Nga Astrit LULUSHI/
Kosova dhe Shqipëria janë si Gjermania me Austrinë, dy
shtete, një gjuhë. Kosova me popullsi më të re në moshë, gjithmonë do ta shohë
Shqiperinë me ambicje e dëshirë dhe një ditë do ta aneksojë, ashtu si më 1938
Hitleri aneksoi Austrinë për të krijuar bashkimin e kombit. Sa karikaturë do të
dukej nëse historia përsëritej në këtë tabllo të pikturuar nga shqiptarë.
Por një komb i ri po del a po shkëputet nga fara shqipe. Me
mbështetje, Kosova po shkon drejt formimit të një kombit të ri, atij kosovar, i
rrjedhur nga kombi shqiptar e i aneksuar dikur nga shteti serb. Me këtë lindje
duhet edhe një histori e re që ndoshta do të ndikojë historinë e një kombi të
ndarë mëdysh deri në shkërmoqje.
Shqiptarët po rishkruajnë historinë e lashtë botërore. Ata
kërkojnë një vend në qëndër të saj dhe kundëtshtojnë çdo tezë që nuk plotëson
kushtet për ngopjen e tyre boshe, duke përcaktuar prejardhësit e tyre të parë
nga dolën të gjitha kombet e tjerë në euro-azi.
Debate të ashpra janë ndezur mes akademikëve. Madja janë
krijuar edhe akademi brenda akademisë që kryejnë punë të ngjashme, por në
drejtime të ndryshme për t’i lidhur shqiptarët me lashtësinë dhe famën që çdo
komb e synon a e ka fituar.
Shqiptarët, mos janë pafat apo të paditur? Historia i ngjan
një zyre kadastre ku Vendet kanë regjistruar trojet e tyre. Le të shihet
historia me këtë sy dhe nuk do të mendohet për ta shkatërruar.