• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Shqipëri, projektet energjetike për zhvillimin ekonomik

December 17, 2015 by dgreca

-Kosova inauguron “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë/

 -Kryeministri kosovar Isa Mustafa: Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi/

-Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, ka përcjellur urimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri për përfundimin e punimeve në Kosovë në linjën interkonektive 400 kV, duke paralajmëruar edhë përfundimin e punimeve në Shqipëri në pranverë/

-Nesër nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global/

 Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 17 DHJETOR 2015/ Në Kosovë, është inauguruar sot pasdite “autostrada” energjetike, projekti “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Ceremonia solemne u zhvillua në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, afër Prishtinës, i cili do lidhet me Nënstacionin Tirana 2 – te kryeqyteti shqiptar.

Kryeministri kosovar Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë për Kosovën këto zhvillime, të cilat do të përmirësojnë sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të krijojnë lidhje të veçantë ndërmjet dy vendeve dhe me BE-në.

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi. Kosova dhe Shqipëria tanimë kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, po krijojnë kushte për standard më të lartë dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara, si të prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes tek konsumatori. Qëllimet tona janë që të arrijmë nivel të lartë të cilësisë së furnizimit, të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe mjedis të pastër të prodhimit të energjisë elektrike, në suaza të pakos së tretë, që përfshinë edhe vendet tjera në rajon”, tha kryeministri kosovar.

Kryeministri Mustafa theksoi se linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet tona, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile për t’u arritur një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimit të energjisë elektrike.

“Përfundimi i kësaj linje konsideroj se është një sukses i yni i përbashkët, i cili do të mundësojë optimizimin e këtyre dy sistemeve, jo vetëm në ngritjen e sistemeve transmetuese, por edhe në ngritjen e besueshmërisë së ekonomisë dhe qytetarëve tanë, për t’u furnizuar në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në mëvetësimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Mustafa, ka falënderuar posaçërisht qeverinë gjermane për financimin e këtij projekti në një shumë të madhe të parave dhe Bankën Gjermane për Zhvillim, për një shumë prej 33.5 milionë eurove, e cila në një formë ndahet në dysh ndërmjet donacionit të qeverisë gjermane dhe Bankës Gjermane për Zhvillim. Kryeministri Mustafa theksoi se ky është një kontribut i drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në prosperitetin e Kosovës, duke shprehur konsiderata të larta edhe për punën e përkushtuar të të gjithë profesionistëve dhe menaxhmentit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT për një periudhë të gjatë në realizimin e këtij projekti.

“Konsideroj se, si rezultat i kësaj autostrade energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, do të mundësohet një këmbim shumë më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona, dhe sidomos një mundësi e ngritjeve të kapaciteteve gjeneruese të planifikuara. Po ashtu, vlerësoj se ky është një hap shumë i mirë që ne të punojmë në të ardhmen bashkërisht, jo vetëm në sistemin e transmisionit, por ndoshta edhe në sistemin e prodhimit të energjisë dhe gjenerimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar mundësitë alternative Kosovë-Shqipëri, përkatësisht resurset tona që i kemi komplementare, dhe të cilat pastaj do të mundësojnë që ne të pavarësohemi tërësisht dhe të sigurojmë energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është një hap shumë i rëndësishëm i furnizimit të qytetarëve dhe ekonomisë.

Ministri kosovar  i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në kuadër të këtij projekti për ta bërë të mundur realizimin e tij.

“Kjo ngjarje, së bashku me ngjarjen e ditës së nesërme (nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ në mes të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë amerikane Contour Global), përbëjnë një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull në të cilin ne përfundimisht do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme.  Të gjithë ne këtu, e në veçanti partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti, e dinë që edhe proceset ndërkombëtare, proceset e integrimit, në të cilat ne marrim pjesë së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë për qëllim që të gjithë ne në një të ardhme të afërt të jemi pjesë e një tregu rajonal duke i plotësuar tre kushte themelore: 1) që të kemi siguri të furnizimit me energji elektrike, 2) që të bëjmë një ndërlidhje sa më të mirë të rrjeteve tona, dhe 3) që të bëhemi pjesë e një tregu rajonal po ashtu edhe me kushte të reja të operimit duke liberalizuar tregun”, tha Stavileci. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, po ashtu, tha se në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria po bëjnë hapa progresivë dhe po japin një shembull për shtetet tjera të rajonit lidhur me avancimin e axhendës së Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke bërë të ditur se ky projekt i interkoneksionit, i kësaj  linje të transmisionit është njëri në mesin e 35 projekteve më të rëndësishme që i kanë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar lartë rëndësinë që ka kjo ngjarje për të dy sistemet energjetike, duke pas parasysh edhe zhvillimet e mëtejshme dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes midis të dy qeverive.

Bejtja foli për përfitimet që do të kenë dy vendet nga ky bashkëpunim dhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të sistemeve energjetike të dy vendeve që ato të jenë pjesë e Bashkimit Evropian si paraprijëse të proceseve tjera integruese. Ai, po ashtu, ka përcjellur urimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri, për në inaugurimin e projektit dhe përfundimin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV, duke shprehur besimin se e njëjta gjë do të inaugurohet në Shqipëri në pranverë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Mustafë Hasani, tha se vënia në funksion i linjës 400 kV dhe projekti i rregullimit sekondar me një kosto kapitale 33.5 milionë eurosh janë projektet më të mëdha pas luftës, për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Ndërtimi i kësaj linje interkonektuese  të tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve ndërmjet dy vendeve, rajonit, ngritjen e sigurisë, besueshmërisë, sistemeve tona elektroenergjetike, si dhe do të mundësojë zhvillimin e tregut  të të dyja vendeve, dhe tregut rajonal dhe panevropian”, tha Hasani.

Përfaqësuesja e qeverisë gjermane, Henriette Kotter, theksoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit në Kosovë dhe se kjo është arsyeja pse një linjë si kjo është shumë me rëndësi.

“Qeveria Gjermane bashkë me qeverinë e Kosovës ka zgjedhur energjinë si një prej zonave kryesore të fokusit  për zhvillim. Gjermania ka mbështetur Kosovën në këtë sektor që nga viti 1999 me mbi 150 milionë euro. Ne patëm filluar 15-16 vjet më parë me masa emergjente në miniera qymyri, dhe në termocentrale dhe së bashku kemi ofruar masa për energji efiçiente dhe për ngrohje të qytetit. Rrjeti i transmisionit do të përfshijë rrjetin e Kosovës dhe kjo është në pajtim me axhendën e bashkëpunimit që promovohet nga Kancelarja e Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Konferencës së Berlinit dhe Konferencës së Vjenës së këtij viti. Linja mes Kosovës dhe Shqipërisë do të lidh edhe pjesë të tjera të Ballkanit dhe do të krijojë kushte për të shkëmbyer ngarkesën e energjisë nga qymyri dhe nga hidrocentralet në Shqipëri. Për Gjermaninë kjo paraqet një prej projekteve më të mëdha”, tha Kotter.

Esther Gravenkoetter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, e ka quajtur nder për këtë Bankë që të jetë pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme në Kosovë, së bashku me pjesën shqiptare, në një projekt të rëndësishëm edhe për rajonin. “Ky projekt ka qenë i mundshëm vetëm falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer. KOSTT është njëra prej kompanive më të mira që keni këtu në Kosovë, dhe duhet të jetë shembull edhe për kompanitë në rajon.

Ne shpresojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin me KOSTT-in, me qeverinë e Kosovës, në vitet në vijim, me projekte të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë rajonin”, tha Gravenkoetter.

Administratori i Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri, Engjëll Zeqo, tha se fillimi i këtij projekti të rëndësishëm për sistemet e transmetimit të dy vendeve shënon edhe fillimin e materializimit të këtij projekti të veçantë dhe të rëndësisë siç është optimizimi i punës të dy sistemeve,  rritja e besueshmërisë dhe sigurisë së këtyre dy sistemeve.

Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor  u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në  verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.

Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e  linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3  e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, projektet energjitike

Kosovë-Kuvendi, pushim fundviti

December 17, 2015 by dgreca

-Veseli: Kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë/
-Kuvendi emëron Bordin e e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nis pushimi i fundvitit/

-Kuvendi pas seancës së veçantë të fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, vazhdoi seancën e ndërprerë të hënën rreth mesnate në mungesë kuorumi/

-Presidentja Jahjaga: Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Dhjetor 2015/ Kuvendi i Kosovës  në sallë alternative vazhdoi seancës plenare të ndërprerë rreth mesnatës së të hënës në mungesë kuorumi dhe sot me shumicë votash, 64 pro, 4 kundër e 3 abstenime, bëri emrimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të zgjedhurit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë: Petrit Gashi- kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiç dhe Bajram Zejnullahu – anëtarë.

“Mandati i kryesuesit e zëvendësit është tre vjet, ndërsa i anëtarëve 2 vjet”, bëri të ditur  kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi konstatoi rezultatin e votimit.

“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, u shpreh ai.

“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se,  “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.

“Pas 20 minutash do vazhdojmë seancën e mbetur plenare të 14 dhjetorit 2015”, paralajmëroi kryeparlamentari Kadri Veseli, pas fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një seancë të veçantë, pa opozitën, në sallën plenare.

“Ky adrsim është i fundit imi para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.

“Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përmbylli fjalën e saj Jahaja.

Presidentja e Republikës, fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës  e nisi me një përshkrim dramatik të situatës: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.

Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.

Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?”, tha fillimisht Jahjaga në fjalën e saj.

Para se të procedohet me rendin e ditës, në vazhdimin e seancën në sallë alternative, fjalën e mori zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Taçi, i cili theksoi se, “tash e tutje, me të vërtetë,  asnjë argument Bashkimi Evropian nuk e ka për të shtyrë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Zëvendëskryeministri e ministri Jashtëm, Thaçi, foli sikur edhe dje në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ku u miratua një deklaratë e qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi Zgjerimin.

Të hënën, në 14 dhjetor, në rrethanat e tre hedhjeve të gazit lotsjellës nga opozita gjatë ditës në sallën plenare e atë alternative dhe të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në përmbyllje të punimeve të seancës së dytë të  zhvilluar rreth mesnates, u paralajmërua se, “në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, më 17 dhjetor, pas adresimit të Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvend”.

Në mbledhjen e qeverisë, dje, gjatë shqyrtimit të pikës lidhur me vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se kjo pikë duhet të riformulohet, pasi qeveria ka vendosur dhe i ka dorëzuar Kuvendit propozimin lidhur me  këtë bord.

“Nuk bëhet fjalë për propozim të ri të vendimit, por vetëm që të shtohet se ky Bord do ta ketë fuqinë e marrjes së vendimit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, dhe se propozimi i qeverisë bazohet në Rregulloren e punës së qeverisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të hënën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në parim në seancën e parë, ku u vendim për shmangie nga rregullorja e punës,
që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e miratimin tij edhe në leximin e dytë brenda ditës.

Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave të deputetëve, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Fundviti ne kryeqytetin e Kosoves, Prishtine – dhjetor 2015

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, pushim fundviti

Kosova inauguron “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë

December 16, 2015 by dgreca

-Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, ndërsa nesër inaugurohet/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015/ Në Kosovë, nesër inaugurohet Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë.

Ceremonia solemne mbahet në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, duke filluar nga ora 15:00, iu bë e ditur sonte korrespondentit në Kosovë të gazetës Dielli.

Të pranishëm në do të jenë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, zëvendësministri i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të ambasadave dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i energjisë në Kosovë dhe Shqipëri.
Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.

Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3 e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: austraden energjitike, Behlul Jashari, Kosova inauguron, me Shqiperine

Program Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian

December 16, 2015 by dgreca

-Qeveria e Kosovës: Liberalizimi i vizave të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme/

-Përshëndetet miratimi i konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian/

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 16 dhjetor 2015/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015/ Kosova bëhet me Program Kombëtar për Zbatimin  e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në Strasburg, këtë vit në 27 tetor, projekti u miratua sot në mbledhjen e qeverisë, ndërsa në një deklaratë u kërkua që liberalizimi i vizave për kosovarët të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme, pasi dje Këshilli i BE-së bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.Qeveria e Republikës së Kosovës, në deklaratën nga mbledhja e sotme, përshëndet miratimin  e konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.

“Këto konkluzione vulosin faktin që Kosova ka pasur një vit të suksesshëm në aspektin e integrimit evropian, dhe rikonfirmon përkushtimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, thekson deklarata.

Qeveria kosovare tha se, e mirëpresim faktin që Këshilli e thekson nënshkrimin e MSA-së si një marrëveshje të parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës.

“Përshëndesim thirrjen e shteteve anëtare për të konkluduar MSA-në, që ajo të hyj në fuqi, dhe të filloj së zbatuari. Nga ana e Kosovës janë bërë të gjitha hapat ligjor dhe përgatitjet tjera të nevojshme që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt, në fillimin e vitit të ardhshëm”, shprehet qeveria.

Sa i përket procesit të Liberalizmit të Vizave, qeveria e Republikës së Kosovës merr në konsideratë konkulzionet e Këshillit të BE-së që shpreh vullnetin dhe optimizmin e përgjithshëm të vendeve të BE-së që procesi të lëvizë përpara, duke pasur parasysh rëndësinë e përmbushjes së kushteve të parashtruara në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të njëjtë përmbushjes së kushteve dhe konfirmon se të gjitha kriteret janë përmbushur në përputhje me udhërrëfyesin. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bëhet realitet pa vonesa të mëtutjeshme”, thekson deklarata.

Qeveria e Republikës së Kosovës tha se është në pritje të publikimit të raportit të fundit vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, e cili duhet të pasohet me rekomandimin për liberalizimin e vizave brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Të gjitha këto veprime janë të pashmangshme dhe do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016”, u tha më tej në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shtoi se, i ka parasysh konkluzionet që ndërlidhen me fushat prioritare për reforma, dhe përkushtohet që të zbatoj këto reforma në kontekstin e ri të integrimit evropian të krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.

“Presim që ky realitet i ri të krijoj kushte të nevojshme për të dinamizuar përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, theksoi qeveria në deklaratën e miratuar në mbledhje.

Qeveria e Republikës së Kosovës njëherësh u bën thirrje shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që t’i ofrojnë Kosovës të gjithë mbështetjen dhe instrumentet në dispozicion si ndihmesë për të adresuar reformat sa më shpejt të jetë e mundur.

“Në këtë drejtim, mirëpresim edhe thirrjen e Këshillit për të gjetur modalitete për të ecur përpara edhe me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për të mundësuar qasjen e Kosovës në Programe të BE-së”, vijon deklarata.

Qeveria riafirmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë drejtim do të luaj rol aktiv në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ky proces ka nevojë për një rezultat të qartë që do të siguroj normalizimin e plotë të marrëdhënieve në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme duke i lejuar dy shteteve të ndjekin rrugën e tyre drejt BE-së, pa lënë mundësi të bllokadave për anëtarësimin në BE në të ardhmen”, thekson më tej deklarata e qeverisë kosovare.

Qeveria gjithashtu vlerëson thirrjen e Këshillit për të tejkaluar situatën e krijuar nga partitë opozitare dhe dënimin e dhunës dhe pengesës së punës së Kuvendit, si dhe rithekson qëndrimin që kjo situatë duhet të zgjidhet përmes një dialogu institucional në mënyrë që të ketë një fokus në zbatimin e reformave evropiane.

“Në fund, qeveria e Republikës së Kosovës është e inkurajuar nga fakti që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ka përsëritur zotimin ndaj politikës së zgjerimit, dhe perspektivës evropiane të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin e vetë ndaj axhendës evropiane duke përfshirë zbatimin e reformave kyçe në fushën e sundimit të ligjit, reformave ekonomike dhe reformat tjera të nënvizuara me qëllim të realizimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, përfundohet në deklaratë.

Qeveria, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi katër projektligje: Për Falimentimin, për Energjinë Elektrike, për Rregullatorin e Energjisë dhe për Ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për realizimin e Projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit.

Në mbledhjen e qeverisë me 17 pika në axhendë u miratua edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emrimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Marrveshja e Stabilizim-Asociimi, program kombetar, qeveria e Kosoves

Kosovë-Kuvendi dy seanca, deri natën vonë

December 15, 2015 by dgreca

-Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm/

-Veseli, Mustafa e Thaçi deklarata gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/

-Ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Dhjetor/ Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në orët e vona të natës së kalar, ka mbajtur një mbledhje të dytë, sipas vendimit të mbledhjes paraprake në mbrëmje për shmangie nga rregullorja e punës, lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Deputetët kishin vendosur që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e tij në të dy leximet brenda ditës e natës së kaluar.

Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

Ndërsa, në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë, e cila ka mbajtur mbledhje edhe natën vonë, për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, në 17 dhjetor, pas seancës së adresimit të presidentes Atifete Jahjaga me fjalimin vjetor në Kuvend.

Të dy seancat janë mbajtur në sallën alternative, derisa deputetët e opozitës kanë qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.

Lidhur me zhvillimet e ditës, kryeparlamentari Veseli, duke marrë fjalën në seancë,  tha se “ka tre muaj e gjysmë që Kuvendi ballafaqohet me përpjekje të deputetëve të opozitës për krijimin e një situate kaotike”. Por, vijoi ai, “Kuvendi është i përkushtuar që të vazhdojë axhendën e vet legjislative dhe të kryejë detyrat e përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe rregullore, konform funksioneve të tij”.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij në seancë, tha se “deputetëve dhe qeverisë po u mohohet e drejta për komunikim me qytetarët, ndërsa qytetarëve informimi lidhur me temat e ngritura”.

“Nga veprimet e opozitës Kosovës po i rrezikohen një varg marrëveshjesh ndërkombëtare, në vlerë prej rreth 60 milionë eurosh”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri dhe minsitri i Jashtëm, Thaçi, dënoi “uzurpimin e dhunshëm të sallës kryesore të Kuvendit nga një grup deputetësh opozitarë”.

Po në këtë frymë, edhe kryeministri Isa Mustafa theksoi se, “gjendja aktuale kërkon ndërmarrjen e masave përkatëse, të cilat do të ndikonin në sanimin e saj”.

“Opozita po përdor mjete të dhunshme dhe të paarsyeshme për situatën dhe se veprime të tilla po ndodhin edhe jashtë Kuvendit”, tha ai.

Kryeministri Mustafa kërkoi nga opozita “që të paraqesë arsyet e vërteta të këtyre veprimeve të saj, sepse, asociacioni dhe demarkacioni i kufirit nuk janë të tilla”.

Pas këtyre deklaratave, gjatë seancës së parë mbrëmë, Kuvendi i Kosovës iu kthye serish axhendës legjislative.

Ndërkohë, ka mbërritur në nëntë numri i deputetëv e opozitarë të ndaluar gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë, sipas njoftimeve zyrtare të dërguara nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, mbrëmë rreth mesatës deklaroi se, duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe masat e sigurisë rreth objekteve shtetërore te Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 Rreth orës 17:45, pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, dy deputete, Time Kadrijaj  e Teuta Haxhiu

(të AAK), me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar nga zyrtarët e Policisë dhe shoqëruar në stacion policor, mbi bazën e dyshimit se  kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën ku po mbahej seanca.  Me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

 Rreth orës 22:50 , po ashtu pas daljes nga objekti i Kuvendit të Kosovës, me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar edhe deputetët, Faton Topalli dhe Fisnik Ismaili, për mosrespektim të urdhër arrestit shtëpiak, si dhe deputetët Glauk Konjufca, Aida Dërguti dhe Besa Baftija, nën dyshimin e bazuar për hedhje të gazit lotsjellës. Që të pestit janë deputetë të grupit parlamentar të VV.  Ata janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtutjeshme ligjore.

Policia thekson se, të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent.

Ndërsa, dje pasdite Policia e Kosovës njoftonte për dy ndalime të tjera të deputetëve. Në kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjatë hyrjes, me urdhëresë të Gjykatës kompetente zyrtarët policorë kanë ndaluar deputetin Ismajl Kurteshin (të VV) për mosrespektim të arrestit shtëpiak, me rastin e pjesëmarrjes së tij në manifestimin/protestën e datës 12 dhjetor 2015 në Gjilan. Me vendim të organeve të drejtësisë i është zëvendësuar masa e dënimit nga arrest shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.

 Bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente, pas daljes nga objekti i Kuvendit të të Kosovës është ndaluar deputeti Pal Lekaj (i AAK), i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme.

“Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtja e qetë e të gjitha zhvillimeve është dhe mbetet prioritet i Policisë së Kosovës”, deklaronte mbrëmë Policia.

Gjatë ditës së djeshme, tre  herë është hedhur gaz lotsjellës nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Rreth orës 15:35 gazi lotsjellës ndërpreu seancën në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës. Seanca plenare në sallë alternative nisi pak para orës 14:00, ndërsa ishte ftuar të mblidhet në orën 10:00. Por, paradite, as nuk filloi seanca, opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare, sapo mbërritën të gjithë, edhe deputetët, edhe qeveria, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas kontrollit detaj, madje edhe të dyfishtë, në të gjitha hyrjet e ndërtesës së Kuvendit dhe brenda tij në holl, të cilit iu nënshtruan poashtu gazetarët.

Në këto rrethana, kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi për një “pushim” dhe më pas për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit,  ku nënkryetarja e Kuvendit e VV-së, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës dhe e ndërpreu. Ndërkohë u mor vendimi për mbajtjen e seancës, si  në disa raste të kaluara në sallën alternative.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, dy seanca, Kuvendi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT