Gezim Zilja/
Qysh nga data 09.06.2022 e deri sot kanë kaluar plot 209 ditë nga ardhja i TEC-ve lundruese në portin e Zvërnecit në Vlorë. Dëmet mjedisore nëse ai vihet në punë janë të pallogaritshme. Është folur nëpër TV, në shtypin e varur e të pavaruar por në Zvërnec nuk ka filluar ende të dalë tym e të prodhohet energji elektrike. Nëse për inceneratorët ka një proces gjyqësor, që zhvillohet qoftë dhe me shpejtësinë e breshkës, duhet thënë se inceneratorët punojnë me gjysmën e asaj që është nënëshkruar në kontratë: Bëhet grumbullimi dhe groposja e mbetjeve por nuk ato nuk digjen dhe nuk prodhohet energji elektrike sipas kontratës. Rasti i TEC-ve të Vlorës është se aty po punohet prej shtatë mujash për të realizuar ankorimin e anijeve dhe lidhjen me sisemin energjitik shqiptar. Të gjitha këto punime po i kryen ministria e Ballukut me paratë e shqiptarëve. Por ajo që të trondit e të befason është pagesa që u bëhet dy shoqërive këto 209 ditë (dy vjet është kontrata) që kanë kaluar pa prodhuar energji elektrike dmth pa kryer kurrfarë pune.
63.000 mijë euro/ditë paguhet për qeranë firma gjoja prodhuese e energjisë, 31.500 euro/ditë paguhet firma tjetër që mirëmban TEC-et lundruese, gjithësej 94.500 euro në ditë.
209 ditëx 94.500 Euro-ditë = 19.750.500 euro kanë parlarë dy shoqëritë e huaja nga mishi dhe kockat e shqiptarëve pa bërë asnjë punë dhe pa harxhuar kokërr leku. Sipas të dhënave të besueshme brenda TEC-ve gjenden gjashtë punëtorë të huaj, që dalin herë-herës për të marrë rrezet e diellit të marsit. Nëse për inceneratorët u ngrit një grup pune nga opozita dhe e çoi çështjen në SPAK për këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Fushata për zgjedhjet lokale në qytetin e Vlorës shkon e qetë, pa shumë zhurmë ose si thuhet në marsh të parë, kryesisht në facebook. A duhet PD-ja e Vlorës, kandidati për kryetar bashkie dhe stafi i tij, të protestonte dhe ta denonconte këtë rast të paktën në mediat locale!? A ka fuqi dhe resurse njerëzore PD-ja e Vlorës ta hartojë një dosje penale dhe ta paraqesë në SPAK për këtë aferë korruptive dhe dëmet e pallogaritëshme mjedisore që shkakton vënia në punë e këtyre TEC-ve? Mendoj që po por nuk kuptoj përse presin që gjithçka të vijë nga Qendra si qëmoti… Bashkia nuk merret pa u ndeshur ndershmërisht me kundërshtarin, duke treguar jo vetëm mangësitë ( PS e drejton pushtetin local qysh nga viti 1997) në qytet, që janë të shumta por edhe duke paraqitur një plan real e të besueshëm, që opozita me njerëzit e saj mundet dhe ia dalin ta qeverisin shumë më mirë se të majtët Vlorën.