Piktori i mirënjohur shqiptar Edmond Agalliu merr pjesë në Ekspozitën më të madhe Ndërkombëtare Art Expo 2015 në New York, 23-26 Prill 2015./
ArtExpo 2015 është ekspozita më e madhe ndërkombëtare vjetore, që zhvillohet nën kujdesin e Bashkisë së New York me pjesëmarrjen e përzgjedhur të piktorëve të talentuar nga mbarë bota. Për herë të parë në një ekspozitë të tillë, Shqipëria përfaqësohet nga piktori i talentuar shqiptar Edmond Agalliu, i mirënjohur për profilin e tij të lartë artistik.
Në ceremoninë e mbrëmshme të ArtExpo 2015 piktori Edmond Agalliu mori përgëzimet e drejtpërdrejta të organizatorëve, zyrtarëve të lartë pjesëmarrës dhe kritikëve të pranishëm. Ai është prezantuar në këtë ngjarje madhore të pikturës botërore me disa punë artistike të prerjeve të ndryshme, duke dashur të sjellë tërë spektrin e mjeshtërisë së tij në hapësirën dhe kohën e kufizuar të mbajtjes së kësaj ekspozite. Për z. Agalliu kjo ekspozitë është një kulm i ri në karrierën e tij të gjatë dhe të konsoliduar artistike, pas sukseseve të ndëshmuara në pothuaj tërë Europën: Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, e në shumë vende të tjera. Piktori Agalliu vjen në ArtExpo 2015 pas disa ekspozitave dinjitoze në Kalifornia, Texas, etj.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm amerikanë për rrugën e largët për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë dhe pritishmërinë e tij z. Agalliu u përgjigj: “Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë ngjarje të kulturës botërore është një nder dhe përgjegjësi për cdo artist shqiptar. Kam sjellë punët më të mira, për të treguar se arti shqiptar, megjithë kufizimet e tij në të shkuarën dhe kapërcimet e suksesshme të dy dekadave të fundit, i përgjigjet me autoritetin e duhur artistik standarteve ndërkombëtare. Në cdo vepër timen të ekspozuar sot këtu, unë ndjej se kanë pjesë penelatat e mbarë piktorëve shqiptarë dhe ndjehem krenar që arti ynë renditet krahas atij ndërkombëtar”
Pikturat e artistit Agalliu janë ta larmishme dhe përfshijnë të gjitha zhanret e këtij profesioni, duke filluar nga skicat, profilet, portretet, natyrat e qeta, peisazhet, dhe deri tek pikturat monumentale murale. Piktori Edmond Agalliu njihet edhe si një prej restauratorëve më të mirë shqiptarë, por jo vetëm, të objekteve kishtare në Italy e gjetkë. Atij I janë besuar një restaurimesh delikate të afreskeve me vlera historike, restaurimin e të cilave, piktori Agalliu e ka kryer me një kompetencë professional dhe sukses të lartë. Gjithashtu z. Agalliu njihet edhe si referues shkencor në një sërë konferencash dhe mediumesh artistike, ku ka trajtuar tema të ndryshme si: evolucioni historik i pikturës shqiptare; piktura murale dhe përshtatja me diapazonin e standarteve demokratike; natyra e qetë në pikturën shqiptare gjatë periudhës së fillimshekullit të shkuar, dhe një sërë botimesh e referatesh të tjera.
ArtExpo është e hapur në datat 23 – 26 Prill 2015.
Adresa e ArtExpo 2015 eshtë:
Pier 92
711 12 Avenue, Manhattan. (52 street & 12 Avenue)
Brenda ekspozites, ndarja (booth) Nr. 174.
Ftohen të gjithë artdashësit e komunitetit shqiptar të vizitojnë ekspozitën dhe janë të mirëpritur për t’u takuar me piktorin Edmond Agalliu.