• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

March 25, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hague me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.

Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”

Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.

Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?

Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.

Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.

Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.

Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.

Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.

Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

UKRAINA, SIRENË ALARMI

March 20, 2014 by dgreca

Condoleezza Rice: Nga mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, përfitojnë duke marrë guxim vetëm ”diktatorët dhe ekstremistët e llojllojshëm anë e mbanë botës.”/                          

Nga Frank Shkreli/

Condoleezza Rice ka shërbyer si Sekretare e Shtetit nga viti 2005 deri në vitin 2009 në adminsitratën e Presidentit George Bush dhe njihet si një zë me kompetencë në politikën e jashtme dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare.  Në një kryeartikull  disa ditë më parë për gazetën e kryeqytetit amerikan Washington Post mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainë, ajo shkruan se ngjarjet e fundit në Ukrainë, janë një alarm për të gjithë ata që mendojnë se nuk është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të marrin përsipër përgjegjësitë e një udhëheqsi botëror.   Condoleezza Rice shpreh shqetsimet e sajë mbi atë që ajo sheh si një rol gjithnjë e më pasiv nga ana e Amerikës në çështjet ndërkombëtare. Ajo komenton se Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërhiqen nga arena ndërkombëtare dhe ”nuk mund të ulin zërin kur bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, duke lejuar të tjerët të udhëheqin”.   Siç duket në një kritikë të drejtë për drejtë ndaj administratës së Presidentit Obama, ajo tha se nga mosangazhimi i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, përfitojnë duke marrë guxim vetëm ”diktatorët dhe ekstremistët e llojllojshëm anë e mbanë botës.”   Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, në komentin e saj për Washington Post, paraljamëron se heqja dorë nga luajtja e rolit udhëheqës në botë nga ana e Amerikës do të krijojë një boshllëk që më në fund do të “mbushet nga ekstremistë të al-Qaedas në Irak dhe në Siri, si dhe nga diktatorë të tipit Putin e Bashar Al Assad, i cili me mbështetjen e Iranit dhe të Rusisë masakron popullin e vet, si dhe nga retorika nacionaliste dhe nga masat e Pekinit që kanë shkaktuar përgjigje nacionaliste nga aleatëja jonë Japonia…”

Ish agjenti i policisë sekrete sovjetike KGB-ës, Vladimir Putin është shprehur në të kaluarën se tragjedia më e madhe e shekullit 20-të ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.  Kondoleezza Rice thotë në krye-artikullin e saj se ndonëse problemi me Ukrainën nuk është diçka e re, ajo shkruan se Rusisë duhet t’i bëhet e qartë se masa të tilla të mëtejshme nuk do të tolerohen dhe se, ”integriteti territorial i Ukrainës është i paprekeshëm.”  Ajo mirëpriti masat e njoftuara  deri tani nga administrata e presidentit Obama kundër Rusisë, por shkruan se, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një plan afatgjatë për t’iu kundër-përgjigjur deklaratës së Putinit në lidhje me të ardhmen e Europës pas Luftës së Ftohtë.  Zonja Rice shkruan se me agresionin e tij, “Putini po i thotë botës se Ukraina nuk do të jetë kurrë më e lirë të vendosë vet fatin e saj — një mesazh ky që ka për qëllim të bëjë jehonë edhe anë e mbanë Europës Lindore dhe vendeve Baltike — se Rusia ka interesa të veçanta dhe se ajo do t’i ndjekë për t’i realizuar ato, me çdo çmim.”  Ajo thotë se Putini do e këthej orën mbrapa, për derisa ekziston një hesitim angazhimi serioz nga ana e Përendimit për të kundërshtuar avanturat e tija.

Ish-Kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara thotë se Moska nuk është immune ndaj presioneve dhe se ne duhet të ushtrojmë një strategji afatgjatë dhe me durim, por mbi të gjitha ajo thekson se tani , “Gjëja më me rëndësi është që të rivendoset roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në komunitetin ndërkombëtar”, dhe që Amerika të mos duket “e lodhura dhe e mos interesuar” për ato që ndodhin në botë.

Kondoleezza Rice sugjeron në artikullin e saj, se midis masave të tjera, Shtetet e Bashkuara duhet t’i shtrijnë dorën rinisë së Rusisë, sidmos studentëve dhe profesionistëve të rinjë, shumë prej të cilëve janë duke studiuar në universitetet amerikane dhe që janë të punësuar në firma perëndimore duke shtuar se, “për të realizuar ambiciet e tyre, forcat demokratike në Rusi kanë nevojë për mbështetjen amerikane.   Ata, dhe jo Putini, janë e ardhmja e Rusisë”, përfundoi Zonja Rice.

Kondoleezza Rice ka të drejtë. Agresioni dhe pushtimi i Krimesë si dhe kërcënimet e Putinit për të rivendosur rolin dhe infleuncën e Rusisë në ish republikat sovjetike, me pretekstin për të “mbrojtur pakicat ruse të kërcënuara”, është një rrezik jo vetëm për Ukrainën dhe ish-republikat sovjetike, por është edhe një sfidë për të gjithë botën, duke rrezikuar rendin dhe paqën botërore. Rusia e Putinit ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë diktatorë të tipit Viktor Yanukovich, multimiliarderit të pasuruar në kurriz të popullit ukrainas, si dhe regjime jo demokratike anë e mbanë botës. Ukraina nën regjimin e Yanukoviç u varfërua, u demoralizua dhe si rrjedhim u destabilizua gjëndja duke shkaktuar ndërhyrjen agresive të Rusisë. Për më tepër, Putin-i mbështetë udhëheqsit dhe regjimet jo-demokratike edhe jashtë asaj që ai konsideorn si zonë e influencës së Moskës,  duke filluar nga Siria e Irani, e deri tek Venezuela,  me fjalë të tjera — kudo dhe këdo që tregohet armiqësor ndaj interesave të lirisë dhe demokracisë dhe kundër inetersave perëndimore, në radhë të parë të kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. S’do mendë se kriza e krijuar në zonën e Euroazisë është rezultat i drejtë për drejtë i  asaj që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry e ka cilësuar si “një akt i paturpshëm agresioni dhe një shkelje e obligimeve ndërkombëtare” nga ana e Rusisë së Putinit.  Por është edhe rezultat i një politike strategjike revanshiste, por të gabuar të Putinit,  një përpjekje nga ana e tij për të zhberë atë që ai ka thënë se ishte një “tragjedi’, — shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik.  Është kjo një politikë katastrofale dhe fatkeqe, për jo vetëm për Euroazinë, por edhe për mbarë Europën dhe  botën.  Fatkeqsia tjetër në këtë mes, qendrimi i perëndimit  gjatë këtyre viteve karshi Vladimir Putinit. Ashtu siç komentoi edhe dje në një editorial, gazeta Washington Post, “Se Adminstrata e Presidentit Obama dhe aleatët e saj Europianë janë treguar tepër të ngadalshëm që të kuptojnë se Putin-i është i vendosur të ndryshojë rendin e pas Luftës së Ftohtë në Europë dhe të rivendosë dominimin e humbur të Rusisë mbi Europën Lindore, në zonën e Kaukazit dhe Azinë Qendrore”,  thuhet editorialin e saj me titull: ‘Obama nuk kupton ambiciet e Putinit në Euroazi’. Editoriali i Washisngton Post  përfundon duke thënë se, “Kriza në Europë nuk po ndodhë për arsye se atje u përhapën institucionet  dhe influenca perëndimore, por përkundrazi, për arsyen se, Perëndimi nuk plotësoi premtimin e bërë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, për një, ‘Europë të tërë dhe të lirë’.  Kritikë kjo me vend e editorialit të Washington Post për politikën ekonomike dhe ushtarake  të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian karshi ish-vendeve komuniste.  Të shpresojmë se cilat do qofshin masat e marra tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, të mos jenë të paka dhe tepër të vonuara.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Condoleeza Rice, Frank shkreli, SIRENË ALARMI, Ukraina

REAGIME NDAJ ANEKSIMIT RUS TË KRIMESË

March 18, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ndër reagimet e para  ndaj grabitjes së Krimesë nga Presidenti rus Vladimri Putin,  Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama njoftoi vendosjen e sanksioneve më të ashpëra kundër Rusisë ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, duke ngrirë llogaritë bankare dhe pronat e 11 zyrtarëve ruse, përkrahës të ngushtë të Putinit dhe të grabitjes së Krimesë nga Rusia.  “Ne jemi duke e bërë të qartë se masat e tyre kanë pasoja”, tha Presidenti Obama, ndërsa nënshkroi urdhërin për vendosjen e sanksioneve kundër bashkpuntorëve të Putinit.   Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se janë në plan të njoftohen edhe sanksione të tjera ekonomike kundër Rusisë.  Si një reagim tjetër nga Washingtoni ndaj krizës në Ukraine, Shtëpia e Bardhë vendosi të dërgonte Zëvëndës Presidentin, Xho Bajden për një vizitë dy ditëshe në Varshavë, për bisedime me udhëheqsit më të lartë të Polonisë.   Në itinerarin e udhëheqsit amerikan përfshihen edhe takime me presidentët e tre vendeve baltike, Estonisë Lituanisë dhe të Letonisë. Këto janë vende që kufizohen me Rusinë ose janë afër saj gjeografikisht.  Megjithëse janë anëtare të NATO-s, nga përvoja e tyre historike, kanë arsye të jenë të shqetësuara nga avanturier grabitqar,  Putin.   Nënpresidenti  Biden tha  gjatë vizitës në Poloni se ajo që ka bërë Rusia me Krimenë, është rrëmbim territori i një vendi tjetër. Në takimin e tij me Kryeminsitrin Doland Tusk, Zoti Bajdën theksoi se Rusia do të izolohet politikisht dhe ekonomikisht dhe se Moska do të përballet me sanksione të tjera.  Ndërkaq,  një zëdhënse e Shtëpisë së Bardhë njoftoi të martën se  Presidenti Barak Obama ka ftuar udhëheqësit  e shteteve aleate për një takim të ngutshëm në Evropë, javën e ardhshme, për të diskutuar mbi masa të mëtejshme në përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Sanksionet e njoftuara nga administrata e Presidentit Obama  shkaktuan reagime të shpejta edhe nga përfaqsues të partisë Republikane në opozitë.  Senatori veteran i republikanëve dhe ish-kandiditati për president Xhon Mekejn, tha se administrata e Presidentit Obama duhet të bëjë një rivlersim të gjithanshëm të marrëdhënjeve  të saj me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se “Gjendja e krijuar në Ukrainë nevojitë një përgjigje me serioze nga ana e Shteteve të Bashkuara”.  Senatori Mekejn  gjithashtu është shfaqur i habitur se pse në deklaratën e Presidentit Obama nuk u përmendën ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën, një vend sovran që është pushtuara nga Rusia, si dhe ndihma për disa vende të tjera që mund të kërcënohen nga Rusia, si Gjorgjia dhe Moldova.  Në një intervistë me CNN, Senatori Mekejn e cilësoi Rusinë si një qendër karburanti, që pretendon të jetë shtet, dhe si një ”kleptokraci, e korruptuar, një komb, ekonomia e të cilit varet krejtësisht nga nafta dhe gazi.”  Ndërsa senatori republikan që përmendet si kandidat i Partisë Republikane për president, Senatori Rand Paul, duke evokuar ish-presidentitn Reagan dhe politikën e tij karshi ish-Bashkimit Sovjetik, tha  në një artikull se, “nuk ka prioritet më të madh për Kongresin amerikan se mbrojtja e Shteteteve të Bashkuara. Presidenti Reagan nuk ishte i paarsyeshëm as nuk nxitohej për tu futur në luftë. Presidenti Reagan i këshillonte kundërshtarët e Amerikës që të mos keq intrepretonin ngurrimin tonë për luftë si një shenjë  mungesë vendosmërie.  Për atë çfarë Amerika ka nevojë sot, tha Senatori Paul, “është një udhëheqës i cili do të mbrojë interest e këtij vendi dhe i cili projekton fuqinë amerikane, por i cili nuk nxitohet për luftë.”

Ndërsa në Bruksel, Ministri i jashtëm gjerman,  Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi nga Brukseli se vendosja e sanksioneve  kundër Rusisë duhet të lerë të hapura mënyrat dhe mundësitë për mënjanimin e keqësimit të situatës, që mund të çonte në ndarjen e Europës.”  Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Zoti Anders Rasmussen u citua të ketë thënë të martën se me aneksimin e Krimesë, Rusia është duke ndjekur një “rrugë të rrezikshme”.

Mirëpo, disa ekspertë mendojnë se masat e njoftuara nga Presidenti Obama mund të jenë të paka dhe se tani është koha për marrjen e masave më të rrepta kundër Rusisë.  Majkël Singh i Institutit  Washington tha se masat e njoftuara nga Presidenti Obama këtë javë, duheshin njoftuar javë më parë. A sugjeroi gjatë një interviste në rrjetin televiziv Fox, se masa të tjera që ndoshta Shtetet e Bashkuara po mbajnë në reservë tani për tani, sipas tij, duhet të merren menjëherë — siç janë sanksionet kundër industrisë ruse të armëve dhe oligarkëve të tjerë rusë. Tani, shtoi ai, kemi nevojë për masa më të guximshme dhe më të shpejta.

Edhe media amerikane ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Krime dhe ndaj qendrimeve amerikane në lidhje me grabitjen e Krimesë nga Rusia.  Gazeta dhe Washington Post thotë se, Zoti Obama po përmbahet nga marrja e masave më të rrepta, ndërkohë që po i ofron Putinit  kohë që të tërhiqet me nderë nga masat që ka ndërmarrë.  Ndërsa kjo nuk është një politikë e pa-arsyesshme, thotë Washington Post, kjo nuk ka mundësi të dalë me sukses, nëqoftse Putini është i vendosur në qëndrimin e tij, siç duket se është, për të goditur rëndë Ukrainën, ndërkohë që injohoron reagimet dhe paraljamërimet e Përendimit.  Washington Post thotë në editorialin e saj se nuk është vonë që Putini të detyrohet të ndryshojë politikën e tij karshi Ukrainës, por kjo do të nevojitë që Përendimi të miratojë dhe të ndërmarrë masa që me të vërtetë do të ndikojnë rëndë në ekonominë ruse dhe i bën thirrje  Përendimit të mos presë për të reaguar pas agresionit të ardhëshëm të tij, por të marrë masa paraprake.

Ndërkaq, gazeta New York Daily News thotë se opcionet përballë të cilave gjëndet Presidenti Obama në lidhje me pushtimin rus të Krimesë, janë të kufizuara, dhe fajëson Zotin Obama për pavendosmërinë e politikës së tij, duke thënë se kostoja për të rivendosur kredibilitetin amerikan në fushën ndërkombëtare është rritur tani.  Gazeta e New Yorkut thotë në editorialin e saj se, ”E vërteta është se plogështia dhe pavëndosmëria e politikës së presidentit Obama inkurajon agresorët.  Objektivi i marrjes së masave të forta kundër Kremlinit nuk është që të shkohet në luftë me Putinin.  Por qëllimi i masave të rrepta është që të kontrollohet agresioni i udhëheqsit rus, para se lufta të bëhet një opcion i paevitueshëm.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Reagim ndaj aneksimit, te Krimese

FAN NOLI – DIPLOMATI

March 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Fan S Noli dhe udheheqesit e komuniteteve te tjere ne SHBA me Presidentin Amerikan Woodrow Wilson me 4 Korrik 1918/

Dyzet e nëntë vjetë më parë, më 13 mars, 1965 ndërroi jetë në shtetin Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  shqiptaro-amerikani i madh, Peshkop Fan Noli,  ndërsa 15 Marsi shënon përvjetorin e normalizimit të marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1991.  Fan Noli ishte promovuesi dhe  vazhdon të jetë simboli kryesor i këtyre marrëdhënjeve të ngushta e miqësore midis dy kombeve.  Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënjeve, mbi të cilat ndërtuan  edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten trashëgimia e tij.   Noli ishte udhëheqës kishtar, diplomat, burrshteti, politikan, autor e poet, orator dhe komentator, madje, ndër të tjera, edhe muzikolog.  Këta dy përvjetorë  janë një rast që të  mos harrohet  roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e  diplomacisë, jo vetëm midis dy kombeve tona, por edhe në fushën ndërkombëtare, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Në kuadër të aktiviteteve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u fol për rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur presidentin amerikan Woodrow Wilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Woodrow Wilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se “Një zë do të kam në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.  Ishte ky një angazhim i presidentit Wilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë. Megjithëse arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare janë të shumëta dhe të mëdha, roli i tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetsimi i tij me Presidentin amerikan Wilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe roli i tij dhe sidomos elokuenca që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet, besoj se eventualisht do i njohë historia si kulmore të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar.   Gazeta angleze London Daily Mail  kishte venë re në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrshtetasin më të aftë të Ballkanit.

Ndërsa, gazeta amerikane New York Times e datës 16 Mars, 1965 në njoftimin për vdekjen e Fan Nolit në Florida,  duke shkruar për jetën dhe arritjet e tija gjatë jetës, mbi të gjithë veprimtarinë e tij, në mënyrë të veçantë thekson rolin që Noli luajti në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.   Gazeta e njohur amerikane shkruante në lajmin nekrologjik për vdekjen e Nolit se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve duke e cilësuar veprimtarinë e saj si “flluska që i merr era”.   New York Times shënonte se, pasi foli për veprimtarinë pesë vjeçare të Lidhjes, Noli kritikoi Lidhjen duke u thënë delegatëve se “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive.”

Në pjesën tjetër të fjalimit para delegatëve të Lidhjes së Kombeve, përfaqsuesi shqiptar, Fan Noli foli nga një pozitë morale, që kur të merret parasyshë situata e sotëme në botë, e bën atë fjalim aq aktual sot, sa ç’ishte edhe 90-vjetë më parë.  Fan Noli iu drejtua delegatëve të botës së atëhershme me porosinë se paqa në botë fillon në familje. Ai iu drejtua delegatëve duke theksuar se “Ne duhet t’i mësojmë fëmijtë tanë se vrasjet në masë janë njësoj si vrasja e një individi.  Ata duhet të mësohen se “zotërat” e fiseve tona janë burimi i të gjitha të këqiave që kanë munduar e torturuar njerëzimin gjatë shekujve. Ata duhet të mësohen se ekziston një Zot i vetëm e i vërtetë, Zoti i gjithë njerëzimit, i të gjitha fiseve.  Ata duhet të mësohen që të bëhen qytetarë të ndershëm të Supershtetit që bashkon të gjitha fiset….Kur fëmijt tanë të kenë mësuar këto të vërteta themelore… atëherë ne do të kemi bashkpunim të vërtetë midis të gjitha racave, për një botë në paqë,  të përparuar dhe me begati ndërkombëtare.” (Cituar nga portali Frosina)

Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, 49 vjetë më parë, profesor Ernest Koliqi  kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 të revistës së tij Shëjzat e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nepër kumbim të ligjiratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”.  Ernest Koliqi shkruante se përfaqsuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqsuesi i Greqisë, duke përdorur  “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqitëte nji grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesmarrëse për të mos pranue Shqipninë”.   Përfaqsuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqitnin ”nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, do t’u krijonte me shtet shqiptar, nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.”  Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, shkruan Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari….. që vetvetiu rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek.”

Ernest Koliqi vazhdon duke shkruar për rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, se ai ishte “Një prelat shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh. Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi.  Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumenta e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtzakonshme kulturore.  “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjith ato veti të rralla”,si Fan Noli, pyet Profesor Ernest Koliqi, dhe shton se, “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë.  Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi.

 

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqsve më të dalluar të jetës politikës dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqsues i denjë i të të drejtave të Shqiptarëve kudo.  Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili  me veprat e tija kombëtare, në vazhdimësi nderon kombin shqiptar dhe  sipas një komenti të gazetës britanike, Manchester Guardian të vitit 1924, kujtojmë “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike.

Ndërsa, Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën Dielli me rastin e 100-vjetorit të lindjes, ka shkruar se Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e njerëzimit mbarë, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që  vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nepër të cilën Shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashigimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.

Kjo “portë” për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqsisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak për arsye të kundërshtimeve të të huajve dhe ma shumë për arsye të një politike përçarse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluar.    Në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian dhe realizimit shumë shekullor të aspiratave të shqiptarëve, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo të cilës, fatkeqsisht, i vjen era interesa ekonomike dhe financiare, në kurriz të partneriteteve vërtetë strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë.  Kur një vend shprehet për marrëdhënje të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.  Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar.  Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën shumë ngusht, me shumë armiq të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miqë, në krahasim me situatën e sotëme. Por,  fatbardhësisht Shqipëria atëherë  mbijetoi, falë atdhedashurisë dhe  patriotizmit pa interesa, të  burrave si Fan Noli, të cilët mbronin interesat e vërteta të kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht të sprovuar strategjikë.  Sepse, Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, i cili synonte edhe për shqiptarët zbatimin e vlerave dhe standardeve universale.  Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica kishin vendosur Bostonin — kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme  patriotike dhe diplomatike shqiptare — në të njëjtin nivel me qëndrat e lëvizjeve patriotike shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin.  Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku ti mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.

Filed Under: ESSE Tagged With: diplomati, fan noli, Frank shkreli

AMERIKA KËRKON DREJTËSI PËR VËLLËZËRIT BYTYQI

March 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me 8 Korrik të këtij viti mbushen 15 vjetë ç’prej kohës që tre shtetas amerikanë, tre sokola trima shqiptaro-amerikanë, tre vëllëzërit e rijnë të familjes Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën pasi u arrestuan nga policia serbe, ndërsa—në një akt humanitar — po përcillnin disa anëtarë të minoritetit roma të kalonin kufirin për në Serbi, aksidentalisht kaluan në territorin serb dhe u arrestuan.  (Në vitin 1999, ata kishin lënë familjen e tyre në New York dhe së bashku me nja 400-luftëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Brigadën e Atlantikut shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj kundër forcave terroriste serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.)  Zhdukja dhe vrasja barbare e vëllëzërve Bytyqi ndodhi pothuaj menjëherë pasi mori fund ndërhyrja e NATO-s dhe pasi u çlirua Kosova.  Për t’i ra shkurt historisë së tyre të hidhur, për kalimin e kufirit ilegalisht midis Kosovës dhe Serbisë, ata u liruan pas dy javë burg, me urdhër të një gjykatësi serb por, sipas të dhënave, ata nuk dolën kurrë nga burgu dhe për pothuaj dy vjetë askush nuk dijti gjë rreth fatit të tyre.  Sipas të dhënave të zyrtarëve diplomatikë amerikanë të cilët e kanë ndjekur këtë çështje gjatë viteve, vëllëzërit Bytyqi, megjithëse ishin liruar nga burgu me urdhër të një gjykatësi serb, ata nuk u liruan por u morën me forcë nën kontroll nga forcat speciale kriminale të Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë dhe pasi u ekzekutuan në mënyrën më barbare, u hodhën në një varrezë masive së bashku me nja 75 shqiptarë të tjerë të vrarë nga Kosova.  Pasi Slobodan Millosheviqi humbi zgjedhjet në vitin 2001, qeveria e re serbe e asaj kohe, “zbuloi” dhe hapi varrin masiv ku ishin hedhur trupat e pajetë të shqiptarve, përfshirë edhe vëllëzërit Bytyqi, trupat e të cilëve më në fund u identifikuan dhe më vonë u sollën për varrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e tyre të dytë, të adaptuar.

Gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet përfaqsuesve të tyre në Beograd dhe në konferenca ndërkombëtare, sidomos në Organizatën për Sigurim dhe Bashkpunim në Europë, me çdo rast, kanë kërkuar nga qeveria serbe që të identifikojë dhe të dënojë kriminelët e Ministrisë së saj të Mbrendshme, të cilët besohet se kanë vrarë tre vëllëzërit e pafajshëm Bytyqi. Deri më sot, Serbia nuk ka identifikuar as nuk ka dënuar asnjë person për këtë krim.

Por rasti i vëllëzërve Bytyqi nuk harrohet në kët anë të Atlantikut. Pothuaj në çdo përvjetor të zhdukjes së tre vëllëzërve Bytyqi, por edhe në raste të tjera, përfaqsues diplomatikë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, kanë vazhduar t’i bëjnë thirrje qeverisë serbe që të tregojë angazhimin e saj serioz për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve që vranë vëllëzërit Bytyqi, 15 vjetë më parë.

Kështu ndodhi edhe javën që kaloi, gjatë një seance në Kongresin amerikan mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor, ku Senatori i shtetit Mariland, Benjamin L. Cardin ngriti çështjen e vëllëzërve Bytyqi, familja e të cilëve ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Kongresit amerikan.  Senatori Cardin tha me këtë rast  se “Vëllëzërit Bytyqi u vranë në Serbi nga fundi i vitit 1999.  Ata janë shtetas amerikanë dhe ne kemi vazhduar të kërkojmë llogari se pse deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje barbare, ndërsa presim që qeveria jonë të bëjë çdo gjë që është e mundur për zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi senatori amerikan.   Senatori Cardin, në seancën e Kongresit javën që kaloi, iu drejtua Zëvëndës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Zotit Hoyt Yee me pyetjen se ç’po bëhet për këtë çështje dhe çfarë masash po merren për të çuar drejtsinë në vend për këto vrasje.  Pasi i premtoi Senatorit Cardin se do i dërgojë atij shpjegime me shkrim në lidhje me ato që po bën qeveria serbe në lidhje me këtë çështje, Z. Yee deklaroi qëndrimin zyrtar të Amerikës para Komisionit të Kongresit duke thënë se, “Ne të Departmentit të Shtetit dhe e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjitha agjencitë të cilat janë të shqetësuara dhe të interesuara për këtë çështje, i marrim shumë seriozisht përpjekjet për të siguruar se ata që janë përgjegjës (për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi) të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë.”

Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, vazhdoi duke thënë se, “Ne jemi të përkushtuar që këtë çështje gjithmonë ta fusim në rendin e ditës kur bisedojmë me përfaqsues të qeverisë serbe, dhe çdo herë që na jepet rasti.  Ai njoftoi Kongresin se numri dy i diplomacisë amerikane, Z. William Burns, në takimin e tij të fundit me Kryeministrin serb, drejtësia për vëllëzërit Bytyqi, ishte njëra prej çështjeve kryesore të agjendës së bisedimeve midis dy palëve.  Z. Hoyt Yee siguroi Kongresin dhe anëtarët e familjes Bytyqi, të pranishëm në seancë, mbi ”angazhimin tonë të palëkundur” dhe shtoi se “ne nuk do të pushojmë së kërkuari zgjidhjen e kësaj çështjeje, për derisa të mos jemi siguruar dhe të bindur se drejtësia është çuar në vend” me identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi.

Këto janë angazhime publike personale, nga ana  e zyrtarëve të lartë diplomatikë dhe institucionalë të  Shteteve të Bashkuara, se çështja e vëllëzërve Bytyqi është një çështje me rëndësi nga e cila nivelet më të larta diplomatike të Shteteve të Bashkuara nuk do të heqin dorë, për derisa të gjëndet një zgjidhje dhe për derisa kriminelët e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë, që mendohet se janë përgjegjës për këto vrasje, të  mos jenë identifikuar dhe të dalin para drejtësisë për këtë krim barbar kundër tre të rinjve shqiptaro-amerikanë.

Jeta është e shënjtë dhe e drejta kryesore e njeriut për të ekzistuar, për të jetuar është themelore.  Vrasja e vëllëzërve Bytyqi nga forcat policore serbe ishte shkelja sublime e të drejtës njerëzore për të jetuar.  Shtetet e Bashkuara e kanë traditë, dhe e ndjejnë si obligim moral, për të zbuluar të vërtetën dhe për të çuar të drejtën në vend, sado vonë dhe sa do kohë të marrë, kur është fjala për fatin e qytetarëve të vet, qofshin ata të vrarë e të humbur duke filluar nga Lufta e parë dhe e dytë Botërore, e deri tek Lufta e Vjetnamit dhe nga luftërat e kohëve të fundit.  Kjo traditë amerikane duhet të na japë shpresë dhe të na bindë se qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vendosë që identifikimi dhe dënimi i vrasësve barbarë të vëllëzërve Bytyqi, të jetë një prioritet kryesor në marrëdhënjet me Serbinë.  Njëkohësisht mund të mbështetemi në besimin se Washingtoni zyrtar nuk do të pushojë së punuari në këtë drejtim, për derisa drejtësia nuk është çuar në vend dhe për derisa Shtetet e Bashkuara, familja Bytyqi dhe komuniteti shqiptaro-amerikan nuk janë të kënaqur me status quonë në këtë rast dhe kërkojnë llogari dhe përgjigje nga nivelet më të larta të qeverisë serbe. Në një rezolutë të fund-vitit të kaluar, e në të cilën shprehej ndjenja e Kongresit në lidhje me vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, thuhej se “përparimi ose mungesa e përparimit mbi këtë çështje duhet të mbetet një faktor me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.”

Muaji Korrik që po vjen shënon 15-vjetorin e zi të vrasjes barbare të tre vëllëzërve Bytyqi.  Le të shërbejë ky përvjetor si një rast — që nepërmjet angazhimit dhe influencës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — të mbahet lartë niveli i presioneve diplomatike ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të angazhohet për identifikimin dhe dënimin e vrasësëve.  Dhe njëkohësisht –t’i kujtohet pa ndërprerje Beogradit, nga nivelet më të larta të Shteteve të Bashkuara siç ishte seanca e Kongresit javën e kaluar, se Amerika, familja Bytyqi, dhe besoj se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk do të pranojnë kurrë që këto vrasje të kalojnë në harresë dhe se as nuk do të pajtohen kurrë që vrasësit e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit, të mos identifikohen dhe të mos sillen para gjyqit, për t’u përballur më në fund me drejtësinë.  Zyrtarët më të lartë amerikanë janë shprehur vazhdimisht se drejtësia për vëllëzërit Bytyqi është një angazhim i patundur i qeverisë dhe i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë 15-vjetor të vrasjes së tyre, ky duhet të jetë gjithashtu edhe zotimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që nepërmjet përfaqsuesve të tij në Kongres dhe në kontaktet me entet përkatëse të qeverisë amerikane, vrasja e vëllëzërve Bytyqi të mos harrohet dhe të këmbëngulet që vrasësit e tre shtetasve amerikanë të identifikohen dhe të dënohen për krimin e tyre.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika kerkon, Bytyci, drejtesi, Frank shkreli, per vellezerit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT