• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pas mospranimit në Bruksel, Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër

May 14, 2018 by dgreca

  • Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet./

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Pas dështimit të takimit të tij në Bruksel, Prof.Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër. Gjithmonë në gjoja kuadrin e Vitit të Skënderbeut, Tirana zyrtare me paratë e taksapaguesave sjell nëpër diasporë njerëzit e vet. Diaspora ka identitetin e vet dhe është e drejta e saj që të ftojë figurat që do ajo, jo të imponuara nga Tirana apo Prishtina zyrtare.

Siç dihet, Ambasada e Shqipërisë në Belgjikë organizoi një konferencë me panelistë që i përzgjodhi sipas shijes të Ditmir Bushatit, që do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

Por Ditmir Bushati nuk mund të bënte ligjin në disaporën shqiptare të Begjikës, që u anullua për shkak të reagimit të diasporës shqiptare aty, e cila nuk pranoi që zoti Xhufi mbante kryereferatin pas deklarimeve të tij rreth Kampit famëkeq të Tepelenës.

Sulejman Gjana, një nga figurat kryesore të diasporës shqiptare në Bruksel në një shkrim të tij e sqaroi qëndrimin e diasporës shqiptare atje duke nënvizuar shkakun se “përse në Bruksel nuk ka vend për historianin Pëllumb Xhufi.”

Në këtë shkrim zoti Gjana vuri në pah se e çmon veprën shkencore të Prof.Xhufit, “por assesi jo pozicionimin e tij si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste”. Pëllumb Xhufi shkoi në Bruksel pikërisht “kur në Shqipëri kishte plasur debati lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë dhe Xhufi ishte pozicionuar rishtas si “apologjet i krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke komprometuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike”, vuri në spikamë në shkrimin e tij zoti Gjana.

“Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit, nënvizoi zoti Gjana.

Është e qartë se Tirana zyrtare kërkon të bëjë ligjin në diasporë sipas stilit të Sulejman Bushatit, ish-anëtarit të KQPPSH dhe babait të kryediplomatit Ditmir Bushatit. Por diaspora do t’i thotë “Jo”!

Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!

Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet.

Pas kësaj Prof.Xhufi do të reagonte duke thënë se ai do të ketë takimet të tjera nëpër Europë, duke përmendur Zvicrën.

Zvicra është një bastion i njohur i enveristëve dhe krahut ekstremist shqiptar. Prof.Xhufi vjen në Zvicër.  Nuk merret vesh se kush e ka ftuar Prof.Xhufin. Ka disa shoqata që ambasadat shqiptare i përdorin si zara. Nga ana tjetër, Prof.Xhufi mikpritet nga ambasadori Ilir Gjoni.

Prania e Xhufit në Gjenevë në krahë të Ambasadorit Ilir Gjoni duket si sfidë që i bëhet diasporës shqiptare në Bruksel:

Edi Rama, përmes ambasadave, ku janë të emëruar elita me prejardhje nga ish-nomenklatura diktatoriale, ka vendosur që të merret me organizimin e diasporës shqiptare, sipas stilit të kohës të Mërgatës të Qyqeve.

Por gabon kohë. Sot problemi i sigurisë në vendet europiane, përfshi Zvicrën, ka marrë një rëndësi të dorës të parë dhe kjo nuk toleron politikat subversive të Edi Ramës! Edi Rama e provoi vetë se si e pritën gazetarët zviceranë gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër, një vit më parë, sa që ata gazetarë të Shqipërisë që ai i quan kazan iu dukën lule.

Edi Rama nuk mund të bëjë ligjin në Zvicër! Edi Rama nuk ka legjitimitet të bëjë ligjin as në Shqipëri! Në Shqipëri është shpërdorues i pushtetit, në Zvicër është vetëm një vizitor!

Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej vitit 1997 është vënë në funksion të çorganizimit të diasporës shqiptare, sikur ka qenë gjatë diktaturës, duke bërë organizime për të faktorizuar njerëz në shërbimin e vet klientelist dhe më gjërë.

Në vitin 1997, Ambasadori i asaj kohe në Bernë do të thërriste përkthyesit shqiptarë, duke iu dhënë direktiva për të dëmtuar dhe penguar shqiptarët që kishin kërkuar azil politik në Konfederatën Helvetike dhe duke vënë në përdorim të gjitha mjetet e propagandës staliniste kundër njerëzve që i cilësonte si armiqtë e regjimit që u instalua më 1997. Kjo politikë e mbrapshtë vijon edhe sot. Diplomacia shqiptare kërkon të faktorizojë rrjetin e vet në dëm të identitetit dhe unitetit të diasporës.

Vdekja e Rugovës dhe ardhja në pushtet e Hashim Thaçit prej 2007, krijoi kushte për çoroditjen e diasporës në Zvicër, ku shqiptarët nga Kosova përbëjnë shumicën dërrmuese. Thaçi ka mbështetur organizma që marrin fonde dhe shërbejnë si marioneta të politikës së Prishtinës dhe Tiranës. Kështu, për shembull, drejtoresha e e shoqatës OJQ që njihet me emrin e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi, gruaja e ish-Ambasadorit të Kosovës, është kunata e Armela Krasniqit, ish zëdhënëses së Edi Ramës, tani emëruar prej tij drejtoreshë e ATSH-së.

Po kujtoj një fakt. Babai im Vehbi Skënderi u masakrua nga regjimi komunist. Prej 1996 deri sa vdiq më 13 qershor 2011, ai jetoi dhe krijoi në Zvicër, ndërsa Ambasada e Shqipërisë ka mbajtur qëndrim kriminal dhe poshtërues përmes indiferencës dhe injorimit.

Politika e injorimit është burgu, persekutimi, arma e ftohtë dhe kallashnikovi i Tiranës zyrtare në diasporë!

T’i themi të gjithë “ndal” kësaj politike të helmatisur me urrejtje ndërshqiptare!

Nëse Edi Rama do të kishte ndjekur politika shtetformuese në shtetin amë këta pesë vjet, le të vinte edhe në Zvicër, por ai Shqipërinë e ka kthyer në republikë droge, ndërsa diplomacia e tij është diplomacia e demagogjisë së hashashit!

Enverizmi duhet të ndalet me ligj, që kësisoj të ndalin aktivitetin e tyre në Zvicër edhe shoqatat enveriste. Në Zvicër këto shoqata promovojnë librat e diktatorit dhe të Nexhmije Hoxhës, këtu vijnë dhe promovojnë të njëjtat libra njerëz me lidhje me politikën, ndërsa Tirana zyrtare bën politikë ekskomunikuese kundër figurave të diasporës.

Në Zvicër jeton një komunitet shumë i madh i shqiptarëve, rreth gjysmë milioni, por është tërësisht i përçarë nga politika. Ky komunitet ka fuqi të mjaftueshme për t’i thënë ndal instrumentalizmit politik të diasporës, duke u marrë si shembull diaspora e Belgjikës. Ambasadat e Shqipërisë nuk i përkasin një “tufëze” apo “arëze”, ato i takojnë gjithë diasporës! Përfaqësuesit e vendit janë shërbyes të shtetit jo të pushtetit politik, sepse paret e tyre i marrin nga taksapaguesit! Nëse Prof.Xhufi do të denonconte krimet e komunizmit, ai do të ishte e mirëpritur në Bruksel e kudo! Diplomacia e Tiranës nuk mund të bëjë politika trushplarjeje në diasporë! Nuk do ta lemë! Diaspora është jona, jo e Edi Ramës, as pushtetarëve të tij!

Tirana zyrtare po shpenzon paret e taksapaguesave për të instrumentalizuar diasporën në një vegël të politikave të tyre të pista. Aty ku mundin. Dhe Zvicrën e shohin si një mundësi. Se në Belgjikë apo në SHBA nuk mund ta bëjë dot në dritë të diellit. Natyrisht, në SHBA apo në Belgjikë enveristët nuk gjejnë shesh të hapur veprimi, ndërsa në Zvicër po. Vizita e Prof.Xhufit në Zvicër ishte në këtë kuadër, si sfidë e diasporës së Belgjikës.

Edhe turi politik i Pandali Majkos, që ka premtuar para për celulat e partisë në diasporë, është një veprim i hapur mafioz për të paguar marioneta me paratë e taksapaguesave. Pandeli Majko ka premtuar hapjen e 36 qendrave kulturore të përbashkëta me Kosovën nëpër Europë për celulat partiake, çka duhet të ndalohet me çdo kusht si keppërdorim i fondeve publike për interesa të pushtetit politik jo të shtetit demokratik. Edi Rama dhe Hashim Thaçi shpërndajnë dekorata dhe para për grupacione në shërbimin e tyre politik dhe të enverizmit! Ky është korrupsion i hapur!

Diaspora shqiptare duhet të ndalë me të gjitha mënyrat demokratike organizmin politik të diasporës me stilin e Edi Ramës, Hashim Thaçit, enveristëve apo të tjerëve!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Gjoni, Kampi i Tepelenes, Pëllum Xhufi, Rama, Sulejman Gjana

Kombi ju përulet me nderim Sepse jeni Bijtë e tij!

May 12, 2018 by dgreca

Untitled

Gabohesh prof Fuga- Eugent Bushpepaj,nje mrekulli bashke me Eleni Foureiras dhe Ermal Meten/

ELIDA BUCPAPAJ

Nga Elida Buçpapaj/

Në vend se të mrekullohej Prof.Fuga se e kishte rastin,  ka shpërthyer gjithë pezëm në një status që i kundërvihet këngës Mall të Eugent Bushpepës i cili ngriti në këmbë gjithë Altice Arena në Lizbonë për performancën po ashtu edhe shqiptarët kudo ndodheshin!

Kjo këngë i plotëson të gjitha ato që Prof.Fuga thotë se i mungojnë.

Kënga e Eugent Mushpepës është me identitet europian, është një rok i mbështetur në folkun e traditës shqiptare.

Ku i kishte veshët Prof.Fuga që nuk e kapi mozaikun e folkut shqiptar si pjesë e së gjithës europiane ?!

Ndërsa zëri i Eugentit i paparë, që të le pa frymë!

Eugent Bushpepa ka bërë paraqitjen më moderne të Shqipërisë, duke mos e harruar Rona Nishliun me Suus, si një kanautor me të gjitha prerogativat për të qenë krenari shqiptare dhe europiane. Me një zë të jashtëzakonshëm që e bëri prezantuesen e televizionit zviceran, sepse prej këtij kanali po e ndiqnim Eurosong, të shprehej në superlativa për zërin e këngëtarit shqiptar! Wow çfarë zëri!

Gara e sivjetme e EuroSong që po mbahet në Lizbonë të Portugalisë ishte shumë kompetitive, të gjitha vendet kanë sjellë aty më të mirët e tyre. Ka zëra, muzikë, tekste dhe performanca!  Edhe sikur të mos kishte arritur të kalonte garën, ne të gjithë shqiptarët duhet t’i ishim mirënjohës Eugent Bushpepës se na paraqiti mrekullisht. Kështu reagoi Zvicra, për përfaquesit e Konfederatës Helvetike, motër e vëlla Corinne Gfeller e Stee Gfeller, që nuk mundën të kalonin me Stone, por bënë një paraqitje të shkëlqyer dhe Zvicra i përgëzoi dhe nxori në pah meritat e këngëtares që ishte vërtetë për t’u lavdëruar.

Ka qenë diçka e rëndomë paraqitja jo me standarte e Shqipërisë në EuroSong, zakonisht për mungesë të këngës, ku fituesit e Festivalit të Këngës ishin të zgjedhur për interesa të zhurisë, por kësaj here kënga dhe këngëtari ishin për standing ovation!

Prof.Fuga duket ka qenë me humor të keq, sepse nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në këngën e Eugent Bushpapës nuk ka vënë re asgjë, as rrënjët, as folklun, as zërin, fytyrën dhe shpirtin e një Artisti të madh shqiptar që të bën t’i heqësh kapelen e t’i ngrihesh në këmbë sepse të gjithë suksesin e ka arritur me talendin dhe mundin e tij.

Nga ana tjetër EuroSongu i 2018 është shumë i veçantë sepse është një demonstrim ala grande i gjenisë dhe talentit shqiptar, në Shqipëri i ndrydhur dhe i burgosur nga politika, ndërsa jashtë atdheut shpërthyes dhe viktorioz e triumfues.

Sivjet bashkë me Eugent Bushpapën nga shteti amë, Italia konkuron me Ermal Metën, ndërsa Qipro me Eleni Foureira. Të tre janë të magjishëm, vinë me zhanre të ndryshme, pop, folk rok dhe një përzierje e etno folk me pop, por bashkohen tek talenti dhe gjenia shqiptare që është unike dhe na bën të jemi krenar !

Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me plehrat e politikë shqiptare, plehrat e politikës nuk kanë asgjë të përbashkët me gjakun dhe talentin shqiptar, por ne jemi prindërit, vëllezërit e motrat, gjyshërit e gjyshet, e bashkatdhetarët e Eleni Foureiras, Eugent Bushpepës dhe Ermal Metës dhe ndihemi plot me shpresë! Shpresën na e jep potenciali i tyre, që shpreh potencialin kombëtar!

Të tre artistët na e zbardhin faqen me talentin dhe punën e tyre gjigande që i bëri të ngjiten në skenat botërore duke e nisur jetën nga zero si emigrantë.

Janë njerëz të ndershëm së pari! Kështu tha prezantuesja e Zvicrës për familjen e Eleni Foureira-s, se i jati i saj është murator, ndërsa nëna rrobaqepëse, por duke jetuar në Europë ata arrijnë tek suksesi, sado e  vështirë qoftë gara, shumë e vështirë, tepër e vështirë por e ndershme, ndërsa në Shqipëri gara është gjithmonë e pistë! Eugent Bushpepa bën përjashtim!

Urimet më të mira Eugent Bushpepa!

Urimet më të mira Eleni Foureiras !

Urimet më të mira Ermal Meta!

Urimet më të mira për treshen shqiptare!

Kombi ju përulet me nderim. Sepse jeni Bijtë e tij!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ermal Meta, Eugent Bushpepa, Eurovizion, Fuga

Futuni në lëkurën time !

April 17, 2018 by dgreca

1 BucpapajPoezi nga Elida Buçpapaj/

Futuni në lëkurën time
ta shihni botën
me sytë e diellit
ta prekni
me duart e gjetheve
ta ndjeni
me zemrën e harabelëve

futuni në lëkurën time
të digjeni
nga jetët e pajetuara
të fëmijëve
lindur në kampet e internimit
atje ku si nëpër krematoriume
digjej adoleshenca
nga inkuizicioni
i indiferencës
i njerëzve që ngrohnin duart
në zjarrin
ku shkrumboheshin eshtrat
e mijra ditëve të vrara
të bijve
të armikut të partisë
që edhe në shekullin e XXI
të Steve Jobsit
vazhdon t’ju lërë të katandisur
në teneqe
të çjerra
me duar prej thikash
të ndryshkura që
e vrisni poezinë
e jetës
në errësirën
e kolektivitetit elitar të
sysorrave
që derdhin lotë
të acidta krokodilësh

kur provova të hyja
në lëkurën tuaj
sikur hyra në një
shtëpi të agjitpropit
nën brutalitetin e
altopartantëve
të gazrave
të partisë
që ju i thithni
me pipa luksi
si parfum parizian

dola me vrap
prej asaj humbelle
ku zoqtë nuk pranonin
të ndërtonin
folezat e tyre
atje ku jetonin veç
çakejte dhe kojotat
me maska fytyrash njeriu
të tornuar nga
kazma dhe çekani
i partisë
me një tru të përbashkët
kolektiv
të kurdisur
në mënyrë uniforme
ku tingujt e gërmave
arratisen
sepse nuk pranojnë
të formojnë fjalë të shkretuara
me shpirt të tharë
si lulet artificiale
pa pjalm dhe nektar
të destinuara
për flutura dhe bletë
artificiale
dhe për popull artificial !

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Futuni, në lëkurën time !

Pandeli Majko larg duart nga diaspora!

April 16, 2018 by dgreca

Diaspora nuk ta ka nevojën ty Pandeli Majko, se ti i vjen diasporës me qëllime të mbrapshta, për ta përdorur politikisht./

1 elida bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Pandeli Majko, minister i PS për diasporën, është në një tur partiak nëpër botë në takim me diaporën shqiptare të larguar nga Atdheu  prej 27 vitesh, sepse në Shqipëri mungon perspektiva.

Janë 3 milionë Shqiptarë të shpërndarë nëpër botë që e kanë nisur jetën nga zero në Perëndim dhe që tashmë janë integruar duke siguruar të ardhme për brezin e ri.

Nga Shqipëria po ashtu ka ikur truri, shkak ekonomia e dobët, pasiguria dhe institucionet e shtetit që nuk reflektojnë sistemin Perëndimor.

Në esencë, qeveria dhe qeveritarët shqiptare nuk pyesin për qytetarët në Shqipëri, që i kanë degraduar në mjerim, pale të pyesin për shqiptarët e diasporës.

Turi partiak i Pandeli Majko ka qëllim organizimim e diasporës në rrang militantësh dhe strukturash klienteliste për ta përdorur për qëllime politike.

I them shqip dhe shkoqur Pandeli Majkos: larg duart nga diaspora!

Sepse diaspora do t’ju presë me manifestime proteste!

Ju ia keni vënë vizën popullit që keni aty dhe deri sot nuk keni treguar as interesin minimal për diasporën, e cila është e vetmja që ndikon pozitivisht në ekonominë shqiptare.

Turi i Majkos në diasporë është abuziv. Sepse, me paret e taksapaguesave, ai është duke i shërbyer partisë në dëm të interesit kombëtar, duke shkelur kushtetutën me qëllim përçarjen e diasporës.

Diaspora nuk ta ka nevojën ty Pandeli Majko, se ti i vjen diasporës me qëllime të mbrapshta, për ta përdorur politikisht.

Po fokusohem në ndaljen tënde më të fundit. Në Zvicër.

Diaspora shqiptare në Zvicër përbëhet nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Shqipërisë. Një komunitet që shkon rreth gjysmë milionë, nga ku pjesa më e madhe janë të natyralizuar. Kjo bën që si shifër zyrtare të njihet si komunitet me mbi 200 mijë. Shqiptarët nga shteti amë shkojnë rreth 1500 përgjithësisht të natyralizuar edhe këta.

Diaspora e Kosovës në Zvicër është një nga burimet kryesore jetike në vendlindje, ku papunësia shkon në 70 % dhe qeverisja është e krimbur prej nepotizmit, klientelizmit dhe korrupsionit.

Pa diasporën Kosova nuk do të mbijetonte dot. E, megjithatë, burimet financiare që qeveria e Kosovës i ka gjoja me destinacion diasporën, i përdor për të mbështetur në diasporë segmente në shërbimin e saj klientelist dhe në dëm të interesit të përgjithshëm të diasporës.

Shqipëria po ashtu. Ambasada e Shqipërise në Zvicër pothuaj nuk kryen asnjë aktivitet që lidhet me komunitetin nga shteti amë. Këtë e them edhe si pjesë e komunitetit dhe si botuese e portalit voal.ch, i vetmi me origjinë nga Shqipëria që është i mirëinformuar. Voal.ch është portali me lexueshmërinë më të lartë në diasporë. Dy botuesit e saj, Skënder Buçpapaj dhe unë, jemi të akredituar në Institucionet e Konfederatës Helvetike dhe integruar në të gjithë organizmat për gazetarë në Zvicer, por Edi Rama dhe zëdhënësit e tij e kërkojnë shtypin ta kenë  vegël të pushtetit të tyre. Promovohet interesi partiak në dëm të atij që ka vlerë për të mirën e përgjithëshme. Jo më kot raporti i fundit i Freedom Hause e rendit Shqipërinë në vendet ku liria e shtypit censurohet.

Majko e vizitoi Zvicrën bashkë me ministrin e diasporës të Kosovës. Të dy e shmangën kontaktin me komunitetin. Vizita e tyre u mjaftua në takimet me disa shoqata me të cilat kanë bashkëveprim interesash.

Takimet ishin të konsumit propagandistik dhe të rrangut partiak. Kjo shkon në dëm të interesave të komunitetit. Qeverite shqiptare kanë ngritur me njerëzit e tyre në diasporë një ngrehinë prej rëre që do të rrëzohet menjëherë sa të fillojë funksiononimi i shteti i së drejtës në Kosovë e Shqipëri.

Kjo kërkon një organizim të diasporës larg logove politike për të patur ndikim në vendet nga vijnë, duke mos u shfrytëzuar vetëm për remitancat.

Zvicra është modeli shembullor i trajtimit të diasporës të saj që e konsideron Zvicra e Pestë, krahas Zvicrës gjermanofone, frankofone, italofone dhe romançe.

Ky ballafaqim e diskrediton turin e Majkos këtu.

Të dy ministrat e diasporës u takuan edhe me përfaqësues të LAPSH-it, Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër. Ky takim shënoi edhe kulmin e pafytyrësisë së kësaj vizite, sepse shkollën shqipe në Zvicër mund ta ndjekin vetëm 3% e fëmijëve, që do të thotë se 97% e fëmijëve shqiptarë nuk e dinë shqipen, edhe ata 3% e njohin sa ua lejon frekuentimi i shkollës për tri orë një herë në javë. Fëmijët e flasin në familje në formë dialektale dhe me një fjalor shumë të kufizuar. Kam patur rastin të jem në kontakt me ta, dhe është e dhimbshme kur sheh se breza të tërë humbin gjuhën shqipe. Shtetet shqiptare mbajnë përgjegjësi, por përgjegjësi kryesore natyrisht mban edhe komuniteti, i cili vijon të ketë organizim partiak.

Pandeli Majko u takua me militantë të politikës, një grusht i vogel njerëzish pa asnjë ndikim në diasporë, por që kanë përfituar grante financiare apo gratifikime pa i merituar, në kuadrin klientelist.  Po ti mbledhesh të gjithë ata me të cilët është takuar Majko dhe ministri i Kosovës, takime që janë reflektuar me fotografi në webfaqen e Ambasadës të Shqipërisë,  nuk e bëjnë as njëqind vetë. Nga këta 100 vetë nga Shqipëria ishte vetëm Ambasadori me ndonjë tjetër syresh, të tjerët janë nga Kosova.

Në faqen online në Facebook të Ambasadës shqiptare në Bernë bëra një koment, të cilin ma censuruan dhe po ashtu më hoqën të drejtën e komenteve. Shkelën Kushtetutën për një nga liritë kryesore të njeriut, sikur ështē liria e fjalës. Në komentin tim kisha shkruar: Pandeli Majko nuk u takua me komunitetin shqiptar nga Shqipëria. Ai u takua vetëm me Ilir Gjonin. Thashë mendimin tim që përkonte me të vërtetën. Dhe i bëj thirrje atyre që menaxhojnë këtë faqe të më kthejnë edhe komentin edhe të të drejtën për të bërë komente. Shqipëria nuk është pronë e tyre, as shteti shqiptar nuk është pronë tyre!

Ministri shqiptar dhe zyrtarët e lartë publikë, përfshi diplomatët, harrojnë kryesoren: se rrogat e larta nuk ua jep PS, por taksapaguesit shqiptarë dhe ata janë të detyruar t’i shërbejnë e binden Kushtetutës. Kushtetuta e konsideron shkelje dhe shpërdorim abuzivizmin partiak.

Pandeli Majkon e pyes se sa i ka kushtuar turi partiak? Nga SHBA, Kanada dhe nëpër Europë, Hotelet, dietat, udhëtimet. Dhe i kërkoj që t’i kthejë ato para në arkën e shtetit, sepse korrupsioni nuk ka brirë. Turi i Pandeli Majkos është totalisht abuzim dhe shpërdorin detyre. Politika deri tani vetëm i ka prishur punë diasporës!

Publikut a i kujtohet Taksa Majko e Rrugës të Kombit? Ku shkuan gijthë ato para me të cilat nuk ndërtua as rruga dhe asnjë urë!?

Përkundrazi Pandeli Majko vjen në diasporë me paret e taksapaguesëve, që ta thellojë zullumin dhe përçarjen e diasporës me stilin e njohur të kohës së Mërgatës së Qyqeve.

Po diaspora i njeh shumë mire se cilët janë politikanët e Shqipërisë, sepse ju sheh çdo ditë nga televizionet shqiptare kur foltoren e Parlamentit e përdorin për të pështyrë njëri-tjetrin, ndërsa kryeministri përdor zhargonin e rrugës kundër popullit që deputetët e PS e quajnë poezi.

Larg duart nga diaspora, Pandeli Majko!

Dorëzoje portofolin ministror dhe paret e këtij institucioni profiter hidhi në arkën e shtetit për të rritur pensionet e shqiptarëve.

Ke 27 vjet që jeton me paret e taksapaguesve. Nuk ke bërë asnjë orë punë në jetën tënde, ndërkohë që shqiptarët qofshin të PS apo PD pas 42 vitesh punë marrin vetëm 100 Euro pension ne muaj.

Larg duart nga diaspora! Unë do të të kërkoja të largoheshe edhe nga politika Pandeli Majko.

Bëji bilancin vetes. Ke 27 vite përfitim nga xhepi i varfër i këtij populli të cilin e keni katandisur në degradim të skajshëm!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, larg duart, nga diaspora, Pandeli majko

Në rolin e avokatit të djallit

April 10, 2018 by dgreca

Prof.Pëllumb Xhufi në rolin e avokatit të djallit! /1 elida3Nga Elida Buçpapaj/

Në Shqipërinë londineze ka plasur një debat iracional mes historianit të njohur Prof.Pëllumb Xhufi dhe shkrimtarit Agron Tufa, i cili ka kohë që i është përkushtuar katharsisit të shoqërisë shqiptare duke denoncuar krimet e diktaturës.

Iniciativat e tij, në vend se të mbështeten nga elita dhe shoqeria, e kthejnë Tufën në shenjestër, duke e demonizuar si përçarësi, antikombëtari, luftëndjellësi Jug-Veri e gjepura të tilla.

Është e trishtueshme kur sulmi antiTufë kryesohet nga historiani Xhufi, i cili shfaqet si avokati i diktaturës duke stimuluar “krime” të Agron Tufës për gjoja denigrim të luftës nac-çlirimtare, marrje ne mbrojtje te kolaboracionistëve, përçarje kombëtare e të tjera bllofe si këto.

Debati Tufa-Xhufi shpërtheu kur Kampi i internimit i Tepelenës u krahasua me të drejtë me Auschwitz-in, çka shkaktoi revoltë tek Prof. Xhufi, se, sipas tij, nuk mund të krahasohet Hitleri me Enver Hoxhën! Është skandaloze se si një dijetar si Prof.Xhufi nuk pranon shenjën e barazimit midis krimeve naziste me ato komuniste, kur Perëndimi krimet e Hitlerit dhe ato të regjimeve komuniste i klasifikon si krime kundër njerëzimit. Kjo mosdije nuk i falet Prof.Xhufit.

Në daljet e tij në publik, Prof Xhufi e ka ringjallur famëkeqin historian të diktaturës Prof. Arben Puto.

E kam denoncuar Arben Puton që ne vitin 1991 kur mori në drejtim Komitetin e Helsinkit të të drejtave të njeriut. Nuk kishte të drejtë morale as si historian i diktaturës dhe as si kunati i Manush Myftiut, njerit prej xhelatëve më mizorë të regjimit totalitarist. Prof.Arben Puto nuk mori në mbrojtje viktimat, por persekutorët!

Nuk shoh lidhje midis Xhufit dhe Putos, pa marre parasysh se Xhufi eshtë martuar me të bijën e nipit të diktatorit Hoxha.

Prof.Pëllumb Xhufi është dhëndri i Luan Omarit, nipit të Enver Hoxhës, por edhe birit të Bahri Omarit, të cilin Hoxha, megjithese kunat, e eleminoi nga të parët në kasaphanën e diktaturës. Natyrisht që Pellumb Xhufi është një nga të privilegjuarit e regjimit komunist, por ai si historian dhe njeri i arkivave i njeh si pakkush krimet e regjimit kriminal.

Prof.Xhufi për nga përgatitja që ka mund të formulonte argumentat për të akuzuar diktaturën Hoxhiste për genocid kundër popullit, pasi regjimi totalitarist Hoxhist ka ekzekutuar krime jo vetëm duke eleminuar kundërshtarët politikë, por edhe duke i vrarë për së gjalli gratë, pleqtë, fëmijët dhe familjarët e kundërshtarëve politikë. Janë me mijra fëmijë që janë lindur, rritur e jetuar për 40 vjet në kampet e internimit, viktima të shkeljes së të gjitha të drejtave njerëzore. Janë me mijra jetë të mohuara nga regjimi diktatorial! Jetojnë ende 1000 të mbijetuar të kampit famëkeq të Tepelenës, si viktima të gjalla për të dëshmuar Auschwitz-in shqiptar. Edhe Spaçi e Burreli ishin Auschwitz-e! Në diktaturë Spaçin dhe Auschwitzi-in e jetonin shqiptarët edhe në mes të Tiranës.

Krimet e diktaturës janë krime kundër njerëzimit. Si të tilla ato duhen denoncuar dhe dënuar. Kjo është rruga e vetme drejt Shqipërisë europianiste. Historia nuk retushohet. Ahmadinexhadi e quajti legjende false Holokaustin sikur po e mohon Aushwitzin e Kampit te Tepelenës Prof. Xhufi. Retushimin e historisë e bënin vetëm diktatorët dhe historianët e diktaturës.

Kjo është e vërteta. Prof. Pëllumb Xhufi as nuk e mohon dot dhe as nuk e manpulon dot historinë.

Denoncimi i diktaturës është detyrim kombëtar, kush i fsheh krimet e diktaturës kryen vepër antikombëtare.

Janë vetë të internuarit në Kampin famëkeq të Tepelenës që tregojnë se aty mbizotëronin familjet e ardhura nga Veriu. Përse e shqetëson Prof.Xhufin ky fakt? Diktatura e konsideronte Veriun reaksionar, por pa kursyer aspak as Jugun, as gjirokastritët, as të afërmit e familjes, as katolikët dhe as myslimanët.

Prof. Xhufi thote se “në fillim të viteve ’90 në Shqipëri flitej që burgjet e diktaturës të ktheheshin në muzeume të terrorit, ndërsa u harrua plotësisht të flitej për to në fillim të shekullit XXI.” Po është e vërtetë, këtu ka shumë të drejtë. Politika shqiptare me në krye PD, bashkë me historianët shqiptarë pa integritet, e kanë çuar në amnezi kolektive gjithë shoqërinë shqiptare. Amnezia kolektive e kthen shoqërinë shqiptare nënnjerëzore, sipas vepres së Vladan Gjeorgjeviçit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”që e përmend Prof.Xhufi por në sens krejt të kundërt. Shqiptarët kthehen në njerëz me bisht kur nuk reagojnë ndaj krimeve të kryera nga një regjimi kriminal, që i trajtoi njerëzit barabarisht si në kampet e shfarosjes naziste!

Prof.Xhufi vihet në pozitë shumë profane kur në fushatën për ta bërë Enverin më të mirë se Hitlerin, atakon Prof.Sami Repishtin, ndergjegjen e gjallë të viktimave të diktaturës, vetë viktimë e regjimit dhe dëshmitar i barbarisë kriminale komuniste. Prof.Sami Repishti i ka përshkruar në librat e tij “Pika loti” tregime burgu dhe “Nën hijen e Rozafës” krimet e barbarisë komuniste kundër njerëzve krejt të pafajshëm.

Vepra Rrno për me tregue e At Zef Pllumit është një tjetër aktakuzë kundër diktaturës komuniste shkruar nga një tjetër viktimë e regjimit hoxhist.

Qendrimi indiferent i elitës shqiptare ndaj krimeve të diktaturës është antikombëtar, antikombëtare është edhe çdo lloj avokature që i bëhet regjimit barbar të diktaturës.

Nuk ka asnjë kontraversëri në klasifikimin e Kampit të Tepelenës si Auschwitzi i diktaturës Hoxhiste. Siç e nënvizova më sipër, Auschwitz është edhe burgu i Spaçit, edhe burgu i Burrelit, Auschwitz-e jane edhe kampet e tjera të internimit.

Denoncimi i Auschwitze-ve shqiptare nuk i ndan as përçan shqiptarët, as nuk cënon luftën çlirimtare kundër nazizmit.

Denoncimi i krimeve te diktaturës duhej të ishte detyrë e historianëve. Është cinike dhe poshtruese për vendin kur historianët e Shqipërisë nuk janë në gjendje të venë shenjën e barazimit midis Hitlerit dhe Enver Hoxhes, kur Perëndimi e ka caktuar 23 Gushtin, ditën e paktit sovjeto-nazist Molotov- Ribentrop, nenshkruar më 1939 midis Stalinit dhe Hitlerit, si Ditën europiane të kujteses – Black Ribbon Day – e viktimave të ideologjive totalitare, specifikisht regjimeve totalitare komuniste, staliniste, naziste dhe fashiste.

Europa Perëndimore, nga buron sistemi demokratik i vlerave, e ka vënë shenjën e barazimit midis Enver Hoxhës dhe Hitlerit, ndërsa Prof.Xhufi ende jo! Dhe këtu mbaron debati. Prof.Xhufi me nervozizmin e tij elitar nuk mund të shkaktojë më konfuzion, as të ndryshojë standardet e gjykimit të diktatorëve. Këtij konfuzioni, që në Shqipëri ka zgjatur 27 vjet, duhet t’i vijë fundi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, në rolin e avokatit të djallit, pellumb xhufi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT