• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si do t’i quante Fatos Arapi

November 6, 2018 by dgreca

…. Disa ditë më parë vdiq poeti i shquar Fatos Arapi…..Vetëm kur vdiq e kujtuan dhe e qanë postmortum me lotë krokodili, ndërsa sa ishte gjallë, duartrokitën si poetë, shitësit e kastravecëve në tregun e kolkozeve dhe kooperativave bujqësore pa asnjë lloj kanalizimi të ujrave të zeza./

1 elii (1)

Nga Elida Buçpapaj/

Fekalet janë “mbeturinat ushqimore trupore”.

Akronim i këtij triptiku fjalësh vetëm në gjuhën shqipe krijon slangun vulgar që populli e përdor rëndom si sinonim pa e ditur ndofta as prejardhjen dhe pa u lodhur kurrë të zbulojë etimologjinë.

Populli nuk thotë “ti je një mbeturinë ushqimore trupore”, por për të fituar kohë dhe për të qenë sa më ekspresiv i bie shkurt!

A mund t’iu dedikosh opinione mbeturinave ushqimore trupore, pisllikut, ndyrësisë?

Kur lind nevoja, po!
Detyrimisht po!

Për të mirën e higjenës sociale!

Sepse pa kanalizime, atëhere populli përmbytet prej tyre dhe bëhet prè e sëmundjeve që i rrezikojnë ekzistencën!

Pastërtia e njeriut nis nga higjena personale, larja e duarve, e dhëmbëve dhe shkon deri tek higjena apo pastërtia e figurës, që njihet si integritet.

E kështu shkohet deri tek higjena kolektive.

Për higjenën kolektive, edukatën, shkollimin, kulturimin, artin, kulturën në një sistem demokratik kujdeset shteti dhe instrumentat e sistemit, për të ngritur, ruajtur dhe zhvilluar vlerat kulturore që shprehin identitetin kombëtar.

Në trevat shqiptare dhe diasporë ndodh e kundërta: linçohen vlerat kulturore dhe lançohen antivlerat, që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën, por që kanë mundësi financiare për të mbushur defiçitet, inkompetencat, mungesën e talentit, zgavrat bosh të intelektit apo të karakterit.

Është fjala për abuzim të mirëfilltë, që duket sikur legjitimohet nga varrosja e kritikës dhe e gjykimit profesional.

Një poet apo krijues në Shqipëri a Kosovë ka një jetë të varfër, një rrogë minimale që nuk mund të paguajë asgjë, as librat, ndërsa një punëtor shqiptar në Perëndim paguhet sa 20 fishi i poetit dhe nga këto pozita i shkrep të blejë e të bëhet gjithçka, duke përfituar se në tregun shqiptar gëlon informaliteti, tregu i zi dhe kur shteti vetë është i inonduar nga plehrat dhe pisllëku.

Në këtë situatë kritike për të shpëtuar kombin duhen të ngrihen të gjithë, pa dallim duke startuar nga alfa, që është higjena kolektive mendore dhe shpirtërore! Me atë që ushqehet shpirti i shoqërisë!

Vetëm atëhere shoqëria shqiptare bëhet koshiente për të dalluar domosdoshmëritë, të pastrën nga e ndyra, vetëm atëhere kombi e kthen pastërtinë në një ingredient të jetës dhe e kërkon si standart nga pastërtia e duarve të veta, tek bashkëqytetari, arti, kultura që ushqehet e deri politika që e drejton shtetin.

Politikanët janë pisllëku më i madh ndër trevat shqiptare, Shqipërinë londineze, Kosovë, Maqedoni, por dramatike është se pisllëku ka përfshirë kulturën!

Kur pisllëku përfshin kulturën jemi afër katastrofës!

Kur kultura rrezikohet nga inonandatat çidentifikuese, kombi përjeton dramën e tij më të madhe dhe rreziku kombëtar është tek dera!

Seicili prej nesh duhet të pyesë, kush jam unë?

Sikur pyesin italianët për shembull, që krenohen se janë trashëgimtarë të Leonardo Da Vinçit, Petrarkës, Dantes e vijojnë më tutje duke u identifikuar me Fellinin, Umberto Ekon e me rradhë; e kështu të gjitha kombet, nga kanë dalë pastaj shtetet.

Vetëm shqiptarët krenohen kur bëjnë foto me politikanë dhe këtë e tregojnë si vlerë të tyre, të mundësisë për të blerë e fituar gjithçka pa meritokraci.

Kjo është antivlera më tipike e shoqërisë shqiptare sot!

Që ka krijuar varfëri ekstreme kulturore! Kur e ushqen shpirtin me bërllok dhe thua “sa bukur”, edhe kur e ndjen nga era e keqe se është gjiriz!

Nuk janë të rrezikshme ushtritë e huaja sa është i rrezikshëm helmimi i kombit nga mallra që shiten si ushqim shpirtëror nga “nutricionistë” sharllatanë, “Doktor Adhamudhë” modernë, si personazhi i veprës satirike “Pas vdekjes” të Andron Zako Çajupit, të cilët e dinë më mirë se askush se çfarë do të thotë helm i ndërgjegjes dhe psikës kulturore!

Prandaj është koha për zgjim kombëtar!

Disa ditë më parë vdiq poeti i shquar Fatos Arapi.

Vetëm kur vdiq e kujtuan dhe e qanë postmortum me lotë krokodili, ndërsa sa ishte gjallë, duartrokitën si poetë, shitësit e kastravecëve në tregun e kolkozeve dhe kooperativave bujqësore pa asnjë lloj kanalizimi të ujrave të zeza.

Spekulantët e tillë, që janë në gjendje të dallojnë mutin e bletës nga fekalet, Fatos Arapi në zemrim e sipër, për vitet e tij të mbyllura i vetmuar në dhomën e tij, do t’i quante thjesht me slangun popullor, sikur quhet ekskrementi apo mbeturinat ushqimore trupo

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fatos Arapi, triptiku

Gjeneral Sandër Lleshi dhe komentet e ish President Nishanit

October 30, 2018 by dgreca

-Rreth komenteve të Bujar Nishanit për Sandër Lleshin!/

-E kam parasysh këtë Bujar Nishanin, që ka firmosur dekretet presidenciale për ambasadorë të dhëndërrit të Lenka Çukos e të tjerëve të kësaj kategorie nga nomenklatura ish-komuniste dhe këtë Bujar Nishanin që nuk firmosi dekretin për Ambasador të Visar Zhitit, një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe një të burgosuri politik në burgjet e diktaturës!/

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Kur pashë reagimin e Bujar Nishanit për Sandër Lleshin, kandidatin për Ministër të Brendshëm, ndjeva nauzea!

Nuk e marr në mbrojtje Sandër Lleshin, sepse ai do ta tregojë veten se cili është.

Uroj që të mos ketë vëlla a të afërm, fis e farë si pararendësit.

Nuk mund të ndyhet individi nga veprat e ndyra të njerëzve të afërm,por individi nuk mund të mbajë pozita shtetërore sepse edhe sikur ta kryejë detyrën me devotshmëri, opinioni ngre dyshime për konflikt interesi.

Por reagimi i Bujar Nishanit ishte gërditës!

E kam parasysh Bujar Nishanin që të gjithë karierën e tij ia dedikon vetëm Sali Berishës! Për servilizëm shterrues.Nuk e zgjidhte askush president me votë popullore as deputet me garë të ndershme vlerash Bujar Nishanin.

E kam parasysh këtë Bujar Nishanin, që ka firmosur dekretet presidenciale për ambasadorë të dhëndërrit të Lenka Çukos e të tjerëve të kësaj kategorie nga nomenklatura ish-komuniste dhe këtë Bujar Nishanin që nuk firmosi dekretin për Ambasador të Visar Zhitit, një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe një të burgosuri politik në burgjet e diktaturës!

S’ka moral Bujar Nishani të bëjë moral lartë e poshtë, i ftuar në studio televizive ! As moral s’ka, as kapacitete dhe as merita!I ftuar tek News24, Nishani u shpreh se “ministri i ri i Brendshëm, gjeneral Sandër Lleshi, është një ekstremist politik që ka fyer kushtetutën”.

Do të qe skandaloze nëse do të ishte e vërtetë!

Por si fakt dihet se në 28 majin e vitit 2013, një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, presidenti i Republikës asaj kohe Bujar Nishani nënshkroi shkarkimin e ardhur nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami të tre gjeneralëve të FA, midis tyre gjeneral brigate Sandër Lleshi, i cili ishte edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!Gjeneralët e FA dhe zvshefi i shtabit shkarkohen vetëm për arsye madhore, për grusht shteti, tradhëti apo shkelje të Kushtetutës!

Nuk ekziston asnjë fakt i tillë për të lartpërmendurit, aq më tepër kur dihet se Sandër Lleshi e fitoi gjyqin. Kështu shkelësa të kushtetuetshmërisë dalin Arben Imami dhe Bujar Nishani, dy të emëruar politikë nga njëshi, që i janë falur njëshit sikur të jetë Atdheu dhe Kushtetuta.

Për arritjet personale si ushtarak s’kam se çfarë të them, por sa i përket karierës, majat më të larta Sandër Lleshi i arriti kryesisht kur ka qenë PD në pushtet, ndërkohë që opinioni publik nuk ka asnjë veprim të tij evidentues të ekstremistit apo të shkelësit të Kushtetutës. Ndërsa shkarkimi i tre gjeneralëve të FA një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare është një akt i paprecedent!

Prandaj komentet e Bujar Nishanit janë të pështira.

Sepse opinioni publik ka para sysh puthadorjen e llojit të Bujar Nishanit ndaj eprorit politik, pa të cilin puthadorësit e llojit të Bujar Nishanit nuk do të përfitonin asgjë nga ato që kanë përfituar. Populli nuk do t’i zgjidhte as presidentë, as nuk do t’i votonte dhe televizionet nuk do t’i intervistonin. Kategori si e Bujar Nushanit, nuk kanë kredite besueshmërie, pasi karierën dhe pushtetin e kanë të dhuruar jo të fituar me merita!

Prandaj Shqipëria ka nevojë për reformë zgjedhore, por kjo është temë tjetër!

Sa për Sandër Lleshin, ky e ka me merita gradën e gjeneralit të FA të Shqipërisë, partnere e Aleancës Verio-Atlantike.

Tani pritet të provohet si MB.

Përpara ka një detyrë shumë të vështirë!

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Gjeneral Sandër Lleshi, komentet

Në Liechtenstein, fqinjin e vogël të Zvicrës, në vitin e tij të 300-të

October 14, 2018 by dgreca

 Nga Skënder Buçpapaj, Elida Buçpapaj/
Udhëtimi ynë në Liechtenstein (Lihtenshtajn), më shumë se për kërshërinë dhe kënaqësinë tonë, është për hir të lexuesve tanë.

Me një ultësirë të butë, me një pllajë të bukur dhe një sfond madhështor shkëmbinjsh, është fare e thjeshtë ta krahasosh Lihtenshtajnin me Thethin tonë, në skajin verior të Shqipërisë. Edhe këtu, nga Rini i kaltër deri në qiellin e kaltër mbi Alpe, ajri është më i kulluar se loti dhe të afron tek sytë çdo pamje, sa të duket se për t’i prekur mjafton të zgjatësh pak dorën.

Ky fqinj i vogël, ngjason në shumëçka me Zvicrën, madje duket si përkryerje e mëtejme e së përkryerës, por nuk është maket i shkallës 260 me 1 i fqinjes së tij.

Është një ndër vendet më të vogla të botës; pas Vatikanit, San Marinos dhe Monakos është vendi me territorin më të vogël në Evropë. Është, si Zvicra, një ndër 44 vendet e botës pa dalje në det; është një ndër 41 nga këto vende me vetëm dy fqinj.

Si e ndihmoi fati Lihtenshtajnin dhe si e ndihmoi Lihtenshtajni fatin

Themelet e Lihtenshtajnit ndodhen mjaft larg prej këtu, në Austrinë Jugore, ku familja që më vonë do ta themelonte këtë principatë, kishte Kështjellën Liechtenstein, Kështjellën e Gurit-që-bën-dritë. Kështjella ishte e ndërtuar prej gurësh të bardhë, dhe meqë e bardha është sinonim i dritës, nga shpjegojnë mikpritësit tanë, ajo mori këtë emër. Emrin e kështjellës pastaj e trashëgoi familja e mëvonshme princërore dhe, prej tyre, e mori pastaj emrin ky vend, Principata e Lihtenshtajnit.

Familja Lihtenshtajn kishte çifligje dhe kështjella në Austri, Moravi, Silezi, Sllovaki e tjerë. Ajo kishte mbajtur marrëdhënie të mira dhe iu kishte bërë shërbime të vyera Perandorisë së Habsburgëve dhe Perandorisë së Shenjtë Romane të Gjermanisë. Në fillim të Shekullit XVII, për këto arsye, Karli I i Lihtenshtajnit, u shpall princ nga perandori i Mathias dhe u lejua të blejë çifligun Schelenberg dhe çifligun e Vaduzit. Më 23 janar 1718, Karli VI, Perandori i Perandorisë së Shenjtë, deklaroi bashkimin e dy çifligjeve dhe hapësirën e përbërë prej tyre e shpalli principatë, si shpërblim për shërbëtorin e tij besnik Anton Florian të Lihtenshtajnit. Principata, në këtë datë, u bë shtet sovran brenda Perandorisë së Shenjtë.

Ne pamë në Muzeun Shtetëror të Lihtenshtajnit fotokopjen e dokumentit origjinal të shitblerjes së çifligut të Shelenbergut. Por ky akt nuk është certifikata zyrtare e lindjes së Lihtenshajnit. Ditëlindje e tij njihet 15 Gushti, kur hyn në fuqi Kushtetuta e shtetit sovran të Lihtenshtajnit. Mikpritësit na e kujtojnë shpesh se jemi pjesë e atmosferës së festimeve të vitit të 299 të Principatës, që u shënua më 15 Gusht 2018, dhe jubileut të madh të vitit të 300 të saj, që do të shënohet më 15 Gusht 2019.Nga kjo datë, pavarësisht trazimeve të mëdha të historisë, Lihtenshtajni, nëpërmjet shumë kompromiseve dhe aleancave arriti ta ruajë sovranitetin e tij të paprekur.

U deshën 100 vjet që një princ të shkelte Principatën. Me pushtimet napoleonike, u krijua Konfederata e Rinit, ku princi ishte vasal i Napoleonit. Në vijim Principata do të ishte pjesë e Konfederatës Gjermane të kryesuar nga Perandori i Austrisë.

Elisabeth von Gutmann

Ndërmjet dy luftërave botërore, ndodhin ndryshime edhe brenda familjes princërore dhe në raportet e saj me Principatën. Më 1929, Princi Franc I, vjen në fron. Ai sapo është martuar me Elisabeth von Gutmann, lindur në Vjenë  (1875-1947 ) e bija e një biznesmeni hebre të fuqishëm nga Moravia. Megjithëse e konvertuar në katolike, elementët nazistë në Lihtenshatjan e shikojnë hebrejen si një problem për vendin. Në mars 1938, pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania, Princi Franc I emëron trashëgimtar nipin e tij 31 vjeçar Franc Jozef II. Në korrik të atij viti Franci I vdes dhe vjen në fron Franc Jozefi II. Pak ditë pas aneksimit të Austrisë, Princi Franc Jozefi II vjen përfundimisht të banojë në Vaduz. Ky është akti tejet vendimtar në fatin e mëtejshëm të Principatës. Veprimi tjetër: Lihtenshtajni mban qëndrim neutral gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndihmë e mbështetje ga Zvicra fqinje, familja princërore merr të gjithë thesarët nga çifligjet dhe pronat e saj nga Bohemia, Moravia dhe Silezia e i vendos në Vaduz.

Lihtenshtajni, një sukses ekonomik

Deri në vitet e Luftës së Parë Botërore, Lihtenshtajni mbante lidhje të ngushta me Perandorinë e Austrisë dhe me Perandorinë e Austro-Hungarisë. Rrënimi që solli lufta, e detyroi, më 1924, Principatën të bënte bashkimin doganor dhe monetar me fqinjen tjetër, Zvicrën. Kjo periudhë shënon hopin ekonomik që vijon edhe në ditët tona.

Ne jemi këtu me një grup gazetarësh të APES (Asosacioni i Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn) që kryesohet nga presidenti i shoqatës tonë Jean Musy. Dhe është e kuptueshme që të kemi mes nesh edhe mjaft gazetarë të profilit ekonomik. Në darkën që qeveria shtron për nderin tonë në Restaurant Park-Hotel Sonnenhof janë të pranishëm Dr. Daniel Risch, nënkryeministër dhe ministër për Ekonominë, Infrastrukturën dhe Sportin i Lihtenshtajnit dhe disa nga zyrtarët më të lartë të ekonomisë dhe finacave të këtij vendi. Janë të gjithë në moshë të re dhe relativisht të re. Të nesërmen në kohën e drekës ndërsa shëtisinim në rrugën kryesore do ta shihnim nënkryeministrin Dr. Daniel Risch, se si shkonte e vinte nga shtëpia në zyrë në kohën e drekës me biçikletë dhe për paralele sjellim ndërmend lluksin dhe korrupsionin e zyrtarëve më të lartë shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, ku varfëria dhe papunësia është plagë e rëndë shoqërisë. Zyrtarët më të lartë të shtetit të Lihtenshtajnit janë modestë si të një vendi kaq të vogël, por krenarë se janë të vetëdijshëm për stadin e përparuar ku ka arritur vendi i tyre dhe për përgjegjësitë e mëtejshme. Ata janë të hapur për pyetjet tona të pafundme dhe krejtësisht të drejtpërdrejta.

Tradita bankare e Lihtenshtajnit fillon më 1861, kur këtu hapet Banka e Kursimeve dhe e Pagesave. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, familja princërore filloi shitjen e stolive dhe objekteve të çmuara artistike, duke krijuar një bazë të shëndoshë financiare. Tarifat e ulëta të shërbimeve zgjeruan interesimin e kompanive nga e gjithë bota për t’i depozituar paratë këtu dhe, nga fundi i viteve 1970, Lihtenshtajni shndërrohet në një nga qendrat e fuqishme financiare të botës dhe bëhet një nga vendet më të pasura në botë. Më 2008 vendi u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik ndërkombëtar, sepse kompani dhe individë të ndryshëm nga gjithë bota përfitonin duke bërë depozitimet e tyre këtu dhe duke fshehur taksat në vendet e tyre. Në vitet vijuese Lihtenshtajni u tregua i vendosur të bashkëpunojë me qeveritë e vendeve të tjera duke dhënë informacionet e duhura për të gjitha rastet e pastruesve ndërkombëtarë të parave dhe për të promovuar imazhin e vet si qendër financiare botërore. Më 2015 u nëshkrua një marrëveshje taksash me BE-në për shkëmbimin automatik të informacioneve. Mario Gassner, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Tregut Financiar të Lihtenshtajnit, na tregon se vetëm dy javë pas ardhjes së tij në këtë detyrë,  mësoi në ekranin e tv-së kryetitujt e mediave botërore që jepnin lajmin e arrestimit të paraardhësit të tij në këtë detyrë. Zotëri Gassner i siguron bashkëbiseduesit gazetarë se gjithçka tashmë është vënë mbi shina të reja.

Me gjithë shkëlqimin e veçantë në sektorin e shërbimit financiar, Lihtenshtajnit nuk ka lejuar një ekonomi të njëanshme. Vendi, sipas statistikave të vitit 2016, ka 4567 sipërmarrje të regjistruara, pra një kompani për çdo 8 banorë, një primat botëror ky. Peshën e ekonomisë e mbajnë industritë e prodhimeve dhe të shërbimeve. Industritë janë: elektronikë, tekstile, instrumente precize, përpunim metali, farmaceutikë, e tjerë. Vendi prodhon grurë, misër, patate, verë e tjerë. Edhe turizmi zë peshë të veçantë. Mbi 90 për qind e prodhimit eksportohet.

Të flasësh për ekonominë e Lihtenshtajnit dhe të mos përmendësh industrinë e verës është e pamundur.  Principata e Lihtenshtajnit është një prodhues i verës. Vendi ka një klimë të përshtatshme për kultivimin e rrushit në shpatet malore, tokat gëlqerore me një mesatare prej 1,500 orësh me diell në vit. Ka mbi 100 vreshtarë në Lihtenshtajn që prodhojnë verëra të kuqe dhe të bardha në të cilat të varieteteve më të rëndësishme. Lihtenshtajni është pjesë e sistemit evropian të cilësisë së verës dhe klasifikimit ndërkombëtar të AOC. Kantinat më të famshme të verës janë “Hofkellerei des regierenden Fürsten von Liechtenstein”, të Princit të Lihtensteinit. Ne patëm fatin që të vizitonim edhe vreshtat, edhe kantinat në pronësinë e Princit dhe të shijonim lloje të ndryshme vrërash të mrekullueshme.

Një pjesë e madhe e kompanive lihtenshajnse veprojnë jashtë vendit. Lihtenshtajni punëson më shumë njerëz se numri i banorëve të tij. Të huajt e punësuar nga Lihtenshtajni, 20 239 veta (sipas statistikave të vitit 2016) janë kryesisht zviceranë, gjermanë dhe austriakë. Pra, gjysma e atyre që punojnë në Lihtenshtajn nuk janë banorë të tij.

Ne vizituam një nga kompanitë më të mëdha të këtij vendi, Ivoclar Vivadent AG, në Schaan, në fshatin më të madh të Principatës. Kjo kompani vepron me shumë filiale të saj në kontinente të ndryshme të botës dhe ka synim zbulimin e teknologjive të reja dhe prodhimin e lëndëve e pajisjeve të reja në industrinë dentare, duke u bërë kështu faktor botëror në këtë fushë. Qendra e kësaj kompanie është një kombinat i vërtetë, ne qëndruam aty një orë e gjysmë, por do të duheshin ditë të tëra për ta vizituar dhe për të pasur një ide të plotë për të.

Lihtenshtajni, një sukses diplomatik

“Këtu Shqipëria na mundi ne në futboll,” na tregon duke qeshur shoqëruesi ynë Joël Grandchamp, kur kalojmë pranë fushës së futbollit në Vaduz. 180 herë më i vogël se Shqipëria, Lihtenshtajni, me një sipërfaqe 160 km2, kryesisht malore dhe shkëmbore, ka një Prodhim të Përgjithshëm Vjetor sa gjysma e Shqipërisë.

Vendndodhja gjeografike, që, në rastin më të mirë, edhe mund ta kishte eklipsuar, dhe, në rastin më të keq, edhe mund ta kishte fshirë si nocion, është një faktor vendimtar për suksesin e Principatës. Në lindje dhe në veri, për 37 kilometra kufij, ka fqinje Austrinë; në jug dhe në perëndim, për 41 kilometra kufij ka fqinje Zvicën. Në gjithë perëndimin, është lumi Rin, ai që e ndan dhe prej vitit 1886, nëpërmjet dy urave, e bashkon me Zvicrën. Vetëm në fillim të vitit 1928 ky lum u tregua armiqësor ndaj Principatës, duke vërshuar dhe duke e mbuluar me gurë, drurë dhe baltë një pjesë të ultësirës perëndimore. Nga prilli deri në tetor të atij viti, me qindra vullnetarë, kryesisht nga Zvicra, Austria dhe Gjermania, punuan këtu bashkë me vendasit deri në shërimin e plotë të pasojave të vërshimit.

Duke ruajtur fqinjësinë e mirë me Austrinë, Principata i dha përparësi vendimtare fqinjësisë me Zvicrën. Ky fakt do të ndikonte fuqishëm në përcaktimin e identitetit të Principatës. Raportet e familjes princërore me qytetarët e saj, të karakterizuara nga besnikëria e ndërsjellët, kultivuar me të njëjtin kujdes, zell e zgjuarsi prej tyre, përbëjnë një faktor tjetër në përcaktimin e këtij identiteti. Bujqët e thjeshtë të çifligjeve, me zanafillë të hershme helvete, që krijuan Principatën, u bënë sipërmarrës, qeveritarë, ekonomistë, diplomatë, punonjës, qytetarë të suksesshëm të Principatës. Raportet me katolicizmin, fe zyrtare në Kushtetutë, dhe raportet e kësaj me fetë e tjera të qytetarëve dhe banorëve të Principatës, do të ishin gjithashtu përcaktuese të identitetit shtetëror dhe qytetar lihtenshtajnas. Në këtë vend, rreth 33% e popullsisë është me prejardhje të huaj, nga këta janë edhe 460 shqiptarë nga Kosova dhe 1 shqiptar nga Shqipëria. Principata e Lihtenshtajnit ka një qeveri pesë anëtarëshe dhe një parlament me 25 vende, që përfaqësojnë të zgjedhurit e popullit nga katër parti politike. Në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në garë 5 parti sepse njëra sapo ishte formuar kur e vizituam ne principatën.

Lihtenshtajni do të ndiqte në shumëçka shembullin e Zvicrës. Por më 1990, kur anëtarësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Lihtenshajni i paraprinte Zvicrës. Ndërsa më 1995, kur fqinja bënte referendum për anëtarësim ose jo në BE, Lihtenshtajni ishte aspak dyshues në zgjedhjen e tij: Ne jemi një shtet aq i vogël sa nuk mund të kemi ndonjë rol në gjirin e BE-së. Por atë vit u anëtarësua në EFTA (Shoqëria Evropiane e Tregut të Lirë) dhe në EEA (Hapësira Ekonomike Evropiane), më vonë në Hapësirën Shengen.

Në pritjen e saj në sallën kryesore të qeverisë, ministrja e Jashtme Dr. Aurelia Frick, që kishte studjuar në Universitetin e Fribourg dhe dokorua në Basel, ishte emëruar ne moshën 34 vjeçare ministre e Drejtësisë, e Punëve të Jashtëme dhe Kulturës,  u përqëndrua pikërisht në vizionin dhe përkushtimet e diplomacisë së Principatës. Në paraqitjen dhe në përgjigjet ndaj pyetjeve të shumta ajo dëshmoi qartësinë dhe zgjuarsinë me të cilat vendi i saj i ndjek zhvillimet ndërkombëtare dhe luan rolin e tij.

Zonja Doris Frick, ambasadore e Lihtenshtajnit në Bernë, një zonjë e mrekullueshme , e cila, bashkë me ambasadorin lihtenshtajnas në Gjenevë z. Peter C. Matt, na shoqëruan pothuaj kudo gjatë qëndrimit tonë në këtë vend, na thotë se Principata ka vetëm 8 ambasada dhe përfaqësi të përhershme, çka flet rreth përparësive diplomatike të Principatës. Ato janë: në Bernë, në Berlin, në Uashington, në Nju Jork, në Gjenevë, në Bruksel, në Strasburg, në Vjenë. Përveç ambasadave, Principata ka edhe Mision në BE, si dhe Përfaqësi të Përherëshme pranë OSBE-së dhe OKB Vjenë, në Gjenevë, OKB në New York, si dhe Strasburg. Në vendet e tjera shërbimet konsullore të Principatës i përfaqëson Zvicra.

Paqja është përmasë e përhershme e lihtenshtajnasve. Në gjithë historinë e kësaj hapësire nuk shënohet ndonjë betejë, përpjekje apo ndeshje me armë. Më 1868 Ushtria e Lihtenshtajnit, e përbërë nga 82 vetë, e cila nuk kishte marrë kurrë pjesë në ndonjë luftim, u shpërbë. Principata ka vetëm një trupë prej 82 policësh. Kriminaliteti është tejet i ulët dhe kryesisht i natyrës ekonomike. Vendi ka vetëm një burg. Të dënuarit me më shumë se dy vjet, mbi bazën e një marrëveshjeje, e vuajnë dënimin në burgjet e Austrisë. Në Lihtenshtajn flihet me derën hapur!

Lihtenshtajnasit janë njerëz paqësorë. Edhe natyra është paqësore me lihtenshtajnasit. Megjithëse kryesisht malore, Principata ka klimë të butë, me verë jo të nxehtë dhe me dimër jo të ashpër, ngaqë këu, në këtë stinë, nga Alpet fryn era e ngrohtë Föhn.

Një faktor kryesor për përparimin e gjithanshëm të vendit, shprehin bindjen mikpritësit tanë, është arsimi. E gjithë popullsia (pra 100%) mbi moshën shkollore e lart është e mirarsimuar. Shkollat fillore dhe të mesme lihtenshajnasit i ndjekin këtu, ndërsa arsimin e lartë e kryejnë kryesisht në Zvicër, në Gjermani dhe Austri. Prej disa vitesh vendi ka edhe Universitetin e tij publik me fakultetin e arkitekturës dhe atë të biznesit. Ka edhe një universitet privat me drejtim mjekësinë, si dhe një institut të lartë.

Principata ka një infrastrukturë tejet të zhvilluar rrugore. Prej vitit 1872 përshkohet nga linja hekurudhore që lidh Zvicrën me Austrinë. Në Lihtenshtajn janë katër stacione treni. 11 fshatrat e tij lidhen me linja autobusësh. Principata ka më shumë automjete se banorë. Tri të katërtat e tyre janë vetura dhe automjete për pasagjerë, çka përbën një tjetër primat botëror.

Primati botëror më i spikatur është ai i mirëqenies së popullsisë. Me Prodhim të Përgjithshëm Vjetor rreth 6 miliardë dollarë dhe një popullsi prej rreth 38 mijë banorësh Lihtenshtajni është vendi me mirëqenien më të lartë në botë. Ndërsa, nga përllogaritjet mbi bazën e fuqisë blerëse, të cilën në Vaduz e marrin si përcaktuesin e saktë, Lihtenshtajni është një ndër vendet me mirëqenien më të lartë në botë.

Vizitës tonë po i vinte fundi

Pierre-Michel Virot

Photography

Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, fqinjin e Zvicres, Liechtenstein, Skender Bucpapaj

Rudina Xhunga si trushplarëse e politikës!

October 8, 2018 by dgreca

2-elida

Nga Elida Buçpapaj/

Kemi mbi dy dekada që e shohim Rudina Xhungën në rolin e trushplarëses. Vetëm kështu i ka siguruar vetes vendin e punës, lluksin duke shijuar qejfin, jetēn, familjen dhe bukuritë e vendit të shqipeve.

Rudina Xhungës nuk i ka shkuar kurrë mendja që ta braktisë Atdheun! Rudina Xhunga është patriote! Lum partia dhe populli që e ka dhe e mba!

Në mbi çerek shekulli karierë, dy herë është ndjerë e kërcēnuar. Sikur tregon me gojën e saj, kur intervistoi Fatos Klosin dhe u ngrys në spital nga frika dhe kur e kërcënoi një sipërmarrës dy-tri javë më parë. Gjithë mediat e mbështetën kur u ndje e kërcënuar nga biznesmeni kriminel, përfshi edhe portali ku autorja e ketyre rradhëve është bashkëeditore.

Pjesën tjetër të karierës Rudina e ka kaluar mbështetur mbi shpatullat e ngrohta. Të nënës politikë!

Vetëm kësisoj mundi të bënte karierën dominuar nga roli si trushplarëse dhe konformiste me pushtetin politik.

Dikund thotë e shkruan ndonë fjalë a kolumnë me vend, ndërsa kusuret i mbështjell me varakun e manipulimit! E ka nga halli që të mos i cënohet lluksi i jetës që e ka fituar si trushplarëse. Ose ngaqë nuk do të mbetet pa vend pune apo të braktisë Atdheun. 20% nga kariera e Rudina Xhungës është dinjitoze 80 % manipulative.

Po të kalojë në Veting, si gazetare Rudina Xhunga do të duhej të ndryshojë profesion. Gazetaria e përjashton manipulimin dhe mospavarësinë politike!

Si trushplarëse, mbi çerek shekulli Rudina Xhunga është vlerësuar nga politika, duke startuar si kryeredaktore e Zërit të Popullit dhe pastaj mbi 20 vjet me një emision të personalizuar. Tani posa e kanë dekoruar me drejtimin e një emisioni të ri dhe Rudina Xhungës i duhet të elaborojē metoda të reja trushplarje.

Trushplarësit meritojnë të refuzohen nga opinioni publik. Jo të mbeten si peshku pa ujë, se trushplarësit nuk janë peshq, janë monstra që e kthejnë opinionin në lejfen duke ua imponuar të gëlltisin, sikur pensionistët ilaçet e skaduar, idiotësitë më idiote të alibive që nuk i besojnë as fëmijët në kopësht.

Trushplarësit thonë: gomari fluturon, Edi Rama është hallvë, shteti i tij është kadaif, ndërsa kriminelët janë ufo që zbresin nga kozmosi dhe rrënojnë shtetin social, Policinë e Shtetit, Teatrin Kombëtar!

Në rastin më të fundit, Rudina Xhunga në unison perfekt me Edi Rama anatemon oficerin Emiljano Nuhu, që sipas saj braktisi vendin e punës. Sipas Edi Ramës dhe Rudina Xhungës mafia, krimi, krimineli, krimi i organizuar, dhunuesit e Xhiseilës janë Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu!

Nuk do të merresha me Rudina Xhungën, sikur kjo të  mos i përkushtohet me mish e me shpirt manipulimit të krimit shtetëror kundër Xhisiela Malokut! Rudina Xhunga trushplan në mënyrë të përbindëshme kur thotë se “rasti i Xhisielës nuk është politik”, por social!

Rudina Xhunga i tjetërson dhe manipulon shkaktarët e katastrofës kombëtare. Ajo do të tërheqë opinionin publik me alibinë e saj diabolike, se sipas saj fajtor i poshtrimit të një jetimeje të shkretë nuk është Edi Rama, as Sajmir Tahiri, as Fatmir Xhafaj, as Taulant Balla, as kryepbashkiaku i Kavajës, as kryebashkiaku i Krujës, as deputeti i Krujës dhe klani i tij që kërcënuan me pistoletë oficerin e policisë të shtetit, por shoqëria që i prodhon apo që nuk i lufton kriminelët. Rudina Xhunga i thotë të zezës të bardhë kur opinioni e di shumë mirë se krimi ka lidhje me politikën dhe se është politika ajo që nuk lejon ndëshkimin e krimit sepse është unisuar me krimin!

Po ndalem tek Xhisiela Maloku, për të demonstruar inkriminimin e shtetit në apoteozë.

Vajza u përdhunua dhe u dhunua nga djali i deputetit të PS; deputeti i PS me klanin e tij në praninë e kryetarit të grupit parlamentar të PS, kryetarit të bashkisë të Krujës kërcënojnë me pistoletë në kokë oficerin Nuhu, i cili, kur sheh se shtetin e ka kundër, largohet nga vendi dhe, kur oficeri e denoncon krimin nga ku është, kundër Emiljano Nuhut përfshihet direkt kryeministri që i betohet dhe e kërcënon se do ta ndjekin si horr këmba këmbës, ndërkohë që Xhisielën e shëtisin në mënyrën më poshtruese nga televizioni në televizion që ajo të përsërisë se nuk është dhunuar kurrë nga djali i deputetit dhe se e ka krijuar gjithçka vetë, e ka shpifur vetë, duke rrezikuar burgosjen për dëshmi të rremë, ndërsa ti Rudina Xhunga edhe pas kësaj maskarade kriminale insiston se Emiljano Nuhu ka braktisur vendin e punës për të fituar azil, ndërsa krimi ndaj Xhiseildës nuk ka të bëjë as me politikën dhe as me shtetin!

Kësisoj nuk bën gjë tjetër, veç i bën autoportretin vetes, si trushplarëse, natyrisht si trushplarëse e politikës!

 

——

PS Më poshtë po sjellim opinionin e Rudina Xhungës ku fokusohet tek oficeri Emiljano Nuhu që sipas saj braktisi vendin e punës  dhe se sipas saj rasti Xhiseila nuk është çështje politike

Lufta ka nisur. Ti me kë je? –

Nga Rudina Xhunga

Dje isha e ftuar në një emision televiziv të ‘News 24’, drejtuar nga Ylli Rakipi dhe u ndjeva si peshku pa ujë.

Drejtuesi më sqaroi disa herë se bëhej fjalë për një çështje politike dhe si e tillë duhej trajtuar.
Unë refuzoj ta shoh si çështje politike rastin “Xhisiela”.
Po ta trajtosh si të tillë, i bie të thirren në zgjidhje vetëm Rama-Basha, ta diskutojnë analistët në studio dhe ta arkivojmë sapo nis çështja “Vrasja te Blloku”. Këto nuk janë çështje politike. Janë çështje kombëtare.
Çështjen ‘Xhisiela’ nuk e zgjidh dot vetëm dëshmia e Nuhut, se ai e braktisi punën dhe vendin.
Këtë nuk mund ta zgjidhin, as vetëm gazetarët e kronikës, as analistët, as moderatorët, as portalet, as gjykatat, aq më pak publiku që bombardohet me informacion që e mpin dhe demotivon. Mbrëmë mendova pikërisht për publikun, gjatë emisionit. Unë isha e ftuar dhe u ndjeva e përjashtuar nga fraza: kjo është politikë. Po publiku si ndihet, po t’i thuash këtë?
Sigurisht i mënjanuar, i paftuar në zgjidhje, se po është politike, e dinë “ata”.
Por jo, nuk është politike, është kombëtare.
Përplasja me krimin, pushtetin e më të fortit, që po iu tek, të përdhunon, të vret dhe ia hedh, është çështje kombëtare. Kjo nuk është më, as vetëm çështje e policisë dhe prokurorisë. Polici e prokurori është njeri si unë e ti. Ka frikë se është i dobët në një shtet, ku ligjin e bën i forti. I forti paguan politikën, grupet e armatosura dhe medien.
Dhe forcohet gjithmonë e më shumë. I dobëti, më e pakta ul kokën, të mbushë lotarinë amerikane.
Dhe kështu po zbrazemi.
Ndaj çështjet e të fortëve e qyteteve, lagjeve e shtëpive tona, nuk janë me çështje politike, janë çështje kombëtare. Është e kotë të fshihemi pas gishtit, në debate që orientojnë politikisht dhe politikanë me alibira tabulatesh. Është më shumë se kaq, është më thjesht se kaq. Është vetëm një pyetje, që duhet t’i bëjmë vetes: Do të lejojmë të na përzënë nga ky vend?
Nëse jo, nëse nuk kemi atdhe tjetër, e kemi detyrim të mos lejojmë të na thonë, kjo është politikë.
Joooo, krimi është çështje kombëtare.
E ushqen nënshtrimi ynë, ndaj atyre që bëjnë drogë, prostitucion, krim dhe korrupsion.
Na duken të zotë, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e kanë me ne.
Po nëse Nikla është larg, dje erdhi në Bllok, nesër të vjen në shtëpi. Është çasti që nuk ka kthim pas.

Tani nuk ka qytetar, biznesmen, punonjës administrate, gazetar, prind që mund t’i lejojë vetes luksin të mos bëhet palë.
Përballë janë dy mentalitete, dy mënyra jetese, dy lloj njerëzish. Ata nuk janë pushtet e opozitë, por të punës dhe të punëve të pista.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë Ramës dhe Bashës, tani është: Ju me kë jeni? Ne nuk e kemi shansin të mos bëjmë pyetje, se palët tani janë përballë. Nuk është Rama dhe përballë Basha, Xhafaj dhe përballë Noka.
Janë ata, që punojnë dhe ata që prostituojnë, janë ata që presin rrogën dhe ata që s’u duhet rroga, janë ata që heshtin dhe ata që vrasin, janë ata që zhvillojnë biznese dhe ata që u vënë gjoba bizneseve, janë ata që besojnë në ndershmëri dhe ndjeshmëri,  dhe ata që tallen me këto e të këpusin kokën, po u preve rrugën, sikur edhe rastësisht.
Gjithmonë ata që bëhen me të keqen, bërtasin më shumë, ndaj duken pak ata që rreshtohen me të moralshmen.
Tani është momenti të numërohemi.
Ndaj ngrije dorën! Ti me kë je? Sepse lufta ka nisur. Dhe nuk është lufta PS-PD. Është lufta e krimit me shoqërinë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Rudina Xhunga, trushplarëse

“Vetëvrasje” mafioze në Gardën e Republikës….

October 4, 2018 by dgreca

…. që hedhin hije të forta dyshimi tek krerët e shtetit për derisa nuk shoqërohen as me dorëheqje dhe as me hetime./

–“Vetëvrasjet” në Gardën e Republikës si “eleminime dëshmitarësh” inkriminojnë krerët e shtetit /

Capture-4

Nga Elida Buçpapaj/

Dy “vetëvrasje” në Gardën e Republikës brënda tre muajve! Disa ditë më parë u dha lajmi se në ambientet e Gardës të Republikës u vetvra gardisti 30 vjeçar Arjol Mançe. Pa asnjë lloj hetimi, menjëherë erdhi alibija nga Policia e Shtetit.

Vetëm pak orë pas vrasjes të gardistit 30 vjeçar, që kishte shërbyer edhe në trupat Komando në Afganistan, Policia e Shtetit nxiton të japë versionin zyrtar se i ndjeri Arjol Mançe “kishte kryer aktin e rëndë të vetëvrasjes në kushte të rënduara psikologjike dhe se pak minuta përpara se të vetëvritej, Mançe paska lënë edhe një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, ku paska paralajmëruar fatin tragjik. Ai thoshte: “Do vras veten, do iki nga kjo botë”, thuhet në versioin zyrtar të Policisë. Arjol Mançe po ashtu ai i dërgon edhe një sms të jatit ku e lajmëron se po vetëvritet.

Kopsitje perfekte nga mjeshtër të krimit, që nuk kanë frikë nga hetimi, pasi çdo qelizë e Policisë të Shtetit është në duart e sigurta të Fatmir Xhafajt!

Ministria e Brendëshme konfirmon “vetëvrasjen” disa orë pas vrasjes, kur do të duhej që menjëherë të niste hetimi dhe të shpalleshin disa pista përveç asaj “të rëndimit psikologjik”, si “vrasje për shkak të detyrës”, “likuidim për larje hesapesh”, “likuidim si dëshmitar” etj.!

Aq më tepër kur është rasti i dytë brënda një periudhë kohore tepër të shkurtër pas “vetvrasjes” të shoferit të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Vetëvrasja e Arjol Mançes si copy paste me atë të gardistit Shkëlzen Qordja.

I njëjti skenar vrasje sikur vrasja e shoferit të Fatmir Xhafajt.

Natën gjatë shërbimit në ambientet e Gardës të Republikës “vetëvritet” 31 vjeçari Shkëlzen Qordja, oficeri i gardës dhe shoferi i Ministrit të Brendshëm.

Gardisti Shkëlzen Qordja para se të ishte shofer i Fatmir Xhafajt kishte qenë shofer i Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë.

Policia e Shtetit asaj kohe njoftoi dyshimin se viktima ishte “vetëvrarë” me armën e shërbimit dhe nuk u hap asnjë pistë hetimi.

Përpara aktit makabër Shkëlzen Qordja i kishte dërguar mesazh nënës të shkretë!

A mund të ishin këto mesazhe drejtuar prindërve të detyruara me forcë përpara likuidimit ?!

A nuk kemi parë filma me mafie që kriminelët i detyrojnë viktimat të shkruajnë letra e të bëjnë telefonata!

A nuk mund të jetë pistë kryesore hetimi që lidhet me “vetëvrasjet” e djemve 30 vjeçarë të Gardës të Republikës ajo e eleminimit të dëshmitarëve  ?

Aq më tepër kur viktimat kanë patur edhe lidhje me emra që janë në krye të shtetit shqiptar?!

Natyrisht që po!

A ka parë më shumë se duhet Arjol Mançe dhe Shkëlzen Qordja, ish shoferi i Agasit dhe Xhafajt ?

“Ndonjëherë duhet të shtiresh sikur nuk kupton për të parë deri ku arrin mashtrimi i disa njerëzve”, shkruante në Facebook Arjol Mançe!

Pa dyshim që “vetëvrasje” të tilla inkriminojnë shtetin shqiptar dhe rrënojnë në shterrim kredibilitetin dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Policisë dhe shtetit të së drejtës!

Shteti i vret gardistët natën dhe në mëngjes jep mandatin se janë “vetëvrarë”!

Më së paku, Fatmir Xhafaj, i ndyrë edhe nga historia me të vëllain mafioz që e dorëzoi në burgjet e Italisë pas pilafit, do të duhej që menjëherë të dorëhiqej dhe të kërkonte hetim për shoferin e tij të “vetëvrarë”, sikur do të duhej të kërkohej hetim edhe për rastin e “vetëvrasjes” të Arjol Mançes.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Garda e Republikes, Vrasje mafioze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT