Në një takim të organizuar paraditen e kësaj të enjteje nga Fondacioni për Liri, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se, liria dhe demokracia janë esenca e ekzistencës rrafshin e botës demokratike.
Në fjalën e tij, Basha ka vlerësuar se, në 25 vjet Shqipëria ka ecur dhe ka arritur jo pak, “duke lënë pas trashëgiminë më të hidhur në historinë e komunizmit”.
“Sot kemi një Shqipëri që është anëtare e NATO-s, aleate strategjike e SHBA dhe kandidate për në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Basha.
Por nga ana tjetër, ka vlerësuar ai, Shqipëria nuk ka arritur të shkëputet nga disa aspekte negative, siç është “deformimi i shtetit ligjor”.
“Sot kemi të bëjmë me shtetin e të padrejtës. Shtrembërimi apo deformimi i shtetit ligjor në Shqipëri nuk është ndalur. Legjislativi shqiptar në 25 apo 23 vitet e fundit është katandisur në një noter gojëkyçur i kryeministrit”, ka thënë Basha.
I vetmi test i llogaridhënies popullore, ka nënvizuar aim janë zgjedhjet e lira e të ndershme, “që nuk kaloi në qershor të këtij viti”.
“Në këto zgjedhje u derdhën miliona euro para nga tenderat, kontrabanda, nga droga. Shkatërrimi i zgjedhjeve të 21 qershorit është një këmbanë alarmi për ne dhe miqtë tanë që i duan të mirën Shqipërisë”, ka shtuar Basha.
Megjithatë, ai ka shprehur besimin e tij se, ka edhe një shans të fundit. “Të ndërtojmë një konsensus popullor që na lidh, të djathtë e të majtë. Sepse kjo që po ndodh nuk ka të bëjë vetëm me të majtën e të djathtën, sepse ngritja e krimit në sistem, rritja e taksave, etj, nuk janë aspak tipare të së majtës”, ka shtuar Basha.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka vijuar kritikat e tij të ashpra ndaj qeverisë Rama-Meta. Në “Forumin Shqiptar për Liri dhe Demokraci”, shefi i opozitës tha se liria dhe demokracia janë esenca e të qenit në jetën perëndimore dhe se në këto 25 vjet, Shqipëria ka arritur shumë gjëra, por pavarësisht kësaj, në vend ka frustrim dhe pasiguri.
“Në 25 vjet Shqipëria ka ecur dhe ka arritur jo pak, duke lënë pas trashëgiminë më të hidhur. Sot kemi një Shqipëri që është anëtare e NATO-s, aleate strategjike e SHBA dhe kandidate për në BE. Por nga ana tjetër kemi një Shqipëri të frustruar e të pasigurt. Dufi dhe zemërata popullore gjatë protestës nuk ishin skenar i opozitës.
Dhuna e vërtetë është dhuna ndaj klasës së mesme shqiptare, ndaj medias dhe shtypit të lirë. Është ndërtuar një Parlament me kukulla krimi. Shqiptarët janë zemëruar. Ekonomia Shqiptare ndodhet në krizë të madhe. Duhet të bashkohemi , për të ndryshuar situatën dhe kjo bëhet vetëm me protesta”, tha kreu i Partisë Demokratike.