• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luginë e Preshevës: Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë për avancimin e të drejtave

September 8, 2015 by dgreca

Nga Riza HALIMI/*

-Deklaratë e kryetarit të PVD – së/

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Jonuz Musliu deklaroi këto ditë se në konsultim me kryetarët e subjekteve politike ka caktuar për 12 shtator mbledhjen e Kuvendit të këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës që do të duhej të ishte përgjigje ndaj marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asocioacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.Në takimin e parë konsultativ të kryetarëve të subjekteve politike që kanë këshilltarë në Kuvendet komunale të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës kishte unitet të plotë për domosdoshmërinë e mbajtjes së një seance të këtij Kuvendi lidhur me këtë temë të ndieshme dhe shumë të rëndësishme por pas përgaditjeve serioze dhe shqyrtimeve e analizave paraprake të çështjeve të rëndësishme jetësore aktuale që duhet të bëhen në Kuvendet e komunave të Preshevës e Bujanocit si dhe në Kuvendin e KNSH-së.

Tanimë është shumë i njohur qëndrimi i qartë i Kuvendit të këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës i formuluar me anë të Platformës politike të vitit 2006 për zgjidhjen e pozitës së Shqiptarëve në Serbi në bazë të parimit të reciprocitetit me nivelin e të drejtave që iu sigurohen Serbëve në Kosovë.

Në situatë kur pas Marrëveshjes së Brukselit në Kosovë kanë filluar aktivitetet për përpilimin dhe aprovimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të ishte krejtësisht bajate dhe kontraproduktive vetëm përsëritja verbale e kërkesës për reciprocitet pa e bërë asnjë hap konkret përgaditorë për krijimin e parakushteve për përmirësimin e gjendjes aktuale shumë të vështirë dhe për avansimin e pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në përgjithësi të Shqiptarëve në Serbi.

Do të ishte në parim krejtësisht në rregull që iniciativën për organizimin e këtij tubimi po e paraqet kryetari aktual i KNSH po të mos ishte kontestuar dhe injoruar padrejtësisht edhe atë nga vetë z. Musliu, paraardhësi i tij në këtë funksion të rëndësishëm.

Këtij fakti patjetër duhet t’i shtohet edhe gjendja absurde dhe e papranueshme aktuale e KNSH – së kur që nga konstituimi i kësaj përbërje po injorohen plotësisht 7 nga 15 përfaqësuesit që u zgjodhën nga votuesit Shqiptarë.

Gjithashtu janë legjitime, deri në këto momente vetëm verbale, interesimet edhe të dy kryetarëve të komunave për zgjerimin e kompetencave të pushteteve lokale në Serbi sipas modelit të Ahtisarit për komunat me shumicë serbe në Kosovë të cilat po avansohen dukshëm edhe me Asociacionin që po përgaditet për zbatim në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Mirëpo shtrohet pyetja se a mund të realizohet ky reciprocitet vetëm me përsëritjen e kërkesave verbale pa tentuar të bëhen veprime konkrete, të cilat në vazhdimësi po i praktikojnë homologët e tyre në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Madje, çështja është se sa janë serioze deklaratat e kryetarëve të komunave, kur verbalisht kërkojnë reciprocitet e autonomi, madje edhe bashkangjitje Kosovës gjatë fushatave zgjedhore dhe në të njejtën kohë ata me dëgjueshmëri po i nënshtrohen vullnetarisht diktatit arbitrarë të kryetarit të Trupit Koordinues të qeverisë serbe për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me të cilin seriozisht po cungohen edhe kompetencat që me ligj i garantohen pushteteve lokale në Serbi.

Në anën tjetër, edhepse me kompetenca shumë më të reduktuara se në rastin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, edhe pushtetet lokale në Serbi në bazë të ligjit aktual kanë mundësi të krijojnë institucione të përbashkëta. Andaj shtrohet pyetja e logjikshme pse deri më tani udhëheqjet e dy komunave me shumicë shqiptare nuk janë angazhuar të krijojnë organe dhe institucione me interes të përbashkët. Por ç’është edhe më keq edhe kur me ndihmën e USAID – it ishte formuar Zyra e përbashkët për zhvillim në vitin 2005, ajo u shua pas disa viteve për shkak të mos interesimit të udhëheqjeve të pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc.

Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë patjetër duhet të nxjerr konkluza dhe qëndrime konkrete për avansimin e të drejtave individuale dhe kolektive. Mirëpo ky avansim nuk mund as të mendohet e lere më të realizohet pa veprime konkrete të strukturave të pushteteve lokale në komunat me shumicë shqiptare dhe të KNSH – së. Në këtë drejtim është e domosdoshme që në këto organe të shqyrtohen urgjentisht dhe të ndërmerren masat përkatëse lidhur me të gjitha problemet jetësore të paraqitura me Programin e vitit 2013 e posaçërisht për çështjet më aktuale siç janë:

– Vizita e kryeministrit Vuçiq në Preshevë e Bujanoc dhe ndarja e mirënjohjes nga ana e kryetarit të komunës së Preshevës;
– Përgaditjet për fillimin e vitit të ri shkollorë me aksent të veçant lidhur me mungesën drastike të teksteve mësimore në gjuhën shqipe;
– Informata lidhur me vlerësimin manipulues të numrit të banorëve në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës;
– Refuzimi i shumicës në Kuvendin komunal në Bujanoc që sheshi apo rruga kryesore të emërohet me Gjergj Kastrioti Skenderbeu;
– Shqyrtimi i raportit të pushteteve lokale dhe KNSH – së ndaj Trupit Koordinues të qeverisë serbe për komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Nëse udhëheqjet e pushteteve lokale dhe KNSH nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me këto çështje të ndieshme jetësore që janë kryesisht kompetencë e tyre ligjore, atëherë nuk janë fare serioze pretendimet e tyre, që me organ përfaqësues që aktualisht ka vetëm karakter politik, të avansojnë pozitën e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Njëkohësisht janë krejtësisht demagogjike dhe bajate deklaratat për unitet kombëtarë kur ata jo vetëm që në format më drastike i injorojnë përfaqësuesit e opozitës shqiptare, por me procedura krejtësisht joligjore po e vazhdojnë fushatën e egër të shkarkimeve të këshillave të shkollave dhe drejtorëve në shkollat shqipe, e ç’është edhe më drastike këto udhëheqje shqiptare po i diskriminojnë institucionet më të rëndësishme të arsimit në gjuhën shqipe, e madje edhe po i rikthejnë diferencimet famëkëqija të regjimit të Millosheviqit dhe largimin e punëtorëve Shqiptarë bazuar vetëm në interesat e ngushta partiake.

Në situatë kur përbërja e re e KNSH – së ka ndërprerë në 10 muajt e fundit aktivitetet për sigurimin e teksteve mësimore për shkollat shqipe, madje edhe nga Shqipëria, duke dhënë premtime joserioze se kjo çështje shumë e ndieshme do të zgjidhet duke i sjellur të gjitha tekstet nga Kosova pa asnjë procedurë paraprake, madje edhe pa ndonjë marrëveshje në mes të ministrive përkatëse të Kosovës dhe Serbisë, qoftë të drejtëpërdrejtë apo me anë të Brukselit, tregon se sa shkurtpamëse dhe e dëmshme është politika e poenave të lirë politik që po zbatohet nga udhëheqjet aktuale në Luginë të Preshevës.

Andaj porosia nga kryesia e PVD – së ësht e qartë se kërkesa për të drejtat e Shqiptarëve në Serbi konform nivelit të të drejtave që po i realizojnë Serbët e Kosovës është krejtësisht legjitime, por duhet të jemi të vetëdijshëm se ky reciprocitet nuk arrihet me lojërat politike me të cilat po tentohet mbajtja e mbledhjes e 12 shtatorit, por me angazhim të mirëfilltë, i cili themelet i ka në funksionimin shumë më efikas e më serioz të pushteteve lokale dhe të KNSH – së, por natyrisht edhe me unitet në veprim të gjitha subjekteve politike shqiptare në Luginë të Preshevës.
Kryetari i PVD – së
dhe Deputeti Popullor

Riza HALIMI

Filed Under: Politike Tagged With: Lugina e Presheves, Riza halimi

Kur do ta vizitoj Isa Mustafa Luginën e Preshevës?!…

July 29, 2015 by dgreca

Do të ishte më së e domosdoshme që vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë të kushtëzohen me lejimin nga qeveria serbe që këtë ta bëjnë edhe ministra e zyrtar tjerë kosovar këtë pjesë etnike shqiptare/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Jemi dëshmitarë se pothuajse për çdo ditë ministra e zyrtar tjerë serb vizitojnë Kosovën. Ç’është edhe më keq sjellja e këtyre zyrtarëve nga Serbia po keqpërdorët në mënyrë të vrazhdë dhe kundër rregullave e ligjeve pozitive të vendit tonë. Ata jo vetëm që i takojnë serbët lokal në mjedise të ndryshme, por vetë i organizojnë tubimet dhe i mësojnë se si qytetarët duhet të reagojnë dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë se jetojnë e banojnë në Republikën e Kosovës. Për çdo ditë iu thonë se kjo është tokë serbe, se kjo është krahinë serbe dhe se gjithnjë Serbia do t’i mbështesë e do t’i përkrah edhe materialisht, por edhe në forma tjera. Përkundër këtyre sjelljeve antikushtetuese, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente nuk reagojnë fare dhe kështu në heshtje tolerojnë gjithë këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të shtetit serb në Kosovë. Zatën kjo heshtje e pakuptueshme ua ka mundësuar këtyre zyrtarëve serb që për çdo herë ta ashpërsojnë gjuhën e urrejtjes që ndiejnë ndaj shtetit të Kosovës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës të lënë nën mëshirën e regjimit serb
Derisa institucionet dhe organet tjera qeveritare serbiane ndër prioritetet e tyre vepruese kanë edhe gjendjen dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë, fatkeqësisht qeveria e jonë nuk është duke e bërë asnjë hap serioz në drejtim të ngritjes së zërit për padrejtësitë që i bëhen popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila në mungesë të mbështetjes që do të duhej ta kishte ka zgjedhur disa veprime protestuese që po bien në vesh të shurdhër edhe të komunitetit ndërkombëtar e që është edhe më keq disa familje shqiptare edhe po shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Gabim shumë i madh i palës kosovare ishte fillimi i dialogut me Serbinë pa e përfshirë në ato bisedime edhe Luginën e Preshevës, në të cilën jetojnë me shumë banorë shqiptar se sa që janë serb në pjesën veriore. Lëshimi i këtij rasti është një humbje e madhe për një tretman tjetërfare të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, që vështirë së do të mund të kompensohet aq lehtë në të ardhmen. Një fjalë popullore thotë se kurrë nuk është vonë, ndaj ekipi negociator dhe qeveria e Kosovës duhet të insistojnë për një baraspeshë të të drejtave që duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në atë pjesë etnike ilire e jo vetëm që të bisedohet për pakicën serbe, e cila edhe ashtu i gëzon të gjitha të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nëse ka drejtësi ndërkombëtare atëherë ajo do të duhej t’i garantohet edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe jo vetëm një komuniteti konkret, siç është rasti me serbët e Kosovës. Thënë konkretisht, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e regjimit serb, regjim ky që këtë popullatë e trajton krejt ndryshe duke mos bërë asnjë investim sado të vogël për t’ua mundësuar një jetë më të mirë ashtu siç përkujdeset për serbët lokal që jetojnë në një shtet tjetër, përkatësisht në Republikën e Kosovës.
Edhe ministrat kosovar do të duhej të vizitonin Luginën e Preshevës
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, është i pari politikan i këtij rangu që vizitoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Na kujtohen ato pamje të fytyrave të gëzueshme të mijëra shqiptarëve që shiheshin në ekranet televizive. Kjo vizitë iu dha shpresë e vullnet vëllazërve dhe motrave tona në atë pjesë që të qëndrojnë, punojnë e jetojnë për të ngritur një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, nga Kryeministri i Kosovës asnjëherë nuk dëgjuam asnjë fjalë se ai e ka ndërmend që të marrë rrugë në drejtim të Preshevës. Nuk dëgjuam, po ashtu, asnjëherë të këtë shprehur interesimin e tij për banorët shqiptar në atë pjesë në vizitat që i bëri apo edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ku u takua edhe me Kryeministrin serb Vuçiq. Për realizimin e një vizite shumë të nevojshme dhe të mirëseardhur për banorët shqiptar , Isa Mustafa nuk ka kurrfarë pengese sepse ai nuk gjendet në listën e “ terroristëve” shqiptarë të orgeneve ndjekëse të të Serbisë sikurse që janë shumë figura të rëndësishme të UÇK-së, që tani kanë edhe poste të rëndësishme politike . Sigurisht se regjimi serb në fillim do të bënte përpjekje për të penguar një nismë të tillë të të parit të qeverisë së Republikës ës Kosovës, mirëpo insistimi i vazhdueshëm do të përfundonte me lejimin e vizitës në këtë tokë arbërore. Nëse eventualisht këtë do ta pengonte qeveria serbe, atëherë organet tona do të duhej që këtë masë ta aplikojë edhe për zyrtarët dhe udhëheqësit serb që pothuajse për çdo ditë vizitojnë Kosovën. Jo vetëm Isa Mustafa, por edhe ministra e zyrtar tjerë është e udhës që të vizitojnë Luginën e Preshevës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen më të sigurt. Është më së e domosdoshme që të bëhen përpjekje maksimale edhe në aspektin e ndërtimit të ndonjë objekti ekonomik nga të dy qeveritë shqiptare si dhe nga mërgata në mënyrë që fati i banorëve të kësaj ane për të qëndruar në tokën e tyre stërgjyshore të forcohet shumë më tepër se sa deri me tash. Kur ka interesim vullneti e shpresa nuk shuhen kurrë. Mbetet të shihet se sa e si do të punohet në këtë drejtim. Jashtë këtij interesimi nuk do të duhej të mbetën edhe komunat si dhe biznesmen shqiptar kudo që jetojnë, veprojnë e punojnë. Ky aktivitet është sa obligativ, po aq edhe patriotik.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Mustafa, Lugina e Presheves, Xhavit Citaku

Lugina e Preshevës, shqiptarët fitojnë së paku një mandat në Kuvendin e Serbisë

March 17, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.- Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë të paktën një deputet në Kuvendin e Serbisë, pasi sipas rezultatit paraprak të 65.37% të vendvotimeve, të publikuar në mesnatë nga Komisioni Zgjedhor Republikan , lista Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi ka fituar 0.89% të votave. Po të ishte përfundimtare kjo përqindje do fitoheshin 2 mandate, aq sa figurojnë edhe në rezultatin paraprak të mesnatës të publikuar në faqen zyrtare.
Kryesuesi i listës, lideri i Partisë për Veprim Demokratik – Riza Halimi, i cili në mandatin e kaluar ishte deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, e fiton këtë mandat për herë të katërt.
Derisa parti të tjera shqiptare në Luginën e Preshevës kanë bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare serbe, partia që udhëheq Halimi kishte vendosur që edhe këtë herë të garonte në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë.
Riza Halimi, kryesuesi i listës së Partisë për Veprim Demokratik, sipas medias lokale në Luginën e Preshevës ka thënë se shpresonte që qeveria e ardhshme e Serbisë të bëjë diçka konkrete për banorët e kësaj zone.
“Dalja masive e votuesve tanë ka peshë për sigurimin e përfaqësuesve legjitimë në Parlament”, është cituar ai

Filed Under: Rajon Tagged With: Lugina e Presheves, zgjedhjet

Presheva me protestë e Flamur shënon Ditën e Pavarësisë

November 28, 2013 by dgreca

Preshevë, 28 nëntor – Në Preshevë për Ditën e Flamurit është mbajtur mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës. Njëkohësisht liderë lokalë dhe qytetarë kanë mbajtur një tubim protestues. Në ndërtesën e Kuvendit që nga mëngjesi, krahas flamurit të Serbisë, ka valëvitur flamuri i Shqipërisë është vënë një pankartë e zezë me mbishkrimin “Na e ktheni përmendoren”.

Në mbledhjen e Kuvendit është intonuar himni kombëtar dhe me një minutë heshtje janë nderuar të rënët e UÇPMB-së, njofton B92.
Shkas për protestë është ndalimi i përdorimit ë flamuri kombëtar dhe të simboleve të Shqipërisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe me problemet tjera të sapo zgjidhur të shqiptarëve të Luginës ka thënë Ragmi Mustafa, kryetar  komunës së Preshevës.

***

Përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës i kanë dërguar letër kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq dhe zëvendësit të tij Aleksandar Vuçiq, njofton Fonet.Në letër konstatohet se është i pakuptimtë vazhdimi i dialogut të filluar rezultatet e të cilit do të ishin ato të shifrave të mangëta nga regjistrimi i vitit 2011.
“Zgjidhja ligjore që Preshevën e lë pa Gjykatë Themelore dhe pa Gjykatë Kundërvajtje e Bujanocin pa Prokurori Themelore e Gjykatë Kundërvajtje, rrezikon seriozisht interesat e popullatës shqiptare”, theksohet në këtë letër.
“Si përfaqësues politikë të shqiptarëve, nuk mund të pajtohemi me konfiskimin e më shumë se 5000 librave donacion i Kosovës, me zvogëlimin e 30 për qind të buxhetit të Këshillit Kombëtar gjatë vitit 2013 si pasojë e zbatimit të shifrave të mangëta të plota të regjistrimit si dhe zvogëlimin e qëllimshëm të mjeteve transfer  për këto komuna nga projektbuxheti i Serbisë për vitin 2014 që vështirësojnë administrimin lokal dhe Këshillin kombëtar”.
Në letër përkujtohet se në marsin e këtij viti është nisur procesi i ri politik që ka pasur për qëllim përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës kanë hartuar një dokument shtatë pikësh të quajtur Platformë e masave urgjente për afirmimin të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës”.
Qeveria e Serbisë, pas analizës së dokumentit e ka cilësuar të pranueshëm dhe se në bazë të këtij dokumenti duhet nisur dialogun me  përfaqësues politikë të shqiptarëve, theksohet në letër dhe shtohet se në takimet e tyre me Ivica Daçiqin e Aleksandër Vuqçiqin “ishte krijuar atmosfera e optimizmit se kjo Qeveri do të fillojë seriozisht të merret e të zgjidhë probleme me të cilët ndeshen shqiptarët dhe në takim ishte arritur pajtimi që për çdo pikë të dokumentit të organizohen takime me përfaqësues të resorëve ministrorë”.
“Në një atmosferë korrekte dhe premtuese ka kaluar takimi me ministren e Shëndetësisë Slavica Gjukiq – Dejanoviq, në të cilin u dëshmuan kërkesat e përfaqësuesve të shqiptarëve nga fusha e shëndetësisë”.
Megjithatë, që në takimin tjetër me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe pas miratimit të Ligjit për selinë dhe rajonet e gjyqeve e të prokurorive, krahas refuzimit të pesë (të gjitha) amendamenteve të deputetit Riza Halimit, rrezikon seriozisht jo vetëm optimizmin e filluar, por edhe procesin e nisur, theksohet në letër.
Zgjidhja e re ligjore për gjyqet nuk është garanci e mjaftueshme që do të mundësojë pjesëmarrje proporcionale të shqiptarëve në institucionet gjyqësore.
Rrjeti i ri gjyqeve aspak nuk e ndryshon mundësinë e qytetarëve të këtyre komunave për qasje më të lehtë në drejtësi. Është e papranueshme kjo zgjidhje juridike si pasojë e zbatimit të shënimeve të paplota të regjistrimit të vitit 2011, sipas të cilit në Preshevë janë regjistruar vetëm 416, në Bujanoc 244 e në Medvegjë 521 shqiptarë, që është në mënyrë të pakrahasueshme më pak se 57.595 shqiptarë në këto komuna sipas regjistrimit të vitit 2001, i tërhiqet vërejtja Daçiqit dhe Vuçiqit në këtë letër.
Po ashtu theksohet se shkelja e afateve të premtuar (korrik 2013) nga takimet e filluara për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për Përmendoren në Preshevë dhe për Memorialin e Xhandarmërisë në Lluçan (Bujanoc) “hedh hije dyshimi në qëllimet që problemet të zgjidhen seriozisht “, thuhet në letër, citon FoNet.
Situatën e komplikon edhe më shumë vdekja e pasqaruar e Reshat Bajramit në burgun e  Vranjës, ndaj duhet që ky rast tragjik të zbardhet në mënyrën më objektive, përfundon letra e liderëve shqiptarë të Luginës të cilën e kanë nënshkruar Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë  (PDD), Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve(PDSH), Nagip Arifi, kryetar i  komunës së Bujanocit dhe kryetar i Partisë Demokratike (PD), Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, Jonuz Musliu, Kryetari Kuvendit komunal të Bujanocit dhe i Lëvizjes për Progres demokratik (LPD), Ramiz Latifi, kryetar i Kuvendit komunal të Preshevës, Skender Destani, Rahmi Zulfiu, dhe Shaip Kamberi.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, Lugina e Presheves

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN PARA OKB-së PËR TË DREJTAT E MOHUARA TË SHQIPTARËVE NË LUGINËN E PRESHEVËS

January 28, 2013 by dgreca

Komisioni organizator ka dërguar me këtë rast një Memorandum në drejtim të Kombeve të Bashkuara, Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit Amerikan, organizatave ndërkombëtare  për Liritë e të Drejtat e Njeriut etj./

Ashtu siç ishte paralajmëruar, të hënën, 28 Janar 2013, prej orës 11:00 deri në orën 14:00 para selisë së OKB-së në Nju Jork, u organizua një protestë për të drejtat e mohuara të bashkatdhetarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”. Protesta kishte ditë që përgatitej. Pas dy takimeve në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i dyti u organizua të dielën me 27 Janar, ku dhe u diskutuan masat më të fundit për realizimin e protestës si dhe memorandumin qe do t’u drejtohej zyrtareve amerikane. Kjo proteste erdhi si kundërshti me vendimin e autoriteteve serbe për të hequr përmendoren e UÇPMB-së në qendër të Preshvës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pas takimit të parë të organizuar në Shtëpinë e Vatrës, gazeta e Vatrës, Dielli, pat publikuar një thirrje drejtuar  shqiptarëve. Ne te shkruhej: “Bashkëdhetarë! Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për situatën e tensionuar të krijuar në Luginën e Preshevës pas ndërhyrjes brutale të makinës ushtarake policore serbe, që na kujton kohën e Millosheviçit, por edhe për mbarë çështjen tonë kombëtare. Serbët po tentojnë të marrin inisiativën dhe nga xhelatë po hiqen si viktima! Nuk njohin shtetin e Kosovës për minoritetin serb në Kosovë, nga ana tjetër u mohojnë të drejtat shumicës shqiptare në Luginën e Preshevës.  Bashkatdhetare; Lereni pak orë punën dhe merrni pjesë në këtë protestë mbarëkombëtare. Jemi të gjithë shqiptarë të Preshevës në këto çaste tensioni. Le të protestojmë me kulturë dhe rregull!”.

Edhe pse moti ishte i pafavorshëm, binte shi dhe borë bashkë, frynte erë, por protesta u organizua, madje me rregull dhe disiplinë. Krahas organizatorëve nga Lugina e Preshevës, organizatat dhe shoqatat e komunitetit, ndihmuan që kjo protestë të përcillte mesazhe të qarta. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Fondacioni Plavë dhe Guci, Rrënjët Shqiptare, Shoqata Rugova, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane,  i dhanë tonin protestës. Të pranishëm në protestë ishin edhe diplomatët shqiptarë, Dritan Mishto Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York dhe Fatmir Zajmi, Konsull i Republikës së Kosovës në New York.

Mes protestuesëve kishte dhe studentë të shkollave amerikane. Protestuesit mbanin ndër duar parulla, që përcillnin mesazhet e protestës, si : “Serbia është duke nxitur një luftë tjetër Ballkanike” , “Nadl! Spastrimin Etnik!” , ” Daçiçi – Millosheviç – Daçiç = Fashist” , “Shqiptarët në Serbi, dëshirojnë të njëjtat të drejta si edhe ata të Serbisë në Kosovë ” ,  Serbia duhet t’i kthehet Paqes” etj…

Demonstrimin paqsor e ka hapur kryetari Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafa, i cili përcolli mesazhin e qartë se”pa zgjidhur problemin e të drejtave të mohuara të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia do ta ketë të mbyllur rrugën për në BE.”

Z. Avni Mustafa ishte drejtuesi i protestës. Ai ftoi në foltore radhazi folsëit, që përfaqësonin Shoqata dhe organizata të ndryshme politike dhe kulturore.

Një ndër organizatorët e protestës, Shaban Mehmeti, përcolli një mesazh të plotë të Partisë për veeprim Demokratik, me kryetar Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë. Në mesazh thuhej:” Tensionet e fundit në Preshevë rreth lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së janë vetëm një segment i kompleksit të problemeve të rënda jetësore që janë pasojë e statusit të pazgjidhur politik të shqiptarëve në Luginën të Preshevës.Eshtë me rëndësi të theksohet se programi qeveritar i shkurtiti 2001 për zgjidhjen e krizës në rajonin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, që u përfshi në Marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001, në pjesën më të madhe ngeli i parealizuar. Andaj edhe gjendja ekonomike jo që nuk u permisua, por më e rëndë se edhe gjatë regjimit të Millosheviqit. Kështuqë shkalla e papunësisë aktualisht është mbi 70 për qind kurse tëardhurat kombëtare për banorë janë rreth shtatë herë më të ulta se mesatarja përkatëse në nivel shtetërorë.
Në mesazhin që përcolli z. Mehmeti theksohej fakti se: në 12 vitet e kaluara shumë më pak u punua për integrimin e shqiptarëve në strukturat publike, ashtuqë në shumë institucione të nivelit lokal, rajonal dhe shtetërorë edhe më tutje nuk ka të punësuar shqiptarë, apo numëri i tyre është simbolik. Në periudhën 1999-2001 në kushte të luftës dhe gjendjes së jashtëzakonëshme u dëbuan mbi 10.000 Shqiptarë dhe shumica dërmuese e tyre ende nuk është kthyer në vatrat e tyre.
Mesazhi vijonte: Në Luginën e Preshevës ekzistojnë probleme serioze të qarkullimit të lirë, sepse në komunat e Preshevës dhe të Medvegjës, përveç rrugëve magjistrale që lidhin Preshevën me Gjilanin dhe Medvegjën me Prishtinën të gjitha rrugët e tjera lokale janë të mbyllura që nga Lufta e Kosovës.

Po ashtu problem mbetet moshapja e tri pikave të kalimit kufitar me maqedonië. Edhe pse vendimi është marrë që më 2005, asnjë pikë e tillë nuk është ndërtuar.

Aktualisht problem më I rëndë I shqiptarëve të të Luginës është shpërngulja dhe largimi i Shqipëtarëve nga vatrat e tyre, për shkak të dhunës shtetërore, që po ushtrohet në vazhdimësi që nga lufta në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës e gjer në këto ditë kur në vazhdimësi po i imponohet gjendje e jashtëzakonëshme me prezencë dhe dhunë të ushtruar të forcave speciale të policisë.
Ëështë shumë e qartë se qeveria e Serbisë në vend të plotësimit të obligimeve që dalin nga programi i saj për Luginën e Preshevës që u përkrah nga faktori ndërkombëtarë po imponon vetëm projekte dhe dhunë militare jo vetëm me largimin e dhunëshëm të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, dhe provokimin e rëndë me anë të memorialit për policët special serb të vrarë gjatë kryengritjes së Shqiptarëve kundër represionit të regjimit të Millosheviqit, por edhe me ruajtjen e shumë minibazave të ushtrisë dhe xhandarmarisë serbe në Zonën e Sigurisë Tokësore, edhe pse në afërsi të Bujanovcit u ndërtua baza ushtarake, e cila kushtoi më shumë se të gjitha projektet e infrastrukturave komunale dhe të veprimtarive publike në Preshevë dhe Bujanovc.
Mesazhi përfundonte me konsttaimin: ” Në këtë stuatë të rëndë , të angazhimit të pamjaftueshëm të bashkësisë ndërkombëtare, Lugina e Preshevës gjendet para rrezikut që pastrimi etnik i kryer të zgjerohet edhe në Preshevë e Bujanovc.”

Më pas e ka marrë fjalën kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes, dr. Gjon Buçaj. Kryetari i Vatres solli pershendetjet e vatranevet dhe mesazhin e perkrahjes se tyre te plote per popullin shqiptar te Lugines se Presheves, duke denuar shembjen e lapidarit perkujtimor te deshmoreve te lirise, si nji akt terrori shteteror. “Te gjithe na qe jemi bashkue ketu”, shtoi ai, “deshmojme solidaritetin e te gjithe shqiptarevet te Amerikes, se bashku me te gjithe shqiptaret tjere kudo jane, ne trojet stergjyshore dhe ne diaspore.”. Ai veleresoi reagimin e popullates lokale shqiptare si “reagim civilizues e paqesor por i vendosur” dhe komentoi se shqiptaret jane paqedashes e jo agresive, “por mos i veni shqiptaret me shpatulla per mur duke u shkelur lirine e te drejtat e tyre njer’zore”. “Akti i policise serbe asht kjartas akt terrorizmi shteteror, nje hap i rrezikshem i qeverise serbe ne drejtim te shkatrrimit te paqes ne rajon. Besojme se edhe kombi serb ka nevoje per paqe, mbas gjithe ati gjaku dhe tana atyne masakrave qe u bane n’emen te tij ne Balkan, dhe ka nevoje te integrohet ne familjen e kombeve paqesore e te civilizueme” . “Shqiptaret e Presheves, Bujanovcit e Medvegjes duhet te gezojne, minimum, te gjitha ato te drejta qe Serbija kerkon per minoritetin serb ne Kosove!”, perfundoi ai. “Rrnofshin shqiptaret e Lugines se Presheves! Jemi te gjithe me ta!”.

Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, pasi pershendeti organizatoret dhe protestuesit, perifrazoi kryeministrin Berisha. Ai tha se procesi i bashkimit të shqiptarëve u bën mirë edhe fqinjëve tanë, çlirimit të tyre nga albanofobia. Ai i konsideroi të të papranueshme qëndrimet e fundit të serbëve në Preshevë.

Kanë përshëndetur: East Gjonbalaj nga Fondi Plavë- Guci, Marko Kepi-president i “Rrënjët Shqiptare”, Endri Merxhushi  nga shoqata Çamëria , kryetari i Legalistëve në Amerikë Hakik Mena, Musa Paçuku nga Shoqata Dibra, Martin Shkreli nga KKSHA, kryetari i degës së Vatrës në Hudson Valley ne New York, Elmi Berisha etj.

 Komisioni organizator ka dërguar me këtë rast edhe një Memorandum në drejtim të Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit Amerikan, organizatave ndërkombëtare prestigjoze për Liritë e të Drejtat e Njeriu etj..

Në Memorandum ndërtë tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Ndër të tjera në Memorandum shkruhet:”Sjellja e qeverisë serbe, thuhet në Memorandum, nuk ka vend në Evropë, sidomos tani që Serbia pret datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në veri të Kosovës dhe që përmendorja të kthehet aty ku ishte vendosur.” (Korresp i Diellit)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, e shqiptareve te Amerikes, Lugina e Presheves, proteste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dardanët…
  • DEKLARATA E PAVARËSISË – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
  • 2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!
  • Penalizimet e kryeministrit për pyetje ndaj gazetarëve janë rast tipik shqiptar. Këto penalizime duhen refuzuar
  • Në Kroaci u zhvillua shkolla verore e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare
  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
  • 2 Korrik 1990 si revoltë ndaj sistemit komunist
  • Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi
  • EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI
  • KËSHILLI BASHKIAK LIBOHOVË I JEP TITULLIN “MIRËNJOHJA E QYTETIT” (PAS VDEKJES) ATDHETARIT QERIM BAJRAM HAXHIU
  • LA PATRIE (1920) / IMZOT LUIGJ BUMÇI : “POPULLI SHQIPTAR, ME VULLNETIN E TIJ, NUK DO TA LËSHOJË KURRË VLORËN.” – SHKRESA DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS
  • KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990
  • Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966
  • JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!
  • “MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT