• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E SHKURTËR E NJË KARTOLINE TË VOGËL

July 17, 2017 by dgreca

1 dasmaNGA EUGJEN MERLIKA/

12 korrik 1942, 75 vjet më parë….. Në bashkinë e Barit kryhej ceremonia e martesës së një çifti të ri. Dhëndërri ishte 27 vjeçar e quhej Petrit Merlika, ingjinjer elektrik, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë. Nusja quhej Elena Gjika, 22 vjeçare, që prej një viti profesoreshë e letërsisë, gjuhëve klasike e filozofisë në liceun klasik të Barit. Dhëndërri ishte djali i parë i Kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa nusja ishte bija jetime e gazetarit atdhetar Sotir Gjika. 1 cifti

Dëshmitarët, nga ana e dhëndërrit, ishin ministrat Mark Gjomarkaj e Shuk Gurakuqi, ndërsa nga ana e nuses ish konsulli shqiptar në Bari e mik i vjetër i dy familjeve, Gjovalin Kamsi dhe ministri i ekonomisë i Qeverisë Kruja, Kostandin Kotte. Historia e lindjes së këtij çifti kishte të pazakontën e saj, për kohën dhe Vendin në të cilin jetonin dy përbërësit e tij. Nuk ishte një lidhje dashurie spontane, e lindur në sallat e studimit të universiteteve, apo në sheshet e qyteteve italiane, por një njohje e drejtuar nga prindërit e dy të rinjve, si pasojë e një përsiatje të gjatë të tyre në rrjedhë të viteve.1 Leter

Mustafa Kruja e Sotir Gjika ishin miq e bashkëpuntorë. Qe ndërhyrja e Sotir Gjikës, atëherë gazetar i së përditëshmes “Corriere delle Puglie”, në mjediset e Konsultës të vitit 1917, që bëri të mundur lirimin nga burgu e internimi që vuante Mustafa Kruja, si pasojë e një dënimi të dhënë nga Esat Pashë Toptani e, i kaluar për zbatim, autoriteteve italiane. Më pas Mustafai u bë kryeredaktori i gazetës “Kuvendi”, të cilën Sotir Gjika e drejtonte në Romë. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në dhjetor 1918, kohë kur Mustafai u kthye në Shqipëri, për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit.

Atëherë u ndërpre dhe bashkëpunimi veprues mes atyre dy personazheve të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit të 20. Sotiri vazhdoi veprimtarinë e tij publiçistike, ndërsa Mustafai atë politike. Me mbylljen e gazetës “Kuvendi”, Sotiri u shpërngul përfundimisht në Bari, aty ku ishte qëndra e së përditëshmes”Lajmëtari i Puljes”, në krahinën jugore përballë Shqipërisë, e cila ishte dhe ajo e origjinës së bashkëshortes së tij, Angela Lilly Quarta. Ndërsa Mustafai pati peripecitë e tij në vorbullën e politikës shqiptare, në parlamentin e parë e, më pas, në mërgim në Shumadinë jugoslave, mbas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit e Zija Dibrës.

U takuan përsëri, tashmë së bashku me familjet, në Krishtlindjet 1924, kur Zogu u kthye në Shqipëri dhe politika kundër zogiste mori rrugën e mërgimit të gjatë, duke filluar me zbarkimin në Bari e Brindisi të Italisë. Aty në Bari lindi djali i katërt i Mustafait, Besimi, ndërsa Sotiri kishte një djalë e një vajzë, Aleksandrin dhe Elenën. Mustafai me familje nuk qëndroi gjatë në Pulje, u shpërngulën në Zara të Dalmacisë, atëherë territor italian. Gjatë një udhëtimi në Shqipëri, më 1923, i dërguar nga gazeta për të hetuar mbi vrasjen mizore të Gjeneral Telinit, Sotiri pësoi një ftohje të rëndë, e cila brënda katër vitesh i mori jetën, në moshën 38 vjeçare.

Vitet kalonin, por kontaktet mes dy familjeve ruheshin dhe sa herë që Mustafait i binte rruga të vinte në gadishull, ai nuk linte rast pa parë familjen e mikut të ndjerë. Gjatë këtyre vizitave ai vinte re dhe rritjen e fëmijëve, sidomos të vajzës së Sotirit, Elenës. Instikti prindëror për të patur një nuse të shkolluar e të fisme për djalin e tij, merrte konture gjithënjë e më të përcaktuara në mëndjen e tij.

Erdhi 1939, pushtimi i Shqipërisë, ikja e Zogut, dhe Mustafai u kthye me gjithë familjen në Shqipëri, duke lënë jashtë djemtë që vazhdonin studimet. I madhi, Petriti, ishte student i Universitetit të Grenoblit, në fakultetin e ingjinjerisë elektrike. Tani vizitat në shtëpinë e së vesë së Sotirit u bënë më të shpeshta, e Mustafai vuri re me kënaqësi se vajza e mikut të tij ishte bërë një zonjushe e bukur që vazhdonte Universitetin e Napolit. Atëherë shpresa e vakët që kishte përcjellë vitet e tij të mërgimit, ajo e një martese të djalit të tij me vajzën e Sotirit, mori shembëlltyrën e një projekti, të cilin ai u zotua plotësisht në vetvete t’a sendërtonte. Bisedoi me të venë e mikut në lidhje me të e gjeti mirëkuptimin e duhur. Atëherë projekti hyri në rrjedhën e tij të zakonëshme, me njohjen e pëlqimin e ndërsjelltë të të rinjvet.

Nga kjo njohje e deri në martesën e 12 korrikut 1942, koha kaloi shpejt. Martesa qe kurorëzimi i një ëndërre të re, të lindur në hapësirën e një ëndërre të vjetër. Sigurisht nga qielli pati bekimin e babait të larguar përgjithmonë, por që gëzohej sepse bija e tij po kthehej të ndërtonte çerdhen e saj në atdheun e tij, për të cilin ai punoi deri në çastet e fundit të jetës. Po të gjitha këto dëshira të lindjes së jetës së re do të përballeshin me një realitet të vrazhdë, deri në mizori, që ishte lufta e dytë botërore dhe fundi i saj me ardhjen e komunistëve në pushtetin e Shqipërisë.

Gjatë luftës çifti i ri  jetoi larg politikës aktive. Mustafai ishte aq shumë i zhgënjyer nga politika saqë i kishte ndaluar familjarëve të tij pjesëmarrjen në të, e ishte munduar të adresonte fatet e tyre në drejtimin e profesioneve. Kështu edhe Petriti, së bashku me dy shokë të tij të shkollës, Petrit Daklin dhe Ismail Topçiun, themeloi një ndërmarrje elektrike e, deri në fundin e luftës, pati veprimtarinë e tij private. Elena qëndronte në shtëpi, ku ndihmonte babain e saj të dytë të vazhdonte punën e tij të vyer me Fjalorin, e ku kujdesej edhe për djalin, Eugjenin, që lindi mbas më pak se dy vjet martese.

Me krijimin e Qeverisë komuniste ndërmarrja u mbyll dhe Petriti mbeti pa punë. Qenë pak muaj papunësie, gjatë të cilëve ai ndonjëherë vente e bisedonte me shokët e tij mbi gjendjen e Vendit. Ishte koha e pregatitjes së zgjedhjeve të reja ku, zyrtarisht, “mund” të paraqiteshin edhe parti të tjera veç F.N.Ҫ. Në një nga ato biseda u trajtua ky vështrim i gjëndjes politike dhe u fol mbi mundësinë e krijimit të një partie të ligjëshme të opozitës. Pak kohë mbas kësaj bisede, Petriti u thirr në Ministrinë e Punëve Botore, ku Ministri Spiro Koleka i njoftoi emërimin në një Degë të posaçme të saj, e cila merrej me llogaritë e ndërmarrjeve italiane që kishin investuar në Shqipëri para dhe gjatë luftës. Detyra ishte mjaft delikate, por Petriti e përballoi me mjaft sukses, duke u munduar t’i linte sa më pak detyrime Shtetit shqiptar kundrejt ndërmarrjeve italiane.

Por ndërsa ai vazhdonte punën e tij intensive në ministri, një ditë të marsit 1946 u arrestua nga Skënder Kosova, njëri prej kuadrove më mizorë të hetuesisë në kohën e tij. Arrestimi befasoi edhe vetë Ministrin Koleka, i cili ndërhyri personalisht tre herë për lirimin e tij, por pa dobi. Në akuzën me të cilën u përball, veç emrit të Mustafa Krujës, ishte biseda e zhvilluar muaj më parë me shokët e tij. Ajo i kushtoi gjyqin e dënimin me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Ajo kartolinë e vogël që nga një anë ka të pikturuar një peisazh dimri e nga tjetra një frazë drejtuar gruas së tij, është një relike e asaj periudhe të jetës së asaj familje.

Ajo kartolinë ka në vetvete dashuri, dhimbje, mall, por edhe shpresë, kjo e fundit mjeti më i mirë për të përballuar fatkeqësitë e për të mbijetuar edhe atëherë kur jeta normale përbën një mirazh të paarritshëm, edhe atëherë kur vdekja quhet si shpëtim nga e keqja. Ajo mbetet dëshmi e njërit prej miljona çasteve në të cilët kaluan mijëra vetë në Shqipërinë  e regjimit komunist, dëshmi e një drame të fuqishme që luhej në shpirtin e njërit prej tyre, të ndarë përdhunshëm nga dashuritë njerëzore pa i bërë askujt as të keqen më të vogël. Ajo shpreh edhe diçka tjetër veç dashurisë, vlerësimin e besimin tek gruaja shqiptare që, n’ata vite të tmerrshme, dha provën më madhore të gjithë historisë shqiptare, atë të qëndresës familjare e të virtutit vetiak që triumfoi edhe mbi fuqinë e verbër të diktaturës, duke ruajtur vlerat më të mira morale. Edhe Elena, marrësja e asaj kartoline, e flijoi jetën e saj në odisenë e gjatë të kampeve të përqëndrimit, pa çuar kurrë nëpër mend as vetëtimthi, se me një firmë mbi një dokument shkurorëzimi, mund të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga “skëterra shqiptare” e mund të kthehej në Vendin e saj të lindjes, ku kishte familjen e saj e perspektivën e një jetë krejtësisht të ndryshme.

Nuk e dij se si ajo minikartolinë ka dalë nga burgu në dhjetorin e vitit 1946 e se si është ruajtur për më shumë se gjysëm shekulli, në peripecitë e pafund të shpërnguljeve nga një kamp përqëndrimi në tjetrin. Mbas asaj kartoline, n’ato pak fjalë të ngrohta e të sinqerta, qëndron jeta e tre njerëzve. Prandaj ajo kthehet në një relike e mund të shërbejë si e tillë në një muzeum, duke i u folur, me heshtjen e saj, vizitorëve për një kohë plot tragjedi e drama të njohura e të panjohura, që u përplasën mbi kryet e dhjetra mijra njerëzve të pafajshëm, duke shkatërruar të gjithë jetën e tyre. Ajo kartolinë evokon një ndjenjë të madhe, dashurinë, që mbetet ndoshta arma më e fuqishme në përballimin e së keqes, të mizorisë së një pushteti e të një sistemi që ishte ngritur mbi bazën e urrejtjes e të largimit nga Perëndia dhe mësimet e saj.

Korrik 2017

Filed Under: Featured Tagged With: e nie karoline te vogel, Elena Gjika, Eugene Merlin, historia

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT