• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal

June 10, 2016 by dgreca

 -Ministri Avdullah Hoti në Samitin e ministrave të financave, guvernatorëve dhe drejtorëve të administratës tatimore, në Beçiq, Mal të Zi: Falë përcaktimit tonë për menaxhim të matur të financave publike, Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal dhe kohëve të fundit ia ka dalë të forcojë tutje pozitën e saj fiskale, me rezerva të rritura fiskale; duke frenuar shpenzimet rrjedhëse dhe reduktuar deficitin fiskal të vendit.  Këto të arritura fiskale janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikave tona reformuese tatimore dhe të shpenzimeve, të cilat mbështeten edhe përmes programit Stan By që ne kemi me FMN

 PRISHTINË, 10 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova ka ruajtur stabilitetin fiscal, tha ministri Avdullah Hoti në Samitin e ministrave të financave, guvernatorëve dhe drejtorëve të administratës tatimore, në Beçiq, Mal të Zi.

 “Ndonëse Kosova nuk ka pasur ndonjë krizë fiskale, vendimet e mëhershme për rritje të shpenzimeve rrjedhëse, kanë paraqitur sfida të vërteta për të siguruar se buxheti i vendit është i qëndrueshëm dhe mbështetës i rritjes ekonomike”, theksoi ai në samitin me temën “Stabiliteti financiar rajonal në rrethanat e ndryshuara globale”, i cili po mbahet nën patronatin e Ministrisë së Financave të Malit të Zi.

 Në cilësinë e njërit prej panelistëve kryesorë në panelin e ministrave me temën “Stabilizimi i financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike”, ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti, tha se, “ky Samit Rajonal tanimë veç është bërë një ngjarje e rëndësishme ku politikëbërësit e nivelit të lartë për fushën e financave publike dhe tregjet financiare takohen për të diskutuar dhe ndarë pikëpamjet për çështje të rëndësishme që lidhen me reformat për të ardhmen’.

 Duke folur për Stabilizimin e financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike, ministri Hoti theksoi se, “falë përcaktimit tonë për menaxhim të matur të financave publike, Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal dhe kohëve të fundit ia ka dalë të forcojë tutje pozitën e saj fiskale, me rezerva të rritura fiskale; duke frenuar shpenzimet rrjedhëse dhe reduktuar deficitin fiskal të vendit.  Këto të arritura fiskale janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikave tona reformuese tatimore dhe të shpenzimeve, të cilat mbështeten edhe përmes programit Stan By që ne kemi me FMN”.

 “Së bashku me performancën fiskale të përmirësuar, trendi i rritjes ka qenë relativisht i mirë, me rritje të BPV-së vitin e kaluar që vlerësohet të ketë qenë rreth 4%. Megjithatë, ne ende përballemi me çështjen e normës së lartë të papunësisë, prandaj kërkohet rritje shumë më e lartë për të adresuar këtë sfidë . Në lidhje me këtë, kemi bërë një reformë substanciale në politikat tatimore, duke siguruar se sistemi ynë tatimor është mbështetës i rritjes së aktivitetit ekonomik në sektorin privat”, tha ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se ndryshimet e bëra, që kryesisht lidhen me stimulimin e prodhimit dhe përpunimit në vend, tani më veç kanë filluar të japin rezultatet e para dhe pritet që në vitet në vijim efekti i këtyre ndryshimeve të jetë i plotë.

 “Në të njëjtën kohë, ne kemi reformuar mënyrën se si administrohet me mbledhjen e tatimeve, duke automatizuar shumë shërbime për tatimpaguesit dhe duke mundësuar deklarimin online për të gjitha llojet e tatimeve. Ne jemi në proces të zbatimit të qasjes së bazuar në rrezik dhe gradualisht po mundohemi t’i ikim kontakteve direkte me tatimpaguesit.  Për më shumë, jemi në proces të bashkimit të dy agjencive tatim-mbledhëse në një institucion të vetëm, dhe presim që një gjë e tillë të përmirësojë edhe më tej administrimin e sistemit tatimor”, ka shtuar ministri kosovar, Hoti.

 Ai gjithashtu tha se këto veprime të ndërmarra kanë rritur besimin e tatimpaguesve në administratën tatimore, dhe kjo më pas ka ndikuar edhe në rritjen e deklarimeve, respektivisht në zvogëlimin e aktivitetit të informalitetit. “Në fakt, si rrjedhojë e këtyre reformave, vitin e kaluar të hyrat tatimore kanë pasur një rritje shumë të madhe, prej rreth 10%”, vijoi ministri.

 Sa i përket shpenzimeve, ministri Hoti tha se qeveria e Republikës së Kosovës ka ndryshuar rregullën fiskale për të ofruar më shumë fleksibilitet për financim shtesë për investimet publike, në projekte produktive.

“Niveli aktual i borxhit tonë publik vazhdon të jetë i ulët, rrjedhimisht Kosova mund të përballojë huamarrje shtesë, me kusht që këto hua të përdoren për zgjerimin e investimeve tona produktive, të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike  dhe krijojnë parakushte për rritje të qëndrueshëm, gjithmonë e udhëhequr nga sektori privat”, ka shtuar ministri Hoti.

 Ai gjithashtu tha se, “si pjesë e përpjekjeve tona për të përmirësuar strukturën e buxhetit, në favor të rritjes ekonomike, kemi disenjuar një rregull ligjore për rritjen e pagave në të ardhmen.  Sipas kësaj rregulle, çfarëdo rritje e ardhshme në buxhetin e pagave duhet të bazohet në nivelin e rritjes së produktivitetit në ekonomi, e matur me rritjen ekonomike të vendit. Një gjë e tillë patjetër se do të mënjanoj vendimet e motivuara politikisht, që më pas do të ndikonin negativisht në konkurueshmërinë e vendit”.

 “Pos reformave fiskale, ne kemi ndërmarr një sërë reformash të tjera, duke përfshirë edhe ato strukturale, të tilla si reformimi i prokurimit publik, për të siguruar transparencë më të madhe në mënyrën e shpenzimit të parasë publike”, shtoi Hoti.

 Ai theksoi se reformat duhet të përfshijnë një mix të veprimeve që adresojnë fusha të ndryshme. “Së pari, për politikën tatimore, duhet të sigurohemi që sistemi ynë tatimor mbetet i thjeshtë, me bazë të gjerë tatimore, me përjashtime të kufizuara dhe norma uniforme, e cila  do të siguronte një sistem tatimor fare pak të çrregulluar për aktivitete ekonomik të sektorit privat. Së dyti, duhet të vazhdojmë me reformat që lidhen me administrimin e sistemit tatimor. Së treti, cilësia e shpenzimeve është qenësore – ne duhet të sigurohemi se shpenzimi i çdo euroje është i bazuar në parimin e kthimit të investimit. Dhe së katërti, një element shumë i rëndësishëm është transparenca dhe llogaridhënia jonë për atë se si shpenzohen paratë publike dhe mekanizmat kontrolluese në ekzekutimin e buxheteve tona”, tha ministri kosovar i Financave.

 “Nuk mjafton të kemi politika të mira tatimor, nëse Administrimi nuk është adekuat. Rrjedhimisht ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit, largimin e barrierave të panevojshme sa i përket procedurave dhe kostos për bizneset dhe qytetarët, dhe reduktimin për aq sa është e mundur të kontakteve të drejtpërdrejta me tatimpaguesit për të shmangur mundësitë për korrupsion. Deri sa të arrijmë një pikë ku bizneset janë të lumtura nëse e shohin një inspektor tatimor që viziton lokalet e tyre e ne nuk e kemi bërë punën tonë si duhet”, ka shtuar Hoti.

 Ai në fund të sesionit tha se është e mundur që të mbahen financa publike stabile, pa krijuar vështirësi për rritjen e ekonomisë, duke shtuar se rritja  më e madhe dhe stabile, kushtëzohet nga stabiliteti i financave publike, dhe ky ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë fokusi ynë kryesor në vitet e ardhshme.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ka ruajtur stabilitetin fiskal, kosova, Ministria e Financave

KFOR-i DHE ORGANIZATAT E SIGURISË NË KOSOVË ME USHTRIM TË PËRBASHKËT

June 3, 2016 by dgreca

Prishtinë, 3 Qershor 2016 Njësitë manovruese të KFOR-it kanë planifikuar një ushtrim të përbashkët me pjesëtarë të Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit (EULEX) dhe Organizatës së Sigurisë së Kosovës (OKS), përfshirë Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK)
Në këtë edicion të parë të vitit 2016, ushtrimi “Shpata e Argjendtë” bazohet kryesisht në menaxhim të trazirave dhe migrimit në Kosovë sipas skenarit. 
Aktivitetet ishin kryer në disa lokacione të ndryshme gjeografike në mënyrë që të simulohen skenar të ndryshëm operacional. Në kampin “Pomozatin” dhe në “Vrellë” në zonat e trajnimeve, Forcat e Sigurisë së Kosovës zhvendosin një ekip të reagimit për të menaxhuar fluksin e imagjinuar të migrimit dhe për të ngritur kampin e pranimit, në bashkërendim të ngushtë me Grupin Luftues Shumëkombësh-Lindje për menaxhim të një krize të mundshme të migrimit. FSK-ja ishte paraqitur në kapacitet të marrjes me mbrojtjen e civilëve në kushte emergjente së bashku me njësitë e deminimit dhe kërkim shpëtimit. Këto ushtrime i kanë mundësuar FSK-së të rrisë aftësitë e tyre në përmbushjen e detyrave të tyre specifike në lidhje me funksionet e sigurisë me fokus në aftësitë e reagimit vendor në kriza. 
Në kapin “Villaggio Italia” trupat e KFOR-it dhe elementet e Policisë së Kosovës intervenauan në kontroll të turmave sipas skenarit, të shkaktuara nga demonstratat e dhunshme në rrethinën e një lokacioni fetar ku KFOR-i vepron si reagues i parë. Ky skenar i zhvilluar me kujdes ishte bazuar në eskalim të dhunës ku njësitet e KFOR-it kërkojnë përforcim nga PK-ja për të rivendosur ambientin e sigurtë dhe të qetë. 
Trajnimet dhe ushtrimet janë një rutinë e aktiviteteve ushtarake për trupat e KFOR-it. Në baza vjetore KFOR-i kryen ushtrime të tilla për t’u trajnuar dhe përmirësuar aftësitë e njësive të veta sipas skenarëve intensiv real.
Qëllimi i këtyre ushtrimeve periodike është që të ngritet aftësia e KFOR-it në mbajtje të gatishmërisë së trupave dhe përforcimin e fleksibilitetit operacional. Harmonizimi i teknikave, taktikave dhe procedurave në mes të policisë së Kosovës, EULEX-it, FSK-së dhe KFOR-it ishte objektivi fundamental i kësaj periudhe të ushtrimeve. 
Ushtrimet e KFOR-it sigurojnë ndërveprueshmëri me partnerët aktualë dhe potencialë si dhe për të kryer detyra të mundshme të misionit të komandës përfshirë rrejtet kompjuterike dhe ndërveprueshmërisë në komunikim. 
Ndërlidhja, komunikimi dhe ndihma e reaguesve të ndryshëm ishte pjesë kritike e ushtrimit dhe skenar të atypëratyshëm që kërkojnë bashkëpunim të përparuar në mes të të gjithë reaguesve, sidomos kur kemi të bëjmë me Procesin e Vendim-marrjes Ushtarake, përfundon komunikata e dërguar sonte nga KFOR. /b.j/
 
 

Filed Under: Komente Tagged With: Kfor, kosova, NAT), veprime te perbashketa

Koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm

June 2, 2016 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli:  Kosova mbetet e përkushtuar, me tërë qenien e saj, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne kemi pasur rezultate të prekshme në këtë drejtim dhe aleatët tanë na janë falënderuar për këto rezultate/

-Çmimi i Kosovës për Dialog Ndërfetar për Monsignor Vincenzo Paglia, themelues i Komunitetit të Sant’Egidio dh kryetarin e Londrës Sadik Khan/

-Në Prishtinë përmbyllet Konferenca Ndërkombëtare Ndërfetare “Interfaith Kosovo”/

PRISHTINË, 2 Qershor 2016-B.Jashari/ Është koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare “Interfaith Kosovo”, e  cila u përmbyll pasi gjatë tre ditëve u mbajt në Prishtinë. Kryeparlamentari kosovar ndau Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar për themeluesin i Komunitetit të Sant’Egidios, Monsignor Vincenzo Paglia. Me këtë çmim u nderua edhe kryetari i Londrës, Sadiq Khan.

Në fjalën para të pranishmëve, kryetari Veseli shkoqiti aspekte të kulturës fetare në Kosovë, e cila, siç tha kreu i Kuvendit, është një vend i vogël, por ka pasur fatin historik të trashëgojë një traditë të madhe e të fuqishme, atë të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme.

“Historia jonë është historia e një territori, ku përgjatë shekujve, janë ndeshur perandoritë e ndryshme të lindjes e perëndimit. Është historia e një territori ku janë takuar kulturat dhe religjionet e ndryshme dhe kështu i kanë dhënë jetë pasurisë kulturore që ka sot rajoni ynë. Sot, vendi ynë mburret me faktin se është pjesë e kësaj pasurie”, theksoi kryetari Veseli.

Ai shtoi se, shekuj me herët, kur në vendet tona ballkanike po takohej krishterimi me islamin, “populli ynë krijoi individin multireligjioz, me të cilin zë fill tradita jonë e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës religjioze, dhe pamja e bukur tradicionale e qyteteve tona ku kishat, xhamitë dhe sinagogat i kanë bërë hije njëra-tjetrës”.

“Ne jemi krenarë me këtë traditë dhe e ndjejmë veten të lumtur se shpirti i kësaj tradite është në përputhje me vizionin që kemi sot për vendin tonë – vizionin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne jemi plotësisht të përkushtuar në përmbushjen e këtij vizioni dhe ndihemi të lumtur se nuk kemi asnjë vizion tjetër alternativ për të ardhmen tonë”, theksoi kryeparlamentari Kosovar, Veseli.

Duke folur për disa tendenca për ta paraqitur Kosovën si një tokë pjellore për radikalizmin fetar, Veseli tha se ky është një perceptim i pavërtetë, sipërfaqësor dhe gjithsesi i përkohshëm. Ai e konsideroi të padrejtë dhe të pamoralshme që të gjykohet për një vend, duke marrë për bazë veprimet e një grupi të vogël individësh.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar, me tërë qenien e saj, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne kemi pasur rezultate të prekshme në këtë drejtim dhe aleatët tanë na janë falënderuar për këto rezultate. Ne jemi të sigurtë ne fitoren kundër tendencave të ekstremizmit të dhunshëm”, potencoi kreu i Kuvendit.

Duke folur për kërcënimet i cili po i bëhet thelbit humanist të religjionit në botë nga grupe të ndryshme ekstremiste, Veseli tha se ashtu si qëllimet e tyre, edhe vizioni i tyre është i errët.

“Është koha, që brenda traditave tona të ndryshme kulturore e fetare, të rizbulojmë burimet e mirëkuptimit dhe solidaritetit me njeri-tjetrin. Është koha t’u tregojmë ekstremistëve se religjionet janë vlerë e jona, e jo instrument i tyre. Religjioni është tepër i rëndësishëm për ta lënë në duart e tyre. Është koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm. Vetë kjo konferencë, me një pjesëmarrje kaq globale, me emra të nderuar të dijes e humanizmit, është në funksion të këtij qëllimi të përbashkët”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.

Në Prishtinë, në pasditën e 31 majit, nisi një ndër takimet më të mëdha të dialogut ndërfetar në Evropë, ku marrin pjesë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, përfshirë edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ata u mblodhën për tre ditë për të diskutuar rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit. Në Prishtinë kanë mberritur edhe Nobelistët e paqes Shirin Ebadi (Iran) dhe Tawakkol Karman (Jemen).

Prishtina për herë të pestë ishte mikpritëse e këtij takimi të madh, të titulluar Interfaith Kosovo. Në këtë konferencë sivjet kishte shumë pjesëmarrës, përfshirë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigjeria, dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë rruzulli tokësor.

Konferenca titullohej “Roli i Gruas në Promovimin e dialogut Ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit” dhe është organizuar nga disa organizata që promovojnë dialogun si Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, Tony Blair Faith Foundation, ndërsa mbështetës janë Ministria e  Punëve të Jashtme, Kuvendi i Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Pjesëmarrësit ishin në panele të ndryshme që i dedikohen temave që kanë të bëjnë me familjen, rolin e gruas, pastaj gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale. Konferenca Interfaith  Kosovo sivjet ndau edhe Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, Monsignor Vincenzo Paglia, Veseli

Pse Kosova dhe Ballkani gjetën lehtësim në rezultatin e zgjedhjeve të Austrisë

June 2, 2016 by dgreca

Si president i Kosovës, republikës së vogël në Ballkanin Perëndimor, Hashim Thaçi është i pari i cili pranoi të ketë ndjerë lehtësim nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Austria./

Shkruan: Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës/*

I kam dërguar urimet e mia presidentit të zgjedhur Alexander Van der Bellen dhe e mirëpres bashkëpunimin me të në çështjet që bashkojnë rajonin tonë me Vjenën – kryeqytetin e vjetër të Perandorisë së Habsburgëve – e cila ka luajtur një rol kyç në historinë, kulturën e madje edhe në arkitekturën tonë.

Zgjedhja e presidentit ishte një çështje krejtësisht austriake dhe do të ishte e pavend për cilindo prej nesh në Ballkan që të flisnim në favor të ndonjërit prej kandidatëve gjatë fushatës.

Megjithatë, zgjedhjet ishin me rëndësi jetike për ne në Kosovë dhe në rajon.

Ashtu si homologët e tij të ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, Norbert Hofer sulmoi politikën e jashtme të garniturës austriake që kishte njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai gjithashtu kishte deklaruar publikisht se “do të ishte gabim që të pranohej Kosova në organizata ndërkombëtare, sepse kjo vetëm se do të shkaktonte probleme”.

Ky është lloji i argumentit që jemi mësuar të dëgjojmë nga Moska e Putinit, por jo nga një vend me një histori të gjatë të mbështetjes së vetëvendosjes së ish-republikave jugosllave që kanë fituar lirinë e tyre nga diktatori Sllobodan Millosheviq.

Austria u bë një fanar i shpresës kur ajo i hapi dyert e universiteteve për studentët tanë, pasi që Serbia ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në Kosovën e pushtuar në vitet 1990. Unë, personalisht, kurrë nuk do t’i harroj homazhet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut nga ana e politikanëve si Alois Mock dhe Otto von Habsburg, në kohën kur unë isha student.

Kjo është arsyeja pse ne në Kosovë ishim kaq të tronditur që një politikan arriti fare pranë presidencës kombëtare përmes një platforme që hodhi poshtë dekada të politikave të përcaktuara progresive që kanë ndihmuar Ballkanin për të kapërcyer urrejtjen dhe nacionalizmin.

Platforma e Hoferit, ashtu si e lëvizjeve të tjera të ekstremit të djathtë në Europë, mbështetet në konceptin e Hantingtonit të përplasjes së qytetërimeve dhe në promovimin e teorisë sE Islami është i papajtueshëm më Europën. Për ne në Kosovë, Shqipëri apo Bosnje, me shtresa të mëdha të shoqërivE tona që i përkasin besimit islam, një teori E tillë na përjashton nga ndjenja e të qenit pjesë e kontinentit ku kemi jetuar me shekuj dhe mijëvjeçarë.

Përveç kësaj, Kosova nuk është myslimane: shoqëria jonë është laike dhe qytetare.

Kosova u bë vendi i parë në Ballkani që zgjodhi një president grua më 2001 dhe është shteti i parë në Ballkan që ka njohur komunitetet LGBTI në kushtetutën e saj. I kam prirë paradës së komuniteteve LGBTI në Kosovë muajin e kaluar, për të përçuar mbështetjen tonë për këtë komunitet, pikërisht për t’i treguar qytetarëve tanë dhe botës se ekstremizmi dhe paragjykimi nuk kanë vend në mesin tonë.

Gjithashtu, ne nuk jemi as strehë e sigurt për ekstremistët. Shërbimet tona të sigurisë kanë bërë 100 arrestime dhe kanë siguruar 67 aktakuza si dhe 26 dënime kundër mbështetësve të ISIS-it në vendin tonë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vuri në një vizitë të fundit në Kosovë se kosovarët janë prijës rajonalë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Bam Ki-moon, po ashtu, njohu rolin e Kosovës në promovimin e dialogut ndërfetar në një raport të vitit 2013. Edhe Bashkimi Europian theksoi ritmin e përshpejtuar të reformave tona dhe nënshkroi me Kosovën traktatin e parë para anëtarësimit, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Sentimentet e thella euroskeptike të propaguara nga Hofer dhe ekstremi i djathtë janë jashtëzakonisht dhe qenësisht të rrezikshme për të gjitha vendet e Ballkanit.

Ishte pikërisht tërheqja gravitacionale e Brukselit që solli paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Pa perspektivën e anëtarësimin në BE, si një familje e vlerave dhe interesave të përbashkëta, politikat e rajonit tonë rrezikojnë të katandisen në një boshllëk që mund të mbushet nga ekstremistë në vendin tonë.

Sipas sondazheve, më shumë se 95 për qind e kosovarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Si një hap drejt këtij qëllimi, Komisioni Europian tashmë ka rekomanduar zyrtarisht liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë brenda zonës Shengen, në përputhje me pjesën tjetër të Ballkanit.

Liberalizimi i vizave është fituar me shumë mund, pas reformave të vështira të brendshme, por është e qartë se disa politikanë në Europë po përfitojnë nga disponimi aktual i pakënaqësisë publike ndaj migrimit dhe po përdorin Kosovën dhe Ballkanin si një kokë turku.

Në ndërkohë që po festojmë fitoren e ngushtë të forcave progresive të Austrisë, një gjë është e sigurt. Krerët e Ballkanit duhet të punojnë më shumë në forcimin e sundimin të së drejtës dhe në luftimin e emigracionit të paligjshëm si dhe ekstremizmit të dhunshëm, për të siguruar një ndjenjë në rritje të sigurisë dhe për t’i qetësuar skeptikët në mbarë Europën.

Në duhet të jemi – siç është një thënie – “më katolikë se Papa”, në mënyrë që t’i bindin kundërshtarët se ëndrra europiane, rruga europiane, është shansi ynë i vetëm, kontrata më e mirë që ne mund të nënshkruajmë për të garantuar të ardhmen tonë.

*Presidenti Thaçi për “EurActiv”

Filed Under: Editorial Tagged With: Ballkani, kosova, Presidenti Thaçi, zgjedhjet ne Austri

Kosova-Mbahet konferenca “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”

May 30, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kosova e lirë dhe e pavarur, angazhime edhe për zhvillim ekonomik – kryeqyteti, Prishtina/

 -Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets: Diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet. Për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet/

– Në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla. Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, u tha në konferencë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Maj 2016/ Në Prishtinë, sot, mbi 200 investitorë të huaj e vendorë janë bërë bashkë për të investuar në Kosovë, në konferencën “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”.

Janë mbi 100 investitorë nga shtetet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër e Austri), dhe mbi 100 biznese vendore, para të cilëve institucionet qendrore e lokale të Kosovës prazantojnë projekte konkrete të investimeve.

Në hapje, kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e parezervë të kësaj konference. “Mërgata është e fuqishme në diasporë dhe kjo dëshmohet me investimet e suksesshme të bëra në Kosovë”,  u shpreh ai.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, theksoi se, “diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet”, ndërsa shtoi se, “për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet”.

Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, theksoi se, diaspora sot përbën potencial shumëfish më të madh, jo vetëm financiar, por edhe profesional.

“Për ta lëvizur këtë potencial, Ministria e Diaspores ka filluar dhe po vazhdon me sukses krijimin e lidhjeve brenda diasporës sonë përmes implementimit të projektit të rrjetëzimit. Efektet e këtij rrjetëzimi janë të dyfishta: krijon mundësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të diasporës përmes bashëpunimit mes tyre, si dhe përmes projekteve të përbashëkta midis nesh krijon mundësinë për zhvillimin  e tyre  dhe të vendit. Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla: njëra ka të bëjë me kapitalin njerëzor dhe tjetra merret me industritë konkurruese, potenciali investues i diasporës sonë dhe mundësia që ajo të shërbejë si konsumatore e shërbimeve dhe e prodhimeve të Kosovës“, tha ministri Murati.

Ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës ka punuar me vendosmëri për zbatimin e reformave, sidomos në sferën e investimeve.

“Në këtë drejtim është përmirësuar legjislacioni, politikat fiskale,  si dhe janë mënjanuar shumë barriera për lehtësimin e bizneseve. I inkurajomë bizneset që të mos rreshtin me kërkesat e tyre, kritikat e tyre karshi institucioneve,  sepse vetëm kështu e bëjmë Kosovën më të mirë”, tha ajo.

Afaristi i suksesshëm nga Gjermania, njëherësh kryetari i Unionit të Bizneseve  Shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa, paraqiti edhe kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.  “Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, për t’i ngritur kapacitetet për zhvillimin ekonomik të bizneseve. Unioni i Bizneseve i ka disa propozime, ndër to të ketë siguri juridike, stimulime  dhe infrastruktura e klima për investime të jetë serioze”, theksoi Viqa.

Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se diaspora e Kosovës ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin ekonomik përmes investimeve , por edhe përmirësimit të imazhit  të vendit  jashtë. “Qëllimi i kësaj konference është të krijohen lehtësi për investimet në diasporë, si dhe ato të përfitojnë nga fuqia  punëtore”, bëri të ditur ai.

Konferenca vazhdon punimet gjatë tërë ditës me prezentimet rreth mundësive për investime, ndërsa nga pjesëmarrësit u theksua se brenda një viti Kosova nga diaspora pranon 600 deri 700 milionë euro.

Nesër, në kuadër të këtij organizimi, kompani nga Kosova, rajoni dhe tre shtetet gjermanofolëse do të mbajnë edhe Panairin e Punës, për të cilin tashmë janë paralajmëruar se do të ketë mbi 900 vende të lira.

Ky organizim, i pari i përmasave të tilla në Kosovë, bëhet nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Diasporës, Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Programin Global për Migrim dhe Zhvillim (PME), Qendrën për Migrim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (CIM) dhe për herë të parë në Kosovë me konkurse të hapura do të marrë pjesë edhe Agjencioni Federal për Punë (ZAV).

Pos prezantimit të projekteve për investime, në konferencë do të debatohet edhe për mundësitë që ofron legjislatura e re në Gjermani, si shansë reale e punësimit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet, por edhe për specifika të veçanta për çështje që ndërlidhen dikert me avansimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjëve kosovarë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë, por, numri  është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, investime, Konference, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT