• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çamët u dërguan në kampet e shfarosjes bashkë me hebrenjtë e Epirit

March 29, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Gjatë dërgimit nëpër kampet e shfarosjes të 1.725 hebrenjve të Epirit në mëngjesin 25 marsit 1944, kur trupat gjermane me ndihmën edhe të trupave të xhandarmërisë greke, batalioneve të Sigurimit grek të komanduar drejt e nga kryeministri kuisling, Joani Ralli u hipën me forcë nëpër kamionët e vdekjes dhe disa familje shqiptare nga Çamëria. Njëri nga këta ishte Nuri Zane nga Filati, i cili u dërgua bashkë me hebrenjtë e Janinës në fillim në kampin e Mat’hausen të Austrisë dhe më tej në Dakao të Gjermanisë.

Hyqmet Zane, djali i Nuriut thotë: “Babai im ishte njëri nga ata shumë çamë që u internuan në kampet e internimit si në Itali dhe në Gjermani. Por shumë çamë të tjerë u internuan ashtu si im atë si Hajri Fetahu, Osman Zenel Taka, Mezan Jonuzi, e plot të tjerë”.

Nuri Emin Zane pas lirimit nga kampet gjermane bashkë me çamë të tjerë u nisën për në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1945, por atje do i priste një tragjedi edhe më e madhe, masakrimi dhe përzënia e të afërmve nga shtëpitë e tyre, këtë herë jo nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë, por nga ushtria greke EDES e komanduar nga Napoleon Zerva dhe Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos.

Pas zbritjes në Athinë nga Gjermani, Nuri Emin Zane u kërkoi ushtarakëve grekë që ta dërgonin në Filat, por një ushtarak i lartë i kishte thënë se do ia priste këmbët me shpatë nëse kërkote të shkonte në Çamëri. Kështu, Nuri Zane përfundoi jo në shtëpinë e tij në Filat, por në kampet e refugjatëve në Gjirokastër. Pas disa viteve Nuri Emin Zane më 1964 dënohet me 6 vjet burg fill pas ekzekutimit të grupit armiqësor të çamëve të Teme dhe Taho Sejko, Tahir e Shaban Demit,  më 1961.

Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë gjatë jetës së tij njohu tre persekutime, atë të nazistëve gjermanë që e internuan nëpër kampet e shfarosjes si antifashist, genocidin grek me akuzën si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe burgosjen nga sistemi komunist i Shqipërisë si armik i shtetit.

Historia e Nuri Zanes është vetëm një copëz e historisë tragjike të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët prej dhjetëra vitesh duruan mbi kurrizin e tyre vuajtjet, masakrimet, burgosjet si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.

Historia tragjike e shqiptarëve të Çamërisë lidhet ngushtë me historinë tragjike të hebrenjve të Epirit, të cilët këto dy komunitete tashmë u janë sekuestruar nga shtetit grek pasuritë, nuk u njihet e drejta e rikthimit të shtetësisë së tyre greke. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Greqia doli e fituar, sepse bëri spastrimet etnike duke përzënë me dhunë minoritetet shqiptare, hebre, bullgare dhe sllave.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Camet, hebrenjtë e Epirit, kampet e shfarosjes

ÇAMËT KËRKOJNË DREJTËSI NË HAGË

February 12, 2016 by dgreca

Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, sot e pranoi Dosjen e Çamërisë, për rikthimin e Çamëve në trojet e tyre. Është një ditë e mbarë, dhe një çast historik, tha kryetari i Shoqatës Demokratike “Çamëria”, me seli në Hollandë, Festim Lato. Dosjet u dorëzuan në organizmat ndërkombëtarë të drejtësisë në Hagë. Ato kanë këto përmbajtje:
-Dosja e parë është për njohjen e gjenocidit të aplikuar mbi popullsinë çame me dëshmi të të mbijetuarve.
-Dosja e dytë ka të bëjë me provën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të aplikuar nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945.
-Dosja e tretë ka të bëjë me të drejtën e riatdhesimit të popullsive të shpërngulura me forcë, dhe
-Dosja e katërt ka të bëjë me rikthimin e pronave.
Në këtë akt historik, të dorëzimit të Dosjes Çame, në tre gjuhë, Anglisht, Gjermanisht, dhe Frengjisht, dosja brenda ka gjenocidinn grek kundër shqiptarëve etnik të Çamërisë, të pranishëm në këtë akt historik, qenë patriotë të shquar çamë, si dhe shqiptar nga Presheva, Medvegja, Prishtina, Shkupi, Ohri, Tetova, Vlora, Tirana, Ulqini, Prizreni e Arta dhe Janina. Këtë akt historik të dorëzimit, dhe të pranimit nga Prokuroria ndërkombëtare e Hagës, e Uruan dhe e përqafuan, politolog, historianë, Shkrimtarë nga Çamëria, Shqipëria edhe Kosova, si dhe patriotë të kësaj nisme të madhe historike. Jam e përlotur sot nga gëzimi, u shpreh një nënë çame e ardhur nga Janina, se pas 72 vjet gjenocidi mbi çamët, po zbardhet drita e diellit shqiptarë. Edhe pse kanë kaluar mbi 70 vjet, fakti shpresëdhënës është se çamët, kanë mbështetjen e SHBA, por edhe të Perëndimit, përfshi këtu holandezët dhe gjermanët, por edhe të tjerë.
Ndërmjetësia  Amerikane
Dialogu për çështjen e Çamërisë është i domosdoshëm dhe ndodh në një kontekst më të gjerë të marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe diplomatik. Sipas ish diplomatve grekë dhe amerikanë, aktivitetet e përbashkëta mund të përfshijnë:
– Ngritje komisionesh të posaçme të drejtësisë që shqyrtojnë analiza ligjore në lidhje me dëmshpërblimet apo kërkesave të tjera.
– Një forum në rajon, ku mund të diskutohet nga studiues shqiptarë dhe grekë çështja e shqiptarëve në Greqi.
– Analiza historike, dhe ngritja e organeve të e pajtimit të vendosen grupe me shqetësimet reciproke,
– Publikimi i rrëfimeve individuale apo të përbashkëta të të mbijetuarve.
– Analiza e arkivave dhe teksteve shkollore.
Ligji i Luftës dhe Qëndrimi Grek
Në vitin 1987, qeveria greke e Papandreut e hoqi me dekret qeveritar ligjin e luftës të vitit 1940 me Shqipërinë. Por, kundërshtarë të tij e quajtën të pamjaftueshëm këtë akt duke thënë se një njohje e tillë duhet të vinte vetëm me vendim parlamenti ose dekret të Presidentit. 12 vjet me vonë, qeveria shqiptare i kërkoi zyrtarisht palës greke që të kthente përgjigje nëse ishte hequr ose jo ligji në fjalë. Kjo kërkesë u bë tre vjet pasi ish-Presidenti, Sali Berisha, kishte firmosur në vitin 1996 Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por dokumenti që është në arkivat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë e vitit 1999 tregon se, miqësia dhe bashkëpunimi janë ende nën hijen e ligjit të luftës. Qeveria shqiptare kërkon ta zhbëjë juridikisht këtë ligj, pra qe ta heqë parlamenti grek. Por ky hap do të sillte shumë pasoja, pasi me ligjin e luftës janë justifikuar shumë probleme siç është ai i çamëve, pronat dhe pasuritë e të cilëve nuk njihen nga pala greke.
Në vitet e fundit, disa diplomatë dhe një pjesë e historianëve seriozë grekë sugjerojnë se rezultati politik i një zgjidhjeje të plotë dhe të balancuar të drejtuara si paketë ndaj Shqipërisë të fillojë nga këto pika:
• Lidhjet midis dy popujve dhe të dy vendeve janë të forta dhe historike. Sot, gjërat që na lidhin janë më të rëndësishme se ajo që na ndajnë.
• Për fat të keq në historinë tonë kemi pasur momente të vështira, momente të këqija, duke shkaktuar vuajtje njerëzore dhe mjerim njerëzor. Është e trishtueshme, por ky është realiteti.
• Për ato momente as qeveria e tanishme dhe as partitë politike janë përgjegjës, brezat e sotëm nuk janë përgjegjës dhe as nuk duhet të jetë brezi i ardhshëm.
Problemi me qasjet e moderuara greke, qëndron se veç ekstremistëve të djathtë, në qeveritë e majta ekzistojnë rryma ekstremiste nacionaliste që nuk duan të ketë qasje dypalëshe për zgjidhjen e problemeve pezull midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ndërkohë, autoritetet amerikane janë të gatshme të thërrasin shqiptarët dhe grekët, përfshi edhe zyrtarët, për dialog konstruktiv në lidhje me historinë e tyre të përbashkët, si dhe të ardhmen e tyre të përbashkët në rrugën për Europë. Siç dihet, Greqia e përdor këtë ligj për të penguar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit drejt BE, ndaj dhe me ndihmën e Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Greqia duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur shfuqizimin e ligjit të luftës mes dy vendeve. 
http://chameriaorganization.org/camet-kerkojne-drejtesi-ne-hage/
.–
Albanian American Organization Chameria 

Filed Under: Editorial Tagged With: Albanian American Organization, Camet, Chameria, DREJTËSI NË HAGË, kerkojne

ÇAMËT U MASKRUAN NGA GJENOCIDI GREK, U PERSEKUTUAN NGA REGJIMI KOMUNIST NË SHQIPËRI

November 22, 2015 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU*/
Pas plot njëzet vjetëve, autori kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve në Tiranë, ku gjen shtëpi të braktisura, strehëprishura, porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet i “kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur luanin fëmijët e shkollës, e paskan copëtuar e ndërtuar godina të larta. Në moment i kujtohen shokët e shoqet e klasës e të lojës ( Gimi, Timi, Moza, Abi) dhe zyshja (mësuesja) Mynavere, prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët e mirë. Autori përmallohet nga gjendja që sheh dhe kujtimet e fëmijërisë, sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret.
Kështu disi, nisë romani i shkrimtarit Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, që është një roman historik, për historinë e banorëve çamër e dibranë të asaj lagjeje. Duke vazhduar romanin, në kapitullin e parë tregon trajtimin dhe persekutimin që pushteti komunist u bënte muhaxhirëve çamë, si të ishin spiunë amerikanë, anglezë e grekë. Nëse për dy të parat mund të “hahej” disi, ai grek nuk mund të arsyetohej kurrsesi, ngase çamët prej gjenocidit grek kishin lënë atdheun e tyre – Çamërinë, dhe ishin bërë muhaxhir në Shqipëri. Po edhe regjimi komunist në Shqipëri i persekutoi keqas. Si shembull, real, të persekutimit, shkrimtari Kondi e trajton gjykimin me pushkatim të grupit të Teme Sejkos, dhe internimin e familjes së tij, e shumë të tjerëve.
Si roman historik që është, natyrisht që disa personazhe në te janë të jetës reale. Për ata që nuk e dinë, Teme Sejko (1922-1961), në realitet ishte admiral dhe komandant i Flotës Detare të Shqipërisë. Në korrik të vitit 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup i madh, prej 63 vetash, që ishin elita e çamëve, u arrestuan, të akuzuar si komplotist e spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarko-fashizmit grek. Teme u akuzua si udhëheqës i grupit, dhe me disa prej tyre u pushkatuan më 30 e 31 maj 1961. Shumë prej tyre u gjykuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, pas torturave çnjerëzore që iu bënë gjatë dhjetë muajve në hetuesi. Të tjerët vuajtën 1250 vjet burgim, ose “u vetëvranë” në burg. Dhe jo vetëm ata që u pushkatuan ose vuajtën burgun, por u persekutuan edhe familjet e farefisi i tyre. Ky është konteksti real dhe historik i romanit të Arben Kondit, i cili në mënyrë artistike-letrare shtjellon ngjarjet dhe krajatat e çamëve dhe të fqinjëve të vet nga Mëhalla e Muhaxhirëve.
Është emocionues momenti i shpërnguljes nga shtëpia dhe internimi i familjes se Teme Sejkos. Kryepersonazhi i romanit, Pirro, asokohe ishte nxënës i klasës së parë. Në familjen e Sejkëve, që ishin fqinjë të afërt, kishte dy shokët më të mirë të shkollës e të lojës: Gimi e Timi. Kur ata u shpërngulën, me dhunë, për t’u internuar, Pirro u mërzit shumë, ua hodhi topin në kamionin me plaçka, por i ati i Gimit e Timit, xhaxhi Naimi ia ktheu topin, që ta mbajë për kujtim të shokëve. Të nesërmen, në shkollë kur mësuesja Mynavere kur mori vesh për shkakun e mungesës së Gimit e Timit dhe se ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën e tyre boshe. Fqinja e tyre Nu-ja, që ishte një grua e mire, e vuajtur dhe e sjellshme, e cila jetonte e vetme ngase djalin (Kudretin) e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qiri para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat e gjyshës me Nu-jën, Pirro kishte dëgjuar se asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katërmuajshme në djep, e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Gjyshja e Pirros, Teuta, të cilën e quanin Tetua, i tregonte Nu-jës se si edhe kësaj ia kishin vrarë burrin (Ademin), ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë, bashkë me shtëpinë.
Edhe prindët e Mozës, shoqës së bankës të Pirros, ishin fqinjë të mirë. Ata (Donika e Tomorri) ishin profesorë universiteti, e donin Pirron dhe komunikonin me familjen. Por në mesin e fqinjëve kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapteri Feridi, dhe i biri i tij (Beqiri), një djalë i mbrapshtë e grindavec, por edhe disa të tjerë të lidhur me pushtetin.
Në shtëpinë e boshatisur të Gimit e Timit, ishin vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita) me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha ishte një grua e pështirë dhe ishte sekretare e organizatës bazë të partisë. Ajo bashkë me kapter Feridin dhe disa tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin e nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student. Kjo e kishte gjindosur Pirron dhe gjyshën e tij, dhe e kishte prishur harmoninë në familje, sa që gjyshja kërkonte që Elën ta mbyllnin në shtëpi, kurse Pirro nuk fliste, nuk hante dhe shihte ëndrra të këqija. Për ta qetësuar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët, gjatë pushimit dimëror, vajti për dy javë te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, pasi ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të veçuar, sepse familja e burrit do kishte telashe prej pushtetit, dhe e ëma e djalit, nëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame.
Nu-ja, fqinja e vetmuar, ishte merakosur për djalin e saj ushtar, se nuk i kishte shkruar letër prej disa muajsh, prandaj vajti në Konispol për ta parë të birin, por nuk e gjeti. E kishin vrarë në kufi, e kishin lidhur pas një karroce e tërhequr zvarrë rrugëve të Sarandës, për ta shikuar populli si të ishte një kriminel. Me të marrë vesh për vrasjen e djalit, Nu-ja ishte çmendur e sillej rrugëve të Sarandës si lypsare. Duke pritur autobusin në Sarandë për t’u kthyer prej Markati në Tiranë, e ëma e Pirros dhe fëmijët e saj e kishin parë e takuar Nu-jën në atë gjendje të mjerë, sa që ajo nuk i kishte njohur as iu kishte folur. E ëma e Pirros ia lë ca lekë në dorë. Ishte moment i dhembshëm dhe prekës për të gjithë.
Në shtëpinë e lënë bosh të Nu-jës, ishin vendosur do fqinjë të ri, nga një familje fisnike kolonjare. Ata kishin një djalë të sëmurë (Talon), të cilin e ngacmonte djali i kapter Feridit, ndërsa Pirro dhe Turi e mbronin, sa mundnin. Gjyshi i Talos kishte qenë ndër kapedanët kryesor në çetat e jugut dhe ishte vrarë e masakruar nga grekët. Pirro dëgjonte me shumë vëmendje ngjarjet që tregonin më të vjetrit për luftërat me grekët, masakrat, vuajtjet e çamëve. Ishte bërë sy e vesh kur i ati (Didi) shpaloste kujtimet nga lufta e mbi 2000 luftëtarëve trima çamë kundër forcave të Zervos e Kranjit, në korrik 1944, për çlirimin e Paramithisë e të Pargës, kur Didi ishte plagosur dhe akoma vuante nga plaga. Ishte i prekshëm kujtimi i Didit, kur kishte parë një nënë në ikje e sipër, për t’u çliruar nga barra që s’mund ta bartte më, në vend se ta hidhte boshçen, e kishte hedhur foshnjen nga ura në lumin Kalama. Duhet ta kesh zemrën gur që të përmbash lotët nga tregimet e tilla, të atyre që kanë përjetuar gjatë valës së gjenocidit grek mbi çamët. Dhe këto kujtime nuk janë vetëm ilustrime artistike të romanit, por e vërteta, përmasat dhe vrazhdësia kanë qenë ku e ku më të tmerrshme.
Një shkëputje në kohë e në hapësirë është epilogu i romanit, kur pas një kohe të gjatë që kishte punuar e jetuar jashtë vendit Pirro kthehet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, të cilën e gjen krejt të ndryshuar: shtëpitë e vjetra ishin rrënuar, e në vend të tyre ishte ndërtuar një pallat i madh, që ia kishte zënë frymën shkollës së vjetër. Në klubin afër shkollës takohet me Abin, shokun e fëmijërisë, të cilin nuk e njohu, derisa ai i tregoi se cili ishte, dhe se ishte bërë gjysh. Edhe Pirro i tregoi se gruan e kishte nga Çamëria dhe se kishte një djalë (Arbërin) dhe se ishte bërë gjysh. Kujtimet e Pirros dhe Abit ndërroheshin si sekuencat e një filmi bardh-zi, për egërsinë e një kohe.
Çamët, që nga gjenocidi grek ishin detyruar të ikin prej vendit të tyre, as në Shqipëri nuk kishin qenë të mirëpritur. Qeveria shqiptare që kishte detyrim kombëtar, moral e njerëzor të kujdesej për muhaxhirët çamë, i shikonte me mosbesim, si bashkëpunëtorë të fashizmit italian e nacizmit gjerman dhe spiunë të imperializmit anglo-amerikanë, madje edhe të monarkofazhizmit grek! Pas gjykimit të Grupit të Teme Sejkos, roli i çamëve në jetën publike shqiptare ishte margjinalizuar tejmase.

* * *
Me romanin “Mëhalla e Muhaxhirëve”, shkrimtari Arben Kondi na ruan kujtimin për çështjen çame e të Çamërisë. Si çam që është edhe vet, Kondi edhe këtë herë ka larë një borxh intelektual ndaj muhaxhirëve çamë. Fabula e romanit zhvillohet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, por edhe gjithandej Shqipërisë, duke pasqyruar realitetin e kohës. Personazhet e romanit, ishin pjesë përbërëse e jetës reale në Shqipërinë komuniste, veçmas e muhaxhirëve çamë, të përzënë nga vendi i tyre, e të persekutuar nga shteti i tyre. Lirisht mund të thuhet se personazhi i Pirros, personifikon vet autorin e romanit. Romani shprehë dhembje dhe e mishëron lexuesin me personazhet, duke ndier vuajtjet e tyre. Gjuhës së romanit i jep një shije të veçantë përdorimi i disa fjalëve dhe shprehjeve të të folmës çame.
Romanet e Kondit kanë karakter mbarëkombëtar, sepse gati me të njëjtën ndjesi njerëzore shkruan për të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, duke lënë të hapura portat e problemeve të tyre. Arben Kondi është i çiltër me veten e vet dhe me lexuesit e veprave të tij, kur trajton probleme që duhet të shqetësojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Me moshën që ka, përvojën, talentin, zellin e përkushtimin në punën krijuese, nga shkrimtari Arben Kondi presim edhe shumë vepra tjera të arrira.
*(Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, roman, ShB “ILAR”, Tiranë, 2013)

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahi, Camet, Greqi, shqiperi, te masakruar, te persekutuar

Çamët ishin dhe mbeten pjesë e antifashizmit ndërkombëtar

May 28, 2015 by dgreca

Antifashistët e Çamërisë në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani./
Nga Hyqmet Zane/*
Reagimet zyrtare greke në lidnje me komunitetin çam pas vizitës së presidentit të turqisë Erdogan, i cili takoi drejtues të PDIU, kanë krijuar një tendsion mes dy shteteve si pjesë e strategjisë së tensioneve që ka prodhuar në 103 vjet me rradhë shteti helen. Qëndrimet e fundit janë të njohura për shqiptarët në tërësi dhe vetë komunitetit çam në veçanti që për 71 vjet ka vuajtur pasojat e një genocidi antinjerëzor dhe antishqiptar njëkohësisht nga segmentet shoviniste greke, edhe pse zyrtarisht dhe faktikisht janë provuar qëndrimet anti nazifashiste të shqitparëve të Çamërisë në Luftën II Botërore.
Kam mendimin se librat e shkruara për historinë e Luftës II Botërore kanë një mangësi të theksuar në saktësimin e të vërtetave kur vjen fjala për kontruibutin e komunitetit çam në krah të antifashizmit botëror. Nuk pretendoj se i kam shfletuar të gjitha librat historikë, por kam të drejtën të them se, sa herë që Athina zyrtare ka akuzuar haptazi komunitetin çam si “bashkëpunëtorë me nazifashizmin”, qëndrimet e Tiranës zyrtare kanë qenë të vakëta ose aspak të dukshme. Në këto 24 vjet të historisë së demokracisë shqiptare nuk kam dëgjuar një herë një zyrtar politik që të mbajë një qëndrim të prerë dhe me fakte të protagonizmit të çamëve në krahun e antifashizmit gjatë Luftës II Botërore.
Kur e pohoj një gjë të tillë, kam parasysh se vetëm Presidenti Alfred Moisiu ka bërë aktin vendimtar kur ka dekoruar pjesëtarë të komunitetit çam që kanë qenë të internuar në kampet e përqëndrimit dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Ka qenë viti 2005 kur në Elbasan dhe në Vlorë janë dekoruar dy pjestarë të këtij komuniteti si ish të internuar në këto kampe famëkëqinj. Motivimi i këtyre dekorimeve ka qenë i tillë “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqëndrimit të Dakaos”.
Ndërkohë që ka edhe të tjerë pjestarë që kanë qenë në këto kampe dhe ata kanë emër dhe mbiemër, kanë trashëgimtarët e tyre legjitimë dhe që janë simbol i një flamuri për tu thënë grekëve nacionalistë ekstrem se komuniteti çam që u shpërngul me dhunë dhe vrasje nga trojet etnike nuk kishte asnjë lidhje me nazifashizmin dhe e gjithë paranoja e ngritur nga zyrtarëte Athinës është një artificialitet për të justifikuar genocidin e sprastrimit etnik shqiptar nga Çamëria si një terrizëm shtetëror.
Ndoshta një president apo një kryeministër, një diplomat apo politikan i sotëm do të duhej që në këtë jubile të 70 vjetorit të fitores mbi nazifashizmin të pohonte me plot gojën emrat e heronjve dhe dëshmorëve nga Çamëria, si emrat e atyre burrave që u internuan si antifashistë në Itali e Gjermani. Dhe këtë nuk do ta bëjnë në emër të interesave të komunitetit çam apo të përfaqësuesve të PDIU, por në emër të drejtësisë dhe kontributeve që kanë dhënë çamët si antifashistë në një luftë botërore. Është një rast komod për ta pohuar një fakt të tillë si një e vërtetë historike e shkruar me gjakun e Heroit të Popullit Ali Demi nga Filati, vrarë në Kaninë të Vlorës, Bido Sejko nga Filati i vrarë në Konispol. Daut Rakipi nga Koska, Ethem Yzeiri nga Vërsela, Hysen Pasho, i biri i Vejselit nga Galbaqi, i vrarë në Qeramicë në përpjekje me bandat e Napoleon Zervës, i inkuadruar në
batalionin “Ali Demi”, Fahri Jasini nga Varfanji, Shaban Hamiti nga Grikohori.
Sipas një studimi të historianit të mirënjohur Ibrahim D. Hoxha, ai shkruan “Për çlirimin kombëtar u flijuan anë e kënd truallit shqiptar, madje edhe më përtej, në Mal të Zi e Bosnjë, mbi 100 e ca djem nga më trimat e Çamërisë. Emrat dhe jetën e tyre i kam pasqyruar në “Enciklopedi Jugshqiptare”, Volumi I e II, nga e cila po përmend vetëm disa nga të rënët e çetave dhe batatalionit të lavdishëm, “Çamëria” si edhe të brigadave I, II. III. V, VI, VII, VIII, XII etj.
Abedin Haki Musa Sejkua (1900-1944) nga Filati, ish-luftëtar i batalionit “Çamëria” e në vijim zv.Komandant i batalionit “Naim Frashëri”, Brigada VI Sulmuese. Vrarë mbi fshatin Dishat më 22 apo 23 qershor.
Ferik Islam Çaçani (1918-1943) nga Janjari, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 15 shtator në malin Nartë gjatë përballjes së njësisë naziste.
Hadif Nezir Veliu, (1924-1943) nga Shalësi, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 28 shtator në Konispol gjatë mbrojtjes së qytetit nga sulmuesit nazistë.
Halil Azem Munga nga Markati (1923-1943), batalioni “Çamëria”, vrarë në Qafë të Likojanit më 15 shtator gjatë përballjes me sulmuesit nazistë.
Husejn Muharrem Veliu, (1912-1943) nga Konispoli, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 28 shtator në faqen malore paksa mbi Konispol gjatë përballjes me njësinë mësymëse naziste.
Ibrahim Vejsel Abdullahu (1915-1944) nga Galbaqi, partizan i batalionit 4-rt, regjimenti i 15-të ELLAS-it, vrarë në Mallun më 18 korrik gjatë përleshjes me zervistët.
Ibrahim Vejsel Halluni, (1919-1944) nga Filati. Partizan i renditur në batalionin 4-rt të regjimentit 15-të ELLAS-it. U vra më 13 korrik në Mallun, gjatë luftimeve kundër EOEAS-itëve të N. Zervës.
Muharrem Murteza Abdullahu nga Spatari (1910-1944), pjestar I bat. IV, regj. 15 ELLAS-it, vrarë në Mallùn në korrik, gjatë përleshjes me zervistët.
Nail Lutfi Tana, (1925-1944) nga Luarati, partizan i batalionit të I-rë të Grupit 4-rt, vrarë më 26 gusht në Konispol gjatë luftimit kundër nazistëve.
Selman Izet Kushi nga Spatari, ndërlidhës ndërmjet njësive ushtarake Nascionanalçlirimtare shqiptare dhe atyre ELLAS-ite. Vrarë në vendlindje gjatë përplasjes me zervistët.
Telha Ali Plaku, (1915-1943) nga Konispoli, batalioni “Çamëria”, vrarë në Konispol më 28 shtator gjatë përleshjes me mësymësit nazistë.
Veliko Musli Rexhua, (1924-1944) nga Markati, komisar kompanie i batalioni “Çamëria”, vrarë më 21 korrik në Delvinë gjatë sulmit të grupit 4-rt kundër përqëndrimit nazist.
Zihni Ilmaz Sheqiri, (1925-1943) nga Shqefari, partizan i batalioni “Çamëria”, njësia luftarake konispolite, vrarë më 28 shtator në faqen malore mbi Konispol gjatë kacafytjes me njësinë mësymëse naziste.
Zuhdi Zequa, (1923-1945) nga Çamëria, N/Toger, komandant toge në batalionin e I-rë, të brigadës I-rë Sulmuese, vrarë në Kelmend.
Nuk mund të harrohen në këtë listë 55 dëshmorët e luftës së Konispolit që mund të thuhet se ishte lufta e vërtetë e asaj kohe ndaj gjermanëve. Po aq sa nuk mund të harrohen të gjithë ata bij të Çamërisë që u inkuadruan në batalionet dhe brigadat partizane dhe luftuan me atë trimëri që merituan dekorime dhe vlerësime të mëdha.
Por le të kthehemi tek ata që kanë qenë të interuar në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani që pothuajse nuk përmenden asnjëherë si bij të Çamërisë dhe kontribues në Luftën II Botërore. Dhe jo vetëm kaq. Këta njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për antifashizmin nuk kanë marrë asnjë pension apo shpërblim lufte, por as edhe nga ato dekoratat që shpërndan Putini i Rusisë, sepse vendi i tyre i origjinës nuk është kujtuar ndonjëherë jo thjesht t’i dekorojë, por as Greqia, ku këta burra kanë qenë shtetas grekë me orgjinë shqiptare nuk i përmend, por edhe familjet e tyre i ka persekutuar dhe i ka ngatërruar me bashkëpunëtorët me nazizmin siç kërkon të cilësojë çamët.
Në këtë kuptim, lind pyetja se drejtësia europiane që është kaq shumë e ndjeshme për një fjalë që tha kryeministri për bashkimin e trojeve shqiptare të Shqipërisë me Kosovën, as që i bëhet vonë se këta bij të Çamërisë që ishin antifashistë sublim, persekutohen nga një shtet i ashtuquajturi demokratik që shkel çdo parim të së drejtës ndërkombëtare.
Antifashistët e Çamërisë në kampet e përqindrimit në Itali e Gjermani.
Nuri Emin Zane, nga Filati i Çamërisë i datëlindjes 20 nëntor 1913 dhe ka vdekur më 04 nëntor 1988 në Elbasan-Shqipëri, internuar në Mat’hausen e më pas në Dakao e në Mynih. Kthehet nga internimi në gusht 1945 në Janinë dhe nuk lejohet të shkojë në shtëpinë e tij në Filat se i thanë që i kemi përzënë çamët, ndaj erdhi në Shqipëri, ku gjeti familjen. Edhe si antifashist nuk u lejua të jetonte në shtëpinë e babait dhe gjyshërve të tij braz pas brezi.
Hajri Hasan Fetahu, lindi në Grikohor të Çamërisë në vitin 1918 dhe vdiq në Vlorë më 1977. U internua nga italianët në vitin 1941 në Rexho-Emilia të Italisë, më pas në Gajel dhe pas rënies së Italisë u internua edhe nga gjermanët në Dakao të Gjermanisë. U kthye gjallë fatmirësisht, por nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Çamëri, edhe pse ishte antifashist.
Mezan Emin Jonuzi, lindur me 30 qershor 1910 në Varfanj të Gumenicës në Çamëri të Greqisë, që ka vdekur më 4 shkurt 1963 në Durrës-Shqipëri. Ka qenë i internuar në Itali e më pas në Gjermani. U kthye nga internimi dhe nuk u lejua të shkonte në vendin e lindjes së tij edhe pse ishte antifashist.
Osman Zenel Taka, lindur në Filat të Çamërisë më 1918 në Filat dhe ka vdekur 02 nëntor 1982 në Lushnje. Ka qenë internuar në zonën e Brindizit në Itali, pasi i kishin grumbulluar në Levan të Fierit në qershor të vitit 1941 dhe më pas kaloi në Dakao të Gjermanisë në vitin 1943 deri në kapitullimin e Gjermanisë dhe mbarimin e Luftës II Botërore.
Bejaz Muhamet Muho mga Arpica ka qenë internuar në Mat’hauzen që jetoi e vdiq në Sukth.
Janë edhe të tjerë që vdiqën në këto kampe por për arsyet e shpërnguljes dhe shuarjeve të familjeve çame kanë mbetur anonimë edhe për shkak të peripecive që kaloi komuniteti çam në vitet e para të shpërnguljes. Por ajo që vlen të përmendet sot pas 70 vjetësh të mbarimit të Luftës II Botërore është tërheqja e vëmendjes ndaj atij që njihet si Komiteti i Veteranëve të Luftës apo OBVL që të evidentojë tërësisht këto fakte historike dhe të promovohen si dëshmi autentike të të vërtetave historike.
Si një fjalë goje dhe si një mashtrim historik, grekët dhe Athina zyrtare kërkonë të mohojnë deri edhe vetë Çamërinë apo komunitetin çam që jetoi në këtë tokë, por edhe të mohojnë luftën e partizanëve dhe nacionalistëve që e donin vendin e tyre dhe e mbrojtën atë me pushkë në dorë dhe ku ranë dëshmorë dhe mbetën në memorien e kombit dhe që nuk mund të ketë Europë apo Greqi që të hedhë baltë apo të mohojë të drejtat e popujve sado të vegjël qofshin ata kur mbi ta kanë ushtruar genocide antinjerëzore si ndaj shqiptarëve të Çamërisë.(* E dergoi per Diellin Mustafa Xhepa)

Filed Under: Histori Tagged With: Camet, Hyqmet Zane, ishin dhe mbeten pjesë e antifashizmit, nderkombetar

Shpetim Idrizi dhe delegacioni i PDIU u takuan me Çamët e Turqisë

February 21, 2014 by dgreca

Kryetari i PDIU’se z. Shpetim Idrizi me Delegacionin e Tij Vizituan 4 dite me rradhe Çamët dhe Të Gjithë Shqiptarët Në Izmir dhe zonën Ege të Turqisë. Ne Delegacionin e Kryetarit te PDIU’se z. IDRIZI ishin Kryetari i Nderit te PDIU’se zTahir Muhedini , Kryetari i PDIU’se per Tiranen z. Galip Taho , sekretari i PDIU’se Ilir Dizdari. Per dite me rradhe me nje program shume te pasur te bere me Presidentin e CENTER OF BESA STRATEGY Sokol Brahaj, nga kryetari dhe anetaret e Shoqates Shqiptare Çameria te Izmirit dhe Deputeti i Parlamentit Turk shqiptari me origjine nga Drenica e Kosoves z. Rifat Sait bene takime me zyrtare te larte, me politkane, biznesmene, aktiviste te çeshtjes Çame dhe Mbarekombetare, Akademike miq e shoke ku fokusimi i vizites ishte takimi me Shqiptaret Çame ne dhjetra lagje dhe fshatra te Izmirit dhe perreth tij.

Vizita e Z. IDRIZI gjate aktiviteteve 4 ditore ne Izmir eshte ndjekur me interes te madh nga mediat turke ku ne çdo akivitet pjesmarrja e medias turke ishte i madh, me shume se 7 kanale televizive dhe me shume se 15 gazeta ku ketu duhet te nenvizoj dhe 3 intervistat drejtpersedrejti ne studiot televizive.
Ne saje te z.IDRIZI u formuan lidhjet me komunitetin shqiptar Çam me numer te madh shqiptar ne bote i cili eshte ne turqi perseri pas nje shekulli, kjo lidhje me shqiptaret Çame te harruar nga shteti nene ne nje mbledhje madheshtore dhe nje pjesmarrje teper e larte diten e shtune te dates 15 shkurt ishte kulmi i vizites ne izmir te patriotit te madh Shpëtim Idrizi qe po puno gjithnje ne te gjithe boten ku ka shqiptar per mbrojtjen e identitetit shqiptar dhe te drejtave te tyre.(BS)

Filed Under: Featured Tagged With: Camet, PDIU, Shpetim Idrizi, Turqi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT