KRYETARI I VATRËS Z. ELMI BERISHA PRITI KËSHILLTARIN E BASHKISË Z. MARK GJONAJ/
– Z. Mark Gjonaj: Sa më aktive, sa më e bashkuar dhe sa më e fortë të jetë VATRA, aq më aktiv, më i bashkuar dhe më i fortë është komuniteti shqiptar-
Mbrëmjen e së Dielës, 26 Janar 2020, në selinë e Vatrës erdhi për të uruar kryetarin e ri të Vatrës , z. Elmi Berisha, këshilltari i bashkisë të Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj.
Z. Berisha e falenderoi për mirëseardhjen në Vatër dhe për urimet që z. Gjonaj i përcolli me rastin e zgjedhjes kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Z. Berisha e garantoi z. Gjonaj se Vatra do të jetë bashkëpunuese me komunitetin, lidere në komunitet, dhe e përgëzoi për atë cfarë ai ka bërë për shqiptarët. Po ashtu z. Berisha kërkoi një përkrahje më të madhe nga City për Vatrën dhe komunitetin në rritje të shqiptarëve.
Z. Mark Gjonaj pasi i uroi detyrën kryetarit të Vatrës tha se Vatra është një faktor historik dhe aktual i komunitetit dhe të gjithë ndjehemi krenarë për moshën dhe veprat e saj për komunitetin dhe Kombin shqiptar. Në kushtet reale të sotme ai kërkoi më shumë afrim të Vatrës me komunitetin. Sa më e fortë të jetë Vatra, sa më e bashkuar, sa më aktive të jetë ajo, aq më i fortë dhe më aktiv është komuniteti shqiptar në Nju Jork e në SHBA, tha z. Gjonaj. Ne duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë më të frytshme rritjen e numrit të shqiptarëve në SHBA për tu bërë faktor në jetën politike amerikane dhe duhet t’ia njohim forcën vetes, por duhet ta bëjmë të dukshme këtë forcë para amerikanëve-Të jemi të bashkuar.
Shqiptarët duhet të bëhen të ndërgjegjshëm dhe të regjistrohen në Partitë politike dhe të tregohen të zgjuar në kombinimin e votës.
Më pas z. Gjonaj informoi edhe për Qendrën shqiptare, ku ai ka një projekt real, ku do të jenë bashkë organizatat shqiptare. Z. Gjonaj tregoi detaje për fondin e mbledhur dhe projektin e qendrës bashkuse. Bashkëbisedimi ishte i lirë dhe shkëmbyen mendime të gjithë pjesmarrësit në takim.