• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR

December 6, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Më 30 dhjetor të këtij viti mbushen plot 60 vjet vjet nga ndërrimi jetë i Atë Gjergj Fishtës. Kishte lindur 69 vite më parë, më 1871. Fëmija, që e bëri të pavdekshëm në kujtesën historike të shqiptarëvet emrin e fshatit ku lindi, pati fatin të pagëzohej me emrin Zef nga poeti e meshtari arbëresh Atë Leonard de Martino. Ky pagëzim prej një poeti, ndoshta, ishte një rastësi profetike e një paralajmërim i atij personaliteti madhor të fëmijës, që do të bëhej një nga personazhet më në zë të letërsisë e historisë shqiptare, para e mbrapa krijimit të Shtetit të pavarur. Personalitet shumë përmasor që arrin maja në poezinë epike, që mbetet i paarritshëm n’atë satiriken, ndër më të spikaturit në lirikë e dramaturgji, me një ndihmesë madhore në publicistikë e në jetën politike e diplomatike, një nga themeluesit e njerzit e mëdhenj të arsimit kombëtar, Atë Gjergj Fishta hyri me të gjithë peshën e tij të stërmadhe në historinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.

Gjithë jeta e tij, fatmirësisht e gjatë për treguesit e kohës, qe një dëshmi e gjallë e forcës së dyshes “Fe e Atdhe” që, për epokën dhe prirjet vetiake të personazhit, ishte Ylli polar që ndriçonte rrugën e Shqipërisë, e cila luhatej mes fundit të një epoke të gjatë pushtimi otoman, që kishte kushtëzuar katër shekuj e gjysmë të jetës së saj të hirtë, e çeljes së një tjetre, e cila kishte një lindje tepër të vështirë, mes pasigurish, cungime trojesh, ndarjeje të kombit, armiqësish të jashtme e mendësish frenuese të mbrendshme. Kësaj epoke historike i dhuroi veprën e tij të gjithanëshme, që nga poezitë e para tek “Albania” e Faik Konicës deri tek kryesimi i Kongresit të Manastirit për alfabetin e shqipes, nga mesha e parë në kishën e Troshanit tek drejtimi i shkollës së Fretërve, nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Shkodrën e administruar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit tek veprimtaria në Komisinë Letrare, e cila vuri bazat e shkencës gjuhësore shqiptare, nga pjesëmarrja në Dërgatën e Qeverisë së Durrësit në Konferencën e paqes në Paris tek veprimtaria e dëndur në Parlamentin e parë shqiptar, nga takimet me Papën Benedikti XV, për të kërkuar ndihmën e tij për Korçën e Gjirokastrën, pjesë të pandashme të Shtetit shqiptar tek vizita në SHBA, për të siguruar njohjen e atij Shteti nga diplomacia e atij Vendi të madh.

Në gjithë ata vite të gjata veprimtarie atdhetare nuk e hoqi kurrë zhgunin e françeskanit e nuk reshti së shkruari në gjinitë e ndryshme letrare, duke i lënë trashëgimisë letrare shqiptare e katolike një nga thesarët më të çmuar të gjithë historisë së tyre. Vepra e tij, e përmbledhur dhe botuar në dhjetë vëllime vetëm në vitin 2012, më shumë se njëqind vjet mbas botimeve të pjesëve të ndryshme të saj, tregon se sa mosmirënjohëse dhe e padrejtë, deri në kriminalitet, qe Shqipëria e “dreqit të kuq” kundrejt krenarisë së kombit. Tre breza shqiptarësh nuk i njohën as emrin atij që bota e huaj e kishte vlerësuar si “Homeri i Ballkanit” e që e kishte nderuar me çmime e medalje, që nga Turqia deri tek Austro – Hungaria,  Vatikani e Greqia. I pari poet shqiptar, i pranuar si antar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve, një Shoqatë botërore e themeluar në New York, me përfaqësues nga 60 vende, e mbylli jetën e tij, si i vetmi antar shqiptar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë.

Asnjë nga këto merita të shquara të Gjeniut të Kombit nuk e penguan regjimin kundër kombëtar të komunistëve shqiptarë, të hidhte në lumin Drin eshtrat e tij e të varroste në harresën e shoqërisë emrin e tij të ndritur, duke e mbiquajtur “shovinist”, “fashist”, “obskurantist”, simbas oreksit të komunistëve jugosllavë.

“Dersa t’mundem me ligjërue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurrë , Shqypnî, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’përmendë kam.”

Kjo ishte besojma e Atë Gjergj Fishtës, së cilës i qëndroi besnik gjatë gjithë rrugës jo të lehtë të jetës së tij. Shqipërisë, Poeti i saj kombëtar, i shërbeu me të gjitha dhuntitë e rralla të natyrës së tij, me shpirtin rebel e mëndjen e hollë, me talentin rrezatues e logjikën e ftohtë, me burrërinë e malsorit dhe urtësinë e birit të Shën Françeskut. Por cili ishte mendimi i fratit e i poetit, i politikanit dhe i dijetarit, i oratorit dhe mësuesit për Vendin e tij, si e shihte ai gjëndjen e atëherëshme dhe t’ardhmen e tij? Ishte ky argumenti i shumë shkrimeve, që zuri vendin kryesor në jetën e tij të gjatë publicistike. Në këtë këndvështrim Fishta pasoi dhe parapriu shmë përfaqësues të inteligjencës e të kulturës, të cilët, për nevoja të ngutëshme të jetës politike, i dhuruan kësaj të fundit një pjesë të mirë të kohës, të vullnetit e t’aftësive të tyre. Zhvillimet historike të kombit tonë, me të veçantën e tyre, i ngarkuan mbi shpinë njerëzve të kulturës, të fesë apo t’artit, barrën e ringjalljes, jo vetëm kulturore, por edhe politike të kombit. Prandaj pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë u kthyen edhe në veprimtarë politikë. Atë Gjergj Fishta ishte njëri ndër më të shquarit e asaj plejade atdhetarësh, që i solli freskinë e kulturës perëndimore evropiane jetës politike shqiptare.

“Prandej detyrët qi nieri ka per t’vu mi shekull janë kto : Feja, Atdheu, Gjindja e Dija. Feja, pra, e dashnia e Atdheut e e Gjindies e Dija jânë njato vegla qi e bâjnë nierin t’lum n’ket jetë edhè n’jetë t’amshueme ; pse neper kto nieri kryen detyrët, prej t’cillave rrjedhë t’gjith lumnia e tij….”

Në numrin e parë të Hyllit të Dritës, një nga monumentet më të arrira të publicistikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të pavarësisë e të robërisë, Atë Gjergj Fishta përcaktoi vlerat madhore, që janë shtyllat, mbi të cilat mbështeten ngrehinat e kombeve, historia e tyre dhe vendi që do të zenë në ecjen e përbashkët të qytetërimit. Nuk është e rastit që, në këtë shkallëzim vlerash, feja është në rradhën e parë. Në të gjithë krijimtarinë e tij publicistike ai do të kthehej herë pas here mbi atë argument, madje edhe nëpërmjet polemikash të fuqishme. Ai ishte një katolik i vendosur, që ushqente idenë se besimi në Krishtin shpëtimtar dhe doktrinën e tij, ishte një nga mjetet më të fuqishme, që ndihmonte moralizimin e jetës së një populli. Urdhërimi kryesor i Jezuit: “Duaje Zotin mbi gjithshka, duaje t’afërmin si vetveten”, është themeli më i qëndrueshëm për  harmoninë e dashamirësinë mes antarëve të një bashkësie e për paqen e bashkëjetesën  ndërmjet popujve të ndryshëm. Kuptohet se pse regjimi komunist dhe kultura e tij e nxinë, përtej çdo përfytyrimi, emrin dhe veprën e françeskanit të madh, mbasi ata kishin në bazë të ideologjisë së tyre vepruese urrejtjen dhe “luftën e klasave”, të cilat nuk njihnin kufij, as në kohë dhe as në hapësirë.

Por feja, në gjithë pozitivitetin e saj në jetën e çdo populli, nuk mund të shkëputet nga koncepti i bashkësisë së njerëzve në të cilët ajo predikohet dhe zbatohet. Atdheu, toka e njerëzve që i bashkon gjuha, doket, zakonet, historia, është trualli mbi të cilin ngrihet jeta e përbashkët, një lloj shtëpie e stërmadhe, në të cilën secili do të gjejë strehën e tij. Nëse feja, kryesisht, është pjesë e jetës shpirtërore, më shumë e prirur të pushtojë sferën vetiake, Atdheu, si shtëpia e përbashkët, mbetet në qendër të vëmëndjes dhe interesit të përgjithshëm, në të cilin lindin e rriten projektet, ëndërrat e synimet. Atdheu është gjindja, njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë, është ajo bashkësi e madhe, që i ngjet detit në të cilën derdhen të gjithë lumenjtë që i ngjasin  bashkësive të vogla, krahinavet, qyteteve, fshatrave, lagjeve e deri tek indet e para të shoqërisë, familjet. Tre konceptet lidhen organikisht me njëri tjetrin, për të përqafuar më pas të katërtin, që është Dija, e cila shërben si një lidhëse e fuqishme, pa të cilën ndërtesa e kombit është e paracaktuar të mbetet e mangët dhe rrezikon të shëmbet.

Një komb, për t’u futur në rrugën e përparimit, ka nevojë të besojë tek Zoti për barazpeshat e tij morale e shpirtërore, të ketë si synim lartësimin e idesë s’Atdheut e zhvillimin e tij, i cili duhet të shkojë me të njëjtin hap me mirëqënien e gjindies, të qytetarëve t’organizuar në familje e bashkësi më të mëdha, në harmoni e bashkëpunim me njëra tjetrën e të verë në bazë të punës së tij mëndjen, në të gjitha shfaqjet e saj të larmishme e të pafund, dijen e grumbulluar nga përvoja e brezave dhe e popujve të ndryshëm, kulturën që mbetet pasuria m’e madhe e trashëgimisë njerëzore.

Fishta filloi të botojë Hyllin e Dritës në vitin 1913, fill mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar. Problemet me të cilët ballafaqohej Shqipëria foshnje ishin të shumta e të ndryshme. Armiqësia që rrethonte atë prej fqinjëve dhe përkrahësve të tyre dhe fakti që, për herë të parë, në historinë e saj mijëvjeçare, krijohej një Shtet i bashkuar, i jepnin shkas përhapjes së një fryme mosbesimi n’aftësitë vetqeverisëse të shqiptarëve. E formuluar si një teori keqdashëse në librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i botuar në dy gjuhë kryesore evropiane, frëngjisht dhe gjermanisht, nga një serb me origjinë shqiptare Dr. Vlladan Gjorgjeviç, ish Kryeministër i Serbisë, teza mbi paaftësinë shtetformuese të shqiptarëve, qarkullonte jo vetëm në rrethet politiko – diplomatike, por edhe në shtypin evropian. Si edhe të tjerë bashkatdhetarë të dijshëm, drejtori i “Hyllit të Dritës” mori përsipër kundërshtimin e  kësaj teze. E kreu nëpërmjet një artikulli të gjatë me titullin “A janë të zott shqyptarët me u mbajtë shtet m’vedi?” Me logjikën e fortë e kulturën e thellë, pa lënë mënjanë edhe shpotinë karakteristike, ai polemizon me fletoret franceze që “i a kanë dhânë alemit e polemit, se shqyptarët nuk janë t’zott me u ndertue e me u mbajtë shtet m’vedi, porse u duhen lshue sllavve t’Ballkanit n’dorë per me i zbutë e me i gjytetnue.”

Argumenti kryesor i mendimit të Fishtës është ndërtesa morale e shqiptarëve si popull. Është e vërtetë që “populli shqyptàr nuk çfaqet n’histori si nji kòm i organizuem e i pershîmun marë permrêna çarkut t’nji njinìs komtare…”, por arsyet janë jo “barbaria”, që i veshin keqdashësit dhe kundërshtarët, por një seri motivesh historike, politike e topografike, të cilat kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan. Ai nuk i kurseu kritikat, edhe shumë të forta kundrejt bashkatdhetarëve të tij, por në një përplasje argumentash e rrahje mendimesh me gazetat franceze, nuk vihet t’i nxjerrë në pah ato, por të kundërshtojë prirjen për ligjësimin e akuzave të përfolura në mjediset kundër shqiptare në drejtim të poshtërimit të tyre. Përbërja shpirtërore e shqiptarëve, ligjet e botës së tyre morale mbështeten mbi “trinomin tagruer : mos me i bâ dhȗnë kujë, me i dhânë sejcillit shka i perket e me veprue gjithmonë me nder.” Ky është qytetërimi i vërtetë, që nuk shfaqet në vepra të mëdha arti apo shkence, por që pasqyron thelbin e moralit e të bashkëjetesës njerëzore, atë “humanitas” të cilin e kanë predikuar njerëzit e shquar, që nga profetët e deri tek gjenitë e fushave të ndryshme. Ka edhe ndërmjet shqiptarëve barbarë e kriminelë, siç ka në të gjithë popujt, por e përgjithëshmja është pozitive. Ndërmjet të tjerash Fishta vë theksin mbi frymën demokratike të Kanunit e të ligjeve shekullore të shqiptarëve, duke i përballur ata me shtetet e mëdha e perandoritë e tyre, ku mbretërit kishin fuqi të pakufizuar.

Një tjetër provë, në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tij, kryepoeti e gjen në artin e tyre, në poezinë popullore, aq shumë të vlerësuar nga filologu austriak Prof. Gustav Mayer që i shkruan Prof. Zef Schiro-it se “kurr nuk i ka tokue me lexue nji Poezi Popullore mâ t’hîjshme se ate t’shqyptarve.”  “Prandej dy janë objektet mâ t’para e mâ t’perhapuna t’Poezis Popullore : trimnia e dashnìja. Mnyra, pra, mas t’cilles kuptohet e çfaqet nder kangë burrnìja, trimnìja e dashnìja, na dishmon zhdrivillimin e mêndes e ndîesìt e zêmres s’nji popullit… “ Poezia popullore, si pasqyrë e botës së mbrendëshme shpirtërore të një populli, paraqet të gjitha prirjet e tij, të shfaqura ndër shekuj, jo vetëm në drejtim të shijeve estetike por, mbi të gjitha, të botëkuptimit, të filozofisë së tij jetësore, të parimevet që drejtojnë shoqërinë. Në rastin e shqiptarëve, Poezia popullore pasqyron një popull paqësor e të ndieshëm, në të cilin zotërojnë kultet e dashurisë dhe të trimërisë, të konceptuar si vlera themelore në jetën e individit, por edhe të shoqërisë. Autori gjen në trajtimin e tyre të njëjtat përceptime të popujve të qytetëruar. Trimëria nuk është shfaqje e mujshisë apo dëshmi e fuqisë fizike që shkon në dëm të të tjerëve më të dobët, por mjeti për të mbrojtur veten dhe t’afërmit nga rreziqet e jashtëme, në të cilët gjithmonë shqiptari ka parë kërcënimin e tij. Heronjtë e poezisë epike shqiptare luftojnë me bajlozët që kërcënojnë jetën e tyre, të familjeve apo të katundeve të tyre gjithmonë në trojet e tyre, asnjëherë nuk mësyjnë për të skllavëruar popuj të tjerë. Kjo është e vërteta historike e pamohueshme, që mund t’interpretohet nga kundërshtarët dashakeqë si pazotësi, por që vërteton një prirje morale të lëvdueshme, në përputhje me respektin e vlerave njerëzore e të pohimit të tyre. Poeti merr si shembull balladën “Halili e Hajrija”, ku ndërthuren ndjenjat me detyrën, ndëshkimet me dhimbjen, ku triumfon drejtësia dhe e mira, me gjithë çmimet e tyre. Do të mjaftonte vetëm thesari i folklorit, për të shpalosur botën shqiptare e për të rrëzuar, nëpërmjet vlerave të saj, çdo padi apo insinuatë të padrejtë kundrejt një kombi të shqiptarëve, aq më shumë kur ato vijnë nga një tribunë aspak e hijshme si ajo sllave, e ngarkuar me gjakun e pafajshëm të mijëra shqiptarëve të Kosovës.

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Eugene Merlika

AT GJERGJ FISHTA,POETI KOMBËTAR

August 14, 2020 by dgreca

Me rastin e 80 vjetorit të vdekjes-

Nga Nikë Gashaj-At Gjergj Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 në Shkodër. Ceremonitë iu bënë në Kishën e Gjuhadollit nën përcjelljen e autoritetëve më tëlarta fetare dhe politike të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaqi, arqipeshkvi i Shkodrës.Shtypi i kohës e pasqyroi tërë vdekjen e tij. Jehonë vdekjes së tij krahas shtypit fetar dhe jo fetar në Shqipëri i dha dhe shtypi botëror, sidomos ai italian, sepse personaliteti i Gjergj Fishtës i kishte kaluar kufijtë kombëtarë. Impresionues ishte edhe fjalimi i Aleksandër Xhuvanit në varrimin e tij, i cili  theksoi: Si Vetimë u përhapë an ‘e kand të Shqipërisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue  kujtue emnin zamadh t’autorit të Lahutës së Malcisë që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e shqiptarëvet, si dikur Tirteu i  vjetësisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipërisë, se, sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtu edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit ‘ e Mrrizit të Zanave e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin’ e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, Atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe një edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin e harmonin e vargut, rrjedhshminë e dlirsin e stilit e të gjuhës së tij, që asht një thesar i pashterun frazelogjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si një nektar të hyjnueshëm të bletës  attike, idealet ma të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashurinë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.

Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të  thuri imne për veprën ladvimadhe të At Fishtës. Asht historija, që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zamadh të tij,  asht letërsia e jonë, që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbimranda deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit Za-ambël të tyne; asht djelmënija shqiptare, që ka për t’ u ushqye e për t’u vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit  asht Shqipnija mbarë,  Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.

Na të gjithë ladvimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij,  le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në ket dhe, prej kah të vijojë me iu lutë për lumnin e Shqipërisë.

Me qenëse,  Fishta ka qenë  antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve, Kryetari i asaj Akademi, Luigj Federzoni, me rastin e vdekjes i dërgon telegram ngushëllimi Ernest Koliqit, Ministrit të Arsimit të Shqipërisë në të cilin, ndër të tjerat thuhet:  se me ndamjen nga jeta të At Gjergj Fishtës, “Akademia e tyre humbi nji ndër pjestarët e vet më të shkëqyeshëm”.

Ndërsa, Karl Gurakuqi shprehet: “ Ky hyll i shkëlqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u nda nga mesi i ynë, por Ai nuk do të harrohet kurr prej shqiptarëvet;  Shqipnia do t’a kujtojë me mirënjoftësi, vorri i tij do të bahet vend shtegtimi; rinia do t’a ket si shembull atdhetaria, si udhëheqës n’idealet kombëtare, fytyrën e tij do t’a thadrojë në mermer dhe emnin e tij do t’a përjetësoj në sheshet e qytetevet me përmendore, për t’u lanë kujtim brezavet të ardhëm. Këto ia ka për detyrë Shqipnia, të cilën Ai e deshti aq fort sa qe gjall e për të cilën shkrini krejt jetën e vet. Shqipëria qe ideali i tij, për te punoi, për të vuajti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit. Për të pat këndua:

Dersa t’ muendem me ligjrue

E sa gjall me frym’ un jam.

Kurr, Shqipni, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’ përmend’ kam! “.

Më tutje Gurakuqi, thotë: “Në qoftë se sot mburret  Italia për një Dante Alighieri dhe Francesco Petrarca, në qofttë se krenohet Albiona plakë  për një Milton e Schakespeare, Gjemanët për njëGoethe e Schiller, Francezët për Corncille e Racine; atëherë Fishta është krenaria e Kombit tonë, është gjenia më e naltëe fisit arbnuer, është pjella më fisnike e më e bukur e tokës së parëvt tonë… Fëtyra e tij rrall përsëritet në historinë e qytetërimit, emni i tij do të shkruhet me germa ari në historinë e Rilindjes sonë, vepra e tij është monument i shekujvet të historisë kombëtare…”.

At Gjergj Fishta( 23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është poeti kombëtar, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik dhe politikan.  Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, në paralagje të Shkodrës. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Më 1886 u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë, ku studioi telogji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten.

Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në Urdhërin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në Kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famulltar në fshatin Gomsiqe.

Fishta u emërua në vitin 1902 drejtor i Gjimnazit françeskan në Shkodër, i cili qysh prej themelimit të tij në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë.

Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri -Shkolla e Patër Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarëve, ku në mbrëmje mbledhshin rinia e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja e Mjeshtrit t’ idesë kombëtare Gjergj Fishtës.

Një kontribut jashtëzakonisht të madh  Fishta e dha si Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i Sotëm-Maqdonia e Veriut) , më 1908.

Rëndësia e madhe e Fishtës është si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919-1920. Po ashtu në zgjedhjet e qershorit 1921, Gjerg Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit   të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik  për përfaqësimin dhe artikulimin me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.

Fishta ka meritë të madhe për mbrojtjen cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të vëllëzëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencat ballkanike: 1930 në Athinë, 1931 në Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.

Kontributi i madh i Fishtës është si bashkë themelues dhe antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër, më 1899, qëllimi i së cilës ishte zgjimi kombëtar i popullit me anë botimesh në gjuhën amtare.

Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin formuan “Komisin Letrare”, në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.

Fishta duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se shtypi asht arma ma e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti ma i përdorshëm për t’i çelë syt popullit, themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën politike-letrare “Posta e Shqypnisë”. Përveç, këtyre, për një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën “Zani i Shdout”.

Në vitin 1923 Shoqëria “Rozafa” organizoi në Shkodër një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë Ekspozitë, Fishta paraqiti 24 copë piktura origjinale të tij të punuara me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.

Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare shprehet sidomos në kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit 1878 e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: Kundër Perandorisë Osmane në periudhën e shthuerjes së saj, dhe luftës kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga fqinjët.

Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është nxjerrun nga jeta e pasuria shpirërore e popullit shqiptar(Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thotë Faik Konica-të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.

Eqrem Çabej thekson: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipënisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i  fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare”.

Lasgush Poradeci thotë: “Fishta është shkëmb i tokës dhe shkemb i shpirtit shqiptar”.

Fishta nihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzëmrt i këtij populli. Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.Ai e meriton këtë ndrim dhe vlerësim. Është një botë e tërë që e ka nderuar si të tillë, që e ka cilësuar si poetin më tëmadh të kombit shqiptar.

Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të pashlyeshme, por jehuan edhe në botën  letrare të jashtme, duke e bë të njohur emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.

Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroj Mbreti i Austro-Hungarisë me Ritterkreuz (1912), Paria e Përgj. E Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929), mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij, kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix (1931).

Mirëpo, sikurse është e njohur, Fishta në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe në Luginë të Preshevës. Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.

Pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Fishta përsëri këthehet në institucione arsimore, kulturore dhe shkencore pët t’u  mësuar dhe studiuar, por jo dhe sa duhet. Prandaj, ekziston nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me  kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishta, Nike Gashaj, poeti Kombetar

AT GJERGJ FISHTA : KUJTOHET E NUK HARROHET PER JETE!

August 7, 2020 by dgreca

Me rastin e 80 vjetorit të vdekje së At Gjergj Fishtës–

Shkruan : Prof.Sami Repishti–

Ridgefield, CT. Gjashtëdhjetë vjet ma parë, me 30 kallnduer 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë. 

   Edhe ashtu ngjau! Grupe studentish u grumulluen para Kishës Franceskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Ishe i magjepsun para nji pamje të ktille e thellësisht i emocionuem!

    Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni,- e kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës. Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund, 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim. U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri.

   Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës botoi nji seri shkrimesh kushtue At Gjergjit. Unë shkrova “Kujtime të nji nxanësi”, mendime që po i ripërsëris këtu:

“….At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore –dhe frymëzuese- të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe pa dyshim autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe., At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Franceskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem…..

    “Ka vdekë Patër Gjergji!” Ndoshta kjo ishte forma ma familjare që në Shkodër e kishim zakon me thanë kur shqiptojshim emnin e Poetit. Ndoshta edhe vetë ky familjaritet i ndiem dhe i përgjithëshëm tregon ma shumë se çdo shprehje tjetër sa afër nesh jetonte Fishta, sa ngushtë me mendimin tonë, dëshirat e shpresat tona jetonte Poeti që përjetësoi epopenë vigane të nji populli që nuk deshti me jetue në skllavëri.

   E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashs. mbrojtësi i madh i qytetit Shkodër nga sulmet serbp-malazeze. Në nji pod të ngritun me nxitim pikërisht mbi trollin ku kishte ra gjaku i të vramit me tradhëti folësit hypën e zdrypen pa muejtë me shkëputë turmën nga Pasha që ceremonia e permortëshme kishte randue mbi to. U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij. Aty kam pa fëtyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma  e qartë.

    Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendsoun në mesin e Kishës Franceskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm.

   Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi. Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq , me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? 

    Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjalin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, menjifjal, me  qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve.

    Por Fishta kishte mbyllë sytë për jetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbar percolli veshun në zi, njeriun që ma  shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsin e nji turme që kurr nuk deshti me njohë peruljen……

Filed Under: Opinion Tagged With: 80 vjetori i vdekjes, At Gjergj Fishta, Sami repishti

Gjergj Fishta dhe komunizmi

July 30, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*-

At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindësi, përkthyesi dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur, më 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në moshën 69-vjeçare, më 30 Dhjetor, 1940. Ata që e admirojnë, e konsiderojnë Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë i të gjitha kohërave. Në këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes veten, se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende i padëshiruar dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe akademia – mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi, megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. Duke lexuar disa gazeta të vjetra të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha në një shkrim të Profesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe Komunizmi”, botuar në gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, më 31 janar, 1961 në Nju Jork. Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, gjurmët e së cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqësisht, i shohim edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës. “Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është shprehur Presidenti i Shqipërisë. Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejt rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – një vend që i është mohuar atij me pa të drejtë.

Por le t’i kthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe Komunizmi”. Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe vetë ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe që ka kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”. Por, megjithëkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se nga frynte era. Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosish, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës. Kështu filloi dalëngadalë  të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tij.

Arshi Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se në, atë kohë, ishte vetë mësues i letërsisë në “Institutin Femnuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi Totozani. Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për t’u imponuar mësuesve dhe arsimtarëve pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si letërsia, filozofia dhe historia. Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare. Në mbështetje të Totozanit doli Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e “Institutit Femnuer”, kujton Profesor Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë; oportunist, reaksionar me damkë e deri tradhtar.”

Është interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i Kulturës, Sejfullah Malëshova. Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori, Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë, “Fishta u fshi nga defteri”.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.” Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.

Ai shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi i madhor i vlerave kombëtare”.

Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Sipas tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta. “Fishta nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në dashuri me malet e Mbishkodrës. Kur të jenë peshuar mirë këto tre elemente”, shkruan Pipa, “do të matet vlera e shoqërore e veprës së Fishtës. “Lënda e “Lahutës së Malëcis”, vepra madhore e Fishtës, është një himn i gjatë i jetës së malësorëve të Veriut. Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”, ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav. Përfundimi është një epikë dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi, armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.

Pipa shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinist të tërbuar antisllav që urren kombet e tjera, si reaksionar i tipit kleriko-borgjez. Por a “Është Fishta shovinist, sepse mbron tokën shqiptare dhe sulmon ata që e sulmojnë Shqipërinë?” pyet Pipa. Profesor Pipa e cilëson interpretimin komunist të Fishtës si një qëndrim “arbitrar që nuk i qëndron kritikës objektive” dhe thekson: “At Gjergj Fishta u rrëzua nga piedestali ku e kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën revolucionare”, sipas Profesorit.

-Fishta i përkiste urdhrit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, shkruan Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, thekson ai.

-Sipas tij, një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.

-Dhe arsyeja e tretë, sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati. “Fishta nuk e ka pasur veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”, nënën e sllavëve të jugut. Për Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”. Rusia atëherë dhe sot mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për komunistët shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me fuqitë e tjera “imperialiste” dhe kjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij në listën e zezë. Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka kursyer as fuqitë e tjera të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”. Ai e quan Evropën, “kurva e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen botërisht. Fliste mirë për Austrinë, se në atë kohë Vjena ka mbështetur Shqipërinë, shton Arshi Pipa.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar. Ishte një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehet optimist duke thënë: “jo përgjithmonë”. Ai shpreson një ndryshimi zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, që sipas Arshi Pipës, do të ndodhë kur “komunizmi të ndërroj qime”. Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa pranuar zyrtarisht. Ndonëse shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën “post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën. Natyrisht, se veprat e tij botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta, zyrtarisht, edhe sot ,30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria kulturore” dhe nga historia e Kombit shqiptar. Udhëheqja shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të jugut dhe Rusisë.

  • Po çfarë mund të themi për neo-jugosllavët e Tiranës sot?!
  • A vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri?

“Ujku qimen e ndërron, por vesin jo”, thotë populli! Fishta ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar. Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”. Deri kur? STOP URREJTJES! Bëjuni mjet i paqes dhe i pajtimit!

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Komunizmi

AT GJERGJ FISHTA-80 VJET

July 3, 2020 by dgreca

2020- VITI I AT GJERGJ FISHTES/   

Shpate e perkrenare

 -8o VJET- 1940 – 2020- AT GJERGJ FISHTA O.F.M.- ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR!

PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)/

Vllazen e Motra Shqiptarë!Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni… Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue: 

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019. 

Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh:

POETI  ZEQIR  LUSHAJ

“STAFETA E POETEVE”

PO  T’ IA  HEQIM

-Për të Dy Gjergjët-

Kthe kokën mbrapa,

Shih gjurmët Tua- pas,

Po përbuze rrugën Tande,

Bota…, shkrihet në gas!

…!

Po t’ia heqim,

Gjergjit të Parë,*

Gjakun e krenave ,

Nga Shpata,

Po t’ia heqim ,

Gjergjit të Dytë, *

Zjarrin antishovenist,

Nga Penda,

Të gjithë mbesim,

Golare kungulli,

(E tharë nga dielli),

…Pa kurrgja brënda !

…!

Kthe kokën mbrapa,

Shih gjurmët Tua-pas,

Po përbuze rrugën Tande,

Bota…,shkrihet në gas !

*Gjergji i  Parë – Gjergj Kastrioti Skenderbeu *Gjergji i Dytë – At Gjergj Fishta O.F.M.

SA HERË LEXOJ FISHTËN

Sa herë lexoj Fishtën,

Më e madhe më duket Malësia,

Më të rrepta,

Shpata dhe Huta .

Penda e Tij,

Simfoni kreshnikësh,

E re dhe e lashtë,

Sa vet Lahuta!

Shenim F.Radovani: Botohen pa asnjë ndryshim nga origjinali. 

       Dy poezitë z. Lushaj janë nxjerr nga libri i Tij poetik me titull 

“LISI I SHKRUAR”, pikrisht nga Cikli nr.5 i këtij libri i titulluem :
“NJEREZ QË, (MË DUKET SE) I KAM NJOHUR, botue nga KRISTALINA     KH, Tiranë 2009. 

Melbourne, 3 Korrik 2020.

Filed Under: ESSE Tagged With: 80 vjet, At Gjergj Fishta, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT