Tregim humoristik nga Naum R. Prifti/
Kurrë s’e kam ndjerë veten më ngushtë sesa kur redaksia më ngarkoi t’i përgjigjem një bashkëpunëtori se i ishte rrëzuar shkrimi në kolegjium. Për mua, kolegjiumi i redaksisë do kish bërë dy punë të mira përnjëherësh po t’ia kishte pranuar shkrimin. E para, autorit do t’i bëhej qejfi dhe e dyta, nuk do më kish futur mua në siklet. Sipas kolegjiumit shkrimi ishte shumë i dobët, por thanë ata “politika e revistës për të mos larguar bashkëpunëtorët na bën të kërkojmë nga ty të tregosh takt me autorin.”
Tregimi ishte shumë i dobët dhe mund të them se i përshtatej shprehja që thonë disa “për tokë”. Mirëpo bashkëpunëtori e ka dërguar si kryevepër dhe në vend të vërejtjeve pret falënderime, si edhe lekët e honorarit. Autori erdhi në redaksi, me hap të vendosur dhe i qeshur. Meqë revista është organ humoristik, eqeshura supozohet se është forma e pranuar e hyrjes. Ai u takua me ‘udhëheqjen’ dhe pasi shkëmbeu përshendetjet e mirësjelljes pyeti për fatin e dorëshkrimit, dhe ashtu si pritej e dërguan tek unë.
“Për këtë bisedo me filanin se ka mbajtur edhe shënime.”
Unë u ngrita në këmbë duke e ftuar të ulej në kolltuk për të qenë sa më rehat. Të dy i ndoqëm rregullat e etiketës reciproke “Si jini me shëndet e si kini shkuar me punë?” por vetëm për të shtyrë për fare pak minuta pyetjen e pashmagshme:
-More si u bë puna e atij shkrimit tim?
Pas një psherëtime të lehtë e cila mund të transkriptohej me fjalët “S’bën fare”, nisa t’i përmbahem porosisë të bëj vërejtje me takt. Por ende pa folur më kap keqardhje për të. “Sikur të mos ia kishin rrëzuar shkrimin, por t’i kishin bërë disa vërejtje do qe gjysma e së keqes.”
-Mirë do ketë dalë se e unë e shkruajta me qejf, – thotë ai si për të më shtyrë të flas.
-Çka, – i them, – po kolegjiumi ka ca vërejtje.
E ndjeva se nuk thashë dicka me takt por fjalët nuk i ktheja dot mbrapsht. Prita një hop për reagimin.
-Vërejte? Pse ç’ka të keqe aty? – thotë ai ndësa balli i rrudhet e vrenjtet. Ndaj kësaj reagimi fizik, unë bëra një tërheqhe të lehtë thuajse me humor.
-Po ti mos ki frikë nga vërejtjet, qëndro si burrë!
-Jo mor frikë s’kam unë. Vazhdo ti… – më inkurajoi por nga shprehja dukej se nuk mirëpriste kritikë.
-Epo ti e di se nuk ka të pagabueshëm apo jo?… hë.
Me cepin e buzës, ai bëri një tentativë miratimi por shprehja e fytyrës ishte përsëri e zymtë.
-More më thuaj shqip, bën shkrimi im apo jo? – pyeti i nxehur.
Një zë përbrenda më thotë: “S’bën një lek, o vëlla!” Tundimi më shtynte t’i thosha se ky mund të cilësohet si shkrimi më i keq qysh nga koha kur është shkruar gjuha shqipe.” Por mua më kishin besuar t’ia komunikoja këtë me takt.
– Po si të të them dhe unë. Kolegjiumi thotë se është ca i dobët artistikisht…
-Lëre kolegjiumin. Ti a e ke lexuar vetë? – më thotë pa pritur.
Kjo ishte pyetje që nuk e prisja.
-Si s’e kam lexuar! – ia ktheva pak i inatosur që më pyeti.
-Po ty si tu duk?
-Si të të them… s’ka humor…dhe revista…
-Ky shkrim s’ka humor? – u hodh ai.- Kur e kam shkruar kam qeshur me vete si budalla…. sa edhe gruaja më tha ç’ke që qesh…
“Gruas sate i thuaj të vijë në kolegjium,” desha t’i thosha.
Ai u ngrit më këmbë dhe më afrohet me një propozim të çuditshëm.
-Ja ta lexojmë së bashku… Ta shikojmë ku s’i pëlqen kolegjiumit.
Pa më dhënë kohë të përgjigjem, ai nisi të lexojë: “Lumi kishte sjellë turbullira, gurë e kërcunj dhe Loni kishte qejf të peshkonte në ujërat e trubullta.” Pse pa humor është kjo?
Aty për aty edhe mendimet e mia nisën të turbullohen. Por mu duk se gjeta një shteg dalje. Revista kishte botuar dy tregime të tij pasi ishin redaktuar me themel dhe kishin kaluar me zor pragun e miratimit nga kolegjiumi.
-More ti na ke dërguar shkrime të tjera të bukura dhe ato janë pëlqyer shumë. Duket këtë radhë je nxituar… ke punuar me ngutje, dhe je rrëmbyer…
-E kam punuar ca shpejt po tregimi ka dalë i mirë, dhe ma kanë pëlqyer shumë.
-Por jo shefat e satirës dhe të humorit që janë këtu, – ia ktheva unë me sa takt që munda.
-Jo vërtet mos bëj shaka, – kundërpërgjigjet ai. – Ku janë të metat, m’i thuaj konkretisht…
-Po ja ky paragrafi, këtu në faqen e dytë s’merret vesh fare…
Atëherë isha unë që i lexova atij sikur të ishim në kurs shkolle.
-Si s’merret vesh? Kjo është thënë tërthorazi që merr rryshfet. E kuptove?
-E kuptova tashti që ma the ti, po kush do t’ua thotë 8000 lexuesve të revistës? – e pyeta me kujdes.
– Mirë, e heqim fare këtë paragraf meqë nuk u kuptoka…
Ai e rrethoi paragrafin me lapsin që e kishte gati në dorë.
-A e di me sa qejf e kam shkruar…?
-Por ja që nuk kuptohet as humori, as ngjarja..
-Lëre më thotë i nxehur, se e marr dhe e botoj gjetkë kështu siç është.
-Atë desha të të thosha edhe unë, – i përgjigjem i çliruar që ai gjeti një zgjidhje të pranushme për të dy palët.
-Merre dhe botoje, i thashë. – Për inat të këtyre të kolegjiumit të revistës…
-Ashtu do bëj, – thotë ai i vendosur.
Dhe doli nga zyra me tregimin në sqetull. Kisha arritur ta mbroja dinjitetin e revistës dhe ta zbrapsjabashkëpunëtorin me takt. Tani kusuret do binin mbi supet e një redaktori tjetër. Të gjithë kolegët e profesionit e dinë mirë sesa e vështirë është të shqitësh nga redaksia autorë që mungesën e talentit e kompensojnë me një lloj kokëfortësie të lakmueshme.
Nuk kaloi shumë kohë dhe e pashë duke hyrë në ndërtesën e revistës.
– E solla tregimin, – ishin fjalët e para të tij.
Unë mbeta i bukosur por ai vazhdoi me të vetën.
– Çdo redaktor që e lexoi tha se është shumë humoristik dhe se duhet ta sjell te “Hosteni”. Ta lashë në zyrë. Nesër do të vij të flasim për botimin, – më njoftoi dhe më përshëndeti.
Mu kujtua një thënie e vjetër e Linkolnit se takti është zotësia për ta përshkruar dikë ashtu siç i duket vetja. Nuk e di nëse e kisha zhgënjyer Linkolnin por kolegjiumit të revistës do t’i duhet të gjej dikë tjetër që ka më shumë takt se mua për tu marrë me autorë si ai.