Feja, martirët e fundi i regjimit komunist në Shqipëri. Në kuadrin e kremtimit të Vitit Jubilar të Mëshirës, prifti shqiptar dom Elia Matija, të dielën e kaluar më 5 qershor, në Pistoia të Italisë, organizoi prezantimin e librit “Don Ernest Simoni Troshani. Nga puna e detyruar në kampe të përqendrimit e deri te takimi me Françeskun”, shkruar nga Mimmo Muolo, gazetar vatikanist e kryeredaktor i redaksisë romake të gazetës Avvenire.
Në këtë vepër, autori tregon ngjarjet dramatike të priftit shqiptar, dom Ernest Troshanit, që mbijetoi nga persekutimi i regjimit komunist, përshkon 28 vitet e jetës së tij kaluar në burg, torturat e punët në kampet e përqendrimit, por edhe veprimtarinë apostolike në vitet pas rifitimit të lirisë dhe takimin e paharrueshëm me Papa Françeskun, në Katedralen e shën Palit në Tiranë, më 21 shtator 2014.
Mimmo Muolo sjell kujtesën e martirizimit të një populli të tërë e në mënyrë të veçantë të klerit shqiptar, dëshminë e qëndresës, faljen, pajtimin, mëshirën që buron nga besimi në Zotin e nga dashuria ndaj vëllezërve shqiptarë e ndaj atdheut.
Historia e dom Ernestit, ashtu si dhe historia e tërë popullit shqiptar gjatë diktaturës, është ngjarje dramatike, por edhe një kujtesë që brezat e ri duhet ta njohin e ta ruajnë si një thesar të çmueshëm. Ky Vit jubilar i Mëshirës ndihmon të falim e të pajtohemi njëri me tjetrin, siç na dëshmon edhe dom Ernest Troshani, pohon dom Elia Matija në mikrofonin e Radio Vatikanit, qe ju lexues mund ta degjoni te plote duke shkuar tek faqja e Radio Vatikanit)