se Çështja Çame duhet të diskutohet mes dy qeverive. Këto kanë qenë ndoshta aksionet e vetme të mirëfillëta politike pas viteve 1990 që Çështjin Çame e bëri kaq të pranishme në arenën e politikës së Europës. Në këtë kohë shqiptarët me origjinë nga Çamëria që duhej të mbështesnin edhe më fort PDIU-në, e cila mbron fuqishëm çështjen e tyre, u treguan të ngurtë, egoistë duke u kthyer në hyzmeqarë të partive të tjera politike, të cilëve nuk u ka shumë ënda Çështjen Çame. Por, përkundrazi këto parti i shohin shqiptarët nga Çamëria si njerëz të huaj, të cilët në hierarkinë e posteve shtetërore të Shqipërisë nuk duhet të jenë, sepse na zemërohet fqinji, i cili disa herë ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare dhe herë pas here politikanët e tij deklarojnë se kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.
Duke u bashkuar të gjithë bashkë rreth Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së, ne u tregojmë të tjerëve se jemi të vendosur që Çështja Çame nuk do të harrohet, nuk do të lejojmë të sakrifikohet për kërcënimet e Greqisë. Çamët, por edhe ne shqiptarët nga krahinat e tjera duhet t’u tregojnë politikanëve dritëshkurtër se jemi gati të paguajmë me çdo çmim zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame dhe të çështjeve të tjera mbetur pezull me Greqinë. Rrugën e zgjidhjes së këtyre çështjeve me fqinjin tonë jugor i kërkojmë në bazë të rregullave, normave dhe ligjeve demokratike ndërkombëtare. Greqia dhe BE do të jenë më të qeta dhe demokratike nëse çështjet pezull me Shqipërinë zgjidhen drejtë.
Politikanët e huaj vazhdojnë të jenë spektik për Çështjen Çame, ata e shohin si një çështje të drejtash njerëzore, kur në të vërtetë bëhet fjalë për diçka më të thellë, për genocid, për padrejtësinë që i është bërë një populli, i cili jetonte në trojet e veta mijëra vjeçare dhe gëzonte statutin pakicë kombëtare në bazë të Marrëveshjes së Lozanës më 1923-1924.
Shqiptarët me origjinë nga Çamëria duhet të mësojnë nga zhgënjimi i partive të tjera, nga indiferentizmi i tyre për këtë çështje kombëtare, duhet t’i besojnë partisë që lindi nga kjo kauzë, PDIU-së. E pra, zgjidhja e Çështjes Çame kalon nëpërmjet një kalvari vuajtjesh të mundimshme, ku shumëkush mund të humbë karrierën politike, por jo vetëm kaq. Pa këto sakrifica Çështja Çame nuk mund të kuptohet kurrë. Është koha që të gjithë të rrezikojmë, nëse duam të jemi pjesë të sakrificës për Çështjen Çame, pa marrë parasysh shtigjet me rreziqe të mëdha. Njeriu nuk ngopet asnjëherë me jetë e pasuri, por në fund këto nuk vlejnë asgjë, nëse s’ke bërë diçka për kombin tënd, në rastin në fjalë për Çështjen Çame. Të gjithë një ditë i japim llogari vetëm historisë, e cila nuk korruptohet, ajo mban shënime…